Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gëzim Tushi: Adoleshentët dhe jeta seksuale

| E shtune, 19.09.2009, 09:42 AM |


Adoleshentët dhe jeta seksuale

Nga Gëzim TUSHI

Problemet dhe shqetësimet e kulturës, jetës seksuale, janë të kudondodhur, në çdo ambient ku ndodhen adoleshentët. "Vezullimet" biologjike e kanë bërë seksin që të mos jetë më "objekt i pakapshëm" prej tyre. Prandaj, shqetësimet seksuale të adoleshentëve janë bërë të ndjeshme, jo vetëm për jetën e tyre private, por duke qenë problem social, është në të njëjtën kohë një çështje sensitive e jetës publike, veçanërisht për institucionet edukative. Faktet e jetës së përditshme tregojnë se ka një shpërthim të "lirisë seksuale" tek adoleshentët, zgjerim të lidhjeve dhe marrëdhënieve seksuale në formë të çrregullt dhe kaotike. Duam apo nuk duam, jemi të detyruar që, së pari, të pranojmë si realitet faktin që ka evidentuar filozofi modern francez, Mishel Fuko, se seksualiteti tek të rinjtë dhe adoleshentët ekziston, se ai përgjithësisht shfaqet i parakohshëm, aktiv, i përhershëm.

Ndaj jemi të detyruar të merremi më mirë profesionalisht dhe humanisht me "botën seksuale" të përshpejtuar të adoleshentëve, sepse tani kjo çështje nuk është më as "tabu", as "mollë e ndaluar". Dy dekada më parë do të ishte marrëzi të të shkonte mendja të flitej me adoleshentët në familje, shkollë dhe media për seksin, seksualitetin dhe marrëdhëniet seksuale. Shoqëria jonë ka qenë e "shurdhët" dhe bota seksuale e adoleshentit ka qenë në "heshtje të plotë".

Tani jetojmë në një kohë tjetër, në një botë të hapur, në "shoqërinë e qejfit" dhe padyshim ligjërimi me të rinjtë për seksin dhe sekualitetin e tyre, është një detyrim i madh social i familjes, shkollës, fesë, institucioneve të medias dhe të shtetit. Heshtja, turpi, ngurrimi janë mënyra më e keqe e mundshme që ndikon negativisht në orientimin e jetës seksuale të adoleshentëve. Sigurisht problemet dhe deformimet evidente të jetës seksuale të adoleshentëve përbëjnë një temë delikate, për të cilën nuk mund të flasë kushdo. Ca më pak ata që kanë njohuri të kufizuara dhe udhëhiqen nga skrupuj moralë të deformuar. Është gjë shumë e mirë që në familje, në shkollë, në median e shkruar dhe elektronike, kemi filluar të flasim për seksin dhe seksualitetin e të rinjve, sepse ndryshe nga e kaluara, jeta moderne e shoqërisë shqiptare tashmë i ka thyer "kufijtë e vjetër" të seksualitetit human, barrierat dhe kodet e morale, që e mbanin adoleshentin sa më larg të ishte e mundur nga problemet intriguese biologjike e moshore të seksit dhe aktivitetit seksual.

Bashkë me adoleshentët tanë jetojmë në një "shoqëri të hapur", në të cilën qarkullon një informacion i gjerë, i pakontrolluar rreth botës së seksit. Në këtë kontekst, ata që kanë role edukative, duke qenë në pozicionin e prindit, mësuesit, edukatorit, punonjësit të medias së shkruar dhe elektronike, nuk kanë më të drejtë të thonë se për adoleshentët dhe jetën seksuale të tyre "ka gjëra që thuhen dhe që nuk thuhen". Tashmë seksi dhe jeta seksuale është një nga temat preferenciale dhe intriguese për adoleshentët dhe të rinjtë. Madje, analizat dhe sondazhet e kryera nga specialistë të seksit, edukatorët psiko-socialë që punojnë nëpër shkollat 8-vjeçare e të mesme, tregojnë se për çështjet e jetës seksuale, të rinjtë jo vetëm diskutojnë dhe mendojnë, por një pjesë jo e vogël prej tyre pranojnë se edhe i realizojnë në moshë që po bëhet gjithmonë dhe më e ulët.

Është e vërtetë që të rinjtë dhe adoleshentët kanë prirje thjeshtëzuese dhe nuk i perceptojnë më në mënyrë dramatike "gjynahet e seksit", duke parë "pas tij" vetëm anën e kënaqësisë trupore dhe nevojën për argëtim vanitoz. Prandaj, pavarësisht problemeve që ka familja, shkolla, shoqëria dhe shteti, ne duhet të përballemi, duhet të merremi me orientimin human të seksualitetit të adoleshentëve, sepse ajo është pjesë e rëndësishme që lidhet me të ardhmen e tyre dhe cilësinë e jetës së shoqërisë tonë. Sociologët modernë mendojnë se e "ardhmja dhe begatia e shoqërisë varen jo vetëm nga numri dhe virtyti i qytetarëve, jo vetëm nga rregullat e martesës dhe organizimi i familjes, por dhe nga mënyra e përdorimit të seksit të secilit".

Megjithatë, të bën përshtypje fakti që në shumë biseda intime dhe publike, në shumë artikuj të shkruar dhe emisione mediatike, duket një tendencë "tejliberalizmi" në perceptimin e seksualitetit të të rinjve, duke e vlerësuar atë si çështje thjesht private, për të cilën nuk ka të drejtë të ndërhyjë askush: as familja, as prindi, as shkolla, as mësuesi dhe ca më pak shteti dhe institucionet e tij. Kjo ide e gabuar, po i jep spunto deformimit të seksualitetit jo vetëm tek adoleshentët, por edhe në një kuadër më të gjerë. Jeta seksuale natyrisht që është më së pari çështje e jetës intime të individit, e parapëlqimeve private të kujtdo.

Çdo njeri ka të drejtë të bëjë çfarë të dojë me trupin dhe seksin e tij. Por kjo nuk mund të mohojë faktin se i marrë në tërësi, seksualiteti dhe format e realizimit të tij, është në të njëjtën kohë një çështje e jetës publike e shoqërisë sonë, për të cilën nuk mund të jemi të papërgjegjshëm. Së pari, duhet që të mësojmë të rinjtë të kenë kulturë seksuale, dijeni dhe njohuri të sakta për përgjegjësinë që ka jeta seksuale dhe nevojën humane që ajo të ndërtohet mbi bazën e parimeve të seksualitetit modern. Ndërkaq, familja, shkolla, institucionet fetare dhe shteti, kanë përgjegjësinë për seksualitetin si dukuri e jetës sociale, për mënyrën e përdorimit dhe devijimeve të tij.

Sociologët kanë të drejtë në vlerësimin e tyre, sepse ato si "hallka të jetës publike", duhet të jenë të interesuar për mënyrën se si e përdorin njerëzit seksin në shoqëri. Shteti, shkolla, familja e kanë pjesë të detyrës publike përhapjen e dijeve, ligjërimin për seksualitetin dhe për të bërë analiza për format e tij. Kjo nuk është as detyrë e tepërt për prindërit, mësuesit, klerikët, teoricienët e psikologjisë dhe pedagogjisë, kujdestarët e fëmijëve në familje dhe institucione.

Të japësh këshilla, të përhapësh njohuri, të botosh libra edukues për adoleshentët, nuk është "kontroll social", as ndërhyrje e tepërt e panevojshme në jetën private, as cenim i pavarësinë së seksualitetit të adoleshentëve. Përkundrazi, unë mendoj se, sot, ndoshta si asnjëherë më parë, shoqëria jonë duhet të merret seriozisht me problemet e seksualitetit të adoleshentëve, duke forcuar "ligjërimin racional", sepse edukimi seksual i tyre është detyrë morale dhe kulturore për të gjithë...
Shekulli, 24/08/2009