E premte, 29.03.2024, 09:48 AM (GMT)

Kulturë

Demir Krasniqi: Edhe një këngë e fuqishme atdhedashurie

E premte, 18.09.2009, 07:01 PM


Gjurmëve të traditës sonë muzikore :

EDHE NJË KËNGË E FUQISHME ATDHEDASHURIE

Nga Demir KRASNIQI

    Në mesin e shumë këngëve me motive të zjarrta të atdhedashurisë , të cilat janë thurur, kompozuar dhe kënduar gjatë kohës së okupimit osmanë mbi trojet etnike shqiptare, në veçanti gjatë kohës së Rilindjes Shqiptare dhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pa dyshim se vend meritor zë edhe një këngë e vjetër popullore e cila radhitet në mesin e perlave më të bukura të këngëve tona popullore me motive të atdhedashurisë , e që njihet me titullin :”Në agim herët kur u çova”.
    Kjo këngë e cila edhe sot e kësaj dite ruhet, kultivohet dhe këndohet me dashuri nga interpretuesit e melosit tonë tradicional popullor, po qe se analizohet mirë , do të mund të nxirren shumë konkluzione rreth kohës dhe krijimtarisë së saj, duke u nisur nga vargjet e saj poetike , të cilat nuk mund të jenë produkt e një poeti laik, por që ato vargje do të jenë shkruar nga dora e një mjeshtri të spikatur të penës dhe poetikës artistike, i cili përdorë dialektin e gegërishtes së pastër dhe të folmen shkodrane .
    Krahas poetikës artistike e cila përmes figurave të fuqishme shprehë vuajtjet e popullit shqiptar të robëruar nga osmanlinjtë , shprehë dëshirën dhe zjarrin e dashurisë për lirinë e shumëpritur dhe të ëndërruar me shekuj  mbi trojet e  Atdheut dhe foletë e shqipeve tona , këtu po aq i fuqishëm është edhe kompozitori anonim i melodisë së kësaj kënge , i cili ka krijuar një melodi shumë të zhvilluar artistike, me tinguj të fuqishëm dhe me një ambitus shumë të zhvilluar të shkallës melodike , duke e ndërtuar atë melodi mbi bazat e një ritmi të fuqishëm tradicional që shtrihet në masën kohore 7/4.
    Vetë melodia, ritmi dhe teksti i kësaj kënge , na japin të kuptojmë se kjo këngë është krijua, kompozua, interpretua dhe kultivua në ambientet e një qytetërimi të zhvilluar, ku posedon me orkestër të pasur, instrumentistë virtuozë dhe interpretues të gdhendur të këngës popullore .
    Kënga në fjalë, përmes figurave të fuqishme artistike dhe metaforave e përshkruan Atdheun e robëruar , i cili gjatë kohë është verbëruar nga terri i robërisë, nga vuajtjet e pa fund dhe nga lotët që ka derdhur për liri !
    Në ciklin e këngëve të atdhedashurisë , të cilat kryesisht janë krijuar në epokën e Rilindjes Kombëtare, ndër figurat më të shpeshta dhe metaforat që i atribuohen Atdheut, pa dyshim se është metafora e “Bilbilit”, kurse robëria e Atdheut, gjithmonë përshkruhet përmes metaforave “Thera”, “Çerdhja”, “Kafazi” etj.
    Të shikojmë dhe analizojmë vargjet e strofës së parë të kësaj kënge, të cilën “Bilbili”(Atdheu) do ta fillojë që në agimin e hershëm, duke derdhur lot nga malli dhe etja për liri , lot këta që nuk shterojnë kurrë dhe herë- herë duken si pika të shiut të cilat rrjedhin nga retë e zeza që kanë pllakosur qiellin shqiptar:

“Oh, n’ agim - o, herët kur u çova ,
Oh, mu përga se binte shi !
Çova kryet e shikjova –
Ata ishin lot’t  e mi!
Aman, aman, aman,
Ata ishin lot’t  e mi!”

    Vargjet e strofës së dytë të kësaj kënge, do të na i përshkruajnë në mënyrë besnike vuajtjet, mallin dhe zemrën e djegur për liri të Atdheut (Bilbilit) , të cilën e ka kapluar ndryshku i shekujve të zi dhe se ai  tanimë e ka humbur durimin dhe shpresat se një ditë do të ketë dritë dhe diell të lirisë mbi Atdheun, të cilit si duket askush nuk ia qanë hallet dhe dertet që atë e kaplojnë në vazhdimësi :

“Oh, zemra ime ndryshk ,o , ka zan – e ,
Oh, nuk do t’ sheh ma dritë , as diell !
Nji bylbyl , more , qi po vajton – e
S’ ia din kush hallin e tij !
Aman , aman, aman,
S’ ia din kush hallin e tij !”

    Bilbili (Atdheu) do të qajë e vajtojë pareshtur për fatin e vendit të vet, nga se askund tjetër në botë nuk do të gjejë qetësi dhe  rehati shpirtërore, ashtu si që do të jetë komod në vendlindjen  e vet dhe në pyllin ku ka lindë së pari !
    Pra, vendlindja dhe Atdheu është më i dashuri dhe më i çmuari për çdo njeri, qoftë ai pyll, apo vend ku nuk do të ketë kushte minimale për jetë, po edhe mos pastë aty dushk , as bari :

“Oh, bylbyli e vajton çerdhen e vet ,
Oh, mu n’ at pyll , ku ka le s’ pari !
S’ don me e lanë shkret vendin e vet – e ,
Po mos pastë aty dushk , as bari !
Aman, aman, aman,
Po mos pastë aty dushk , as bari ! “

    Të gjitha gëzimet, hareja dhe jeta e lumturuar  do të lulëzojnë gjithmonë vetëm në vendlindje dhe Atdheun e lirë dhe se jeta ka kuptim vetëm aty ku ka liri të plotë dhe barazi. Zemra e njeriut do të rrahë gëzueshëm vetëm në Atdheun e lirë, ku bijtë dhe bijat e tij do të rriten të lirë dhe ata do të jenë trimat e vërtetë që do t’i dalin Zot kurdoherë Atdheut të tyre, duke e mbrojtur atë me gjak dhe me jetë :

“Oh, aty asht gëzimi i ri – e ,
Oh, bini trima , o, përgjithmonë !
Për me dvetë a jeton n’ liri – e ,
Aty zemra i pushon !
Aman , aman, aman ,
Aty zemra i pushon !”

    Zemra e Bilbilit (Atdheut) , ka një fuqi vepruese e cila nuk pushon dot duke i kërkuar liritë dhe të drejtat e barabarta për bijtë dhe bijat e veta, të cilët duan të bisedojnë lirshëm në gjuhën e vet amtare, të shkollohen në gjuhen e vet, të qeverisin në gjuhën e vet,  të këndojnë lirshëm , të punojnë për vendin e vet, të rriten e të zhvillohen lirshëm , pa u pengua dhe mbikëqyrur nga askush mbi kokat e tyre:

“Oh, mori zemër , je hyqmet – e ,
Oh, gjithë po lypë , ti , me u çlirue !
Zemra e don gjuhën e vet – e ,
Me kanë t’ lirë me bisedue !
Aman, aman, aman ,
Me kanë t’ lirë me bisedue !”

    Në fund, duke e parë se Bilbili (Atdheu ) është i zhgënjyer dhe i lodhur nga robëria , duke e parë se i ka humbur të gjitha shpresat për jetë në mungesë të lirisë, ai e vazhdon këngën e vet vajtuese me lot e pikëllim të cilën nuk ka se ku ta këndojë tjetër, pos në çerdhen e vet të cilën e ka ndërtuar diku në një therë, ku nuk mund ta trazojë, sulmojë dhe shqetësojë askush !
    Poeti, kompozitori dhe këngëtari anonim popullor, duke e parë zhgënjimin, vuajtjet, mallin dhe lotët e Bilbilit (Atdheut) , sytë e të cilit nuk u terën kurrë , do ta pyesin përmes figurave artistike se a ka kund ndonjë shpresë të vetme, se një ditë do të vjen pranvera edhe për te?!
    Pra, këtu poeti popullor përmes metaforës së pranverës, aludon tek liria e plotë e Atdheut, e cila herë do kur do të vjen edhe për neve dhe vetëm atëherë do të çlirohemi nga gjembat e therave ,nga çerdhet , nga kafazet e mbyllura dhe do të këndojmë e fluturojmë lirshëm e të gëzuar mbi trojet e Atdheut tonë të dashur !
    Në favor të kësaj, poeti dhe kompozitori anonim popullor do ta ndryshojë tërësisht konstruktin e vargjeve, rimës , melodisë dhe të ritmit të kësaj kënge !
    Poeti do ta përfundojë këngën me dy strofa që kanë vetëm nga dy vargje , kurse kompozitori do t’ ia ndryshojë melodinë dhe ritmin prej masës kohore 7/4 në masën kohore 2/4 , duke i dhënë këngës një dinamikë më të fuqishme dhe ritëm më të gjallë , me çka e përfundon këngën me një optimizëm se pas të gjitha atyre vuajtjeve, vajeve, lotëve dhe nostalgjive, më në fund do të triumfojë liria, gjallëria dhe jeta e hareshme:

“Ani, ç’ ki bylbyl qi knon n’ atë therrë –
Sytë e tu , kurrë pa tu terë ?!

Ani, a kije kun naj shpresë ,
Që na knon najherë n’ pranverë ,
Ah, najherë n’ pranverë ?!


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora