Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Isuf Zela: "Majekrahu", një perlë e rapsodisë shqiptare

| E diele, 20.09.2009, 10:15 AM |


Të fundit që e kanë përcjellë si trashëgim "majekrahun", një nga këngët më të vjetra të mbërritura deri në ditët tona si dëshmi e riteve pagane shqiptare, kanë qenë Malësia e Madhe me jehonën e rrethimeve të Shkodrës së shekullit XV, Malësia e Gjakovës

"Majekrahu", një perlë e rapsodisë shqiptare

Nga Isuf Zela

Nga këngët më të vjetra të mbërritura si dëshmi e riteve pothuajse pagane shqiptare është kënga e cilësuar si "majekrahu". Me ndryshimin e mënyrës së jetës, një komunitet i caktuar ndryshon deri diku edhe shprehjen artistike, duke lënë prapa një fond të caktuar sistemesh të valleve, këngëve dhe sjelljes. "Majekrahu" ka qenë një element i zakonshëm komunikimi jo vetëm artistik i shqiptarëve të Veriut, një mjet komunikimi artistik që me fillimin e shekullit XX duket sikur nisi të zhdukej disi... së paku si funksion informativ. Me përfundimin e periudhës heroike, edhe "majekrahu" nisi të përdorej, këndohej më rrallë, aq rrallë sa tashmë është shumë e vështirë të gjesh një interpretues të zotin që të dijë të përcjellë jo vetëm emocionet, por edhe vetitë artistike të saj. Të fundit që e kanë përcjellë si trashëgim "majekrahun" kanë qenë Malësia e Madhe, me jehonën e rrethimeve të Shkodrës së shekullit XV, Malësia e Gjakovës me epokën heroike të Rilindjes, etj. Në këtë të fundit, kryesisht në Rrethin e Tropojës, ekipe të ndryshëm ekspertësh të kulturës në ekspeditat e tyre në gjysmën e shekullit XX kanë fiksuar gjendjen reale të "majekrahut", kënga e cila në fundit e shekullit XX dhe fillimin e shekullit XXI ndodhet pothuajse në venitje. E me gjithë peripecitë dhe përpjekjet për të mos humbur, "majekrahu" jetoi dhe jeton ende, ndoshta jo si dikur, por si një jehonë e asaj kohe. Një nga bartësit e fundit të traditës së këngës "majekrahu" në Tropojë e ndoshta më gjerë është Isuf Nezir Zela, 60 vjeç, nga fshati Begaj. Në fushatën e përgatitjeve për Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, Isufi ra në sy të specialistëve pikërisht me "majekrahut", i cili e ka kënduar për 40 vjet. Ka nisur fillimisht nëpër dasma e më pas kur ra në sy për aftësitë e tij, u përzgjodh për ta kënduar edhe në kuadër të festivalit "Sofra Dardane" që zhvillohet në Tropojë. "Rreth 40 vjet e kam kënduar ‘majekrahun‘ nëpër dasma të Malësisë Gjakovës, nëpër miq", thotë Isufi, duke shtuar se e ka nisur që kur ishte 20 vjeç në odat e atëhershme. "Që fëmijë më ka tërhequr ‘majekrahu‘, por kjo lloj kange don za burri, nuk është e lehtë. Duke dëgjuar gjyshin që herët në fëmijëri dhe më pas babën, mendova se mund t‘ia dilja dhe këndova, aty njerëzit më thanë se kisha dalë mirë, madje dy-tre vetë i pashë që ishin përlotur", tregon me emocione Isufi fillimet e veta të interpretimit të ‘majekrahut‘. Kjo është një pjesë shumë e veçantë interpretimi, ka një ritëm të caktuar të thirrjes me pasthirrmat jooo..., pooo... (në raste të tjera si dhe zona të tjera me pasthirrmat moreee,) me vendosjen e njërës dore te veshi, ndoshta si një interferencë gati hyjnore sugjestionuese që krijohet gjatë interpretimit. E pyes Isufin se sa e vjetër është kënga që do të këndojë në festival, e ai përgjigjet: "Me qindra vjet, e ka këndu baba im dhe gjyshi, unë e kam mbrritë gjyshin tim që ka këndue dhe më ka pasë thanë se e kishte dëgjue ‘majekrahun‘ prej babës dhe pre gjyshit të vet, si me ta thanë, me qindra vjet". Ai shton se "majekrahu" i takon kohërave kur nuk ishin veglat muzikore dhe se nëpërmjet kësaj kënge njerëzit kanë përcjellë te të tjerët, te dëgjuesit informacion, kryesisht luftarak po që ka të bëjë me luftën dhe me ngjarje shumë të mëdha. Një varg i saj thotë: "Ali Ibra ka mbledhë ushtri, jooo, pooo...". "Majekrahu" ka tekste tepër të shkurtra, thjesht kumton një informacion të caktuar dhe shoqërohet me pasthirrmat që dramatizojnë ngjarjen dhe i japin asaj jehonën e së papërsëritshmes. Njerëzit emocionohen aq shumë me "majekrahun" sa lotojnë në heshtje, në mënyrë të veçantë të vjetrit, që siç ka vërejtur një studiues, duke dëgjuar "majekrahun" njerëzit qajnë bëmat e tyre të konsumuara apo të munguara. Teksa flet për "majekrahun", Isufi bëhet serioz, tiparet e portretit të tij duket sikur natyra i ka gdhendur posaçërisht për këtë këngë kushtrim, për këtë element të rrallë folklorik, të trashëguar që nga kohërat antike. Rapsodi tregon se përveç kumtit të luftës, "majekrahu" përcjell edhe momentet solemne të dasmave, apo ngjarjeve të tjera të gëzueshme të njeriut, përfshi edhe përkujtimin e një të vrari në luftë apo një vdekjeje e ngjashme tragjike. "‘Majekrahu‘ shënon hapjen e dasmës, shënon edhe kulmin e shfaqjes së dasmës apo të fejesës, për shembull kulmin e gëzimit kur hyn nusja në odë apo kur jepet dora e çikës (vajzës) nga babai, ku më pas njerëzit qesin edhe në pushkë" thotë Isufi, duke sjellë në kujtesë ceremonitë familjare malësore ku ai ka kënduar, apo ka luajtur "majekrahun". Në familjen Zela në Begaj të Tropojës këndojnë edhe të tjerë, madje edhe në aktivitetin fundit, në përgatitjet për Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës ai këndon me vëllain e vet, Shabanin dhe nipin, Burimin. Duhet shënuar se përveç "majekrahut" ata këndojnë edhe këngë të tjera, pra gjini të tjera të këngës, kryesisht epike. Edhe në këto të fundit ndihet dhimbshëm jehona e shqetësimeve të kahershme shqiptare, bashkimi i kombit. Një këngë me të cilën Zelët konkurruan paraprakisht, përveç "majekrahut", ishte ajo me titull "Amanet vllazën shqiptarë", që ngrinte në kult vdekjen, luftën për lirinë e trojeve etnike. Në morinë e zhurmshme të muzikës që dëgjojmë çdo ditë, me imitime të bërtitjeve vajtuese të popujve të lindjes, në morinë muzikës ordinere që të gjen kudo në kafe, në furgon, në pazar..., "majekrahu" vjen e rrallë dhe e bukur si një perlë, e thjeshtë dhe dëshmuese si një relikte unike e jetës së të parëve tanë.

"Që fëmijë më ka tërhequr ‘majekrahu‘, por kjo lloj kange don za burri, nuk është e lehtë. Duke dëgjuar gjyshin që herët në fëmijëri dhe pas babën mendova se mund t‘ia dilja dhe këndova, aty njerëzit më thanë se kisha dalë mirë, madje dy-tre vetë i pashë që ishin përlotur", tregon me emocione Isufi fillimet e veta të interpretimit të ‘majekrahut‘"
G. Shqip