E shtune, 04.04.2020, 01:48 PM (GMT+1)

Personalitete

Dedë Gjo Luli, pushka e shkrepur e Shqipërisë

E shtune, 03.03.2007, 09:05 PM


Klajd Kapinova, Manhattan New York

Shqipëria, ka qenë historikisht zemra e patriotëve të vërtetë të djelmnisë së Malësisë së Madhe, trevë e cila shpeshherë është përmendur, se ka nxjerrë burra kuvendi e pushke, duke i falur atdheut e maleve kreshnike edhe Dedë Gjo Lulin (1840-1915), i njohur për burrëri, urtësi e autoritet të gjerë. Me këto cilësi, Deda përballoi me armë në dorë ushtritë pushtuese turke e sulmet malazeze, duke ruajtur me vendosmëri trojet e të parëve tanë.
Dedë Gjo Luli është lindur e rritur në bjeshkët e larta të maleve tona, ku atdheu e feja e të parëve ilirë u ruajtën më shumë, se në çdo vend tjetër të Shqipërisë. Ai u dallua për aftësi të madhe drejtuese, si një ushtarak në zemër të Alpeve të larta të bjeshkëve. Portreti i tij mbetet fisnik, saqë Avni Rustemi e ka quajtur “burrë të pafrikë e të panjollë të maleve tona”. Qysh në moshën 21 -vjeçare Dedë Gjo Luli mori pjesë në betejën, që u zhvillua në ndihmë të Oso Kukës në Vraninë. Dihet epopeja e Oso Kukës i cili luftoi deri në frymën e fundit kundër malazezëve, dhe për të mos u dorëzuar i gjallë, i vuri zjarrin kullës. Deda, ishte jo më shumë se 38 vjeç kur ishte i dërguar besnik i Çun Mulës në Lidhjen e Prizrenit. Pjesëmarrja në Lidhjen e Prizrenit më 1878, ballafaqimi me patriotët e mëdhenj të Rilindjes, të penës dhe pushkës, ishte më shumë se një shkollë për rrugën e vështirë nëpër të cilën do të ecte trimi i maleve, nën hijen e pandashme të pushkës. Pas Kuvendit ai do të gjendej gjithandej me pushkë. Veçanërisht ai ishte në vijën e parë të frontit kundër malazezëve, që donin të hanin copëza nga atdheu. Kryetrimi, ishte e mbeti shpirti dhe zemra e kryengritësve, që me respekt e ndoqën pas, për mbrojtjen e trojeve të vendlindjes, duke luftuar ballë për ballë bishën osmane. Kryengritja e vitit 1911 e udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, i tregoi Europës, se kishte ardhur koha të shkundej nga soditja indiferente, që i bënte ngjarjeve në trungun e vjetër të Europës Juglindore, dhe trajtimit të çështjeve shqiptare. Kryengritja e drejtuar nga ai paralajmëroi fuqitë e ndryshme ballkanike, që ëndërronin një copëtim midis tyre të Turqisë europiane, se trojet arbëreshe nuk do të ishin një kafshatë e lehtë për t’u gëlltitur nga orekset e tyre të pangopura. Ajo i dha një mësim të mirë pushtuesit turk “duke provuar në gjuhën e plumbave se kishte perënduar tashmë koha e ekspeditave ndëshkimore dhe e raplezarjeve, të udhëhequra nga gjeneralë shumë të zotë dhe të sprovuar në mizori, si Shefqet Turgut Pasha me shokë”. Në mars e prill 1911, populli mbarë i Malësisë i lidhur me kryengritësit, me pushkë e pa pushkë sulmoi njëherësh të gjitha postat që gjendeshin brenda kufirit të Malësisë e me atë vrull pushtuan Tuzin, e ashtu të forcuar me armë e me municion u drejtuan nga Shkodra e qëndruan në Koplik. Mali i Zi, i cili mezi priste të shihte tensione në Turqi, dhe duke parë se malësorët kishin nisur sulmin e vërtetë, vendosi t’i mbrojë duke u hapur kufirin. Pas gjithë atyre luftimeve trimat e Dedë Gjo Lulit, pa iu trembur syri mbanin me vendosmëri njëri pas tjetrit në majë të Deçiqit, flamurin kombëtar të Gjergj Kastriotit. Kjo histori tregon se Dedë Gjo Luli me trimat e tij e ngritën flamurin në Malësi më parë se të ngrihej flamuri në Vlorë. Kryengritja e vitit 1911, e drejtuar me aq urtësi, guxim e trimëri nga Dedë Gjo Luli, nuk del si një lëvizje e rastit, por si vijim i përpjekjeve të pandërprera të malësorëve e gjithë popullit shqiptar, për të jetuar të lirë në trojet e veta. Deda me bashkëluftëtarët e vet, ishin të edukuar me ndjenja të ngrohta atdhedashurie për liri, në shkollën e traditës popullore e familjare, nga e cila ata kishin mësuar ndër të tjera, që të ruanin gjuhën e zakonet e të parëve, të ishin të gatshëm për të flijuar jetën për liri e atdhe. Heroizmin e fatosave të lirisë të malësorëve kreshnikë, plaku i urtë i Vlorës Ismail Bej Qemali, gjatë vizitës që Dedë Gjo Luli bëri në Vlorë (pas shpalljes së pavarësisë më 28 Nëntor 1912), kryetrimin do ta përshkruante me një mendim të pjekur: “Dedë Gjo Luli pushk e ngrehun për Shqipnin”. Dedë Gjo Luli u vra në luftime në shtator 1915. Pas tij u masakrua e gjithë familja dhe fisi i tij që e shtuan listën e dëshmorëve të vendit. Por nga shumë historianë, Deda u pa gjithnjë i shkëputur nga bashkëluftëtarët e tij, të afërm apo të largët, bile edhe nga pasardhësit e Derës së tij të përmendur, ku, këta të fundit u ndoqën e persekutuan në Shkodër. Sikurse shkruan i ndjeri prof. dr. Simon Pepa në lidhje me këtë çështje: “Eshtë për të ardhur keq se kjo luftë, këta heronj dhe vetë kryetrimi Dedë Gjo Luli për vite të tëra u lanë në harresë. Lufta dhe ngritja e flamurit në Deçiq, përmendej sa për të thënë, emri i heroit vetëm sa citohej… Dhe ajo që është rrëqethëse është fakti se mjaft nga nipat e stërnipat e Dedë Gjo Lulit, si dhe mjaft klerikë që morën pjesë me mendje e penë në përpjekje për çlirim u masakruan në mënyrë të tmerrshme. Ai sistem mosvlerësues veprash e vlerash, e la Dedë Gjo Lulin vetëm me urdhrin “Për veprimtari patriotike” të Klasit I të dhënë më 1962. Vetëm me kaq dhe asgjë më tepër, kur mjaft figura të tjera, natyrisht, secila me vlerën e tyre, u pasuan me urdhra, medalje e “tituj” të shumtë. Asnjë përmendore (të madhe apo të vogël), asnjë rrugë a rrugicë (veç Tiranës), asnjë emërtim tjetër me emrin e Dedës. E megjithatë shtypi i kohës i bëri jehonë trimërisë së tij. Poeti Risto Siliqi shkruante: “Emni i Dedë Gjo Lulit, i cili nuk triumfoi me kombinacione, por me vepra të gjalla, që e dëshmojnë edhe krepat e thepishme të maleve tona, vuloset i gdhëndun në historinë tonë kombëtare” (“Ora e Malësisë”, nr. 20, viti 1923). Ndërkohë poeti kombëtar At Gjergj Fishta (1870-1940) përmes poezisë epike, në veçanti rroku figurat e ndritura, një prej të cilave është edhe Dedë Gjo Luli. Në ato hapësira poetike, Homeri shqiptar i kushton fatosit të lirisë, si peng nderimi këngën prej 800 vargjesh, si rrallë ndonjë heroi tjetër, tek kryevepra e njohur “Lahuta e Malësisë”.

Shekulli 25/07/2004


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT