E premte, 19.04.2024, 02:35 AM (GMT+1)

Kulturë

Artan Bytyçi: Një botim i rëndësishëm kushtuar shkollës shqipe në Viersen të Gjermanisë

E premte, 18.09.2009, 03:34 PM


Ballina e monografisë “Shkolla shqipe në Viersen” e autorëve Çerkin Bytyçi dhe Kemajl Çallaku
Ballina e monografisë “Shkolla shqipe në Viersen” e autorëve Çerkin Bytyçi dhe Kemajl Çallaku
KRONIKË E PUNËS SË ÇMUESHME ME INTERES KOMBËTAR


Shkruan: Artan Bytyçi, Gjermani

Gjerdanit të librave kushtuar aktivitetit të mërgimtarëve tanë në diasporë, këto ditë iu shtua edhe një botim me vlerë të veçantë, dedikuar veprimtarive dhe punës intesive të Shkollës shqipe në Viersen me rrethinë në Gjermani. Hartuar nga veprimtarët e angazhuar, mësimdhënësit shumëvjeçarë dhe bartësit e shumë veprimtarive arsimore, kulturore, shoqërore e sportive në diasporë, Çerkin Bytyçi e Kemajl Çallaku, u botua libri monografik “Shkolla shqipe në Viersen”, me rastin e shënimit të dhjetë vjetorit të punës së organizuar e tejet të sukseshme në qytetin e Viersenit të Gjermanisë the qytetet e afërta të këtij regjioni.

Nga dëshira e madhe për të mësuar edhe në gjuhën amtare, në qytetin Viersen të Nordrhein-Westfalen-it, këtu e dhjetë vjet më parë, u dha inisiativa që të organizohet mësimi në gjuhën shqipe. Vendosmëria e dashamirëve të arsimit, veprimtarëve dhe të angazhuarëve në të mirë të çështjes kombëtare, falë mirëkuptimit të përgjegjësve në institucionet shkollore të këtij qyteti, shumë shpejtë u kurorëzua me sukses. Kështu, brenda një periudhe tejet të shkurtër, edhe në këtë nënqiell u mundësua organizimi dhe funksionimi i suksesshëm i shkollës me mësim plotësues në gjuhën shqipe. Ishte ky një organizim tejet i rëndësishëm në ato ditë tejet të vështira për popullin shqiptar të Kosovës, i cili nga agresioni dhe lufta në Kosovë, ishte i rrezikuar tejmase. Këtu, organizimi i shkollës shqipe kishte rëndësi të madhe për zhvillimin e mësimit në një anë dhe në anën tjetër për të  intensifikuar organizimin e bashkëatdhetarëve në mbështetje të atdheut.Ndaj, libri monografik “Shkolla shqipe në Viersen” të autorëve Çerkin Bytyçi e Kemajl Çallaku,  paraqet një kronikë të punës së çmueshme dhe me vlerë e interes kombëtar të zhvilluar në kuadrin e shkollës shqipe të Viersenit me rrethinë, për të cilën në këtë libër thuhet se kjo, për këtë dekadë u bë institucion tejet i rëndësishëm që mobilizoi njerëzit e këtushëm jo vetëm në sferën e arsimit por edhe në atë shoqërore, humanitare, kulturore e sportive. Krahas suksesit të dukshëm në mësim, në këtë hapsirë, u arritën rezultate që   çmohen lartë edhe në organizimin e aktiviteteve jashtmësimore, kremtimin e datave të rëndësishme, forcimin e bashkëpunimit me shkollat tjera e veçmas me shkollat e qyteteve në të cilat zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe. Të shumta qenë organizimet e përbashkëta, aktivitetet, manifestimet, kampionatet e diturisë, eskursionet  e format tjera të punës të cilat e thelluan ndjenjën e atdhedashurisë dhe të respektit për vendin nikoqir. Shkollat e qyteteve Viersen, Tönisvorst, Kempen, Grefrath, Nettetal, Nettetal- Kaldenkirchen ku u zhvillua dhe zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe, ofruan mundësi ideale që suksesi i nxënësve të jet në nivelin e dëshiruar. Dyert e tyre ishin gjithmonë të hapura për të gjitha aktivitetet, kurse gadishmëria e personelit dhe drejtuesëve të këtyre dhe institucioneve arsimore të qyteteve, për të ndihmuar punën arsimore të shkollës shqipe, ishte e madhe. Prandaj, në këtë 10-vjetor të punës, u shprehet mirënjohje e falënderim gjithë atyre të cilët inicuan organizimin e shkollës shqipe, mbështetën funksionimin e saj të sukseshëm dhe bënë të gjitha që kjo shkollë, sot të jet një formë tejet e suksesshme e organizimit të bashkëatdhetarëve dhe aktiviteteve të përbashkëta me nikoqirët, me të cilët, në saje të mirëkuptimit, u ngritën ura të reja afrie dhe besimit e respektit të ndërsjell.
Kjo monografi, të cilën e botoi Shtëpia botuese “Doruntina”, do të jet një dëshmi më e mirë e gjithë punës së bërë për arsimin e fëmijëve në gjuhën shqipe në këtë dekadë që po e lëm pas. Kjo është shprehje e nderimit dhe respektit për punën e bërë për të gjithë e në veçanti për mësuesin Adem Shala, i cili me angazhimin e tij, pa u lodhur asnjëherë, i mbështetur nga dhjetra veprimtarë, ia doli me sukses t`u prij aktiviteteve që kjo shkollë të jet e suksesshme dhe e nderuar.
Ky libër paraqet  një dokumentar me rëndësi përkatësisht konsiderohet si një kronikë me vlerë e pës së çmueshme me rëndësi kombëtare, përmes të cilit autorët Çerkin Bytyçi e Kemajl Çallaku, mëtojnë të lënë gjurmë të pashlyeshme për një punë të çmueshme jo vetëm arsimore, në mesin e mërgatës sonë, i cili do të lexohet e rilexohet nga gjeneratat e ardhsme. Sepse, siç shkruan pedagogu dhe veprimtari Rifat Hamiti, kjo monografi do të shërbej në të ardhmen edhe si dokument historik, për një periudhë të caktuar kohore, për një rreth dhe numër të caktuar të fëmijëve e bashkatdhetarëve. -E di se ka punë shumë, për t’u hartuar një monografi e tillë, por e di edhe këtë, se vetëm njerëzit e përgjegjshëm dhe të përkushtuar kombëtarisht lënë histori të shkruara, sepse e dinë se gojëdhënat edhe mund të harrohen dhe se nuk kanë validitetin e dokumentit historik, vlerëson ky mësimdhënës i angazhuar.
Vlerën e librit ia shtojnë edhe tekstet e prezantuara në gjuhën gjermane nga Driton Sejdi Gashi, që mundësojnë që edhe lexuesi gjermanofolës të informohet për një punë të rëndësishme të zhvilluar gjatë një dekade në këtë nënqiell të vendit mik të shqiptarëve.


(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora