E enjte, 25.04.2024, 03:05 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Shtypet me makinë lojtari i kombëtares

E hene, 21.09.2009, 01:22 PM


Nga Altin Latifi

Ishte 20 vjeç dhe ëndërronte fanelën e ko mbëtares së Shqipërisë. Por, të premten në mbrëmje ëndrra e Brian Filipit, sulmuesit nga Lezha që aktivizohej në radhët e Ravenës në Serinë C italiane, është prerë në mes. Futbollisti i përfaqësueses Shpresa është shtypur nga një makinë në Çervia, pak pas orës 23 të dy ditëve më parë. Ai ishte bashkë me shokun e skuadrës Stefano Skapini dhe një makinë që po kalonte me shpejtësi tejet çdo limiti, e ka përplasur disa metra tutje. Vetura më pas u karambolua me një rresht makinash të parkuara, të cilat i ka dëmtuar rëndë. Sulmuesi i ri shqiptar është dërguar menjëherë në urgjencën e spitalit, por çdo gjë ka qenë e kotë. Mjekët nuk kanë mundur t’i shpëtojnë jetën, pasi goditja ishte vërtetë e fuqishme. Lajmi i vdekjes së tij u bë publik në të gjitha mediat italiane pak orë më vonë, duke tronditur skuadrën dhe ambientin futbollistik. Thuajse të gjitha klubet e mëdha kanë shprehur hidhërimin për humbjen e 20 vjeçarit, ndërsa skuadra e Ravenës ka kërkuar nga Federata shtyrjen e ndeshjes së sotme ndaj Foxhias, e cila tashmë do të luhet më 30 shtator. Brian Filipi ishte vetëm 20 vjeç dhe kishte luajtur 23 ndeshje sezonin e kaluar në Serinë C të Italisë, duke shënuar edhe 5 gola. Konsiderohej një talent dhe jo më kot, ishte në fokusin e disa skuadrave të Serisë A. Pasi nuk mundi të përfshihej në operacionin Suçi për të kaluar te Palermo, Filipi u kërkua nga Kievo e Torino. “Brian është gati për një skuadër të nivelit të lartë”, pati thënë drejtori sportiv i Ravenës Xhorxhio Bufone. Filipi ishte futbollist bazë edhe në formacionin e kombëtares Shpresa, ku mungoi vetëm në sfidat e fundit për shkak të një dëmtimi.

Dëshmia

Në krah të Brian Filipit, në momentin e aksidentit, ishte shoku i tij i skuadrës Stefano Skapini, i cili është i huazuar te Ravena. Duke folur për “Gazzetta Dello Sport”, ai ka treguar momentin e aksidentit. Skapini ka treguar se makina ishte me një shpejtësi shumë të lartë. “Edhe mua më preku pak pjesa e prapme dhe më pas, pashë Brianin që fluturoi në ajër”, ishin fjalët e tij. Sa i përket autorit, ajo ishte një grua 52 vjeçare, e cila zotëronte një aktivitet tregtar në zonën e Çervias. Në fakt, ajo ka rezultuar negative në testet e alkoolit, por tashmë priten edhe analizat toksikologjike, që do të tregojnë nëse ka përdorur drogë apo jo. Gruaja është shtruar gjithashtu në spitalin e Çervias për shkak të plagëve të lehta, ndërkohë që aty është krijuar jo pak tension nga familjarët dhe të afërmit e viktimës. Në spital nuk ka munguar as presidenti i Ravenës Xhani Fabri. Ndërkohë, i gjithë opinioni në Ravena ka qenë i tronditur nga vdekja e tmerrshme e Brian Filipit, e ndodhur në orët e para të ditës së shtunë. Fytyrat e futbollistëve të kësaj skuadre ishin të shokuara në seancën stërvitore të paradites në fushën e Ordonas. Më pas, të gjithë kanë shkuar në shtëpinë e lojtarit shqiptar, i ndarë nga jeta në një moshë fare të re. Kapiteni Toni D’Amiko ishte i vetmi që foli në emër të skuadrës, duke thënë se “jeta është e tillë dhe është e vështirë të kthehesh mbrapa”.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora