E shtune, 20.04.2024, 03:04 AM (GMT+1)

Mendime

Rexhep Kastrati: Me Adem, Milazim e Astrit, RTK-ja nuk bëhet e pavarur...

E shtune, 19.09.2009, 06:12 PM


REAGIM LIDHUR ME NJË “SPECIALE” TË RTK-së PËR DEBATIN PUBLIK ME QYTETARËT NË PRIZREN DHE SINDROMIN SERB TË PARAQITJES SË DISFATËS SI FITORE

ME ADEM, MILAZIM E ASTRIT, RTK-ja JO QË NUK BËHET 100% E KOSOVËS DHE E PAVARUR, POR KA RREZIK QË TË BËHET ZËDHËNËSE E NJË LUFTE TË MUNDSHME QYTETARE QË NË KOSOVË ËSHTË PLANIFIKUAR TË NDODHË QYSH GJATË LUFTËS DHE PAS SAJ

Nga Rexhep KASTRATI

Po çka ndodhi në të vërtetë në Prizren atë mesditë të së shtunës?
Në sallën e madhe të Shtëpisë së Kulturës në Prizren, RTK-ja e hapi fushatën e vet për ta bindur opinionin se është 100% i Kosovës, se është medium publik dhe që nuk varet nga partitë politike. Edhe pse këto sllogane kemi pasur rastin t’i shohim dhe t’i lexojmë që sa kohë qoftë në RTK, qoftë nëpër pllakate të ndryshme të vendosura gjithandej, ardhja e një pjese të stafit drejtues të RTK-së në Prizren dhe ballafaqimi i tyre me qytetarët, ishte e para mundësi për t’ua bërë të qartë se ende nuk ishin 100% të Kosovës, ende nuk ishin medium publik dhe ende nuk ishin të pavarur nga ndikimet politike. Pjesmarrja ime dhe e debatuesve të tjerë në këtë debat mu këtë synoi dhe këtë me fakte.
Pas fjalës së Adem Demaçit si kryetar i bordit drejtues të RTK-së, të Agim Zatriqit si drejtor i përgjithshëm dhe i të tjerëve pas tyre, i dyti nga salla e mora fjalën unë për të dhënë disa nga faktet pse medoja se RTK-ja nuk është 100% i Kosovës, se ende nuk është medium publik dhe për t’i dhënë disa vërejtje rreth skemës programore të shfaqur gjatë vitit të fundit dhe më parë. Inkuadrimi im në këtë debat ishte konstruktiv, pasi që edhe pse isha kritik, nuk kisha për qëllim të denigroja as RTK-në si medium, e as individët që ishin në binë. Natyrisht se as që e kisha ndërmend të bëja një shqyrtim thelbësor të pozitës profesionale dhe jashtëprofesionale të RTK-së, pasi që shqyrtime të tilla do të mund t’i bëja në ndonjë debat që mund të bëhej me njerëz të profesionit, e jo në një debat me qytetarë. Për këtë arsye u ndala vetëm në disa fakte që tashmë ishin të dukshme dhe të pakontestueshme:
- RTK nuk është 100% i Kosovës pasi stafi i saj drejtues ishte emëruar nga një estabilishment ndërkombëtar, e jo nga një estabilishment vendës;
- RTK nuk është 100% i Kosovës pasi që në bordin drejtues nëntë antëarësh të kryesuar nga Adem Demaçi, tre janë ndërkombëtarë, e që për 30-35% këtij mediumi ia heq të qenët i Kosovës.
Këto dy fakte nuk i thashë për t’i fyer zotërinjtë e RTK-së, por për të treguar një realitet se ky medium ishte themeluar nga ndërkombëtarët, të cilët edhe e udhëhoqën punën në këtë medium informativ dhe në fund e krijuan një bord në të cilin një e treta janë ndërkombëtarë, ka zërin dhe ndikimin e vet në politikën redaktuese të RTK-së. Dhe për të qenë 100% i Kosovës, së pari do të duhej që stafi drejtues të zgjidhej nga estabilishmenti vendës (i mundshëm Kuvendi i Kosovës) dhe bordi drejtues i tij të jetë 100% nga Kosova. Pas këtyre, u përqëndrova te programi që po shfaq RTK-ja, përkatësisht te ato pjesë që më interesonin më shumë: te programi informativ dhe te ai kulturo-artistik, pasi që ishin programet më të shikuara dhe më të dëgjuara në një medium audiovizuel, e rrjedhimisht edhe me më ndikim.
Në anën tjetër, nëpërmjet programit informativ kuptohet politika redaktuese e një radiotelevizioni, e rrjedhimisht edhe varësia apo pavarësia politike e tij, kurse nëpërmjet programit kulturo-artistik mund të vërehet se a ka për qëllim ai radiotelevizion ta kulturojë apo ta akulturojë publikun të cilit i drejtohet dhe i referohet. Dhe për të treguar se edhe në këtë drejtim RTK nuk është 100% i Kosovës përmenda edicionin e lajmeve, në të cilin vërehet qartë se ky medium është larg së qeni i pavarur nga partitë politike.
Për të mos i renditur faktet, unë e përmenda vetëm faktin se RTK më shumë i kushton rëndësi vizitës së ndonjë drejtuesi partiak në ndonjë katund apo në ndonjë lagje të Kosovës, se sa aktivitetit të presidentit të Kosovës. Dhe infomata për aktivitetin e presidentit shpesh ndodh që të jepet jo vetëm si lajm i dytë, por edhe si lajm i tretë, i katërt, i pestë, e bile edhe jepet në pjesën e fundit të lajmeve. Në këtë drejtim përmenda vizitën që një drejtues i një partie politike në kishën ortodokse të Deçanit, e cila për RTK-në ishte lajm më i rëndësishëm se aktiviteti i presidentit të Kosovës, si dhe përmenda faktin se për RTK-në është shumë më e rëndësishme shkuarja e kryeminstrit të Kosovës në shtëpinë e tij, se sa aktiviteti i presdentit të Kosovës. Këto nuk i thashë pse më intereson varësia politiko-partiake e RTK-së, por duke u nisur nga vetëdija shtetërore se presidenti i Kosovës është i pari i vendit, dhe është detyrë profesionale që informtatat për aktivetetin e tij apo edhe materialet nga zyra e tij të jepen si lajm i parë, e pastaj i drejtuesve të institucioneve të tjera të Kosovës, etek pas tyre i drejtuesve politiko-partiakë.
Edhe lidhur me disa emsioni debati që po i shfaq RTK-ja, shpreha mendimin se përballë të ftuarve po vendosen gazetarë që jo nuk po dijnë t’i drejtojnë ato debate, por edhe nuk po i kuptojnë as vetë pyetjet që po i bëjnë, duke e dëshmuar këtë edhe me faktin se pyetjet e shkruara shpesh edhe nuk po dijnë t’i lexojnë si duhet. Kurse lidhur me programin kulturo-artistik shpreha pikëpamjen se vetëm më nje “Dialog plus” dhe me një “Kult” nuk mund të mbulohet kultura. Filmat dhe serialet që po shfaqen, në anën tjetër, jo vetëm që nuk bëjnë kulturimin e publikut, por përkundrazi janë duke e akulturuar, pasi në to ka vetëm dhunë, krim, intriga, skena erotike që janë të ndaluar për fëmijët nën moshën 16 vjeç dhe që në shoqeritë postmoderne shfaqen pas orës një të natës, kurse te ne në kohën kur shikueshmëria e televizioneve është më e madhe, dhe sikur për t’i mbetur hatri dikujt se nuk i ka parë në mbrëmje, rishfaqen edhe gjatë ditës.
Në këtë kuptim, unë iu drejtova Milazim Krasniqit si anëtar i bordit të RTK-së dhe si njeri që kohëve të fundit po merret me sociokulturë që të di se a ka ndonjë opinion të tijin lidhur me këta filma, a po e shpreh atë opinion nëse e ka dhe a po ia përfill kush atë opinion. Ishte e kuptueshme se diskutimi im në atë debat do të provokonte bacën Adem, i cili me të parën tha se presidenti i Kosovës nuk po bën asgjë të mirë për Kosovën dhe se po të bënte diçka të mirë për Kosovën do të jepej si lajm i parë, e kështu me radhë, siç ia ka zanat ai për të mos e fshehur fare kundërrugovizmin dhe kundërlëdëkëizmin e tij, duke e demaskuar edhe një herë vetveten, por nuk ma kishte marrë mendja se diskutimi im do ta pickonte edhe Milazim Krasniqin, i cili njihet nga e gjithë dynjaja shqiptare si ishte rritur nën sqetullat e dr. Rugovës.

Dhe çfarë tha Milazim Krasniqi?

Milazim Krasniqi, duke u munduar që të shpifë kundër meje dhe të denigrojë personalitetin tim, e demaskoi veteveten. Rexhep Kastratin e quajti sindrom të njeriut që dëshiron kontroll partiak mbi RTK-në. Dhe stili i të shprehurit, i vërejtur edhe në “Specialen” e stisur sipas qejfit të tij në RTK, e paraqiti Milazimin tamam ashtu siç e kishte mësuar Rrahman Morina në kohën kur e kishte vendosur kryeredaktor të dhunshëm të “Fjalës” në vend të kritikut të shquar, të ndjerit Bajram Krasniqi. Dhe ky Milazim që nëpërmjet vijës partiake dhe për interesa partiake (të Lidhjes Komuniste të Kosovës) ia zuri vendin Bajram Krasniqit në “Fjalë”, merr guximin të shpifë kundër meje për një sindrom që e ka vet e jo unë.
Kur jemi te revista “Fjala” duhet thënë se ka zëra që thonë se pas asaj që Komiteti ia punoi me anë të Milazimit, Bajram Krasniqi u sëmurë dhe vdiq. Edhe pse as nuk dua ta pohoj e as ta mohoj vërtetësinë e këtyre zërave, duhet thënë se Milazimin duhet ta vrasë ndërgjegjia për vdekjen e hershme të Bajram Krasniqit, kritikut, historianit të letërisë, semiologut dhe luftëtarit të paepur për çështjen kombëtare, vepra e të cilit për shumë vite drite e ka bërë më të madh se sa Milazimin. Dhe merr guximin ta quajë Rexhep Kastratin sindrom të njeriut që do varësinë partiake të RTK-së, Milazim Krasniqi, ky njeri që edhe para kishte marrë nga LDK-ja dhe në emër të saj, kurse pas luftës e bën punën e Judë Iskariotit apo edhe të Brutit, edhe emër dhe autoritet, bile edhe identitet politik kishte marrë në emër të dr. Rugovës, në emër të të cilit çonte selam gjithandej Kosovës, në kohën kur, e di mirë vetë Milazim, më mirë se çdo kush tjetër, se Rexhep Kastrati për shumë vite me radhë ka qenë shumë kritik ndaj LDK-së, pikërisht pse mbante brenda vetes njerëz si Milazim Krasniqi që vetëm zhvasnin në emër të saj. Dhe Milazim Krasniqi e di mirë, po ashtu, se Rexhep Kastrati pati kurajon që në kohën kur vetë Milazim Krasniqi vrante e kthjellte, të bënte thirrje publike për Rexhep Qosjen dhe Adem Demaçin që të futeshin në politikë, kurse klasa e atëhershme politike t’i pranonte ata jo si mish të egër, por si njerëz që mund të kontribuojnë.
Por natyrisht Rexhep Kastrati nuk e ka bërë një thirrje të tillë që Qosja e Demaçi t’i bënin ato mbrapshti politike që i bënë më pastaj, por për të kontribuar për ta çuar çështjen kombëtare përpara. Dhe ishin pikërisht mbrapshtitë e Qosjes dhe të Demaçit, krahas mbrapshtive të të tjerëve, përfshirë edhe të vetë Milazimit dhe të disa ikanakëve të tjerë të LDK-së që sot ose militojnë në PDK, AAK, ose fshihen prapa asaj që po quhet në Kosovë “shoqëri civile”, e që në fakt u dëshmua se ishin karvan i lehësve më të mëdhenj të Kosovës, ato që më shtynë të vihem hapur në krah të dr. Rugovës dhe të LDK-së.
Prandaj, Milazimi i Krasniqëve, ka rrejtur me qëllim kur më ka quajtur sindrom të njeriut që do kontroll partiak mbi RTK-në. Dhe rrena, sidomos ajo me qëllim do të duhej nga zyra në të cilën ka punuar Astrit Salihu, nga Zyra e Përkohshme për Media, nëpërmjet të të cilës zyrë Astrit Salihu ka dënuar gazeta vetëm për pikëpamjet e shprehura politike, si dhe nga Prokuroria Komunale e Prishtinës, në përputhje me nenin 64 pika 1 të Ligjit Penal të Kosovës. Por unë as që e kërkoj këtë dhe as që ia kisha këshilluar as Zyrës së Përkohshme për Media, e as Prokurorisë Komunale të Prishtinës, pasi që unë kurrë nuk kam denoncuar dikë në këto zyra. Nuk e kam bërë këtë jo se nuk kam pasur arsye, por për faktin se unë jam kundër çdo ndjekjeje apo dënimi për të shprehurit verbal, edhe nëse ato e cënojnë, e fyejnë dhe provojnë ta nënçmojnë personalitetin tim.
Një ndjekje të tillë nuk do ta dëshiroja as për Astrit Salihun, i cili vetë ka dënuar për shkak të shprehjes verbale, përkatësisht për pikëpamjet politike të shprehura në gazeta të ndryshme të Kosovës, i cili në debatin e organizuar mbajtur në Prizren, Rexhep Kastratin e quajti aktivist partiak, edhe pse do të duhej ta dinte se Rexhep Kastrati kurrë nuk ka milituar nëpër parti politike, se do të duhej ta dinte se kur vetë punonte në “Zëri” Rexhep Kastrati e ka pasur shumë vështirë t’i shprehte pikëpamjet kritike ndaj LDK-së, aktivist të të cilit më quajti mua. Dhe me këtë nuk dua të them se vetë Astrit Salihu nuk ka lejuar që të botoheshin shkrime të tilla në “Zëri”, por dua ta theksoj se vetë punonte në një revistë që nuk lejonte deri vonë-vonë pikëpamje kritike ndaj LDK-së.
Në anën tjetër, duhet të them se nuk kam denoncim në Zyrën e Përkohshme për Media, as në Prokurorinë Komunale në Prishtinë kundër Astrit Salihut, kundër njeriut i cili pas karbonizimit të Shaban Manajt në vitin 2000, të vrarët e këtillë politikë, jo që nuk i quante të vrarë politikë, por as viktima, jo vetëm për arsyet që i thashë më lartë, por edhe për faktin se atij ia kam dhënë menjëherë atë që e ka merituar. Dhe as Astriti vetë nuk besoj se e ka harruar mënyrën time të të dhënurit njerëzve atë që e meritojnë, ashtu siç besoj se nuk ka harruar as Milazimi këtë gjë, pasi ka pasur rastin vetë ta provojë në kurriz të vetin. Dhe edhe kjo që thashë deri më tash është një mënyrë, nga mënyrat e shumta për t’ua dhënë këtyre dy njerëzve, që bashkë me Adem Demaçin, i cili hapur e shfaqi dispinimin kundërrugovë dhe anësinë e tij politiko-partiake si kryetar i Boridit drejtues të RTK-së, e kanë uzurpuar RTK-në dhe po duan që nëpërmjet të tij të bëjnë atë që nuk kanë mundur ta bëjnë as para luftës, as gjatë luftës dhe as pas saj, me mjete politike dhe të tjera: ta rrënojnë politikisht dr. Ibrahim Rugovën, e bashkë me të edhe LDK-në.
E Rexhep Kastrati është pikërisht kundër këtij uzurpimi dhe kundër këtij keqpërdorimi që po i është bërë dhe po i bëhet RTK-së. Pra Rexhep Kastrati, edhe në debatin e së shtunës, kur Demaçi, Milazimi e Astriti pësuan disfatë politike, morale e profesionale, u angazhua që RTK-ja të lirohej nga varësia politiko-partiake, e jo që ajo të vihetnë varësi të tillë. Adem Demaçi, Milazim Krasniqi, Astrit salihu dhe gjithë të tjetër mund të vazhdojnë të shpifin në një mënyrë ose në një tjetër kundër Rexhep Kastratit, se Rexhepi nuk e ka ndërmend të lodhet fort, por një gjë duhet të jetë e qartë: me Adem, Milazim e Astrit, RTK-ja jo vetëm që nuk bëhet 100% i Kosovës, medium publik dhe i pavarur nga partitë politike, por një ditë ka rrezik që do të mund të bëhet edhe zëdhënëse e një lufte të mundshme qytetare që në Kosovë është planifikuar të ndodhë qysh gjatë luftës dhe pas saj.


(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora