E enjte, 25.04.2024, 12:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Dy letra të panjohura për Mustafa Krujën nga Dhimitër Beratti dhe Karl Gurakuqi

E shtune, 19.09.2009, 11:33 AM


Një frikë e madhe e ka kapur të mjerin popull

Për gjuhë e për Shqipëri. Dy letra të panjohura për Mustafa Krujën nga Dhimitër Beratti dhe Karl Gurakuqi

Për historinë dhe gjuhën. Dhimitër Beratti, një nga firmëtarët bashkë me Mustafa Merlika Krujën e aktit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, jep "dëshminë" e tij për ardhjen në Shqipëri të Ismail Qemalit. (Javën që shkoi, "Shekulli" botoi kujtimet e Eqrem bej Vlorës për këtë periudhë, të cilët Kruja ia pat kërkuar për qëllime studimi).

Ndërsa letra e dytë i përket Karl Gurakuqit, i cili i shkruan Krujës gjuhëtar një dimension që Kruja i panjohur e mbron me madhështi. Diçka pa lexuesi i gjerë në faqet e "Shekulli"-t dy të hëna përpara. Sot i japim këtë letër firmosur thjesht Karl (Karl Gurakuqi 1895-1971)

Të tri palët janë në emigrim. Ata që kanë ndarë deri dje fate historike të atdheut, takohen tashmë vetëm me letra. Në letrën e Gurakuqit flitet sidomos për Fishtën dhe nëpërmjet tij se ku janë katandisur shqiptarët.

Por me një nderim të veçantë i shkruan edhe për "Zemër prindi" një homazh kushtuar birit të vdekur të Krujës në të ri, të cilin "Shekulli" gjithashtu e ka botuar në ciklin e shkrimeve të panjohura apo të rimarra pas më shumë se gjysmë shekulli të Mustafa Krujës, apo për Mustafa Krujën. Shkurt, një letër e mrekullueshme për t'u lexuar.

Letra e Karl Gurakuqit
Palermë, 4 nânduer 1958.

Fort i dashuni Mustafë,
Jo, s'ka mbetë asnji letër e êmja pá përgjegje nga ana e jote. Fajtuer jam unë e jo ti, në qoftë se ka faj në ket mes. Unë, për mos me të lânë shurdhë, të pata dërgue njizet faqe të vijimit t'"Anzavet", të cilat të paskan rá në dorë e të paskan kënaqë. Gëzohem për gëzimin t'ând e më vjen mirë qi kam mundësín me bâ nji gjâ sado të vogël për me të dishmue dashunín qi ushqej kundrejt teje dhe nderimin qi kam për tý.

E marr me mend padurimin t'ând për t'a pasë librin deri në fund e sá mâ parë. Më duket si me të pasë këtu para meje e më bâhet si me të pá se qysh i vên në rregull faqet, se si i ruen me kujdes e se si e pret ditën kúr të mundesh me i lidhë të gjitha zbashku! Do të përpiqem prá me t'a krye ket dishír, prandej do t'i vîhem punës mâ me zell se deri sot për me i kopjue edhè ato 114 faqe të librit qi më kanë mbetë.

Si po e shef, të kam dërgue deri tashti vetëm gjymsën. Eh, i mjeri Fishtë! I ká njoftë mirë shqiptarët e vet: ká qeshë në punë t'ona veç pse s'ká mujtë me qá; i ká plasë zemra, fecit indignatio versum; u përpoq me të mirë e me të keq me i vû për rrugë, por, ec e shif tanì... vox clamans in deserto, qi shqip kishem me e përkthye me lehë si qêni në hânë!

Nuk e ka dijtë i mjeri, as nuk do t'i ketë shkue nepër mend, as n'ândërr, se shka do t'i kishte ngjá mbas vdekjes. Kush e kishte kurr mendue, se shkrimet e tija, plot afsh e dashuní për gjuhë e për Shqipní, plot mësime të mbara për të na rrëfye rrugën e drejtë, do të kishin mbarue në flakë në mes të sheshevet t'atdheut, për të cilin pat shkrî krejt jetën e vet?

Më shkruen nji Shqiptár nga Amerika, i cili paska dalë nga Shqipnija andej kah vjeti 1951, e më thotë se të gjitha botimeve, qi kanë pá dritën para nândorit 1944 (me pak përjashtime), u qênka dhânë flaka, dhe, mjerë ai, të cilit mund t'i gjindet nji botim i tillë në dorë a në shtëpí, pse e hânka edhe atê furra.

Më thotë i mërguemi n'Amerikë, mos të mendoj se ká Shqiptár aq të guximshëm qi mund të ketë mëshehë ndokund ndonji prej atyne botimeve, kaq nji frigë e madhe e ká kapë të mjerin popull.

Prandej, morè i arsyeshmi Mustafë, duhet bâ çmos qi të ribotohen këtu në mërgim librat e kohës s'artë shqiptare. Çdo botim duhet t'a presim me krahë hapë, qoftë edhe me të meta, sikurse, mjerisht, doli ribotimi i "Lahutës...". Kjo pat qênë arsyeja qi unë të shkrova me enthuzjazëm për ribotimin e kryeveprës shqiptare.

Si shtyp, si mveshje tipografike, më ka pëlqye, por, besa, komentimet - në qoftë se komentime mund të quhen - falja dreqit; kemi bâ brutta figura na të mërgimit nepërmjet Át Danjelit. Këtij i kam shkrue nji letër të gjatë, nji predikim, tue i çfaqë pakënaqsín t'eme rreth spjegimeve të pa krypë fjalësh e frazash, rreth gabimeve të shtypit dhe inkoherencës në pikpamje t'orthografís.

"Më thuej ti - i pata shkrue - spjegim e komentim e thrret ti kúr shtjellon frazën tue prishë ... me duke prishur? Ç'nevojë âsht të spjegohet ndër kllapa kallxorja gege 'synin' me trajtën toske 'syrin'? Po të pranohej ky parim, atëherë për çdo fjalë ku del në shesh rotacizma, do të duhej me u shenue..."

I kam dhânë edhè disa mësime gramatike; ndër tjera se qysh duhet shkrue orthografikisht mirë rasa e katërt e emnavet femnorë me rrâjë në 'ë' të pazâshme dhe me 'e' të plotë; pse nânën, vajzën, odën (me 'ë') dhe pse lulen, nusen, delen (me 'e').

E të tjera këso dore, gjatë e gjânë. Me sa më duket, këshillat e mija i ká marrë për të keq, pse qysh prej asaj letre, nuk kam pasë mâ lajm prej tij. Njimend ia kam tërhjekë pak veshin, por urtë e butë, pá e fye, pá e shá. Nejsè, unë e kam bâ detyrën t'eme si mësues e si atdhedashës. Si e shef, nuk âsht e vërtetë, sikurse thue ti, se i kam dërgue At Gjeçajit vetëm lavde e përgëzime, miklime e lurtime.

Gjeçaj! Ké të drejtë! As mue nuk më pëlqen kjo trajtë, qi nuk ndigjon me u lakuem. Por, more Mustafa i im, shka t'i bâjsh përdorimit të popullit? Usus norma loquendi, prandej edhè norma scribendi. Trajta -aj për mbiemna, ase mâ mirë me thânë, për emna vendesh e lagjesh, përdoret fort në Malcí, qi mâ vonë pat nisë me u përgjithësue edhè për mbiemna, si b.f.

Pepaj, Markaj, Marlaskaj (a e ke pasë njoftë At Ambrozin Marlaskaj), Marlekaj, Gjokaj etj. Për sá dij unë, shkaktár i përgjithësimit të kësaj fare mbiemnash ká qênë At Pashk Bardhi. Fretnit mbajshin në Shkodër nji Seminár, të cilin e ndiqshin mâ tepër bij malcorësh e katundarësh, të zgjedhun ndër mâ të mirët prej famullitarvet të fshatevet.

Drejtuer i Seminarit aso kohe (po flas për vjetët e parë të nândëqindshit) ishte Át Bardhi, Shqiptar i mirë, burr katërqindsh. Ky, tue vrejtë se seminaristët nuk po kishin mbiemna, sikurse, di Zot, andej e këndej nëpër Shqipní, mendoi dhe shestoi mënyrën e krijimit të tyne; mbaresa - aj, simbas këtij Frati, âsht ilire - shqipe, prandej duhet ruejtë me çdo mënyrë.

Tue u mbështetë në ket parim, muer e dha e i caktoi secilit prej seminaristëvet mbiemnin; kështu sá për me të dhânë nji shembull, Zef Shllakut ia ngjiti Palaj (emën i njij lagjeje të njij katundi në Shllak); ky Zef Palaj nuk âsht tjetër veçse Át Bernardin Palaj, qi ti e njef, ase mâ mirë e ké pasë njoftë, pse, mjerisht, edhè ky ká pësue mbarimin e atdhetarvet tjerë qi fati i pat gjykue me ndêjë në Shqipní e me pritë klysht e Harushës së veriut.

Të kthejmë prap te ribotimi i "Lahutës...": Át Gjeçaj, simbas mendimit të vet, mirë a keq e ká krye detyrën e vet në mërgim; aq i ká punue të ngratit kërçiku; e ká shkundë thesin dhe ká qitë miellin qi ká pasë mbrendë. Ká bâ keq qi nuk âsht këshillue mâ parë me ndonji qi din mâ tepër; unë, fjala vjen, i kam pasë bâ me dijtë se kishem gatí komentimin e "Lahutës...", jo, gabova, fjalorin e "Lahutës..."; i kam këtu përpara meje grumbujt e skedarvet (mâ shumë se njimijë fjalë), qi i kam ndá në kaptina: fjalë armësh, emna historikë, gjeografikë, orësh e zânash, bestytní, zakone etj., etj.

Shum spjegime fjalësh i kam nga goja e vetë auktorit, madje kam nji kopje të botimit të vjetit 1937 me qortime e ndonji shtjellim fjalësh të bâme nga dora e vetë Fishtës. Kishem me dashtë me t'i rreshtue disá nga këto shtjellime.

Por po shkoj gjatë e po të mërzis; fjala vjen me forue (shif "Lahutën..." f.172, rr. 179) në ket skedarin t'em spjegohet kështu: me shtërngue, me ngushtue, me vû në nji gjendje të vështirë; të krahasohet fjala fore, qi d.m.th. ngushticë e madhe: e kapi forja, u ngushtue për së tepri; nji tjetër:

Fishta më ká thânë, dhe unë e kam shenue në fjalorin fishtjan, se fjala karajfile rrjedh nga italishtja Carlo e figlio, qi paska qênë nji Shtëpí armësh n'Italí e mu në qytetin Brescia, prej kah ka ardhë fjala breshanë. Prá, si deshta me thânë, unë do të kishem qênë gatí me ia dorzue krejt materjalin Át Danjelit, mjaft qi të dilte nji punë e mirë e sá mâ e kryeme.

Si gjithmonë, nuk lá shkrim t'ândin pá e lexue, pse më pëlqejnë stili i yt i sheshët, shprehjet e tua të zgjedhuna e gjuha e jote e pastër. "Zêmër prindi"! Më duket si me lexue ndonji faqe t'Edmond De Amicis, plot afshe dashunije, ndiesí fisnike, zêmër e ndieshme, mësime të mbara. Po t'ishin kohë tjera, ah sá mirë do të bânte pjesë në ndonji tekst shkolle si copë leximi! Do t'ishte punë e madhe po të gjindeshin mjetet për botimin e vepravet të tua; sá shërbim i madh do t'i bâhej gjuhës!

Sigurisht do t'a keshë pyetë veten se kush qe ai bujár qi e bâni të mundshëm botimin e Gramatikës s'ême; bashkë me Valentinin vendosëm me e vû në shtyp pá erë meteliku në xhep, me shpresë në Zotin se mbasi të botohej, do të dilte ndokush me na ndihmue; pastaj duhet dijtë edhè se, si libër shkolluer, si tekst i përgatitun nërgut për studentët universitarë, mund t'a shesim e mund të nxjerrim nji pjesë të shpenzimevet.

Le të shofim! Pres prej nji dite në tjetrën qi shtypshkroja në Milan të më dërgojë kopjet e para për miqt, ndër të cilët, i pari je ti, pa tjetër ti, bashkë me Ernestin.

Për të tjerët, qi m'a kanë kërkue (deri tash 70 vetë), as vetë nuk dij se qysh kam me ia bâ; m'a kërkojnë të gjith si dhuratë. Le të vijë nji herë e mbasandej e bân Zoti mirë. Kemi pasë shpresë, dhe kjo shpresë nuk na lëshon endè, se Qeverija Krahinore Siciljane do t'i jipte Qendrës së Studimevet nji ndihmë vjetore për botime librash.

Atëherë po, në qoftë se Karli âsht gjallë, do t'i vêmë në shtyp veprat e Mustafës për t'u a lânë trashigim brezavet t'ardhëshëm, qi të mësojnë se qysh kanë punue të Parët në mërgim me shpírt ndër dhâmbë, vetëm për t'i shërbye Atdheut, tue mos marrë para sýsh vetëmohime e flijime gjithfarësh.

Komiteti "Shqipnija e lirë" mirë e pat nisë punën me botimin e "Lahutës...", por hyni dreqi në mes dhe e prishi; po thonë se fajin e ká pasë Át Danjeli, i cili na e paska bâ të vetin ribotimin e veprës tue i a mohue të drejtat Komitetit financues.

Kam marrë mjaft letra, ku kritikohet kjo sjellje e Át Gjeçajit. Unë nuk dij se qysh qindrojnë punët me të vërtetë; do t'i shkruej Át Danjelit, pse, përpara se me e gjykue, âsht mirë të ndiehen të dyja kumbonët.

Po më pyetë në se fletorja e Blokut e ká ndalue për gjithnji botimin; mun dje mora nji letër nga i biri i Kapidanit, me të cilën më kërkonte disá numra të fletores "Shqipërija" (kam mjaft dyfishe në zyrë) dhe në ketë rasë më thotë se gazeta tash për tash nuk mund të dalë për mungesë fondesh. Keq, mjaft keq mos me mujtë me mbajtë nji fletore nji herë në muej!

Morè Mustafë, si Bunën Hamdiu i yt nuk ndiehet për së gjalli? E prá e dij se ká simpathí për mue, e kam pasë shok vuejtjesh e gëzimesh, e, sikur të ká thânë ai vetë, i kam pasë luejtë bukur mirë do gurë për me e shpëtue nga dënimi i ferrit...

A ká pasë lajme nga familja? A e ká endè nânën fisnike gjallë? Hamdi Oruçi më shkruen dhe Hamdiu jo! Madje Oruçi më ka bâ si dhuratë nji pajtim në fletoren "Dielli" për me më tregue mirënjoftësín qi i pata nxjerrë bursën me e krye universitetin në Palermë. Më ka shkrue nji letër shum mallëngjese.

Lexova letrën qi i ke dërgue Zef Nekajit; të lumtë dora! Po t'ishe këtu, do të kishe rasë me vrejtë se qysh përkojnë këto vrejtje qi i ke bâ komentimit të "Lahutës..." me spjegimet e fjalorit t'em fishtjan! Me sá më duket mue, Zefi nuk ká dijtë me t'a spjegue kuptimin e fjalës njak; âsht i rí e nuk i vîhet aq fort faj.

Unë e kam kështu: njak-u sh. njake edhè njaq, mullâ gjaku në nji vis të trupit, shkaktue prej të rrahuni, të zânuni pisk apo të shtypuni, ematòma; adv. frymën tue ia zânun njak, tue ia plasë shpirtin, tue ia prû shpirtin në fyt, tue iu gjetë gjak (mos vjen nga fjala gjak?); m'u zû lëkura njak, e zûna pisk e m'u shkaktue nji mullâ gjaku... Kopjen e letrës së Zefit kam me t'a dërgue bashkë me vijimin e "Anzavet...".

Në libërthin t'em të drejtesavet kam dý prej teje: nji Jenss Store - Pine Plaza dhe tjetra âsht ajo me të cilën po t'a nisi ketë letër; cila âsht e drejta?

Sikursè ti, edhè unë në nji letër tjetër kam me të rreshtue se shka kam shkarravitun gjatë vjetve të mërgimit. Për ketë herë u lodha e të lodha me pallavrat e mija.
Të fala të përzemërta nga grueja e eme, qi të kujton gjithmonë me nderim. Të fala Angjelinës dhe Kimit.
Prej meje merr nji të puthun në faqe e nji të rrokun ngrykë me máll e dashuní. Gjithmonë i yti,
Karli

Letra e Dhimitër Berattit

Romë, 10 Qershor 1955
Të ndershmit Zotnì Mustafa Kruja
Rue Elise Grecque, 2
Ramleh - Schutz, Egypte
I dashur mik,
U gëzuash, me vërtet, kur e mora letrën. U gëzuash, kryepare, se je shëndosh e mirë. Këtë nuk m'a thua në letër, por e nxora nga përmbajtja e saj. Duket se vazhdon të meresh me studime të shqipes e të Shqipërisë. Bravo të qoftë! Kjo d.m.th. se nuk të mungon durimi, kthjelltësija e qetësija e shpirtit, dhe as shpresa e t'ardhmes më të mirë. Përgëzohem me ty e t'uroj nga zemra.

Më fal se t'a vonova përgjegjen e letrës, por unë kam qënë sëmurë; lëngova, gati dy muaj, në shtrat. Tash u ngrita, dhe një nga të parat punë që mendova të kryej, është kjo letra që po të shkruaj.

Le të vimë tash te sendi i letrës s'ate. Më vien keq se nuk munt të t'ap përgjegje të plotë e të kënaqëshme në pyetjet që radhos. Një defter me shënime kësodore, më ka mbetur në Tiranë, me librat e dokumentat e tjerë. Sa më kujtohen përmenç, na ku t'i them:
1. Ismail Qemali, nga Stambolli ardhi në Bukuresht, i shoqëruar nga i biri Qazim e nga Gurakuqi. S'andejmi ay u nis fill për Vienë.

Nuk më gjan të ketë shkuar në Romë, në atë rast. E di se ahere tregohej vrap i math për t'arritur sa më parë, në Durrës. Por, ndofta, shkoi edhe në Romë, ashtu e do logjika. Sido qoftë, ne shoqëruesit u nisëm nga Bukureshti për Triesht dhe atje u poqëm rishtas me Ismail Qemalin e me disa Shqiptarë të tjerë, që kishin ardhur postafat.

2. Për punë të ngutësisë, nuk e pritëm vaporin që shkonte nga Trieshti në Durrës, dhe i cili na vononte tre a katër dit. Qeverrija austriake na e lehtësoj imbarkimin mbi një vapor që nisej për Stamboll, dhe i cili u ndal mystekil në Durrës, që të zbresë Ismail Qemali me shokë. Ndër këta, ishin tre vet që formonin delegatën e Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit:

Dhimitër Zugrafi, Dhimitër Mborja e Dhimitër Beratti, që të tre nga Korça. I katërti Dhimitër i delegatës, Dhimitër Ilo ardhi më vonë në Vlorë. Veç këtyre, nga Bukureshti u nisën me nè dhe disa të tjerë: Pandeli Mborja, Pandeli Cali, Kristo Meksi, Filip Gega e disa të tjerë që s'i mbaj mënt.

3. Ditën kur arritëm në Durrës nuk e kujtoj, por, munt të merret parasysh, njëfarësoj kjo llogarì:
26 /11/ 1912 arritëm në Vlorë;
25 /11/ bujtëm në Fier;
24 /11/ nisja nga Durrsi e bujtje në Çermë.

Mbasi në Durrës u ndalëm afrò një javë, do të kemi zbritur më 16 a më 17 të Nëndorit.
4. E di se do të kalonim nëpër Lushnje, për në Vlorë, por në Kavajë më duket, na lajmëruan se auktoritetet turke t'ati vendi gjoja paskëshin marrë urdhër nga Stambolli për t'a kapur Ismail Qemalin, ose vetëm për t'i prerë rrugën. Prandaj shkuam nëpër Çermë, me kuajt që hynë gjer në bark në ujë të kënetës.

5. Le t'a shtoj edhè këtë pikë: në mos gaboj mendimi i parë i Ismail Qemalit, pat qënë për t'a mbajtur Kuvendin në Durrës. Por atje gjetëm rrethana fare të pafavorshme. Nga krerët e qytetit, me përjashtim të kumandarit të gjindarmërisë (Toptani), askush nuk e pa me sympathì ardhjen e Ismail Qemalit; mbajtjen e Kuvendit atje e shihnin me sy fare të keq.

Mytesarifi (një beratas) thosh: "Comme Albanais, je suis avec vous, mais comme fonctionnaire je ne puis pas être avec vous." ("Si Shqiptar jam me ju, por si funksionar nuk mund të jem me ju" sh. i b.) I pëlqente të flasë frëngjisht.... Dhespoti, Jakovi, thosh se ay vetëm një flamur njeh: atë t'Osmanllisë. Myftiu, duke dëgjuar këto fjalë të Dhespot Efendiut, fërkonte mjekrën e thosh: aferim, aferim!...
Shumë të fala me shëndet edhe nga ana e s'ime shoqe.

I yti Dhimitër Beratti


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora