E enjte, 02.04.2020, 04:56 PM (GMT+1)

Komente

Çështja e statusit të Kosovës dhe qëndrimi i politikës shqiptare

E hene, 17.09.2007, 04:10 PM


Nga Nuri Dragoj

Nuri Dragoj
Çështja e Kosovës ka ndjekur një rrugë të gjatë dhe me gjithë pengesat e mëdha dhe gjakun e derdhur, nuk i ka munguar dhe mbështetja ndërkombëtare për progres, mbështetje politike e mediatike, të cilat sollën në ditët e sotme, kur ajo është duke finalizuar statusin përfundimtar. Në radhë të parë, ka pasur dhe ka mbështetjen e SHBA-ve, Anglisë dhe disa vendeve evropiane. Por ka dhe prej tyre që nuk e kanë shumë për zemër, sidomos Rusia, ison e së cilës e mban Franca dhe ndonjë vend tjetër. Kërkesa e Presidentit francez, Sarkozi, për shtyrjen e bisedimeve deri në 6 muaj, nuk ka pasur thjesht për qëllim pritjen e zgjedhjeve presidenciale të Rusisë, pritjen e ndonjë qëndrimi refraktar nga Presidenti i ri rus, pas largimit të Putin, por gjetjen e ndonjë kompromisi të mundshëm për ndarjen e Kosovës në favor të Serbisë.
Dështimi i projektit për marrjen e vendimit nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, e ka futur çështjen e Kosovës në një fazë të re, fazë e cila nuk mund të konsiderohet pa rrezik. Duket se dhe projekti Ahtisari, tashmë ka dalë jashtë tryezës së bisedimeve dhe po kërkohet një projekt i ri, i cili kërcënon me ndarjen e Kosovës. Në këtë kuadër, mendoj se politika jonë e jashtme duhet të jetë më aktive. Duhet të trokasë në të gjitha dyert e diplomacisë evropiane dhe më gjerë, deri dhe tek ajo ruse. Është pikërisht koha kur nuk duhet heshtur. Të mos bëhet i njëjti gabim që u bë në vitin 1981, kur populli kosovar u ngrit në protesta të fuqishme dhe tërë media e huaj ziente duke e komentuar atë në shumë plane, ndërsa “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi” jepnin pas disa ditësh ndonjë lajm të shkurtër marrë nga TANIUGU. Vetëm pas një muaji, saktësisht në fund të muajit prill 1981, “Zëri i Popullit”do të botonte një artikull me titull “Shtypi botëror rreth ngjarjeve në Kosovë”. Demonstruesit kishin hedhur në shesh kërkesën “Kosova Republikë”. Masmedia botërore përkrahte të njëjtën kërkesë. Indiferenca e shtetit ishte e dukshme. Vet Enver Hoxha pranon se “qëndrimet tona kanë qenë të përshtatshme, serioze dhe gjakftohta dhe siç e dini, nga ana jonë i është kërkuar qeverisë jugosllave që kjo të ndalojë terrorin dhe politikën e genocidit kundër shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi, të cilëve t’u jepen të gjitha të drejtat brenda Kushtetutës”. Në emër të mosndërhyrjes në punët e brendshme të Jugosllavisë, në asnjë forum në Shqipëri nuk u diskutua për ngjarjet në Kosovë, asnjë miting proteste nuk u organizua në vend. Nga qeveria shqiptare nuk pati asnjë qëndrim, siç mund të ishte thirrja “për këshillime” e ambasadorit të akredituar në Beograd apo një protestë zyrtare e qeverisë jugosllave. Nuk u ndërmor asnjë hap për të kërkuar në OKB apo në Komisionin e të Drejtave të Njeriut zbatimin e të drejtave dhe ndalimin e reprezaljeve mbi popullin shqiptar në Jugosllavi.
I shkrova këto radhë vetëm për të kujtuar se ne jemi shteti amë dhe duhet të bëjmë më shumë. Nga bisedat e bëra me deputetë, ish-ministra dhe ministra, të djeshëm dhe të sotëm, dëgjojmë shprehjen: “Nuk e dëgjon njeri fjalën tonë. Kjo varet nga institucionet ndërkombëtare. Po e bëri Amerika, mirë, në të kundërt, nuk kemi ç’të bëjmë!”. Është një mendim që e has kudo, edhe në zyrat e larta të shtetit. Kjo është një hata e madhe. Nuk është e vërtetë që nuk merret në konsideratë zëri i Shqipërisë, përkundrazi, kur ky zë vjen në kohën e duhur dhe me forcën e duhur, mund të luaj një rol shumë të rëndësishëm. Po nuk e tregove veten kush je, s’të thërret njeri në tavolinë. Me çdo kusht Shqipëria duhet të bëhet një faktor i fuqishëm në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, të japë hapur mendimin e saj dhe këtë ta kërkojë me forcë, pasi kërkon një të drejtë dhe jo të presë se çfarë thotë ky apo ai diplomat i huaj.
Politika shqiptare duhet të zgjohet dhe të mos mjaftohet me shprehjen: “Mbështesim paketën Ahtisari”. Ish-Presidenti i SHBA-ve, Bill Klinton, e ka thënë hapur se duhet të vihet në vend një padrejtësi historike. Dhe bëri atë që bëri në vitin 1998-1999, për të cilën i janë mirënjohës tërë shqiptarët kudo që janë. Presidenti Xhorxh W. Bush deklaroi në Tiranë se pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje. Ish-kreu i NATOS, gjenerali Klark, që drejtoi dhe luftën kundër Serbisë në vitin 1998, pak muaj më parë e tha në mes të Tiranës se “ka ardhur koha të korrigjohen gabimet historike”.
Sekretarja e Departamentit të Shtetit Amerikan, Kondoleza Rajs, u shpreh se populli kosovar ka që nga viti 1912 që po pret të fitojë pavarësinë e hequr me dhunë. Ish-Kryeministri Britanik, Toni Bler, deklaroi para Parlamentit se “tani që mësova të vërtetën rreth historisë së Shqipërisë dhe Kosovës, do të bëj të pamundurën që kjo Evropë të bëhet Evropë, në të cilën Shqipëria ka po aq vend sa dhe Britania e Madhe”. A mund të bëjnë ndonjë gjë tjetër më shumë një politikan i huaj?!
Politika dhe diplomacia shqiptare duhet të tregohen më aktive dhe të jenë ato të parat që t’ia tregojnë të vërtetën historike tërë diplomacisë evropiane, paçka se ata e dinë shumë mirë. Të tregojnë tmerrin që kanë parë kosovarët nën planin famëkeq të shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e tyre të Çubrilloviçit. Nuk bëjnë keq t’u kujtojnë kohën e Pashiçit, të Kryeministrit serb, i cili kërkonte me çdo kusht të merrte Adriatikun e Shqipërisë. Të mos kujtojnë se kryeministri aktual serb, Vojsllav Koshtunica, është më i rinovuar se Pashiç. Mendoni se Koshtunica nuk e di se si është marrë Kosova prej Serbisë? E di, por nuk do, nuk i intereson, sepse edhe ky si paraardhësit e tij vuan nga komplekset shoviniste. Ndaj nevojitet që ne t’ia themi në radhë të parë Koshtunicës me shok, por dhe tërë diplomacisë të vërtetën dhe në kërkesën tonë të jemi të qartë dhe të saktë. Në asnjë mënyrë, nuk duhet të pajtohemi me ndarjen e Kosovës. Përderisa 95 vjet më parë, Kosova ishte pjesë e Shqipërisë, pjesë e një kombi, duhet të rikthehet sërish aty, pra të kërkohet bashkimi i saj me Shqipërinë. Vetëm duke rritur kërkesat mund të fitojmë diçka. Edhe plani i Ahtisarit nuk ka qenë i mjaftueshëm deh mbase është bërë gabim që nuk u kërkua më tepër se sa ofronte ai, gabim i cili duhet të rëndojë mbi të dy krahët e politikës, në Shqipëri dhe në Kosovë.
Duket se ngjarjet nuk po shkojnë në rrjedhën e duhur. Diplomati gjerman, Ishinger, ka ditë që ka hedhur idenë e ndarjes së Kosovës. A mendon kush se kjo ide është hedhur spontanisht? Nuk besoj. Po a duhet të qëndrojmë në heshtje ne si shtet amë? Besoj se jo. Ne duhet të shfaqemi kundër ndarjes së Kosovës. Është e vërtetë që veriu i Kosovës ka një numër të madh të popullsisë serbe, por ne e dimë nga historia që këta serb janë importuar nga vise të Serbisë. Këtu nuk bëhet fjalë për largimin e tyre, por do të ishte normale që ata të jetonin si minoritet brenda Kosovës së pavarur.
Shqipëria duhet t’i tregojë botës se durimi i kosovarëve po sos. Nuk duhen lënë mënjanë qëllimi final të luftës së UÇK-së që ka qenë bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Ne duhet të kërkojmë bashkimin që të arrijmë në një pavarësi pa ndarje. Nëse nuk e njohim këtë politikë le të kërkojmë ndihmë, pasi heshtja shpie ujë në mullirin serb.
Ne e pamë se Serbia nuk lëshon pe. Ajo miratoi Kushtetutën e saj, duke e lënë brenda Kosovën. Faktori ndërkombëtar theksoi se pavarësisht se ç’bën Serbia, Kosova do të marrë pavarësinë. Por vetëm kaq. Nga ana jonë nuk u bënë përpjekjet e duhura. Dikush thotë se kjo është çështje e kosovarëve, e politikanëve kosovarë. Por nuk është kështu. Po të ishte kështu, Bush nuk do t’i thoshte Berishës që të ndikonte te politikanët kosovarë për të pasur më shumë durim. Kjo thirrje e tij, mbase nënkuptonte dhe një bashkëpunim më të ngushtë të politikës shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të saj, për të arritur me çdo kusht pavarësinë e shumëpritur. Pas vitit 2000 është besuar se pavarësia do të vinte natyrshëm. U fol se pavarësia do të jepej në vitin 2006, kaloi në 2007 dhe sërish ka rrezik të shtyhet më tej, nëse do të qëndrojmë në heshtje. Mbase duhet të pranojmë që zërat kundër paketës Ahtisari, apo pjesëve të saj, kanë pasur më shumë të drejtë, pasi disa lëshime të rrezikshme të saj mund të jenë shkak që ç’e duan në këtë masë sa të kërkohet copëtimi i Kosovës. Nuk pretendoj se e njoh mirë politikën e jashtme, por kam bindjen se një politikë e diplomaci aktive, sikur edhe me ndonjë gabim, do të ishte shumë më e mirë se heshtja. Nuk duhet harruar që dhe durimi ka një kufi dhe ka rrezik që të përballemi sërish me protesta të qytetarëve, të cilët ndonjëherë kanë nuhatje më të mprehtë se politikanët e tyre, ndonëse kanë nevojë për ta, pasi nuk mund ta thonë dot fjalën në çdo kohë dhe atje ku duhet. Me këtë dua të them që politikanët shqiptarë dhe kosovarë të takohen më shpesh dhe më me produktivitet. Jo gjithçka duhet pritur nga bota, nga ndërmjetësit e huaj, pasi atyre nuk u dhëmb kaq shumë sa na dhëmb neve çështja e Kosovës dhe kauza e kosovarëve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT