Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vera vrasëse e Hervin Çulit

| E diele, 23.09.2007, 05:16 PM |


Thuajse i pamungueshëm në shfaqjet e Teatrit Kombëtar. Është pak a shumë si të qe peshk dhe teatri ujë për të. Po në verë si i bëhet? Aktori dhe regjisori antikonformist deri në pikën, ku pakkush do ta ndiqte, është peshkuar pikërisht në një ditë të tillë për të rrëfyer si është jeta e një njeriu kushtuar 100 për qind profesionit, por dhe planet e një 36- vjeçari pak Piter Pan

Përsëri verë! Identiteti gati avullon nëpër ajrin e nxehtë të kryeqytetit. Çfarë mbetet? Mundimi i një gjumi tremujor, të cilin s’e dëshiron asnjë qelizë e organizmit të artistëve, të cilët jetën e ndiejnë në artin e tyre, të paktën kur janë si Hervini.

Kush është Hervin Çuli sot? Gjithkush do kishte një përgjigje tjetër, por kjo këtu nuk është aspak trillim mbi asfaltin përvëlues të Tiranës, por e vërteta që ndriçon dielli i çdo vere: është një i dënuar me pushime. Një Merso jotragjik, të cilit dielli në kompromisin vrasës me kushtet aktuale shqiptare i mohon mundësinë të merret me atë që do. Shpirti i aktorit dhe regjisorit dihat në mungesën e oksigjenit, jo thjesht me formulë O2, por si pjesë e ajrit të errët të Teatrit, tani që dyert e tij janë të mbyllura.

I mungon frymëmarrja e spektatorit në të njëjtin ajër ku buçet dhe zëri i tij prej aktori, i mungojnë emocionet e forta gati fizike që s’ia sjellin tjetër, veçse ato 10-15 minutat para premierës. Për mos të folur për angazhimin në pjesët që vë në skenë e që e mban gjallë gjatë muajve të sezonit artistik. Dhe kalimi i menjëhershëm nga koha plot jetë artistike kur “Jashtë bie borë”, në këtë kohën e heshtur kur jashtë zhurit dielli, sigurisht që s’i ka ardhur për shtat.

“Duke qenë se Teatrit i mungon një mjedis i hapur, muajt e verës janë heshtje e plotë për sallën e mbyllur të tij. Por kjo për mua është tejet problematike. Jam shumë i lidhur me punën time dhe në këto kushte më kaplon një depresion i madh. Sepse i lirë ndihem tek impenjohem në shfaqjet e Teatrit dhe të më japësh kohë të lirë do të thotë të ma mohosh atë”.

Lirinë ia kufizon pikërisht mungesa e angazhimit, të cilin me ritmet që do ta kënaqnin e ka të vështirë ta gjejë. “Dhe pse jam një nga ata që punoj shumë gjatë sezonit artistik, sërish ndihem i kufizuar. Kam nevojë edhe për më shumë përfshirje, për më shumë intensitet, por kushtet shqiptare kaq ofrojnë”.

Po me këtë dëshirë për të humbur brenda botës së teatrit, a do t’i dilte ndonjëherë koha për një familje të tijën? Duket se këtë nuk e mendon aq. “Martesa dhe familja nuk janë ekzistenciale për mua. Tani do marr një apartament në pallatin që do ndërtohet në oborrin e gjyshes dhe ndoshta kur të kem një shtëpi timen do mendoj dhe për këtë. Por dhe pse jam 36 vjeç, ndoshta për faktin e përkëdheljeve të një fëmije të vetëm, ndoshta se kështu jam unë, më duket ende herët për t’u martuar”. 

Ndërkohë ai prej plot 11 vjetësh profesionin e tij e ka kthyer në stil jete, që kur pas Akademisë së Arteve, dega Aktrim në Tiranë, vazhdoi dhe dy vjet regji në Akademinë e Bukureshtit e u kthye për t’iu përkushtuar në Tiranë artit skenik. Të vetmes gjë me të cilën do të merret, aq sa dhe hobin duket sikur e ka shpikur sa për mos të qenë pa një të tillë. “Ndonjëherë kaloj në mendje të qenit barist. Më pëlqen nga ana estetike kombinimi i ngjyrave në një gotë kokteili”. Por, përpos fantazive, arti skenik mbetet dashuria e vetme, dashuria e përjetshme, të cilën ai e ka mbrojtur kur babai i tij skulptor, Perikli Çuli, donte ta përqendronte në artin figurativ. Pa të, koha s’i hyn në punë, sepse vetëm ajo ia mbush me kuptim.

Ndonjë kompromis për hir të kësaj dashurie? “Pikërisht për hir të kësaj dashurie nuk pranoj asnjë kompromis. S’do ta bëja për asgjë në botë. Kur bëhet fjalë për artin, konkretisht për një pjesë që marr përsipër, as nuk mund ta kuptoj si mund të lejohen me vetëdije elementë që cenojnë cilësinë e produktit përfundimtar. Nuk mund të vendosë diçka e huaj rregullat e skenës, qoftë kjo miqësia”.

Ai e pranon pa frikë atë që përflasin njohësit e mjedisit teatror, jokonformizmin e pazbutur. Kur është në rolin e aktorit, një institucion më i varur ky në hierarkinë e teatrit,  i duhet të aktivizojë tiparin e disiplinës, por ama kur pjesën e ka në dorë vetë, kur është ai regjisor, Hervini rrugën që nis do ta çojë në fund siç di vetë, duke u shfaqur vetvetja në çdo dimension, duke gjetur hapësirë për gjithë manitë, nervozizmin, shpërthimet e tij.

“Shpesh punoj me njerëz që më njohin mirë, që e njohin temperamentin tim shpërthyes. Unë kam bashkëpunuar me aktorë të disa brezave. Sigurisht që jam më i rezervuar kur kam të bëj me brezin e rritur, por kjo s’do të thotë se nuk shfaq atë anën time shpërthyese. Do përmendja aktorin e madh Robert Ndrenikën, me të cilin kam bashkëpunuar në 3-4 shfaqje. Jemi grindur për vdekje të dy gjatë provave, por pastaj ka kaluar tensioni dhe ka triumfuar ajo harmonia e mirëkuptimit”.

Gjithsesi jo gjithmonë provat kanë pasur një “happy end”. Kushedi sa gjatë mund të tregohet historia e bujshme e urdhrit të tij për largimin e një aktoreje të mirënjohur nga provat pak ditë para premierës së “Xhaxha Vanjës” e zëvendësimi i saj me Yllka Mujon. “Ky karakteri im, që nuk pranon kompromise, shpesh më ka çuar dhe në qëndrime ekstreme dhe jam përfshirë në konflikt si me aktorë të veçantë dhe me strukturat e Teatrit”. Po atij aq i bën! Për sa kohë diçka e sheh në të mirë të veprës që ka në dorë, nuk ndalet. E ndjek nga gjeneza deri në goditjen e fundit të duartrokitjeve të spektatorëve. Fillimisht, në muajt e përgatitjeve është i angazhuar tërësisht për të parë të realizuara në lojën e aktorëve mendimet e tij dhe pastaj në orën e premierës, kur ata ngjiten në skenë, ai ngjitet në pultin e ndriçimit për të kontrolluar gjithçka prej aty, duke ndezur njëra pas tjetrës cigaret e një pakete e gjysmë, të cilën e mbaron gjatë shfaqjes me një ritëm shumë më të shpejtë se zakonisht. “Shfaqjen e kam parë mjaftueshëm në atë pikë. Është reagimi i spektatorit që nga ai i thjeshti deri te artistët, që dua të mësoj. Dhe vetëm në atë kohë, ndërkohë që ata reagojnë në mënyrë të pandërgjegjshme e të çiltër duke ndjekur shfaqjen, kuptoj efektin e saj, përshtypjet e tyre të vërteta. Deklaratat hipokrite që bëhen pas saj, nuk më interesojnë më. Nuk kam nevojë për to, që gjithmonë janë pak më të mira, ose më të këqija se të vërtetat”.

Shumë rëndësi për të ka pikërisht efekti te spektatorët, te të cilët me kalimin e viteve është duke ndjerë një rritje të kulturës, që edhe pse ndonjëherë dëgjohet një zile celulari në mes të shfaqjes, aktori nuk ndjen më në sallë mungesë përqendrimi. “Po të vija në dy rrugë paralele artin skenik dhe spektatorin, ky i fundit në Shqipëri e ka tejkaluar të parin. Ndërkohë që duhet të ishim ne që duke ecur përpara ta edukonim spektatorin, nuk ndodh kështu sepse oferta lë për të dëshiruar”. 

Atij i duken strukturat e teatrit, nga të cilat varet gjithë aktiviteti artistik, ende të ngurosura në kallëpet e mendësive kolektiviste, ashtu si dhe pjesë të tjera të shoqërisë shqiptare, apo vetë Akademia e Arteve që ai ka përfunduar, ndërkohë që vetë është krejt i kundërt. Niçean, jo prej koincidencës kalendarike të datëlindjeve më 15 tetor me Niçen, por për besimin në forcën e individit, në kultin e mbinjeriut sigurisht që vihet kundër ideve që mbivlerësojnë rëndësinë e masave të mëdha, duke përkrahur atë që “pushteti, patjetër dhe në art, u takon njerëzve të mëdhenj”. Por gjithsesi, edhe pse askush nuk do t’ia këshillonte mbinjeriut klimën shqiptare, Hervini e ka zgjedhur atë si mjedis ku zhvillohet reaksioni i shprehjes së vetvetes, i mbushur me katalizatorët që nxisin shpërthimet. “Në Trento të Italisë kam vënë në skenë dy drama shqiptare dhe pastaj më ofruan një kontratë për të punuar bashkë me regjisorë të shteteve të tjera në një shkollë multinacionale. Nuk pranova, sepse ambiciet e mia shkojnë përtej. Aty nuk do isha tjetër veç një refugjat elitar”.

Ndërsa në Tiranë, ai është njeriu, emri i të cilit shihet shpesh ditëve gri të vitit, rrugëve të sapolara prej shiut të stinëve të lagështa, në tabelat reklamuese të Teatrit, ose në listën e aktorëve, ose si regjisor. Për 9 muaj e ndjen jetën me anë të emocioneve që i dhuron puna e tij në të gjitha etapat e saj, që nga provat deri te shfaqja e fundit. Sepse, pa mohuar rëndësinë e premierës, në rolin e aktorit, ai mundohet të mos braktisë asnjë copëz impenjimi për shfaqjet e ardhshme, duke i parë të gjitha si një produkt që i ofrohet publikut konsumator. “Publiku paguan biletën si për natën e parë dhe të fundit, kështu që dhe oferta duhet të jetë e së njëjtës cilësi. Pastaj, nuk duhet harruar se çdo natë, ajo që përcillet për cilindo spektator, është një mundësi e fituar ose e humbur për ta ftuar atë në shfaqjet e ardhshme që do vihen në skenë”.

Dhe gjithë ky aktivitet do të thotë emocion, përfshirje kokë e këmbë bashkë me shpirt e mendime, do të thotë spektatorë që mbushin sallën, do të thotë lindje lidhjesh të ngushta të paharrueshme me të preferuarat si me pjesën “Xhaxha Vanja” apo me personazhin e Çiçones te “Jashtë bie borë”. Do të thotë jetë. Një jetë, që verës hesht si sallat bosh!

“Gjithmonë dimri më ka pëlqyer më shumë. E ndjej më shumë, është më intim. Ndërsa verën nuk e shijoj. Nuk kam çfarë bëj as me pushimet, sepse as me plazhin nuk jam i lidhur, madje as nuk planifikoj shkëputje të gjata për në bregdet”. Janë të tjera tallaze e bunaca që ia mbushin shpirtin me kënaqësi, ato të skenës. 

Dhe tani që i mungojnë, i mbetet të kalojë shumë kohë në shtëpi. Të paktën ka librat, me të cilët merret pothuaj gjithë kohën. “Pas shumë vitesh i përkushtuar te drama për hir të profesionit, tani u jam rikthyer romaneve. Më intrigon njohja e kulturave të largëta dhe kapërcimi nga një mjedis artistik në tjetrin, nga kultura afgane e romanit më të fundit, te trilleri i Kodit të Da Vinçit, deri te “11 minutat” erotike te Coelho-s”.

Po megjithatë, më shumë mendon për teatrin, për pjesët që do donte të vinte në skenë që nga komedia “Harvey”, me titull emrin e lepurit që ekziston vetëm në fantazinë personazhit kryesor, te “Shtëpia e Bernarda Albës” apo “Tre motrat” e Çehovit, autorit të tij të preferuar. Shpreson të mundet t’ia dalë për të paktën njërën prej tyre duke nisur nga shtatori. I kalon nëpër mendje, po të fshijë gardhet që tashmë ia njeh mirë hapësirës së ngushtë të mundësive në Teatrin tonë, dhe një personazh që aspiron të luajë Merkucion, mikun e Romeos në tragjedinë e Shekspirit. E vazhdon e vazhdon... Ndërkohë që të gjithë kanë nisur të planifikojnë pushime, ai pret me padurim fundin e tyre. Nuk i intereson ky i shumëbujshmi sezon turistik, mezi pret rifillimin e sezonit artistik, mbarsjen e radhës 9- mujore me jetë. Ja, sa vera të mbarojë!

Jeta