E marte, 19.03.2024, 10:20 AM (GMT)

Sport » Futbolli Shqiptar

Besnik Dizdari: “Kërkoj Elbasanin, nuk e gjej, kërkoj Gjirokastrën dhe e kam harruar, kërkoj Partizanin e më ka ikë"

E shtune, 19.09.2009, 10:20 AM


“Kërkoj Elbasanin, nuk e gjej, kërkoj Gjirokastrën dhe e kam harruar, kërkoj Partizanin e më ka ikë"

Nga Besnik Dizdari

Duhet nganjëherë edhe një titull i gjatë, ndonëse titujt e gjatë nuk i përkasin gazetarisë moderne. Mirëpo, kjo gjatësi më kujtoi thënien e Fishtës, i cili kur donte që shkrimi i tij të kuptohej edhe prej shqiptarëve të asokohe pa shkollë, thoshte: “Ka’ i fjalë turçe ban lazém” (“më hyn në punë” simbas Tahir Dizdarit).

Dhe kështu mendova: “Ndonjëherë një titull i gjatë “bân lazém”.

Në të vërtetë “fajin” e ka Kampionati i 71-të Kombëtar i Republikës së Shqipërisë. Dhe unë që: “Kërkoi Elbasanin e nuk e gjej, kërkoj Gjirokastrën dhe e kam harruar, kërkoj Partizanin e më ka ikë sysh, kërkoi Beratin e nuk di ku është, kërkoj Lushnjën e nuk ia ndjej më zërin…”

Kësisoj, ndonëse ky Kampionat, zyrtarisht Nr. 71, mund të jetë më i varfëri i Mbasluftës në Shqipëri - kur në këte rast me varfëri kuptojmë mungesën e skuadrave ndër më tradicionalet - nisi të dielën e 23 gushtit 2009, të paktën me rezultate tërheqëse. I përshkuar deri diku edhe në ngjarje emocionuese, që morën udhë në Stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, që rrugëtuan lart drejt Krujës, që zbritën prap në juglindje te debutuesi absolut në histori, Gramozi i Ersekës, fillimi i tij përfundoi “qetësisht” te fitoret e Kavajës dhe të Fierit, duke kulmuar në Tiranë me 3-1-shin e bujshëm të Flamurtarit të Vlorës - prishje e pandalshme “ëndrrash” stinore të kryeqytetasve…

Ky ishte fillimi i një Kampionati pa Partizan, pa Elbasan, pa Lushnje, pa Gjirokastër, pa Berat; e përmbledhur ndryshe, pa një pesëshe, e cila ka qenë e pranishme për dekada në Kampionatin e parë të Shqipërisë. Mjafton të shikoni me vëmendje Hartën Futbollistike të Shqipërisë që sundon mbulesën e numrit të fundit të “Futbollit Shqiptar – MAGAZINE” për të kuptuar tokat tona të hershme të futbollit që papritmas janë shndërruar në “djerrë”!

I mveshur me entuziazmin e kurbinasve, kruetanëve e kolonjarëve, ndoshta disi të zhgënjyer, Kampionati i 71-të, shfaqi në Javën 1 të tij një dëshirë për një gjakim të vërtetë futbolli, të paktën në etjen për rezultat, çka megjithate, nuk mund të na sigurojë një të ardhme të sigurt.

Nuk ka dyshim se Flamurtari i Vlorës me fitoren e tij të papërmbajtshme 3-1 me kampionët në fuqi, tregoi se skuadra e re e Kupës së Shqipërisë, diçka rreth 23 vjetëve, siç e kemi llogaritur paradokohe, për një çast na bëri të mendojmë se ajo mund të jetë risia e Kampionatit. Ndonëse një ndeshje e vetme sado befasuese dhe e bukur që të jetë, po aq nuk siguron paraprakisht bindje për një të ardhme po të sigurt. Dy gola të shpejtë të një stili e teknike europiane të Alviz dhe Roshit -19 vjeç djalë - tronditën “Qemal Stafën” e Tiranës si gjithnjë pa shumë spektatorë edhe kur luan sportklubi 24 herë kampion. Qenë dy gola që paracaktuan një fat dërmues për vendasit, jo në 11-shin më të mirë të tyre, të cilët edhe pse shkurtuan në 1-2, u dorëzuan përfundimisht prej një 11-metërshi vulosës të Zeqirit, prej një fitoreje vlonjate, e cila në Tiranë mungonte qysh prej 6 vjetësh: 22 mars 2003: SK Tirana – Flamurtari 1-2 me gola të Daniel Xhafës dhe Roland Nenajt.

Ishte një fillim me humbje krejt të qarta për dy skuadrat më të mira të Kampionatit që shkoi, SK Tiranë dhe Vllaznia, edhe pse të shkaktuara jo prej debutuesve të krahinave të vogla futbollistike, por prej atyre pak tradicionalëve që i kanë mbetur ende në pjesëmarrje Kampionatit Kombëtar me emrin artificial “Superligë”, që dihet, nuk i shkon assesi. Shto këtu edhe humbjen e Teutës në Fier dhe atëherë vërtet që mund ta quanim një fillim emocionues, madje disi dramatik.

Ndonëse drama e një kahu tjetër qe te fitorja përmbysëse 4-3 e Skënderbeut të rikthyer ndaj një Laçi gjithashtu të rikthyer, i cili kryesoi jo pak, por dy herë. Dhe… pak spektatorë në Korçë, çka tregon se publiku nobël i Kampiones së vitit të largët 1933, skuadrës së Teli Samsurit, të Teodor Vasos, Aleko Pilikës, Dhimitraq Xhambazit e Jani Kaçit, duket se ka humbur Nordin e dashurisë dhe orientimit ndaj futbollit përfaqësues qytetas. Ndërkaq, humbjet e Vllaznisë dhe të Teutës duheshin nënkuptuar më tepër si fitore të bukura për Besën dhe Apoloninë, të cilat ndoshta mund të jenë mëtues për vende të larta. Madje për skuadrën e Kavajës deri dhe te titulli i ëndërruar prej e pakta një gjysmëshekulli, nëse “titullin” e saj të nënkampiones 1958 do të mund ta merrnin si fillimin e afirmimit të madh të futbollit kavajas që i ka dhënë Shqipërisë dy ndër më të mëdhejtë e saj: një Qamil Telit e një Altin Rraklli. Pa harruar simbolin e saj emri i të cilit është Muharrem Karriqi…

Java 1, në fund të fundit, përmbante “sensacionin” e një skeme të sapoformuar të renditjes - premierë, e cila kishte në tre vendet e fundit tri kampione të shquara: SK Tirana, Teuta dhe Vllaznia; po ndërkaq, në krye kishte po dy kampione të shquara si Dinamo - 17 herë kësisoji, dhe Flamurtari, edhe pse vetëm 1 herë Kampion i Shqipërisë.

19 gola, mbi 3 për ndeshje, përbënin një shifër bindëse vetëm nga ana e jashtme kur kujtoje se 11 prej tyre ishin shënuar në dy ndeshje të vetme. Duke qëndruar gjithnjë pranë botës së shifrave, befas vëreje se 5 skuadra kryesuese kishin nga 3 pikë secila, çka përveç të tjerave, vinte edhe për shkak të vetëm 1 barazimi në 6 ndeshjet, atij të Ersekës. Nga ana tjetër, kishim plot 5 skuadra të fundit me 0 pikë secila, e kjo i jepte Kampionatit qysh në Javën 1 të tij, një Renditje “anormale” në vështrimin historik. Po kjo e kishte një të mirë: do të mund të na çonte te një Javë 2 tejet ”e egër” dhe nxitëse.

XXX

Kur mbërriti Java 2 u vërtetua mû kjo që thamë. Prap dy fitore të jashtëfushës dhe 3 prej 13 golave të shënuar që i përkisnin minutave 90-92! Dy prej të cilëve gola të vetëm fitoresh të ngushta: 1-0 SK Tirana kundër Skenderbeut në të 92’, 11 metërsh i Blendi Nallbanit gati 40 vjeçar dhe 23 Kampionate të luajtura të Shqipërisë, çka e bën legjendar për ne. Dhe 1-0 Vllaznia kundër Apolonisë në të 93’, çuditërisht po prej një Nallbani, Ilir Nallbani, një 26 vjeçar i ardhur prej Besës së Pejës së Kosovës, e cila, të paktën për ne, ka marrë pjesë në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë të vitit 1942 , ende në njohje e sipër. Në atë 1942 të një epoke historie, skuadra e Pejës ka zënë vendin e 7-të! Histori më vete edhe kjo (shih Librin tonë “Historia e Kampionateve të Shqipërisë”, vëllimi 3).

Duke iu kthyer menjëherë Kampionatit tonë të këtij viti 2009, vërejmë se mû këto dy fitore të “kohës shtesë”, shpëtuan shpërthimin e një krize të mëtejshme të tij. Do të kishim folur kryesisht për rënien e pamëshirshme të Kampiones dhe Nënkampiones në fuqi, SK Tiranës dhe Vllaznisë. Për fat qenë fitore 1-0 “in extremis”, siç përdoret tash e parë shpesh gabim prej gazetarëve të rinj të sotëm të futbollit në Shqipëri, apo në ate që italianët e quajnë ‘Zona Cesarini’ - një histori më vete edhe kjo për t’u treguar një herë tjetër.

Fitoret dramatike të tiranasve dhe të shkodranëve shpëtuan ndërkaq, edhe vetë Renditjen, e cila me këte nisje të rrufeshme që sapo kishin ndërmarrë Dinamo dhe Besa, mund të krijonte një shkëputje të çuditshme qysh në këto 180 minuta të para. Por jo, janë me fat: 8 skuadra rreshtohen me një ndryshim 3-pikësh midis tyre, ku 7 janë prej të cilave janë skuadra qytetesh: Besa e Kavajës, Apolonia e Fierit, Skenderbeu i Korçës, SK Tirana e Tiranës, Teuta e Durrësit, Flamurtari i Vlorës dhe Vllaznia e Shkodrës. Qytete tradicionalë të futbollit kombëtar dhe kështu ne i qëndrojmë besnik përmbajtjes apo problemit të titullit tonë të gjatë.

Përjashtojmë prej tyre pikërisht më të mirën e tashme, kryesuesen, Dinamon, sepse ajo nuk është bërë ende përfaqësuese e një qyteti, për Tiranën një e drejtë kjo e fituar qysh më 1920 prej Sportklub Tiranës. Tjetër punë që kjo Dinamo ka 6 pikë në dy ndeshjet e para mbas dy ndeshjeve flakërimë të saj, befasuese, të rrufeshme, madje po të ishte Kampionati i dikurshëm, kur edhe për një ndeshje të Kampionatit në “Qemal Stafa” vinin 20.000 shikues e në Vlorë, bie fjala, nja 15.000, dy ndeshjet e fillimit të Dinamos do të quheshin të bujshme. Dhe 3-1 në Krujë Kastriotit e mbas shtatë ditëve 3-0 në Vlorë Flamurtarit të ri, menjëherë mbas fitores së tij historike 3-1 kundër Sportkubit. Eshtë thuajse po ajo Dinamo e cila i kishte humbur të tri ndeshjet e fundit të Kampionatit të shkuar dhe që shpërthen në këto dy fitore tregolëshe të Kampionatit të ri. Papritmas, shtypi shqiptar menjëherë e quan mëtuese të titullit, ndonëse përpara janë edhe 31 javë për t’u luajtur. Kështu apo ndryshe, merret me mend se dinamasit sapo kanë paraqitur në fushë një 11-sh të baraspeshuar për kah cilësia në të gjitha rolet e lojtarëve; ose një 11-sh që ka shënuar 6 gola në 180 minuta me protagonist Bakajn, deri para pak një partizanas i çmueshëm (“kërkoj Partizanin e më ka ikur sysh”) dhe Plakun – edhe ai i dalë nga farishtja partizanase, mû ajo që Partizanit, i mësuar për të marrë prej të tjerëve futbollistë të gatshëm, i ka munguar përjetësisht. Mirëpo edhe një dyshe të vetme e krijuar prej tij, si kjo e një elegance Bakaj – Plaku, rrota e ndryshuar e historisë ia ka blatuar një skuadre tjetër, në këte rast Dinamos!

Te ky kryesim shprehës i “DinamoBesës”, Kampionati ndalon. Mëkat! E, na duhet të mbarojmë punë me Danimarkën Kombëtarja që të ndodhemi përballë ndeshjes Dinamo – Teuta në Tiranë për të pa me sytë tonë se çka është kjo Dinamo e cila vonon të duket në kryeqytet, por dhe në TV për shkak të absurdit të një kontrate televizive që ende e pafirmosur, pengon dukjen e skuadrave shqiptare në ekranin e vogël.

“E dënuar” për të fituar dy herë rresht 3-1 e 3-0 jashtë fushës së saj, në të vërtetë Dinamo është e vetme në krye thjesht për shkak të këtij dy tregolshi (të padisjhmit e gjuhës shqipe të cilët shkruajnë në gazeta i thonë barabarisht italisht “tripletta”!). Në pikë Dinamo është e barabartë me një Besë të Kavajës, gjithashtu e 2 fitoreve në 2 ndeshje të para, plot 6 pikë edhe ajo!

Java 2, shfaqi ndërkaq, edhe një herë barazimin e debutuesit të paprecedent me emrin Gramozi i Ersekës, përsëri barazim: tash 1-1 në Laç; fitoren e vështirë të Teutës me Kastriotin dhe qëndresën fierake në Shkodër e të Skenderbeut në Tiranë, e paluajtëshme deri mbas të 90’; si dhe dorëzimin pa kushte të Flamurtarit para syve të dëshiruar të spektatorëve të tij.

Ky prolog i cili ka vetëm një “0”, atë të asnjë pike të Kastriotit të Krujës, të ngjall vërtet nostalgji. Nostalgjinë e titullit të gjatë të këtij shkrimi që e përsërisim për herë të tretë dhe të fundit, ashtu siç përsëritet refreni i një poezie elegjiake (jo një krahasim mirëfilli i duhur ky): “Kërkoi Elbasanin e nuk e gjej, kërkoj Gjirokastrën dhe e kam harruar, kërkoj Partizanin e më ka ikë sysh, kërkoi Beratin e nuk di ku është, kërkoj Lushnjën e nuk ia ndjej më zërin …”

Kampionati i 71-të Kombëtar ka në 12-shen e tij aq të dashtun për Federatën Shqiptare të Futbollit, plot 4 skuadra që nuk i kishte vitin e shkuar; e kësisoji Shqipëria është e vetmja midis 53 shteteve futbollistike të UEFA-s, e cila në këte 2009-10, ka pjesëmarrëse “të reja” një të tretën e skuadrave të një viti më parë: Skenderbeun e Korçës, Gramozin e Ersekës, FK Laçin e Laçit, Kastriotin e Krujës. Kjo i falet meritës së padiskutueshme të katërshes “së re” të sapoardhur, e nga ana tjetër edhe pëjashtimeve të rrepta që iu ka ndodhur skuadrave të qyteteve tradicionalë, qoftë edhe dikasterialit të dikurshëm zâmadh me emrin Partizani…

Kampionati i 71-të Kombëtar është diçka tjetër, krejt tjetër. Atij i mungojnë dy skuadrat e shtatëshes më të mirë të 71 Kampionateve të Shqipërisë: Partizani e KS Elbasani. Historia na thotë se atij i mungojnë 3 skuadrat e 10 më të mirave të të gjithë kampionateve shqiptare: Partizani, KS Elbasani e KS Lushnja; i mungojnë 5 skuadrat e 12 më të mirave: Partizani, KS Elbasani, KS Lushnja, Tomori dhe Luftëtari. I mungojnë edhe një Besëlidhje e Lezhës, një Bylis i Ballshit, një Naftëtar i Kuçovës, të cilët dikur gjithashtu luanin rolin e tyre qytetar, ndonëse jo të përmasave. Këta të munguar “të vegjël” ishin ata të cilat Anton Mazreku i quante “skuadra simpatike”.

Ky është varfërimi i Kampionatit të 71-të, varfërimi “i natyrshëm” i tij, përderisa FSHF me kryefortësi thotë “dua vetëm 12 skuadra, e plasni po të doni”, jo më tepër. Më 1956 pat rënë në Kategorinë e Dytë Vllaznia e Shkodrës, ndonëse ishte renditur e shtata! Thjesht sepse Kampionati kishte vetëm 9 skuadra, vetëm 3 më pak se i sotmi i Shekullit XXI!

Me dinakëri FSHF jo vetëm nuk pranoi shtimin e skuadrave për këte stinë 2009-10, por i hutoi të gjithë partizanët e shtimit, saqë të gjithë harruan dhe nuk guxuan t’i kërkonin as shtimin të paktën për stinën e një viti më vonë, atë 2010-11. Futbolli shqiptar në mjediset e tij nuk ka më përfaqësues largpamës, këmbëngulës për ndryshime të reja, për forcimin e Kampionatit Kombëtar, e pse jo për vendosmëri ndryshimesh. Duke harruar se Kampionati i Shqipërisë nuk është i Federatës Shqiptare të Futbollit, e aq më pak i Komitetit të saj Ekzekutiv të njëanshëm, tashmâ tejet i vjetëruar, mbi të gjitha, në mendimin futbollistik, në larminë e diskutimit dhe të polemikës, në pavarësinë e mendimit vetjak të anëtarëve të tij.

Përfundimi? Tribunat e boshatisursa të stadiumeve në ndeshjet e Kampionatit Kombëtar! Si asnjëherë tjetër qysh nga viti i parë, ai 1930…


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora