E shtune, 20.04.2024, 09:59 AM (GMT+1)

Editorial

Nuri Dragoj: Ju ftoj në debatin: Gjuha shqipe, një nga gjuhët më të vjetra në Evropë

E diele, 23.09.2007, 01:56 AM


Kush po e shkatërron gjuhën amtare?

Thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Institutit të Gjuhësisë, rektorateve dhe dekanateve në universitetet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, intelektuaëve dhe gjuhëtarëve shqiptarë kudo në botë, si dhe të gjithë mësuesve të gjuhës në shkollat e mesme të Shqipërisë dhe Kosovës, të marrin pjesë në debatin: “Si mund të shpëtojmë gjuhën tonë nga ferrat e huaja që po i ngjisim përditë në trup?”

Nga Nuri Dragoj

Nuri Dragoj
Ditët që po jetojmë, të cilat shpesh marrin nota migjeniane, do të ishin shumë më të zbutura për nga ato mangësi që kanë në hapësirat e kohës së tyre, nëse ne, shqiptarët, kudo që ndodhemi, të merremi më shumë me ushqimin e përjetshëm të kulturës sonë, GJUHËN AMTARE.
Ruajtja dhe pasurimi i gjuhës shqipe, sot është një nga problemet madhore të ditës. Jo vetëm sepse kemi detyrë ta pasurojmë dhe ta zhvillojmë më tej, por edhe për shkakun se ndodhemi përpara disa tendencave të rrezikshme të shkatërrimit të saj. Lëvizja e lirë e njerëzve ka bërë që një numër i madh shqiptarësh të largohen nga Shqipëria. E kanë marrë me vete të folurën shqipe, po atje ku jetojnë e punojnë ka rrezik t’i shmangen gjuhës amtare, me apo pa dashje. Diku nga rrethanat në të cilat jetojnë, gjetkë nga presioni që ushtrohet mbi ta për të mos folur shqip, pa përjashtuar dhe faktorë të tjerë, si dhe mosnjohjen e rëndësisë që ka ruajtja e gjuhës amtare. Ky është një problem i gjerë, i cili na fut në ca hulli, ku të gjithë duhet të mbajmë plugjet mbi supe e jo mbi ugarin e shkrifët ku hidhet fara. Të gjithë shqiptarët, shoqatat e ndryshme që janë ngritur në dhe të huaj, duhet të bëjnë të pamundurën për ruajtjen e gjuhës shqipe, duke hapur shkolla për fëmijët e lindur në emigracion dhe duke punuar për pasurimin e saj. Për këtë, besoj se do të ishte mirë që dhe shteti shqiptar të ndihmonte më shumë, duke ndërmjetësuar në qeveritë e shteteve ku dominojnë emigrantët tanë për lejimin dhe lehtësimin e procedurave për hapjen e shkollave shqipe, por edhe me fonde të caktuara.
 E kush do ta quante “korrupsion” sot hapjen e sa më shumë shkollave në botë, në një kohë që të huajt, në bazë të një plani të aprovuar, mbase që nga krijimi i shtetit të tyre, punojnë e punojnë që gjuha e tyre të bëhet “Mbretëreshë” kudo në glob, duke numëruar një mijë e një argumente për përparësinë e tyre? Me kalimin e viteve ka rrezik që nga një pakujdesi e tillë të përballemi me asimilim të të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut. Atëherë, as kambanë s’do të ketë dhe as kambanar që t’i bjerë një llamarine alarmi të pavlerë.

Këtu nuk shtrohet çështja që ata të mos mësojnë dhe të flasin në gjuhën e vendit ku janë sistemuar, pasi kjo është e domosdoshme. Pa moral kombëtar, kjo gjë po bëhet në forma të ndryshme, por çështja është që të mos harrojnë gjuhën amtare. Ta përcjellin atë me këmbëngulje te fëmijët e tyre, nipërit dhe mbesat, shoqëruar kjo edhe me ruajtjen dhe pasurimin e traditave dhe zakoneve tona.
Ky nuk është problem i lehtë. As dhe i pamundur. Mendoj se, në radhë të parë, duhet filluar brenda vendit, pasi gjuha shqipe ka nisur të degjenerojë, duke zëvendësuar shumë nga fjalët e saj me shprehje të huaja. Madje, po shkatërrohet sintaksa e saj, baza gjuhësore. Është kaq e pranishme kjo dukuri, saqë lind nevoja të jepet alarmi, pasi ne jemi një vend i vogël dhe mangësitë që lejohen në të gjitha drejtimet mund të marrin lehtë rrugën e greminës. Natyrisht, ngjitja është e vështirë, por jo sizifiane, pasi kemi një truall të begatë që mjaft ta prekim e ta punojmë si nikoqirë të mirë shqiptarëdashës dhe do të kryejmë detyrën për brezat që do të vijnë këtu e në botë.

Ku janë akademikët?

Akademikët e sotëm janë fare pak të shqetësuar për këtë problem. Ndoshta edhe gaboj, por do të më vinte mirë që Instituti i Gjuhësisë të kishte bërë më shumë, duke trokitur në instancat përkatëse të institucioneve qendrore që përgjigjen për gjuhën shqipe, pa nguruar të shkojnë deri te Kryeministri dhe te Presidenti. Gjuha është një nga elementet bazë të formimit të një kombi. Pa gjuhë nuk ka zhvillim ekonomik e social, politik e kulturor.
Naim Frashëri, 100 vjet më parë, bënte thirrje për të mësuar me përkushtim gjuhën amtare. Ai këshillonte që shqiptarët mund të lexojnë edhe gjuhë të huaja, por shqipen ta kenë “gjuhë zonjë”.
Mirëpo, kjo këshillë e të madhit Naim, thuajse është harruar. Duke e përzier gjuhën me qindra e mijëra fjalë të huaja, gati e kemi bastarduar atë. Të mos harrojmë që gjuha jonë është shumë e pasur dhe nga më të vjetrat në Evropë. Janë gjetur dokumente për të folurën e saj, që nga viti 1280 dhe në vitin 1462 është gjetur dhe gjuha e shkruar, siç është Formula e Pagëzimit, edhe pse deri tani ne kemi njohur vetëm “Mesharin” e Gjon Buzukut. Të tjerë autorë bëjnë fjalë për gjetjen e elementeve të gjuhës shqipe para erës së re. Sidoqoftë, këtu e kam fjalën te ruajtja e pastërtisë së gjuhës shqipe, të folur dhe të shkruar. Mbase vlen të citojmë edhe një tjetër këshillë të Naim Frashërit, i cili thotë në mënyrë kritike dhe me dashuri:
“Shqip të flisni përherë/ Thjesht dhe të papërzierë...”
Për gjuhën shqipe kanë folur dhe shkruar shumë dijetarë të shquar. Ne kemi pasur studiues dhe përkthyes që kanë bërë epokë në botë, të njohur dhe vlerësuar nga tërë Evropa. Një përkthim i mirë tregon dhe shkallën e zhvillimit dhe civilizimit të gjuhës shqipe. Një prej tyre ka qenë i madhi Fan S. Noli. Përkthyes me emër kanë qenë edhe Jusuf Vrioni, Vedat Kokona dhe shumë të tjerë.

Kongresi i Drejtshkrimit dhe mangësitë e tij

Para 40-vjetësh mbajtëm një Kongres të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Folëm e vendosëm disa ligje për gjuhën, në mënyrë që ajo të vihej mbi baza shkencore, të ngrihej mbi atë nivel që kishte.
U hartua dhe një fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe. I vonuar, por i vlefshëm me vlerën e një pasaporte me vizë “Shengen shqiptari”, pasi, për herë të parë, u hartua një vepër e këtij niveli, në të cilën bashkëpunuan akademikë dhe gjuhëtarë shqiptarë dhe kosovarë. Por puna nuk mund të konsiderohet e përfunduar. Kanë mbetur shumë fjalë jashtë këtij fjalori, madje rreth gjysma e fjalëve. Kongresi i Gjuhës mund të ishte thelluar më shumë në drejtim të gjuhës, në futjen e disa fjalëve dhe shprehjeve të vjetra të saj, të cilat kanë përbërë bazën gjuhësore, ndonëse i përkasin dialektit gegë. Por për këtë nuk mund të fajësojmë askënd ose nuk zgjidhim asgjë me anë të fajësimeve. Kjo kërkon punë, kërkon dashuri, mirëkuptim dhe bashkëpunim për të ecur përpara, të paktën kur është fjala për punë të tilla që i shërbejnë Shqipërisë dhe shqiptarëve, për sot dhe në vijim.
Studiuesi i njohur, Mehmet Elezi, p.sh, me një punë hulumtuese, shkencore dhe mjaft këmbëngulëse, një punë disavjeçare të lodhshme, na ka dhuruar një tjetër fjalor të gjuhës shqipe me gati 40 mijë fjalë të reja, fjalë që nuk gjenden në fjalorin themelor të kësaj gjuhe. Më ka bërë dhe vazhdon të më bëjë përshtypje qëndrimi i heshtur ndaj kësaj vepre të madhe. Nuk është folur asgjë, nuk është shkruar asgjë, sikur edhe kritikë, me përjashtim të ndonjë shkrimi siç është ai i shkruar nga shkrimtari, Qemal Sakajeva, pak kohë më parë. Jam i bindur që unë, një gazetar i thjeshtë, nuk jam në gjendje të analizoj as Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, hartuar nga në grup autorësh, por as Fjalorin e Gjuhës Shqipe, hartuar nga Mehmet Elezi. Një gjë nuk mund të rri pa e thënë. Atë punë që ka bërë Mehmet Elezi nuk e kanë bërë institucione të tëra. Për këtë shkak, kjo vepër madhore e tij duhet të ishte bërë objekt diskutimi, në radhë të parë, nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, nga Instituti i Gjuhësisë, të ishin ndërmarrë iniciativa diskutimi edhe në studio televizive, ku të merrnin pjesë akademikë, gjuhëtarë, studiues, gazetarë, shkrimtarë e të tjerë. Sado mangësi të ketë Mehmet Elezi në punën e tij për hartimin e kësaj vepre madhore, me gati 1800 faqe, në të ai ka zbuluar indirekt edhe punën e përciptë që është bërë më parë, por njëkohësisht edhe gjerësinë dhe thellësinë e gjuhës sonë, e cila nga shumë studiues vlerësohet si një prej gjuhëve më të vjetra në Evropë.

Gjuha jonë, një nga më të vjetrat në Evropë

Ka njerëz që shprehin habi kur bëhet fjalë për vjetërsinë e gjuhës shqipe. Përderisa pranohet hershmëria e kombit shqiptar, jo vetëm në trojet aktuale, por dhe më gjerë, nuk ka përse të habitemi me hershmërinë e gjuhës, pasi këta njerëz që kanë jetuar mijëra vjet më parë kanë folur dhe kanë shkruar. Mangësia është te dokumentimi i saj nga ana jonë. Ndihet një farë përulje dhe servilizmi ndaj kombeve të tjera më të zhvilluara, madje dhe fqinjëve. Një përulje që vihet re në diplomaci, gjuhësi, shkencë, letërsi, tregti dhe kudo. Nuk ka fushë të mos ndihemi inferior. Natyrisht, për këtë ka ndikuar negativisht ekonomia e dobët, presioni i ushtruar në shekuj nga fqinjët, në të gjitha format, ushtarake, ekonomike e kulturore. Por mjaft studiues mund të ndikohen dhe nga presione të formave të tjera korruptive, mjafton që të mos përmendet hershmëria e gjuhës sonë, mjafton të flitet me superlativa për gjuhën e kombit ndaj të cilit x – i apo y – ni mund të jetë venë në shërbim. Madje shkohet deri atje, sa personat që hedhin në diskutim tezën mbi hershmërinë e gjuhës shqipe, konsiderohen “sharlatanë”. Fyhen edhe më rëndë se kaq. Se Epiri, sipas tyre duhet shpjeguar me gjuhën helene. Se kjo fjalë nuk ka asnjë lidhje me shqipen. E mbase duhet të pranojmë dhe teorinë famëkeqe të Vorio Epirit apo teorinë sërbe, sipas së cilës shqiptarët janë të ardhur në trojet kosovare, kur tërë historiografia provon të kundërtën.
 Tani besoj se ka ardhur koha për një zgjim dhe ndërgjegjësim më të madh të kombit, për të mundësuar ndonjë korrigjim të mundshëm të historisë, jo vetëm si territor por dhe në aspektin gjuhësor e kulturor.  
Kur themi se gjuha jonë është vlerësuar nga shumë studiues, nuk bëhet fjalë vetëm për studiues shqiptarë, por edhe të huaj. Gjuha shqipe, sipas disa studiuesve, bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane dhe është degë më vete në trungun e saj, pasi nuk rrjedh prej asnjërës nga gjuhët e sotme. Karakteri indoevropian i saj është trajtuar në vitin 1824 nga gjuhëtari i shquar danez, studiuesi dhe përshkruesi i 150 gjuhëve, Rasmus Rash (1787 - 1832). Në vitin 1835 pohon të njëjtën gjë studiuesi i shquar gjerman, Xhozef Riber Ksilander, (1794 – 1854) dhe e vërtetoi përfundimisht më 1854, gjuhëtari i shquar gjerman, Franc Bopi (1791 – 1867), një nga themeluesit kryesorë të Metodës Historiko – Krahasuese, në veprën e tij të famshme, “Ueber das Albanesische in seinen verëandtscaftlichen Besichungen“ (Mbi shqipen dhe lidhjet e saj farefisnore). Këtë na e jep qartë Ramiz Lushaj në librin e tij “Almanaku i gjuhës shqipe”. E prejardhur nga ilirishtja, si një gjuhë e veçantë e trungut indoevropian, e lindur, zhvilluar e konsoliduar në trevën e Ballkanit, ka një sistem fonologjik origjinal, të përbërë prej 7 zanoresh dhe 29 fonemash bashkëtingëllore, ka një sistem të larmishëm formash gramatikore, ruan mirë sistemin rasor (pesë rasa), ka sistem tri gjinish; mashkullore, femërore dhe asnjanëse. Po ashtu, sistemi emëror ka trajtën e shquar dhe të pashquar, ka nyje të përparme etj.
Nëna e gjuhës shqipe është ilirishtja, prej së cilës ka mbetur një fond i çmuar me rreth 1 mijë fjalë, kryesisht emra vendesh, njerëzish, fisesh, banorësh, perëndish, të cilët ndihmojnë shkencërisht në dobi të vërtetimit të vijimësisë së shqiptarëve nga ilirët dhe të shqipes nga ilirishtja. Në ndihmë të kësaj të vërtete shkencore vijnë disa argumente bindëse, të cilat na i jep qartë z. Lushaj, sipas të cilit:
1. Shqipja flitet sot, në një pjesë të trojeve, ku në periudhën antike flitej ilirishtja. Trojet ku sot flitet shqipja në krahasim me trojet e dikurshme të saj janë rrudhosur përgjatë shekujve si rezultat i disa arsyeve historike.
2. Ato pak elemente gjuhësore që janë njohur si ilire gjejnë shpjegim me anë të gjuhës shqipe.
3. Format e toponimeve të lashta antike, të krahasuara me format përgjegjëse të sotme, provojnë se ato janë zhvilluar në përputhje me rregullat e fonetikës historike të shqipes.
4. Marrëdhëniet e shqipes me greqishten e vjetër dhe me latinishten tregojnë se shqipja është formuar si gjuhë në një periudhë të hershme në fqinjësi me këto gjuhë.
5. Të dhënat e arkeologjisë dhe të dhënat e tjera të kulturës materiale e shpirtërore të popullit tonë dëshmojnë se ka vijimësi kulture nga ilirët tek shqiptarët.
Të tjerë autorë e hedhin poshtë teorinë indoevropiane. Le të diskutojmë! Askush nuk kërkon të mbrojë me çdo kusht teorinë e tij. Por duhet pohuar dhe fakti që në shumë raste, edhe kundërshtarët tanë e pranojnë vjetërsinë e gjuhës sonë amtare.

Të ruajmë gjuhën nga shkatërrimi me dashje

Sot, lidhur me gjuhën shtrohet një problem tjetër që është më tepër administrativ se sa historik. Pa dyshim, brenda saj nuk përjashtohet edhe ndjenja patriotike, pa pasur një lloj stepjeje përballë kufijve të hapur që ëndërrojmë për Evropën. Madje e kemi detyrë ta ruajmë dhe pasurojmë më tej atë. Të mbrosh gjuhën amtare është krenari kombëtare. Dhe nga kjo krenari nuk duhet të kemi frikë se “mos na dënon Perëndia Athina”. Kemi arritur deri aty sa të pranojmë një nënshtrim verbues dhe t’u japim nxënësve në testet e provimit të lirimit, copëza tekstesh, të cilat kanë frymë antikomëbare, që kultivojnë ndjenjën e frikës dhe nënshtrimit, ku këshillohet të mos kërkojmë kurrë të jemi krenar se krenaria është një gjë e keqe dhe do të na dënoi Perëndia, ashtu siç dënoi Araknën duke e kthyer në merimangë!? Dhe të gjitha këto i bëjnë njerëzit tanë. Mund t’i bëjnë dhe të tjerë, por gjithmonë me dorën dhe mendjen tonë.
 Ka vite që në të folurën dhe të shkruarën e gjuhës shqipe nuk respektohen rregullat e saj dhe kanë hyrë qindra fjalë të huaja, numri i të cilave është aq i madh, sa mund ta dëmtojë dhe degjenerojë shumë shpejt gjuhën tonë, në një kohë që ajo është aq e pasur sa nuk ka aspak nevojë për të huazuar nga gjuhë të tjera. Në fakt janë ato gjuhë që kanë huazuar nga shqipja dhe shumë fjalë të tyre edhe sot mund të shpjegohen vetëm me gjuhën tonë. Për këtë ka dhjetëra studime të gjuhëtarëve shqiptarë, gjermanë, anglezë, italianë, spanjollë e të tjerë.
Sot, në Shqipëri, flitet një gjuhë e përzier, diku shqip dhe anglisht bashkë. Përzier me to kërkojnë një vend të madh edhe italishtja apo greqishtja. Shumë fjalë të huaja janë kaq shumë të përdorshme sa është e vështirë të dalin nga skema e të folurës dhe të shkruarës. Të gjithë ne, mjaft prej tyre i kemi bërë pronë të jetës së përditshme.
Mbase këtu duhet thirrur në formën e një “argati” thënia e popullit për të gjithë ata që pretendojnë të jenë të mençur “MOS TË VDEKTË FJALA!” Thuhet kështu në Veri e në Jug për të goditur atë stepje e atë hapje gardhi për të gjitha fjalët e huaja që dëmtojnë shqipen.
Kur flet me ndonjë individ dhe i kërkon të mos përdorë kaq shumë fjalë të huaja, ai të përgjigjet me një gjuhë mjaft banale. Një ditë, duke folur me një gazetare të një televizioni, e cila përdor mjaft fjalë të huaja në të folurën e saj si folëse, më tha:
- Ti paske hallin e gjuhës shqipe, kur ne nuk kemi as Shqipëri! E ç’jemi ne para botës, para Perëndimit, or lumëzi!
U ndjeva shumë keq, pasi unë nuk kisha marrë përsipër të rregulloja gjuhën, por biseda rrodhi normalisht dhe besoj se nuk bëra ndonjë mëkat pse shtrova një problem të tillë. Pastaj nëse ne themi se nuk jemi gjë, çfarë do të thonë ata që nuk e kanë dashur dhe nuk duan të mirën tonë?
- Ne jemi ata që jemi, - ia ktheva, dhe kemi për detyrë të flasim shqip. Vajza m’u zemërua dhe iku pa më përshëndetur. Dhe, në një farë mase, kishte të drejtë. Se, në të vërtetë, të gjithë jemi të infektuar nga sëmundja e “humbjes” së fjalëve tona dhe zëvendësimit të tyre me fjalë të huaja. Edhe në këtë shkrim që i kushtohet të folurës dhe të shkruarës së gjuhës sonë, me siguri nuk kam mundur të shpëtoj nga përdorimi i fjalëve të huaja. Kjo për faktin se gazetarët duhet të shkruajmë përditë dhe nuk kanë kohë t’i shohin dhe rishohin shkrimet. Por nuk është kjo kryesorja. Duhet të pranojmë faktin që përdorimi i fjalëve të huaja në të folur dhe në të shkruar nuk tregon dijen tonë të madhe, por padijen tonë. Nga ana tjetër, kemi të bëjmë me një çështje të madhe, në të cilën duhet të ndihet shteti. Nëse vërtet shteti është i dobët në shumë drejtime, në çështjen e gjuhës duhet të mbledhë veten dhe të marrë masat e duhura.

Kërkohet ligj për mbrojtjen e gjuhës

Punët nuk zgjidhen me fjalë të njërit dhe të tjetrit. Këtu duhet të veprojë ligji. Do të ishte normale që të bëhej një ligj për gjuhësinë dhe të kërkohej me çdo kusht që në televizione, radio dhe gazeta të mos flitet dhe të mos shkruhet asnjë fjalë e huaj. Madje, të ketë dhe masa ndëshkuese. E njëjta gjë duhet thënë edhe për emërtimet e dyqaneve. Të paktën 80 për qind e emërtimeve janë në gjuhë të huaj. Emra qytetesh, njerëzish, lumenjsh, a ku di unë, nga të katër anët e botës. Dhe askush nuk merakoset. Vetëm një ligj mund ta zgjidhte këtë problem. Por ky ligj kërkon përkushtim, në radhë të parë, të gjuhëtarëve, të cilët të ndërgjegjësojnë politikën për një domosdoshmëri të tillë. Madje, do të ishte normale të kthehej në një debat dite. Televizionet do të bënin mirë të thërrisnin në studio gjuhëtarë, gazetarë, politikanë, ligjvënës, bashkiakë etj, dhe të debatohej me ditë kjo temë. Është nga temat më të rëndësishme të ditës dhe jetës sonë, nga temat madhore të kombit shqiptar. Nuk është për t’u çuditur, madje do të ishte një mrekulli sikur ndonjë ditë të zakonshme vere apo vjeshte të shihnim edhe një protestë akademikësh, mësuesish dhe nxënësish para ndërtesave qeveritare për të rritur presionin ndaj shtetit, i cili të marrë masa të shpejta për të përmirësuar gjendjen në drejtim të gjuhës amtare, të folur dhe të shkruar.
Nuk ndodh kështu kudo. Në Gjermani, nëse një gazetar përdor fjalë të huaja merr gjobë. Kërkesa të rrepta kanë dhe francezët. E njëjta gjë ndodh edhe me fqinjët. Në Greqi i kushtojnë shumë rëndësi pastërtisë së gjuhës.

Shqetësimi i një miku dhe sakatimi i gjuhës shqipe

(Një debat i vogël brenda një debati popullor)

Një ditë më bën telefon një mik i imi, Namik Selmani, njohës i gjuhësisë, njeri që i dhimbset çdo shkronjë e saj. Më kërkon të pimë një kafe. Kishte marrë gazetën “Republika” në dorë dhe pasi shkëmbyem fjalët e rastit, më pyeti:
-Ju jeni gazetar, madje kryeredaktor dhe unë kam respekt. Por shoh që në gazetën tuaj gjenden dhe fjalë të huaja, të cilat na bastardojnë gjuhën. Dhe po ta them konkretisht. Në numrin e datës 20 maj, thoni: Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur “abuzime” të shumta me fondet...”. Jo abuzime, ore zotëri, por shpërdorime. Kjo është fjala shqip. Ta them ty, jo vetëm se të kam mik, por edhe sepse gazeta juaj është më e rregullta në këtë drejtim. Kam monitoruar për 6 muaj, 7 gazeta. Të zë koka kur i lexon.
-Ke të drejtë, zoti Namik. Është një çështje që meriton me të vërtetë kujdes. Më ka bërë përshtypje ky shqetësim i juaji edhe pa të takuar, pasi kam lexuar librin tuaj, në të cilin ju rendisni dhe disa nga fjalët e huaja që kanë pushtuar televizionet dhe gazetat tona.
-Nuk është puna vetëm te ju, - shtoi ai. Ky problem kërkon qilizëm në të gjitha ditët e vitit. Mungojnë ndjeshëm rubrikat gjuhësore në gazetat tona. Mungojnë këshillat për gjuhën. Në të njëjtën kohë gazetat merren me këshilla gatimi, plazhi, pse jo, masivisht edhe këshilla për seksin(!!!) Por nuk hapin rubrika elastike, të thjeshta, të dukshme, edhe për gjuhën amtare. Nuk mund të pranohet që politikanët të flasin në Parlament aq shumë fjalë të huaja. Të vjen keq sidomos kur fjalë të tilla i thonë ata që pretendojnë se dinë pak shqip, por ka dhe të tjerë që i lëshojnë ato nga padija. Kështu e kanë dëgjuar dhe e thonë, pasi edhe mund të mos i dinë kuptimin. Sidomos televizionet. Unë mendoj se duhet vendosur një rregull. Dhe më mirë se kushdo këtë punë mund ta bëjnë gazetarët. Në televizione dhe gazeta duhet të flitet shqip. Edhe kur ndonjë politikan përdor gjuhë të huaja, do të ishte mirë që ajo pjesë e kronikës të pritej ose, në pamundësi, të “përkthehet” në shqip nga ana e gazetarëve. Ky “përkthim” do të bëjë që ata t’i venë gishtin kokës.
- Ashtu është. Edhe ne e vëmë re përditë,- u justifikova unë, por të them të drejtën, pak kemi bërë për ta korrigjuar. Pak ditë më parë, më vrau veshin një folëse në një stacion kryesor televiziv, pa qenë nevoja të përdorim emër, pasi janë të gjithë njëlloj, kur u shpreh se “në audiencë” merrnin pjesë... Fjalën “audiencë” ka shumë shqiptarë që nuk e kuptojnë, pasi është fjalë që i përket një gjuhe të huaj. Shqip, thuhet “në pritje” merrnin pjesë.... Dëgjon dendur fjalën “negociator”, “negociatë”, kur mund të thuhet “ndërmjetës”. Tërë ditën flitet dhe shkruhet “mazhoranca” dhe ngurohet të thuhet “shumica”. Do të kërkojmë dhe “konsulencë” të huaj, kur mund të shprehet “këshillim”. Gjetkë dëgjon shprehjen: “Performanca” e saj ishte e përsosur, kur mund të thotë “paraqitja...”. Politikanët bëjnë fjalë për komisionin “ad – hock), kur mund të thonë “komision i përkohshëm”. Disa vite flitej për një komision “bi partizan”, kur duhej thënë “mbi palët”.
Gazetarja flet për analizën e një libri dhe shprehet: Tani po lexojmë një “pasazh” prej tij, se duket që nuk e njeh fjalën “fragment”.
- Jo të vrau veshin një fjalë, por mund të hasësh vetëm në një lajm më shumë se 5-6 fjalë të huaja, - ndërhyn miku im. Kështu dhe në bisedat që zhvillohen në studio apo telefonatat në radio, në të cilat dëgjon dendur të pohohet me fjalën angleze “OKEJ” dhe përfundojnë të gjitha me shprehjen italiane “Ciao, Ciao!”. Dhe kjo “ciao, ciao” gjendet tërë ditën në rrugë, shkollë, kafene, zyrë, kudo. A mund të më thuash ti se ç’do të thotë përdorimi i këtyre fjalëve në media, zyra të shtetit, kafe dhe rrugë? Shko në ndonjë institucion dhe dëgjo bisedat midis nëpunësve apo në telefon dhe do të bindesh që fjalët “OKEJ” dhe “CIAO” do të përdoren disa herë brenda një bisede.
- Në këtë luftë antigjuhë amtare nuk mund të quhet surprizë edhe një kurs i përshpejtuar gjuhe me gazetarët e shtypit të shkruar e viziv, madje edhe një ndëshkim me gjobë të atyre që e prishin këtë normë. (ashtu si bëhet me lojtarët e në fusha të ndryshme të jetës).
- Mbase duhen shkruar shpesh shkrime për këtë çështje dhe të organizohen biseda në studio, në shkolla e kudo për ta minimizuar këtë të keqe sa më parë.
- Po, por kjo nuk bëhet pa shtetin, - këmbënguli ai. Duhet që Instituti i Gjuhësisë të japë alarmin në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës që të venë dorë sa më parë. Por, dhe pas kësaj, nuk do të jetë e lehtë se vetë ministri i Arsimit përmend shprehjet “këtë ligj mendojmë ta abrogojmë, atë tjetrin ta amendojmë dhe nuk thotë p.sh. se do të kërkojmë “shtesë ligjore”.
Kur folësi në televizion të thotë tani do të “lançojmë” dhe jo “japim, ata bënë “apel” dhe jo “thirrje”, “aprovoj” dhe jo “miratoj”, “asistoj” dhe jo “marrë pjesë”, nuk është e lehtë, pasi kjo kërkon qilizëm.
- Ke të drejtë, pasi dhe në zyrat e shtetit gati 30 për qind e fjalëve që përdoren janë të huaja. Diku e bëjnë që të duken se dinë, gjetkë ngaqë nuk gjejnë dot fjalën e përshtatshme në shqip, pasi pak e njohin gjuhën. Dhe kjo mos të të duket shaka. Thonë vetë ministrat “bodigardi im” dhe jo “truproja”. Në zyrat e shtetit dëgjon shprehjet “bord” privatizimi apo drejtimi dhe nuk thonë “grup” apo “staf pune”. Ky material është “definitiv” dhe jo “përfundimtar”. Kjo është e drejtë e “donatorëve” dhe jo e “dhuruesve”.
Lexojmë emërtime të zyrave si “Zyra e emergjencës ...”, kur duhet thënë “detyrë parësore”. Duhet t’i thuhet qytetarit se ardhja e Bushit në Shqipëri ishte një ngjarje e madhe dhe jo “eveniment”. Ne, edhe zgjedhësve u kemi venë emrin “elektorat”. Dëgjon zyrtarin që thotë, “pasi të mbaroni këtë punë, çojeni në “destinacion””, kur duhet thënë “vendndodhje”. Në dyqan dëgjon shprehjen “ambalazhoj” në vend të paketoj, etj., etj.
-Jo vetëm kaq, por ne po deformojmë dhe mjaft fjalë të traditës. Kohë më parë më një fshatar më tha:
-Ore, Namik, dëgjova aty në zyrat e qarkut dhe nuk e kuptova se kujt i thonë fermer?
- I thonë bujkut, - e sqarova unë qetësisht.
- Po përse nuk i thonë bujk, po fermer?,- pyeti sërish ai.
- Nuk ka rëndësi, mjafton që ta dish se fjala është për bujkun, pasi kështu i thonë të huajt, - ia mbylla bisedën unë.
- Ti tregon pyetjen e bujkut, por unë të tregoj historinë e një nëpunësi. Një njeri, disi fatkeq, pasi nuk mjaftuan peripecitë që ka hequr familja e tyre për 34 vjet, por nuk i ka prirë dhe shëndeti. Kishte punuar disa vite punëtor krahu në Greqi dhe kohët e fundit kishte mundur të punësohej në një institucion. Atë ditë doli nga zyra i tronditur. U takuam rastësisht sa zbriti shkallët.
- Çfarë ke?,- e pyeta se nuk të shoh mirë.
- Më vjen turp të të pyes, po nuk e kuptova shefin tim. Më thirri dhe më tha: Vendi yt “suprimohet”. Ti nuk di të bësh as një “rezyme”. Dhe nuk e zgjati më tej. Çfarë do të thotë “suprimohet”?
- Ke të drejtë, është fjalë e huaj, nuk është shqip. Do të thotë që “hiqet” ose “shkurtohet”. Si duket po të largon nga puna.
- Po “rezyme”?
- Do të thotë “përmbledhje”. Mbase të ka dhënë ndonjë material të gjatë, i cili duhej të përmblidhej në pak radhë, - shtova unë dhe e ftova për kafe.
Ai iku, duke hequr këmbët zvarrë shoqëruar me shprehjen “më fal për shqetësimin!”.
- Kudo përdoren fjalë të huaja. Doktori i kishte thënë një djali: Nuk kemi ç’të bëjmë, je “steril”. Djali nuk e kishte kuptuar, por dhe as e kishte pyetur doktorin. E dinte që steril në ato anë përdorej “i pastër”, xixë. Më tej, kishte gjetur një të njohur, i cili i kishte treguar se kjo fjalë do të thotë “shterpë”, që nuk riprodhon dot, pra gjë që shkaktohet nga ndonjë lloj sëmundjeje, e cila të lë pa fëmijë. Ndërsa në lajmet zyrtare dëgjon të thuhet se policia e “survejonte” atë vazhdimisht. Duket që nuk i njohin fjalët “vrojtoj, ruaj, ndjek”.
-Në këtë fushë, Namik, mund të flasim ditë e natë. Por, ta lemë me kaq dhe mendoj të hapim një debat në gazetë. Mbase do të ketë dhe të tjerë që mund të marrin pjesë në këtë shqetësim tonin, i cili besoj se është shqetësim kombëtar.

*****
Sot, në gazetën tonë po rihapim një “portë“ të veçantë. Me një shqetësim që e kanë shumë njerëz të tjerë, por që ende në gazeta duket disi i vjetruar, po hapim këtë cikël shkrimesh. Është detyrimi atdhetar që të merremi më shumë me gjuhën tonë e për të përsëritur në këtë moment thënien e Konicës: “Më jepni një gjuhë të bukur e të punuar, t’ju jap një komb të qytetëruar!”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora