E enjte, 28.03.2024, 11:21 PM (GMT)

Kulturë

Bilall Maliqi: Intervistë me shkrimtarin Agim Gjakova

E premte, 18.09.2009, 01:43 PM


INTERVISTË ME SHKRIMTARIN AGIM GJAKOVA
                      
POEZIA ËSHTË SHPIRTI I NJË POPULLI
 
Nga Bilall Maliqi

Shkrimtari Agim Gjakova ka nisur veprimtarinë e tij si poet dhe prozator këtu e pesëdhjetë vjet më parë në Gjakovë, më pastaj për t’u kthyer në Kosovë pas luftës më 1999.Ka botuar nëntë vëllime me poezi, tri vëllime me tregime, tri romane, drama, skenarë për filma etj.Ka dhënë një kontribut të rëndësishëm me dhjetëra analiza në publicistikë.Shkrimtari Agim Gjakova ishte redaktor i shtojcës së kulturës në gazetën “Bota sot” deri në vitin 2006.Ideja për ta zhvilluar një interrvistë me shkrimtarin Agim Gjakova ishte dëshirë e kahmotshme.Përmes botës së internetit e lutëm shkrimtarin që të na përgjigjet në disa pyetje lidhur me krimjimtarinë e tij letrar, për rolin e kritikës letrare sot dhe për kulturën në përgjithësi, ku shkrimtari Agim Gjakova me kënaqësi iu përgjegj pyetjeve tona...

Përveç shënimeve biografike dhe zanafillës krijuese, na përshkruani rrugëtimin tuaj krijues prej përmbledhjes poetike “I gjuaj ëndrrat me gurë” deri ditët e sotme?

   -Krijimtarinë serioze e kam filluar në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, kur isha student në Beograd. Poemthi i parë që zgjoi kërshërinë, jo vetëm artistike, ka qenë “Bir i sharrëxhiut”, të cilin e lexova në një mbrëmje letrare në Gjakovë në verën e vitit 1956 në Gjakovë, kur po e mbyllnin gjimnazin. Motivi i saj kryesor (frymëzim nga punëtorët shqiptarë - sharrëxhinjtë e përbuzur në Beograd) ka qenë: “Unë jam bir i sharrëxhiut / por biri im sharrëxhi s’do të jetë”. Për këtë u akuzova dhe u demaskova si nacionalist e pastaj pasuan edhe burgimi etj. Mund të them se në ato vite shkrova një tregim, të cilin e lexova në festivalin e studentëve të Universitetit të Beogradit në Shabac, i cili fitoi çmimin e parë të publiku. Përmbledhja ime e parë poetike ka titullin “... dhe thonë se paqe ka në botë” (1962, pas së cilës u botuan edhe tre të tjera), ndërsa përmbledhja “I gjuaj ëndrrat me gurë”, e cila fillimisht ka pasur titullin “Rrënjët përtërihen” (vëllimi është shkruar në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, por për arsye të censurës partiake nuk u lejua botimi) gjeti dritën vetëm në vitet nëntëdhjetë, kur shoqëria totalitare u shndërrua në shoqëri demokratike. Më pastaj u botuan edhe katër libra poetikë: “Deti” (Tiranë 1996), një ndërthurje si poemë, “Guxo e vdis” (Prishtinë 1998),  “Kufiri imagjinar” (Prishtinë 2004). “Saga flurore” (Prishtinë 2007. Kurse në prozë pas vitit 2000 u botuan “Shtëpia në udhëkryq” (përmbledhje me tregime), “Herezi” roman, “Korridoret e gjelbra”, roman. Kam përgatitur dhe ka filluar botimi i veprës së zgjedhur prej pesëmbëdhjetë vëllimesh në poezi, proze dhe publicistikë, prej të cilave janë botuar pesë, e të tjerat presin për arsye financiare.
 
Alen Bosket thotë: “Shpirti i një populli pasqyrohet me poezinë e tij më mirë se në çdo formë tjetër  të artit”, na thoni sa ka arritur poezia jonë ta pasqyrojë në mënyrë efektive shpirtbardhësinë e popullit?

 
Agim Gjakova
Agim Gjakova
-Edhe ne, shqiptarët, jemi popull si gjithë të tjerët, natyrisht me karakteristika të veçanta siç i kanë edhe të tjerët. Ju kërkoni spikatjen e shpirtbardhësisë së kombit tonë. Kjo është në gjirin e tij dhe poezia ka bërë shumë, madje mund të them se është e para që ka përthekuar më së miri këtë cilësi njerëzore. Poezia, pa mohuar artet e tjera, ka mundësinë më të madhe për të pasqyruar shpirtin e një populli, pasi prek në ashtin e tij drejtpërdrejt nëpërmjet të përsiatjes dhe emocioni. Por, nëse populli ngërthen tipare e cilësi të mirëfillta njerëzore, në mesin e tij ka edhe të kundërta, të cilat kanë burime e origjina të ndryshme, gjë që është rrah i psikologjisë shoqërore dhe nuk po hyjmë në të. Vetëm mund të them se “shpirtbardhësi” ka qenë shumë më e theksuar në kohët e mëparshme se sa sot.


Na thoni çfarë mendoni për poezinë bashkëkohore, ku e gjen vendin Agim Gjakova në këtë rast kur është fjala për poezinë bashkëkohore?

 -Poetët (jo vargnuesit) shqiptarë kanë arritur të shkruajnë në forma të ndryshme, duke ndjekur hap pas hapi zhvillimet bashkëkohore poetike. Madje mund të them se mbi shtatëdhjetë për qind e poezisë (pra jo vargënimit) shqiptare është më e mirë se ato që botohen nëpër botë, se kanë shpirt, ndjenjë dhe mendim. Ka edhe prova sporadike të ndonjëfarë moderniteti figurative, i cili mbetet i thatë, pasi i mungojnë ato që thashë. Sado të përkryera të jenë vargjet nga ana formale, po nuk përçojnë ndjenjën, nuk mund të jenë poezi. E, natyrisht, ndjenja mund të nxitet edhe nga mendimi që shprehet në poezi. Vendi im është në hullinë e ndjenjës dhe mendimit.

Çka mendoni për kritikën letrare sot dhe cili është qëndrimi i kritikës letrare në Kosovë dhe Shqipëri për veprat tuaja?

-Bëhet pyetje: A kemi kritikë letrare të mirëfilltë? Përgjigja ime do të ishte jo. Nuk përjashtohet çdo gjë, pasi ka individë që në veprën e tyre përbëjnë kritikë, por, siç thuhet me një, apo dy dallëndyshe, nuk vjen pranvera. E meta kryesore praktike e kritikës letrare (përveç të tjerave) ka qenë (dhe është) se autorët kanë qenë sa pragmatikë aq edhe oportunistë, pasi kanë përzgjedhur objektet e tyre letrare në bazë të një konformizmi të mjedisit: pushtetar, anim shoqëror, mosarritje e njohjes së veprimtarisë krijuese, paragjykime etj. Mendoj se jam përfshirë në bazë të këtij parashtrimi që thash. Përveç Behar Gjokës, autor dhe kritik nga Shqipëria, i cili ka bërë një analizë më të hollësishme të veprimtarisë sime (jo tërësore deri më tash) deri më tash, pak është rrekur kritika letrare, pasi unë nuk kam pasur se çka t‘u ofroj “kritikëve” tjetër, përveç veprave.

Keni  botuar nëntë vëllime me poezi, tri vëllime me tregime, tri romane, drama, skenarë për filma etj. Keni dhënë një kontribut të rëndësishëm në dhjeta analiza në publicistikë. Keni në dorëshkrim katër romane, vëllime me tregime, poezi, publicistikë etj., a mendoni që me punën tuaj krijuese, që keni bërë deri tani, keni dhënë maksimumin krijues, apo i keni mbetur vetes borxh në këtë drejtim?

-Një shok kosovar më tha para mjaft vitesh në Tiranë se po të kisha pasur një jetë tjetër nga ajo që kam bërë (i detyruar të ngrihesha çdo mëngjes në orën katër e të prisja në radhë për të marrë një litër qumësht për fëmijët për shumë vite me radhë e  të tjera), “krijimtaria jote do të ishte tri herë më e bollshme dhe tri herë më artistike”. Kjo ka një të vërtetë të madhe, sepse, motivet e temat e ndryshme më janë sjellë e më sillen në mendje, pa mundur që t’i realizojë. Pra, jo vetëm unë, por krijuesit e mirëfilltë deri ditën e fundit mendoj se përpiqen të thonë diçka. Pra kurrë nuk mund “t’i dalin borxhit krijimtarisë”.

Viti 2008 ju  identifikoi edhe me një botim tjetër “Saga flurore” na i shkoqisni disa detaje lidhur me përmbajtjen dhe motivin e punës suaj krijuese brenda kapakëve të po këtij libri?

-Është një reflektim i mjedisit të Kosovës pas luftës. Ali Aliu, në një shkrim të tij, thotë se unë “pësova dy zhgënjime, i pari në Shqipëri, ku nuk gjeta atë që dëshiroja dhe duhet të ishte, dhe i dyti në Kosovë, pasi nuk gjeta atë që prisja” (një analizë për vëllimin “Kufiri imagjinar”). Dhe nuk pohoj se jam “i thyer”, jo,në asnjë mënyrë, por ndoshta pak “kryengritës dhe i revoltuar” në motivet që kanë të bëjnë me shoqërinë dhe politikën. Motivet e tjera janë përsiatje ndjenjësore për gjithësinë e zhvillimit brenda të cilit ecin mendimi, ndjenja dhe përkryerjet nën prizmin individual me veshje universale.

Kultura shprehje e dashur dhe fisnike, na thoni sa përkrahet pra kultura në Kosovë  nga institucionet komunale?
 
-Ndoshta institucionet komunale edhe bëjnë diçka më shumë për kulturën në krahasim se çka po bën, në radhë të parë qeveria, që jo vetëm se ka caktuar as një për qind buxhet për kulturën, por edhe me të tjera qëndrime, dhe ministria e kulturës, e cila po merret ndoshta me të gjitha të tjerat, por fort pak me kulturën. Mendoj se thashë mjaft.

Për librin: Çka mendoni sa lexohet sot dhe mos vallë faqet e internetit kanë vendosur mure mes lexuesit dhe librit?

-Natyrisht se po lexohet pak. Mund të pohohet se më shumë po lexohet letërsia dokumentare, se sa ajo artistike. Një e metë e madhe është trajtimi i leximit në shkollat, që në nëntëvjeçare e të mesme. Pastaj puna e institucioneve shtetërore për të vënë librin në vendin ku duhet. Interneti nuk mund të zëvendësojë librin. Po marr një shembull. Studentët, megjithëse i kanë në internet tekstet, shkojnë dhe i printojnë dhe i lexojnë e i mësojnë në letër. Nuk mund të lexohet një roman, apo edhe ndonjë vepër tjetër në kompjuter. Gjithçka ka të bëjë me arsimimin dhe kulturën e individit. Libri është i pazëvendësueshëm.

A mund të flisni për planet krijuese në të ardhmen?
 
-Krijimi është i pashmangshëm për çdo krijues të vërtetë. Siç e thashë më lart motivet dhe temat janë të ndryshme. Natyrshëm se poezia ka edhe ngacmimet e ditës, apo siç u thonë “frymëzimet”. Proza ka paramendimin dhe përsiatjen për çka do krijuesi të shprehë, si në përmbajtje ashtu edhe në formën artistike. Kjo është konkretja e planeve.

SHËNIME BIOGRAFIKE

Agim Gjakova u lind më 11 korrik 1935. Shkollën fillore dhe të mesme, Normale, i kreu në Gjakovë më 1952. Punoi si mësues (1952-1954). Studioi në Beograd për gjuhë e letërsi frënge në  Fakultetin Filozofik. Gjatë kohës që ishte në Beograd themeloi shoqatën e studentëve shqiptarë “Përpjekja”. U burgos tri herë dhe më në fund, më 1960 u dëbua në Shqipëri si person i padëshirueshëm për pushtetin jugosllav, duke mos i lënë shteg t’i mbaronte studimet.. Punoi si mësues në Kavajë (1960-1962). Më 1966 kreu studimet në Fakultetin Histori-Filologji për degën e anglishtes. U mor si redaktor-përkthyes në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (1966-1970), kaloi në arsim (1970-1978), në Kinostudion “Shqipëria e Re” (1988-1990), si skenarist. Në vitin 1999 erdhi në Kosovë. Punoi si redaktor për kulturë në gazetën “Bota sot” deri më 2006.
Më 1965 u martua me Naime Dacin (e mbetur  jetime në moshën katërvjeçare se i ati i saj u zhduk nga regjimi jugosllav më 1945).
Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri është ndjekur gjatë gjithë kohës nga Sigurimi i Shtetit. Për krijimtarinë e tij me temë nga Kosova dhe për frymën demokratike që e përshkonte ka qenë gjysmë i injoruar dhe gjysmë i izoluar.
Në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë më 1967, diskutoi për trajtimin në letërsi të subjekteve nga jeta e dhunuar e shqiptarëve të Kosovës. U prit shumë keq nga “elita partiake drejtuese”. U akuzua se po ngrinte çështje në kundërshtim me vijën e Partisë, ose që i kishte ngritur partia. Madje iu përgatit edhe internimi i tij (apo edhe arrestimi), urdhri i të cilit nuk u ekzekutua falë atyre njerëzve objektivë që argumentuan se diskutimi nuk kishte qenë tendencioz.
Pas botimit të romanit “Në kërkim të së vërtetës”, vepra u akuzua në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve si ahistorike dhe që nxin realitetin. Në këtë vazhdë për përmbledhjen me poezi “Rrënjët përtërihen” (“I gjuaj ëndrrat me gurë”), së cilës iu ndalua botimi, me porosi të Plenumit të Komitetit të Partisë së Punës së Shqipërisë u akuzua se është:  Kundër ideologjisë së Partisë, politikës së Partisë, ndërtimit të socializmit; si edhe për hermetizëm dhe luftënxitës (se paska dashur që Shqipërinë ta shtinte në sherr me Jugosllavinë). Që atëherë emri i tij u vu i pari në listën prej shtatë a tetë vetash si “krijues që është i destinuar të gabojë ideologjikisht” dhe, pasi veprat e tij nuk qenë në përputhje me apetitet e regjimit diktatorial, jo vetëm që nuk mundi t’i botonte të gjitha, por edhe u mbajt nën vëzhgim dhe në një formë izolimi e injorimi gjatë gjithë kohës i mbikëqyr në mënyrë të egër deri më 1990 nga Sigurimi i Shtetit të Shqipërisë.



(Vota: 5 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora