E premte, 19.04.2024, 09:41 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Gangsterët e Çikagos

E shtune, 19.09.2009, 08:53 AM


Qyteti i Obamas është më i rrezikshmi i Shteteve të Bashkuara. Vazhdon të rritet sistematikisht numri i vrasjeve mes adoleshentëve. Në Çikago bandat kanë 100 mijë të anëtarësuar

Ishte java e dytë e prillit, koha e pushimeve të pranverës për shkollat publike. Pak hapa larg kishës "Santa Sabina", e cila gjendet në një periferi në jug të Çikagos, një grup djemsh afroamerikanë dhe latinë, nga 12 deri në 16 vjeç, ishin grumbulluar rreth katër djemve të tjerë që po luanin me letra. Në tokë kishin vënë kartëmonedha 10 dhe 20 dollarëshe, shenjë kjo e cila tregon se disa prej këtyre adoleshentëve nuk e kalojnë jetën vetëm mes familjes, shkollës, sportit dhe miqve. Pas disa seancave lojë, njëri prej lojtarëve kishte fituar 500 dollarë. Për të loja kishte përfunduar, por të tjerët donin ta vazhdonin. Kështu filloi debati, më pas vijuan sharjet dhe kacafytjet, e mes të bërtiturave u dëgjuan edhe tre të shtëna. Të gjithë vrapuan për t‘u shpëtuar plumbave. Në rrugë kish mbetur i vrarë njëri prej atyre që po shihte lojën. Të njëjtin fat patën edhe 34 studentë në fillim të vitit 2009 (në periudhën 2002-2006 kanë humbur jetën 650 adoleshentë).

Pjesa më e madhe e tyre e humbin jetën sepse gjenden në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar. Janë viktima të pafajshme, që mund të rastisin në mes të një shkëmbimi zjarri mes grupeve rinore, të cilët kontrollojnë trafikun e drogës, ose mbrojnë territorin e tyre nga sulmet e grupeve rivale; ose janë viktima të një ngacmimi, një shikimi provokues, një e ngritur shpatullash për t‘ju përgjigjur një provokimi verbal, i cili vlen sa një dënim me vdekje. Edhe studentët e vrarë iu shtohen viktimave të tjera të vrasjeve. Numri i të vrarëve në Çikago ka filluar sërish të rritet ndjeshëm, njësoj si në vitet ‘90. Gjatë pesë muajve të parë të 2009-ës janë regjistruar 125 viktima (511 të vrarë në 2008-ën), një situatë e ushqyer edhe nga numri i madh i armëve në qarkullim. Çikagoja dhe Uashingtoni janë shtetet që e kanë ndaluar shitjen e armëve në territorin vendas. Së fundmi, autoritetet e Çikagos kanë lëshuar alarmin se të gjithë ata fëmijë që jetojnë në periferi të vendit duhet të bëjnë kujdes, sepse janë në rrezik të lartë. "Këtë verë, është shprehur shefi i policisë, Jody Weis, duhet t‘u kërkojmë qytetarëve të bëjnë më shumë përpjekje për të mbrojtur të rinjtë tanë". Në Belmont Cragin, në pjesën veriperëndimore të vendit, qytetarët dolën në rrugë për një tubim të veshur me bluza të bardha, ku ishin stampuar fytyrat e fëmijëve të vrarë. "Ju jeni sytë dhe veshët e komunitetit, e dini mirë se çfarë po ndodh nëpër rrugët e këtij vendi", u është drejtuar shefi i policisë qytetarëve. Ai u është lutur gjithashtu prindërve t‘u mësojnë fëmijëve që për çdo ngjarje të njoftojnë policinë, edhe në mënyrë anonime, përmes një mesazhi. Që pas mbylljes së shkollave publike, vera e vitit 2009 ka qenë më e përgjakshmja e këtyre dhjetë viteve të fundit. Ky është një fakt. Statistikat tregojnë se gjatë pushimeve verore numri i vrasjeve është dyfish më i lartë sesa gjatë dimrit. "Fatkeqësisht, me krizën ekonomike që ka përfshirë botën, fëmijët nuk kanë mundur të punojnë gjatë muajve të verës", thotë një profesor i Universitetit të Çikagos, i cili drejton "Crime Lab", qendrën e studimeve mbi dhunën ndaj të miturve. "Bëhet fjalë për punën në parqe, plazhe, institucione kulturore, komunitet etj. Duke mos qenë të zënë me punë, është logjike që pjesën më të madhe të ditës do ta kalojnë rrugëve, gjë e cila çon edhe në përballjen me gangsterët".

Statistikat e "Chicago Crime Commission", një organizatë joqeveritare që ka publikuar "The Gang Book", tregojnë se në pjesën urbane të Çikagos, një qytet me 3 milionë banorë, bandat gjejnë mbështetje në 100 mijë banorë dhe mbahen me trafikun e drogës. Mjafton të shohësh lajmërimet e ekspozuara mbi dyert e zyrave të kishës "Santa Sabina", për të kuptuar se si jetohet kur kapërcehet ai kufi i padukshëm që ndan qendrën e Çikagos, ku ndërthuren arkitektura bashkëkohore me pallatet antike, duke krijuar kështu një përzierje magjike nga periferia e shtëpive të zakonshme dhe banesave familjare. E para shkruan: "Ndal trafikut të armëve - T‘i shpëtojmë fëmijët tanë". E dyta fton: "Shpërblim 5 mijë dollarë për këdo që jep informacione për kontrabandistët e armëve". Ndërsa e treta këshillon: "Kujtoni ndalimqarkullimin për fëmijët: fillon në orën 22:00 të mbrëmjes nga e hëna në të enjte dhe në orën 23:00 në fundjavë".

"Struktura sociale është shpërbërë dhe ajo që e tregon këtë është numri i fëmijëve që jetojnë me nënat e divorcuara", tregon prifti i një komuniteti afroamerikanësh dhe latinësh. "Gangsterët janë familja e re, dhe nëse nuk je me ta, je i mbaruar. Janë ata zotët e zonës që kontrollojnë". Fatkeqësisht situata është përkeqësuar që kur disa vite më parë policia arriti të neutralizonte të gjithë krerët e mëdhenj të bandave, duke i sjellë para gjykatësve. "Që nga ai moment, numri i bandave është rritur, e për pasojë edhe përleshjet mes grupeve rivale dhe dhuna verbale e fizike". Sa serioze është situata? Më shumë se në Los Anxhelos dhe Baltimora, dy metropole të infektuara nga bandat. Këtë e ka treguar emisioni që drejton Anderson Cooper çdo mbrëmje në kanalin televiziv "CNN".

Në pjesën jugore dhe perëndimore të Çikagos, mamatë, gjyshet dhe motrat jetojnë në terror. Mjafton të shohësh dëshmitë e mbledhura nga profesor Ludwig, i cili drejton organizatën "Crime Lab". Lexojini fjalët e kësaj gruaje: "Nuk mund të punoj me kohë të plotë, sepse jam e frikësuar se mos fëmijëve të mi u ndodh ndonjë gjë kur shkojnë ose kthehen nga shkolla. Si mund ta dërgoj vajzën time 15-vjeçare te ndonjë dyqan i lagjes, i cili ndodhet disa metra larg shtëpisë, duke e ditur që rrugës mund ta ngacmojnë, ose t‘i shesin drogë? Çdo ditë është një sfidë për mua. Përpiqesh të ndërtosh një të ardhme më të mirë për fëmijët e tu, por në fakt... Kjo sfidë nuk merr fund kurrë, është e pranishme në 365 ditët e vitit, 24 orët e ditës. Nuk mund t‘i gëzohesh as faktit që shkollat u mbyllën dhe më në fund erdhën pushimet verore. Vera është një tragjedi, shitja e drogës dhe dhuna nuk mbarojnë".

Frika është shoqe e pandarë edhe për fëmijët. Edhe ata jetojnë në terror dhe janë të dëshpëruar. Diagnoza gjendet gjithmonë me shumë vonesë, kur e keqja është bërë dhe të rinjtë paraqiten në spital të larë në gjak.

"Të gjithë së bashku duhet të përpiqemi të gjejmë zgjidhjen e duhur për të normalizuar një situatë jashtë kontrollit. Natyrisht që nevojitet edhe ndihma e policisë, por fillimisht duhet t‘u mësojmë fëmijëve si të sillen në raste konfliktesh, t‘i bëjmë të kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre. Prindërit duhet t‘i edukojnë fëmijët. Vetëm kështu komuniteti mund të mbrohet nga rreziku", thotë At Pfleger, i cili mendon se e ka përmbushur misionin e jetës së tij. Po të tjerët?


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora