E enjte, 25.04.2024, 04:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Zbulohen gjurmë të Mesjetës në Koman

E premte, 18.09.2009, 05:47 PM



Nga
Ardi Hoti

Kalaja e Dalmacës në Koman, falë zbulimeve arkeologjike me tepër vlerë të këtyre ditëve të fundit, po klasifikohet si qendra e qytetërimit të Shqipërisë në Mesjetën e hershme. Zona po kthehet në një pikë referimi për studimin e qytetërimit të Ballkanit Perëndimor kontinental në periudhën e Mesjetës së hershme, atyre që quhen shekujt e errët të historisë. Sipas arkeologëve, zbulimet dëshmojnë për herë të parë një informacion të mjaftueshëm për atë periudhë të qytetërimit. Zbulimi i një sërë vendbanimeve prej guri, përdorimi i metalit, ndërtimi i shumë kishave dhe varrimet e të vdekurve të cilat kryheshin me veshje e stoli, si dhe gjetja e monedhave, flasin qartë për zhvillim ekonomik tejet të lulëzuar, një zhvillim i cili nuk është hasur më parë në asnjë vendbanim të hershëm në Shqipëri, e madje as në Ballkanin Perëndimor. Komani, i cili ndodhet 80 kilometër në lindje të qytetit të Shkodrës, është një zonë e thellë malore mes Pukës, Tropojës dhe Shkodrës. Për të shkuar në Koman lëmë pas qytetin e Vaut të Dejës, nga dhe ku kupton se rruga malore do të të shoqërojë gjatë gjithë kohës. Pasi kemi kaluar Qafë Laç, rruga ndahet për Pukë dhe për Koman. Rrugëtimi ynë vazhdon drejt Komanit, nën shoqërinë e liqenit të Vaut të Dejës nga njëra anë dhe maleve nga ana tjetër. Pasi kemi kaluar disa male, në krahun e majtë shohim lumin Drin, i cili do na shoqërojë deri në Koman. Pas dy orësh udhëtim shfaqet Hidrocentrali i Komanit dhe disa shtëpi. Buzë rrugës na pret Toma. Ai është udhërrëfyesi i cili do të na shoqërojë te kërkimet arkeologjike që po bëhen në majë të malit te kalaja e Dalmacës. Pasi kemi ecur 1 orë, ndalemi te një burim. Gjatë rrugës Toma rrëfen se në këto anë flitet se gjenden thesare ari dhe shumë të huaj vijnë për të gërmuar në varret e hershme, me shpresë se do gjejnë diçka. Por ajo që po na habiste nuk ishte "thesari" i Tomës, por lartësia e malit ku po ngjiteshim. Ishte 600 metra mbi nivelin e detit. Rruga e malit në të cilën ecnim ishte tepër e vështirë. Arkeologët i gjetëm në momente pune, madje habia e tyre ishte e madhe. Nuk prisnin mysafirë në këto anë, për shkak të largësisë së vendit. Grupi i arkeologëve përbëhet prej gjashtë personash, ku njëri prej tyre është një arkeolog i vjetër italian. Na tregojnë se nga gërmimet kanë nxjerrë në pah zbulime vërtet interesante për historinë e Mesjetës së hershme të Shqipërisë. Drejtuesja e ekspeditës, Etleva Nallbani, rrëfen në detaje në lidhje me zbulimet arkeologjike. "Kjo është një ekspeditë arkeologjike shqiptare, e financuar nga Ministria e Jashtme Franceze. Gërmimet kanë nisur qysh një vit më parë. Veç disa monedhave të shekullit XI të Komanëve kemi zbuluar shtëpi prej guri, objekte metali dhe një territor me rreth një mijë varreza. E gjithë sipërfaqja me banesa mendohet të jetë rreth 20 hektarë. Këtu ndodhen dhe pesë kisha dhe ndërtimet e gjetura ruajnë teknikën romake të ndërtimit", thotë Nallbani, duke shtuar se këto zbulime flasin se këtu ka qenë një qytetërim tepër i lulëzuar në Mesjetën e hershme. Mendohet që në Koman të ketë qenë qendra e zhvillimit ekonomik dhe kulturor jo vetëm e Shqipërisë, por edhe e Ballkanit Perëndimor. "Jemi mësuar ta njohim përciptas kulturën e Komanit, por tani ky rajon po kthehet në një referencë për studiuesit dhe arkeologët, sepse jep informacion të bollshëm dhe me tepër vlerë për periudhën e errët të historisë që ka mungesë të plotë informacioni. Kjo zonë ka vlera të rralla arkeologjike dhe historike dhe puna do vazhdojë edhe në vitet në vijim. Për gjithë këto vlera, kjo zonë duhet të ruhet nga shteti, pasi është një thesar për qytetërimin e Mesjetës", vijon ajo. Nga ana tjetër, prezenca e toponimeve të katër kishave në kalanë e Dalmacës në Koman, si ajo e Shën Gjergjit, Zonja e Mirë, Shën Mhillit dhe e Shën Nikollit, tregon jo vetëm për shtrirjen e madhe të këtij qytetërimi, por dhe zhvillimin kulturor e kishtar të zonës, që njihej si krahina e Pultit të Sipërm. Zona e Pultit të Sipërm, që korrespondon me kalanë e Dalmacës, në bazë të fakteve dhe toponimeve të mbledhura ka qenë një ndër qendrat më të mëdha të krishterimit. Pamja nga ku gjenden rrënojat është madhështore. Nga njëra anë shihet rrugëtimi i Drinit që vjen nga malet e larta të Tropojës dhe vazhdon rrugën drejt Shkodrës, ndërsa nga ana tjetër malet. Largohemi nga kalaja e Dalmacës, poshtë këmbeve të së cilës vazhdon rrugëtimin Drini i gjatë. Arkeologët vazhdojnë gërmimet. Të reja të tjera pritet të kemi prej kësaj zone, dikur e lulëzuar dhe me rëndësi për Ballkanin.




(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora