Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ditët më të mira të Jonida Maliqit

| E diele, 23.09.2007, 04:06 PM |


Plane të reja muzikore por edhe një imazh dhe look i ri. Mund t’u gëzohet pushimeve, sepse ka fatit të mos i mungojnë paratë. Këngëtarja rrëfen për të parën herë për revistën “JETA” planet për ndryshime në jetën private. Por edhe të vërtetat e fjalëve për një flirt me një partner skenik, apo thashethemet për zënkën me Mariza Ikonomin apo ndërhyrjet me bisturi
Vëthë në formë rrethi me logon Chanel, këmishë e hollë në ngjyrë të zezë, sandale po të zeza me rripa, një palë pantallona-tuta sa për të thyer seriozitetin, flokë të kapura bisht dhe thuajse e patrukuar. Gati gati është veshur fare thjesht. Ç’i ka dalë përpara në mëngjes. Larg veshjeve diellore me të cilat jemi mësuar ta shohim. Teksa porosit një ujë pa gaz me feta limoni, nuk mund të mos shfryjë herë pas here e bezdisur nga vapa. Uf, sa e mërzitshme kjo vera! Duket sikur Jonida Maliqi nuk po i shijon fare ditët e nxehta... Mos i besoni! S’mund të ishte kurrë kështu. Jonida as që mund të mendohej pa verën. Ai tatuazhi në formë dielli në dorën e djathtë nuk është shkrirë më kot në lëkurën e saj. Se mos lëkura është lënë në ngjyrën origjinale. Edhe kur temperaturat i janë afruar zeros në ndonjë ditë të acartë dhjetori, ngjyra e lëkurës së Jonidës vazhdon të të kujtojë plazhin. Jo më tani që vera është në kulm dhe ajo mund ta shijojë deri në pikën e fundit. Nëse po mendoni se u gëzohet koncerteve dhe aktiviteteve në qiell të hapur, e keni gabim. Që kur vera ka hyrë, as që i përfill fare këto gjëra. Nuk rend sa në një turne në tjetrin me axhendën përpara që i tregon se cili është qyteti i radhës. Valixhja e udhëtimit nuk qëndron në pritje të udhëtimeve koncertore. Sigurisht që Jonida ca valixhe i ka bërë gati. Por jo për qëllime pune. I ka mbushur me rroba banje dhe veshje plot ngjyra dhe dritë. Sepse ajo nuk është si shumë artistë të tjerë që mendojnë se kjo është periudha më e mirë e vitit për të fituar ca para më shumë. E ka luksin e të shijuarit pushime të gjata në plazh (sapo ka kaluar një javë në Dhërmi) dhe t’i lërë punët e tjera kur stina e saj e dashur të ketë mbaruar. Tani ka kohën e mjaftueshme për të bërë plane, për t’u frymëzuar, për t’u bërë gati për projekte të reja, këngë të reja. E ndërsa fillon të tregon gjithë entuziazëm për planet e saj, për këngët që do të hidhen së shpejti në treg, për pushimet në Qipro, për... Telefoni nuk pushon së rëni. Mami po pret të drekojnë bashkë. Disa mike kanë kohë pa e parë...

Si i ke marrëdhëniet me shoqet e tua?

Jam tip shumë i shoqërueshëm, edhe pse në pamje të parë shumë njerëzve mund t’u jap përshtypjen e mendjemadhes. Pavarësisht të qenit e njohur, kam ngelur njeri i thjeshtë, sidomos me miket e mia.

E megjithatë, thonë se me Mariza Ikonomin nuk je më mike.

E kam diskutuar edhe me Marizën këtë fat dhe të dyja jemi çuditur kur kemi dëgjuar se ishte shkruar kështu.

Domethënë vazhdoni të jeni shoqe?

Po. Madje para pak kohësh në një recital timin, mes shume miqve të tjerë ishte edhe Mariza.

Të ngushta?

Jemi mike të mira dhe nuk e kam parë kurrë si rivale time, ashtu siç është shkruar në shtyp.

Po ty të kanë parë ndonjëherë si të tillë?

Më ka ndodhur njëherë me një anëtare jurie në një festival, e cila u shpreh negativisht për mua.

Cila është ajo?

Nuk mund ta them emrin.

Ç’bën kur të tjerët nuk të pëlqejnë apo flasin keq për ty?

Nuk harroj, edhe pse mundohem ta hedh prapa krahëve. Kujtoj gjithmonë që jeta është shumë e gjatë dhe nuk dihet se çfarë të rezervon. Jam pak hakmarrëse.

Po gabime bën?

Kam bërë gabime si çdokush. Prej disave kam mësuar shumë.

Prej cilave gabime ke mësuar?

Kam mësuar që të mos u besoj më miqve siç ka ndodhur dikur. Në një moment krize, kur nuk kam qenë shumë mirë, shumë prej tyre kanë abuzuar me besimin tim. Një arsye e fortë, që më ka bërë të jem shumë më selektive këtej e tutje. Kam shumë miq por u besoj pak. Preferoj më shumë të hapem me motrën time, edhe pse ajo është larg.

Cili ka qenë ky moment gjatë të cilit miqtë kanë abuzuar me besimin tënd?

Para një viti, kur për shkak të thashethemeve të mediave, jeta ime pësoi një kaos.

Çfarë ndodhi?

Një moment krize mes meje dhe të fejuarit tim u keqpërdor në shtyp.

Për çfarë e ke fjalën konkretisht?

Për një tymnajë të vërtetë ku u thanë gjërat më të shëmtuara, deri edhe se sendet e mia personale kishin dalë në ankand. U përfol për makinën time, për një qen të cilin unë nuk kam pasur fatin ta kem kurrë sepse jam alergjike nga kafshët. Dhe për një dasmë të mundshme në shtatorin e shkuar.

Ka lidhje kjo me musical-in “Romeo dhe Zhuljeta”?

Në atë musical unë kam qenë e shoqëruar nga i fejuari im Genti.

Megjithatë, kriza ishte në mes?

Jo e atyre dimensioneve që u përfol. Nuk ka çift që të mos kalojë një krizë kur bëhet fjalë për një lidhje shumëvejçare, por jo të trillohen historira në mënyrën më të shëmtuar.

U përfol për partnerin tënd në “Romeo dhe Zhuljeta”, apo jo?

Po. Dhe kjo nuk më ka ndodhur vetëm mua. Ka ndodhur edhe shumë herë sa herë që një këngëtar dhe një këngëtare këndojnë së bashku një këngë. Mjafton të kujtoni disa nga duetet e festivaleve. Suksesi im profesional u zhvendos në rrafshin personal. 

Në fakt, ti ç’raporte ke me partnerët e tu në skenë?

Thjesht profesionale.

Tani kriza mes teje dhe Gentit ka kaluar apo jo?

Tani jemi më të lumtur se kurrë.

Si jeni njohur?

Në plazh, para shtatë vjetësh. Qëndruam miq për një muaj dhe më pas u lidhëm.

Çfarë të tërhoqi tek Genti?

Karakteri i veçantë. Indiferenca. Por dhe fakti që tek Genti gjej shumë të përbashkëta me babin tim dhe më vjen mirë që ata kanë një marrëdhënie të mrekullueshme.

Jetoni bashkë?

Po. Që kur jemi fejuar jetojmë të dy.

Çfarë po e pengon dasmën?

Asgjë. Përkundrazi...

Je një amvisë e mirë?

Unë jam një natyrë shumë maniake, sidomos pas higjienës. Nuk dal kurrë nga shtëpia pa vënë më parë rregull në çdo gjë.

Gatuan?

Më shumë më pëlqen të përgatis sallatëra. Sepse më mbajnë në formë. Rri me orë të tëra për t’i bërë pjatat sa më të bukura.

Genti i pëlqejnë apo që përgatit?

Sigurisht, por edhe Gentit i jepet për gatim.

Si kanë ngelur marrëdhëniet me familjen tani që nuk jeton më me ta?

Të shkëlqyera. Unë cilësohem si njeri shumë i përkëdhelur dhe kjo vjen vetëm si pasojë e dashurisë që më kanë dhënë prindërit e mi dhe motra ime. Edhe tani që nuk jam më me ta, nuk ka moment të ditës që unë të mos ndihem fëmijë. Janë të përditshme takimet me mamin, kurse me motrën kontaktoj për orë të tëra në telefon.

Po me babin?

Ah, ai është pika ime e dobët. Shihemi pothuajse çdo ditë. Është ai që emocionohet më shumë nga të gjithë kur unë dal në skenë.

Ti do t’i përkëdhelësh në të njëjtën mënyrë fëmijët e tu?

Unë do të jem një nënë e çmendur pas fëmijës tim. Që në adoleshencë i doja shumë fëmijët. Ndaloja nënat me bebet e tyre në rrugë dhe i përkëdhelja. Në shtëpi kam shumë foto me fëmijë që nuk i njoh fare.

Kur do vijë një fëmijë për Jonidën?

Kur të martohem.

Dhe kur do martohesh?

Së shpejti.

Po pushimet për ku janë rezervuar?

Pas disa fundjavave të kaluara në Dhërmi, mendojmë të shkojmë në Qipro. Jo pa qëllim. Do të bëhem teze, kështu që do shijoj disa ditë për të njohur mbesën time të vockël dhe për të shijuar bregdetin e Qipros.

Për çfarë i shfrytëzon udhëtimet jashtë Shqipërisë përveçse për pushime?

Sigurisht për të bërë shopping. Nuk ndodh që unë të dal jashtë kufijve dhe të  kthehem pa veshje dhe produkte kozmetike. Kujdesem shumë që të blej edhe veshje për skenë. Zgjedh gjëra të veçanta që t’i kem vetëm unë.

Kujt ia beson imazhin?

Varet. Kohët e fundit kam filluar të tërhiqem tej mase nga marka Custo Barcelona. Ka veshje unike.

Pse kaq shumë vëmendje pamjes së jashtme?

Më vjen çudi që njerëzit abuzojnë me të qenit i kujdesshëm, i rregullt.

Pse nuk të pëlqen kur theksi vihet tek imazhi?

Sepse masa po tejkalohet vërtet. Unë nuk jam as modele e as stiliste. S’besoj se ka arsye për t’u kapur pas imazhit tim, ndërkohë që unë çfarë kam për të dhënë e jap në skenë.

Të pëlqen të jesh në qendër të vëmendjes?

Varet nga momenti. Kujt nuk do t’i pëlqente të ishte. Veçse në disa raste kjo gjë bëhet vërtet bezdisëse.

Kur, në cilat raste?

Qoftë edhe në një dalje për kafe kur njerëzit fillojnë të komentojnë detajet e parëndësishme.

Thuhet se di më mirë të vishesh sesa të këndosh.

Më vjen keq për këtë, pasi mua nuk më ka ndodhur kurrë që të dal në skenë me rroba banje që të tërheq vëmendjen përtej zërit, përtej të kënduarit, përtej të qenit këngëtare e suksesshme. Për këtë nuk ka nevojë të flas unë. Ata që kanë qenë të pranishëm në çdo aktivitet, e dinë mirë se unë kam qenë ndër të paktat këngëtare të reja që kanë debutuar live.

Atëherë përse nuk ke ende një këngë hit?

Sepse unë e quaj veten profesioniste. Kam bërë një shkollë dhe nuk do t’ia lejoja vetes kurrë që për pak më shumë para të bëhesha pjesë e këtij pseudoarti bastard që po mbizotëron në muzikën shqiptare. Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa kur më përgëzojnë për suksesin dhe për seriozitetin që unë përcjell në skenë. Do të doja të isha më modeste, por slogani që ka mbizotëruar në karrierën tima ka qenë dhe mbetet: të shprehesh me përpikmëri. Ky është fillimi dhe mbarimi i çdo arti.

Thuhet edhe se për të mbajtur trupin në formë ke bërë edhe ndërhyrje kirurgjikale në pjesën e ijeve...

Fatmirësisht unë shquhem për vullnetin tim të hekurt në çdo lloj fushe. Nuk besoj se përbën ndonjë gjë të çuditshme fakti që për formën time fizike, e cila tashmë është normale, kujdesem thjesht në mënyrën se si ushqehem.

Që do të thotë?

Konsumoj sa më shumë karbohidrate dhe për çdo gjë që shtrohet në tryezën time më parë shoh kilokaloritë. Nuk arrij ta konceptoj se nga sajohen këto histori. Unë nuk kam kurrfarë problemi me trupin tim. Kam qenë dikur një fëmijë i shëndetshëm, por jo obez.

Këtë verë vjen në një formë të shkëlqyer dhe me imazh të ri. Është ndryshimi i radhës?

Së fundmi jam duke u marrë me disa materiale të reja muzikore. Kam filluar të punoj për të hedhur në treg disa këngë single. Por edhe për të pasur një imazh të ri. Dhe për këtë zgjodha mënyrën më të mirë. Disa foto që po botohen ekskluzivisht për revistën “Jeta”, për të cilat kam punuar me fotografin Geliant Kaleci, të cilin gjej rastin ta falënderoj, sepse ka bërë vërtet art.