E premte, 19.04.2024, 02:50 AM (GMT+1)

Mendime

Isa Mulaj: Dy probleme të infrastrukturës rrugore në Prishtinë dhe...

E premte, 18.09.2009, 07:14 PM


Dy probleme të infrastrukturës rrugore në Prishtinë dhe rindërtimi i paralagjes  së “Gazës” në qytezën Pejton si alternativë

Nga Isa Mulaj
Kryetar i këshillit drejtues i Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike

Çka mund të cilësohet si problem me infrastrukturën rrugore dhe ndërtimet e caktuara (mendohet vetëm në ato të ligjshme) në kryeqytetin e Kosovës – Prishtinë? Përgjigjen sipërfaqësore në formë të vërejtjeve dhe ankesave mund ta ofroj pothuajse çdo qytetar i thjeshtë dhe vizitor i rëndomtë në shikim të parë. Madje edhe për qytetet e mëdha dhe kryeqytet e shteteve tjera si Londra, Parisi, Berlini mund të hasni në vërejtje të ngjashme, varësisht prej këndvështrimeve, për shkak të urbanizimit të tepërt dhe shtimit të popullsisë në qytete, që tani mund t’i shtyej shumë njerëz të mendojnë se ky apo ai segment i urbanizimit të qytetit ishte dashur të jetë kështu, se me kohë nuk janë paraparë këto gjëra, e kështu me radhë. Koha ka ndryshuar shumë edhe nevojat, e më këtë kanë ndryshuar edhe kërkesat për infrastrukturën rrugore dhe ndërtimet. Derisa në përballjen me këto sfida në botën moderne ka debate, vërejtje, propozime dhe plane konkrete të veprimit, qëllimi i këtij artikulli është të bëjë një vështrim kritik dhe propozoj zgjidhje alternative sipas prioritetit të dy problemeve me infrastrukturën rrugore dhe rindërtimin e një pjese të qytezës Pejton në Prishtinë si alternativë.

Vendkalimi i ndaluar për këmbësorë në vendin e duhur dhe rreth rrotullimet afër stacionit të autobusëve

Asnjë qytetar i çfarëdo moshe me njohuri elementare rreth komunikacionit rrugor nuk do të mbetej pa dhënë vërejtje serioze për një rrugë me dy korsi te stacioni i autobusëve në Prishtinë, e cila vjen prej vendit të quajtur “Rrethi i spitalit” dhe vazhdon për Mitrovicë (100 metra larg stacionit ndahet për hyrje në qytet dhe rrugën për Fushë-Kosovë). Në hyrje të stacionit rruga me dy korsi ka një hapësirë deri afër 3 metra të gjerë dhe 150 metra të gjatë. Gjatësia prej 20 metra në gjerësinë ndërmjet dy korsive është shkelur e bërë tokë nga kalimtarët e shumtë për çdo ditë; pjesa tjetër mbetet me bari. Në atë hapësirën ku është bërë tokë, gjatë kohës me shi dhe të lagësht bëhet baltë “cilësore”, kurse gjatë motit me diell pluhur. Pluhuri dhe balta janë të shpërndara në të dy anët e rrugës, më së shumti nga “bartja me këpucët” e kalimtarëve. Në të dy korsitë që e rrethojnë këtë pjesë nuk ka zebra e as ndonjë shenjë për kalimin e këmbësorëve. Janë të ndara aq mirë ndërmjet vete me mbrojtëse betoni sa çdo kush mund ta kuptoj se kalimi i këmbësorëve faktikisht është i ndaluar. Këmbësorët nga pjesa më e madhe e qytetit, sidomos nga lagja me dendësinë më të madhe në Kosovë – Dardania – shfrytëzojnë së tepërmi kalimin në këtë vend të duhur por gabimisht të ndaluar si vendkalim nga institucioni kompetent për komunikacion. Vendkalimi i lejuar është caktuar 80 metra më në lindje afër një rruge që hyn në lagjen Emshir (Kalabria), ndonëse aty zebrat janë shlyer gati tërësisht. Fare pak këmbësorë dhe rrallëherë e shfrytëzojnë këtë vendkalim. Po që se shfrytëzohet nga këmbësorë që rastisin të jenë aty, duhet të ecin 80 metra për t’u futur në stacion ose qytet.  
Rruga në të dy korsitë është e drejtë dhe shpejtësia e automjeteve të çfarëdollojshme që rrjedhin pandërprerë gjatë ditës është e madhe. Ngasësit e automjeteve paraprakisht nuk e dinë se aty në hyrje dhe njërën dalje nga stacioni i autobusëve mund të kalojnë papritmas këmbësorët. Dhe çka ka ndodhur si pasojë? Unë kam qenë dëshmitar i dy rasteve të veçanta në kohë të ndryshme kur automjetet kanë shkelur dy këmbësorë. Në rastin e parë, vetura goditi dhe përplasi për asfalti një të ri duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Në rastin tjetër, goditja e veturës ia theu krahun një gruaje dhe e la të përgjakur në fytyrë. Janë këto dëshmi nga gjetja ime e rastësishme në vendin e ngjarjes. Sikur të isha më shpesh i pranishëm aty, me siguri do të isha dëshmitar edhe i shumë aksidenteve tjera që i përmendin qytetarët tjerë, dhe një rast vdekje të një kalimtari të rastit që është raportuar në media. Rreziku është i njëjtë edhe sot.
Për ta kaluar rrugën dhe të hyni në stacion ose dilni nga ai për të hyrë në lagjen Dardania, duhet të shikoni me kujdes shumë të madh njëherë majtas për ta kaluar me vrap njërën rrugë njëkahëshe, e pastaj djathtas për ta kaluarën tjetrën.  Nëse gjatë ditës kur ka qarkullim të pandërprerë të automjeteve arrini t’i kaloni të dy korsitë pa pritur pak në zonën e pluhurosur ose baltosur ndërmjet tyre, është rastësi që rrallë mund ta përjetoni.
Diku përtej 100 metra nga stacioni është ndërtuar një rreth rrotullim që duket se është i përkohshëm. Aty është një tollovi e vërtetë gjatë shumicës së kohës. Kjo ka ardhur si alternativë pas mbylljes së rrugës kryesore Prishtinë-Fushë Kosovë deri sa të ndërtohet dhe lëshohet në përdorim një rreth rrotullim i madh modern i ngritur në ajër me shtylla betoni. Çka është duke ndodhur këtu ose afër 150 metra larg vendit me pasoja për kalimtarët?  Është duke u realizuar një projekt i filluar katër muaj më herët dhe ndoshta mund të përfundoj deri në fund të këtij viti. Realizimi kushton miliona euro në bazë të asaj që shihet se çka është duke u punuar. Armaturë masive e madhësisë 12, 14 dhe 16 milimetra po vendoset në gërmimet deri në 4 metra thellë dhe shtyllat e shumta me beton të armiruar deri në 7 metra mbi tokë. Secili qytetar dhe ngasës i automjeteve do të jetë i lumtur kur të realizohet ky projekt, me çka zbutet një prej problemeve më të mëdha në infrastrukturën e Prishtinës – rrugët e stërngarkuara me automjete. Nuk ka aq shumë vërejtje se sa mjete shpenzohen për këtë projekt. Madje edhe dyfishi i mjeteve ekzistuese të përndara do të ishte i arsyeshëm për domosdoshmërinë e lirimit sadopak të kaosit në një pjesë të komunikacionit të Prishtinës. Mirëpo, çka mbetet për t’u kritikuar kur mendojmë se çfarëdo sasie e mjeteve të shpenzuara në realizimin e këtij projekti ia vlen? Problemi është te prioriteti. Kur arsyetohen miliona euro që (do të) shpenzohen këtu, nuk arsyetohet me kurrfarë sqarimi lënia pas dore e zgjidhjes së problemit të vendkalimit për këmbësorë 150 metra më poshtë në hyrje-dalje të stacionit të autobusëve me pasoja tragjike për kalimtarët. Pak kush e ka ditur se rreth rrotullimi i madh dhe i përhershëm do (duhej) të bëhet. Atë që e ka ditur çdo kush në shikim të parë prej ditës kur u (ç)rregullua kjo rrugë me dy korsi, është habia pse nuk u zgjidh problemi gati jetik i vendkalimit për këmbësorë të stacioni, edhe pse mendonin se kjo patjetër do të zgjidhet menjëherë si të jenë në dispozicion mjetet dhe vullneti i subjektit përgjegjës. Zgjidhje kishte dhe ka sa të duash për realizimin e këtij projekti me mjete modeste. Nënkalimi duket pak më i shtrenjtë, por tepër i domosdoshëm. Mbikalimi është shumë më i lirë. Mund të jetë mbikalim i ndërtuar me strukturë metalike sikur në shumë vende tjera. Kalimi mund të jetë edhe më i lirë se mbikalimi duke shënjuar zebrat dhe vënien e shenjës përkatëse të komunikacionit. Vënia e semaforëve të programuar ose atyre me shtypjen e sustës për kalim nga këmbësorët është një tjetër alternativë. Parapëlqehen semaforët e programuar në vend të atyre me sustë për shkak se fluksi i vazhdueshëm i kalimtarëve mund t’i lë automjetet të presin gjatë. Sikur ky problem të ishte zgjidhur më herët, dhe të zgjidhet edhe sot, do të lehtësohej shumë tollovia në rreth rrotullimin e përkohshëm afër atij të madh në ndërtim. Ngasësit do të detyroheshin ta ngadalësonin shpejtësinë, e shpesh të ndalen në vendkalimin e këmbësorëve, pastaj do të hynin më ngadalë në rreth rrotullimin e përkohshëm.     

Parkingu i shndërruar në rrugë më të gjerë pa pikë nevoje

Ishte data 19 prill, 2009, ora 15:30. Duke lexuar me vëmendje diçka në kompjuter, dëgjoj një zhurmë që vinte nga jashtë, nga kërcitjet në asfaltin e rrugës Garibaldi që lëshohet prej Hotelit Grand në drejtim të udhëkryqit afër Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, dhe Pallatit të Shtypit. Rrugë me dy korsi dhe e drejtë, e gjatë diçka më shumë se 100 metra. Përgjatë korsisë që shkon prej Grandit deri në udhëkryq, në anën e djathtë gjendet Banka Qendrore e Kosovës. Përgjatë asaj të dytës që vjen nga udhëkryqi gjendet një kompleks banesor dhe afarist. Një pjesë e kësaj korsie deri me datën e shënuar lartë shërbente për parking, çka ishte normale kur merret parasysh numri i pronarëve të veturave që banojnë dhe punojnë në kompleksin e gjatë prej katërkatësh. Me vendimin Kuvendit Komunal (K.K.) të Prishtinës parkingu u ndalua këtu dhe u zhvendos në një hapësirë më të madhe atje të Pallati i Rinisë dhe Sporteve, me synimin që të rritet edhe më shumë qarkullimi i automjeteve në rrugën Garibaldi, çka në fakt nuk mund të rritej por vetëm i detyroj punëtorët dhe banorët e kompleksit të parkojnë veturat e tyre 250-300 metra më larg.
Vijat e bardha të ndërprera në asfalt që shënonin pjesën e ndarë për parking filluan të hiqen me një metodë mekanike. Gjithsej dy punëtorë. Njëri me një bocë të madhe gazi zbuste me zjarr vijat e bardha të ndërprera 80 centimetra të gjata secila, tjetri pas tij vazhdonte shprishjen e llakut me një lopatë me teh drejtvizor duke i goditur lehtë vijat nga pozita vertikale ose e pjerrët për t’i shprishur copa-copa. E tërë puna e shprishjes së vetëm një vije merrte më së paku 5 minuta. Puna shtesë ishte mbledhja, fshirja me fshesë të dorës dhe hedhja në një kosh plehrash grimcat e llakut të vijave të bardha.
Heqja e parkingut nuk ndikoj gjë në qarkullimin e automjeteve pasi ishte dhe është rrugë njëkahëshe. Hapësira më e madhe e rrugës vetëm sa e vështirësoj qarkullimin. Tani veturat ndalen orë e çast aty ku ishte parkingu dhe ngasësit vazhdimisht sjellin dikë në punë ose presin dikë të dal nga kompleksi banesor-afarist. Ngasësit duhet të qëndrojnë në veturë në të dy rastet. Në të kundërtën, veturën e marrin inspektorët komunal për parkim të palejuar.
Parkingu në këtë pjesë të rrugës Garibaldi ka ekzistuar edhe gjatë kohës së sundimit të Serbisë, që dukej se ishte strategji më e mençur se vendimi i çmendur i K.K. të Prishtinës për mbylljen e tij. Pse e themi këtë. Një vështrim më i gjerë mund të shpie te konstatimi shumë i arsyeshëm se të dy korsitë e rrugës Garibaldi duhet të mbyllen për qarkullim dhe të lejohet vetëm një qarkullim i veçantë dhe i rregulluar me laura (rampa). Të nisemi nga supozimi i asaj që konstatuam më herët për gjendjen e qarkullimit nëpër rrugët e Prishtinës – stërngarkesa në shumicën e tyre dhe tollovitë e shpeshta në komunikacion. Por çfarë rëndësie ka rruga Garibaldi për qarkullim dhe çka do të linte keq nëse mbyllet pjesërisht? Supozojmë se jeni me veturë në udhëkryqin te Fakulteti Filologjik dhe doni të arrini te Pallati i Shtypit. Keni dy rrugë. E para, futeni në rrugën Nënë Tereza dhe ktheheni te Hoteli Grand teposhtë. E dyta, shkoni rrugës për Fushë-Kosovë dhe ktheheni djathtas aty te “Santea” për të arritur tek i njëjti vend si me rrugën e parë. Gjatësia në të dy rastet është përafërsisht e njëjtë. Të theksojmë se kur hyni nga Ulpiana në rrugën Nënë Tereza nuk ka alternativë tjetër për të vazhduar tutje (sepse është e mbyllur për qarkullim; është shndërruar në shesh deri në dalje ose hyrje në rrugën Agim Ramadani) pos të ktheheni në rrugën Garibaldi. Tjetër alternativë është të hyni në rrugën Nënë Tereza dhe aty te Hoteli Grand të ktheheni prapa përmes korsisë tjetër të te njëjtës rrugë. Edhe nga rruga Luan Haradinaj nëse udhëtoni për në jug të Prishtinës, rruga Garibaldi duket se nuk ka rëndësi dhe nuk lë gjë keq nëse mbyllet. Nëse nga Qafa dëshironi të shkoni në Fakultetin Filologjik, këtë mund ta bëni duke e shfrytëzuar njërën nga dy rrugët si me rastin e arritjes te Pallati i Shtypit. Pyetja këtu mbetet se çka të bëhet me ata që punojnë në Hotel Grand dhe objektet aty afër, si dhe vizitorët e shumtë dhe taksistët të parkuar përballë Hotelit Grand, në rast se rruga Garibaldi nuk paska ndonjë rëndësi dhe nuk prish gjë punë nëse mbyllet për qarkullim dhe bëhet vetëm për qarkullim në raste të veçanta. Përgjigja është kjo: Te udhëkryqi afër Fakultetit Filologjik duhet të vihet një shenjë komunikacioni që tregon se rruga është e mbyllur në fund dhe një shenjë tjetër që tregon se mund të ktheheni. Në hyrje dhe dalje të rrugës Garibaldi në të dy korsitë mund të vihen laurat me kartela për të gjithë ata që punojnë në Hotel Grand, Bankën Qendore, kompleksin banesor-afarist, si dhe taksistët e stacionuar në atë zonë.

Paralagja e “Gazës” në qytezën Pejton

Gaza është qytet në rripin e Gazës me 410.000 banorë. Prishtina si qytet është diçka më mirë e ndërtuar edhe pse Gaza ka përjetuar shumë turbullira dhe konflikte, të fundit nga sulmi izraelit gjatë periudhës 27 dhjetor 2008 – 18 janar 2009. Emërtimi për ndërtime nëpër disa qytete Evropiane “sikur në Gaza” përdoret aty-këtu si sinonim i paralagjeve që ia prishin hijeshinë qytetit ose nuk janë në pajtim me veçoritë e lagjeve tjera të qytetit. Këto paralagje i kanë disa veti të përbashkëta si: shtëpia pa plan (urbanistik) dhe të ulëta kryesisht një dhe dykatëshe të ndërtuara nga materiale të ndryshme ndërtimore, me stil të çrregulluar dhe të larmishëm ndërtimi, mungesë rrugësh për qarkullim, dhe nganjëherë mbeturina në ambient të hapur. E tillë është pjesa verilindore e qytezës Pejton në Prishtinë.
Qyteza Pejton shtrihet në njërën prej asaj që mund të quhet si qendër e Prishtinës pasi kryeqyteti i Kosovës nuk ka ndonjë qendër zyrtarisht dhe publikisht të njohur, të caktuar me vendim zyrtar apo të pranuar unanimisht nga qytetarët sikur në shumicën e qyteteve tjera. Ka paqartësi se cila është qendra. Fillimisht ishte caktuar të jetë përmendorja me tri shtylla e “vëllazërim-bashkimit”, më vonë u zhvendos të statuja e Skënderbeut, kurse tani mund të shëtis nëpër një zonë të madhe brenda Prishtinës varësisht se në cilat periferi zgjerohet qyteti, për t’u identifikuar me ndonjë përmendore me gjashtë yjet pesëcepësh si përfaqësim i “shoqërisë shumetnike” dhe zëvendësim i  “vëllazërim-bashkimit”.    
Pejtoni cilësohet si lagja më e shtrenjtë e Prishtinës. Llogaritet se një ari tokë në këtë zonë kushton deri në 100.000 euro. Në këtë qytezë janë të stacionuar shumë institucione, organizata dhe kompani të ndryshme. Këtu gjenden institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore, UNDP, fondacioni Friedrich Ebert Stiftung, USAID ka katër zyre në katër objekte të veçanta, British Council, Civpol-i, etj. Ndër institucionet e Kosovës aty hyjnë Ministria e Energjisë dhe Minierave, më herët edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit, Doganat, dhe Gjykata Kushtetuese. Ka shumë hotele, degë të kompanive më të njohura të sigurimeve dhe bankave, kafeteri dhe restorante. Edhe ambasada e Kroacisë dhe Malajzisë gjendet këtu. Në këtë lagje të privilegjuar mund ta gjeni edhe selinë e lëvizjes Vetëvendosje! ose organizatës që lufton për më shumë të drejta ndaj të hendikepuarve ose popullit të Kosovës.    
Ndërtesat dhe shtëpiat janë të bukura dhe stile të arkitekturës moderne. Në pjesën verilindore të saj që rrethohet nga Ministria e Energjisë dhe Minierave, shkolla fillore Faik Konica, restorantet përgjatë rrugës Nënë Tereza me selinë e bankës ProCredit në një ndërtesë dhjetëkatëshe me xhama vezullues (ndërtesa e ish-Eximkosit tani e rregulluar) dhe një kompleks banimi prapa saj 4-5 katësh, kompleksit banesor-afarist përgjatë rrugës Garibaldi që përfundon me disa kafeteri deri te Gykata Kushtetuese, mu në këtë rreth gjendet një paralagje e “Gazës”. Në qendër të Prishtinës, në qytezën më të privilegjuar dhe shtrenjtë! E si duket ajo paralagje e Pejtonit që po e identifikojmë si sinonim me ndonjë të Gazës?
Përbëhet më së shumti nga shtëpitë njëkatëshe dhe aty-këtu ndonjë dykatëshe të ndërtuara me materiale të ndryshme si blloqe, tulla, gurë, dhe më pak beton. Të gjitha janë në pronësi private. Mbulesat e kulmit janë edhe më të larmishme se materialet e ndërtimit që sillen prej tjegullave standarde me modele të ndryshme dhe ngjyra nga portokalli kah e kuqja, e deri te e kuqërremta dhe e kaftë. Varësisht prej kohës kur janë vendosur si mbulojë e kulmit kanë marrë edhe ngjyrën sipas “evolucionit”. Lloji me radhë i tjegullave sipas dominimit janë ato në formë lugore nga materialet dhe ngjyrat e ndryshme. Më së shumti nga ky grup janë të pranishme tjegullat lugore të përhirta që tani janë bërë me ngjyrë si të murrmë për shkak të vjetërsisë dhe veshjes me likene. Pasojnë tjegullat lugore të prodhuara nga materiale tjera që mbajnë ngjyrë të gjelbër, të zezë dhe në një rast edhe të kuqe. Pastaj vijnë shtëpitë e mbuluara me llamarinë në formë kryesisht të rrafshët (edhe kulmin e kanë të rrafshët) me një pjerrtësi të vogël, të cilat janë dukshëm të ndryshkura. Në një rast shtëpia është e mbuluar me beton, e në një tjetër me tjegulla tepisoni moderne me ngjyrë të gjelbër. Oxhaqet e shtëpiave në pamje duken në gjendje më të shëmtuar se në paralagjet e Gazës dhe shtëpiat në zonat e varfra të Kosovës. Në këtë zonë nuk ka hapësira për parking dhe qarkullim normal të automjeteve. Përgjatë kompleksit banesor-afarist buzë rrugës Garibaldi, respektivisht prapa tij menjëherë në zonën e “Gazës”, ekziston një hapësirë si e braktisur ku ka bimë të ndryshme barishtore dhe drusore. Këtë hapësirë të vogël por gjithsesi shumë të madhe dhe me vlerë të jashtëzakonshme në qytezën Pejton, nuk e kanë braktisur mbeturinat e ndryshme; e ka braktisur pastrimi i tyre. Kur kombinohen bimët barishtore me mbeturina, krijohet ambient i përshtatshëm për akomodimin e disa zvarranikëve dhe insekteve.
Kjo pjesë e qytezës Pejton ose paralagje e Gazës duhet të rindërtohet në tërësi me arkitekturë moderne, pavarësisht se çfarë plani urbanistik ka K.K. i Prishtinës dhe banorët e shtëpiave private aty. Është me po aq vlerë sa edhe pjesët tjera të qytezës ku një ari tokë kushton deri në 100.000 euro. Disa arkitektë dhe ekonomistë vizionarë përmes argumenteve sipërfaqësore tregojnë se edhe kompleksi banesor-afarist përgjatë rrugës Garibaldi duhet të rrënohet në faza dhe në vend të tij të ndërtohet, po ashtu në faza, një kompleks afarist më i madh, sepse e kërkon koha, vendi dhe nevoja. Në pjesën e fundit të këtij artikulli ofrojmë disa propozime dhe arsye, të cilat mund të analizohen më tutje, se çka të bëhet me këtë pjesë të qytezës Pejton.      

Përmbyllje dhe çka mund të bëhet

Shumë segmente të infrastrukturës rrugore në Prishtinë kanë vërejtje të shumta, madje edhe nga vet institucionet kompetente për urbanizëm dhe komunikacion. Në Prishtinën e mbipopulluar gjetja e zgjidhjeve për komunikacion pa të meta, është sfidë serioze. Megjithatë, disa raste, si për shembull ai i vendkalimit te stacioni i autobusëve që shfrytëzohet por që nuk është rregulluar me ligj dhe realizuar me projekt, ka qenë, është dhe mbetet prioritet i ngutshëm që mund të realizohet shpejt dhe me pak mjete. Këtë e dinë të gjithë qytetarët. Nëse nuk zgjidhet ky problem që ka disa alternativa, rreth rrotullimi i madh në ndërtim nuk bënë të lëshohet në qarkullim pasi e shton edhe më tepër rrezikun e kalimtarëve në hyrje-daljet në stacionin e autobusëve dhe lagjes Dardania. Edhe ashtu në gjendjen ekzistuese pa lëshimin në përdorim të rreth rrotullimit të madh ka pasur dhe ka pasoja për këmbësorët.  
Ish-parkingu në rrugën Garibaldi përsëri duhet të kthehet në parking. Heqja e tij nuk solli gjë të dobishme në qarkullimin e automjeteve ose shkarkimin e komunikacionit në rrugët tjera, por i shtoj disa vështirësi tjera. Në një skenar ndoshta më të mirë, rruga Garibaldi duhet të mbyllet për qarkullim dhe të rregullohet për një qarkullim tjetër të veçantë ose më të vogël. Përveç parkingut në anën e kompleksit banesor-afarist, mund të krijohet edhe një parking në korsinë tjetër në anën e Hotelit Grand dhe të Bankës Qendrore, dhe një pjesë e korsisë përsëri mbetet e mjaftueshme për qarkullimin e veçantë të propozuar. Parkingu është bërë problem i madh në Prishtinë, prandaj kjo mundësi duhet të shfrytëzohet.
Para lagja e “Gazës” duhet të marrë pamjen e ngjashme sikur të pjesëve tjera të qytezës Pejton ku mund të ndërtohen ndërtesa deri një dhjetë ose më shumë kat. Sfidat tjera shoqëruese (furnizim me uji, kanalizim, rrymë elektrike) nuk po i shtjellojmë tani pasi ato vlejnë edhe për ndërtesat në ndërtime e sipër në pjesët tjera të Prishtinës, madje edhe në atë me mbi 40 kat. Të përkujtojmë se në vendet ku sot janë ndërtesat e mëdha në Prishtinë, dikur moti ishin lagje sikur kjo në pjesën verilindore të Pejtonit dhe me status të njëjtë – pronë private. Është koha, vendi, e kërkon nevoja dhe trendi që kjo pjesë në qendër të Prishtinës të marrë fizionominë e një qendre të vërtetë moderne, e sidomos në kohën kur presioni i urbanizimit të madh të Prishtinës ka përfshirë edhe lagjet periferike. Atëherë pse të lihet një paralagje e “Gazës” në njërën ndër lagjet më simpatike të saj në qendër – qytezën Pejton?


(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora