E premte, 19.04.2024, 08:54 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Shevki Sh. Voca: Ali Pashë Tepelena - Politikani, diplomati dhe ushtaraku i vetëformuar (II)

E enjte, 17.09.2009, 04:32 PM


ALI PASHË TEPELENA - POLITIKANI DIPLOMATI DHE USHTARAKU I VETËFORMUAR

(II)

Nga Shevki Sh. Voca

Ndonëse Ali Pasha ishte një njeri i pashkolluar, ishte shumë i aftë dhe i zgjuar. Arkeologu danez, Brondsted i cili për nevojat e zbulimeve arkeologjike me ekipin e vetë qëndroi një kohë pranë vezirit të madh, dhe për aq koh të qëndrimit ai shkroi një ditar i cili nuk u botua kurrë, por në arkivin e shtetit të Danimarkës, mund të gjendet sot. Arkeologut danez, Ali Pasha i la një përshtypje të pashlyeshme, i cili qe informuar deri në detaje për ngjarjet në oborret europiane dhe me një kujtesë fenomenale për çështje të tjera, Pashai shqiptar i bëri për vete udhëtarët e huaj. Bronsted në shënimet e veta për këtë takim hedhë dritë në një aspekt tjetër të panjohur të Pashait, atë të një burri shteti i cili nuk ishte i interesuar vetëm për intrigat e pushtetit, por edhe për çështje enciklopedike, historinë antike dhe arkeologjinë[11]. Ali pashë Tepelena qysh kur hipi në fronin e Pashallëkut, populli e cilësoi si “Mbret i Shqipërisë”[12]. Vendet të cilat gjendeshin nëN qeverisjen dhe administratën e tij, ai, duke i likuiduar bandat dhe hajdutët e ndryshëm në ato vende siguronte paqë dhe qetësi, gjithashtu bënte  rregullimin dhe përmirsimin e rrugëve dhe vendkalimeve. Kishte ndërtuar shumë kala dhe ura si dhe shumë ndërtesa të tjera të forta. Një biograf i tij shkruan: “Nuk mohohet fakti se gjatë sundimit të Aliut, Janina ishte bërë qendra më e qytetruar e Turqisë perëndimore”, kurse sipas mendimit të Bajron-it, i cili Ali Pashën e njohu nga afër dhe e quajti “Piro i Ri” apo “Luani i Epirit” dhe “Bonapart”, për Janinë thotë:“Janina qëndronte më nalt se Athina përsa i përket begatis, dituris dhe stërhollimit në sjellje dhe në të folun”[13], ndërsa për vet Aliun thotë,-Simpoziumet që u parashtronte të huajve dhe intelektualve të Janinës, të kujtonin simpoziumet e Platonit. . Vetë Janina kishte një rëndësi të pamasë ekonomike dhe kulturore. Ajo prej kohësh mbante raporte me vendet e bregut tjetër si Venediku, Padova dhe Livorno; në rrugë tokësore kishte kontakte të rëndësishme me Beogradin Sarajevën, Vjenën dhe qendra të tjera urbane. Lord Brugton (Hobhauz) e vlerësonte si qytetin më të rëndësishëm të Turqisë europiane pas Edrenesë dhe Selanikut dhe tregtarët e tij i konsideronte si një ndër komunitetet më të rëndësishme të rajonit.Të gjithë udhëtarët që  shkonin në Janinë mbeteshin të befasuar nga lagjja tërheqëse e tregtarëve- në qendër kishte një kapali çarshi, domethënë një Pazar të mbuluar- me shtëpi të mëdha guri me oborre të brendshme dhe me kopshte, me stalla e me magazine. Brugton mendonte se në vitin 1809 qyteti kishte të paktën tridhjetë e pesë mijë banorë[14]. Kurse sa i përket gjenezës së nismës dhe rritës së arsimit në Epir, përkatësisht në Vilajetin e Janinës, ajo që prej kohësh kishte pasur jetë të gjatë, madje do të thoshim që nga vitet e para të pushtetit osman. Një përbërje të tillë të sistemit arsimor e vijoi edhe më me ngulm Ali Pashë Tepelena, kryezoti i Janinës me hapjen e institucioneve të reja shkollore, për të vijuar më pastaj valitë osman[15]. Lordi Brungton që cekëm më parë vërente se në vitin 1810 në Janinë ishin dy shkolla të mesme të afirmuara; “Më kryesorja drejtohej nga i mirënjohuri Athanasius Psalida dhe kishte 100 nxënës; tjetra nga profesori e bir profesori brez pas brezi…Valeno(familja e të cilit ka shërbyer në arsim prej më se treqind vjetësh). Kjo shkollë kishte 300 nxënës, financohej nga vëllezërit e famshëm Zosimeas, dy nga të cilët banonin në Itali dhe një në Rusi”[16]. Shlollat e Janinës mund të mbështeteshin tek një trup mësimdhënës prestigjioz, në të cilën bënte pjesë edhe filologu Psalida dhe njeriu i shquar i letrave Georgius Sakellarius, autor i shumë punimeve të mirënjohura dhe mjek i Aliut. Këta akademikë, së bashku me bërthamën e oborrit të Aliut, përbënin elitën akademike të kohës; shumë nga këto figura luajtën një rol domethënës në lëvizjen greke për pavarësi. Xhon Koletis për shembull, i cili shërbeu si mjek personal i djalit të Aliut, Myftarit, dhe që shkroi dhe përktheu shumë vepra shkencore, u bë një nga figurat qendrore të Revolucionit Grek të 1821-shit[17]. Në gjimnazin Zosimea u formuan jo vetëm grek por edhe shqiptar musliman dhe ortodoks. Prej ksaj shkolle kanë dalë shumë të rinj, të cilët më pas luajtën një rol të rëndësishëm në lëvizjet për pavarësinë greke dhe shqiptare.                                              

    Nxënësi i parë musliman i kësaj shkolle ishte simboli i pavarësisë babloku i urtë Ismail Qemali, ndërsa më vonë në këtë shkollë mësimet i vijuan Hoxha Tahsini vëllezërit Frashëri, dhe të tjerë. Ismail Qemali, në kujtimet e veta në lidhje me këtë na thotë: “Duke qenë i pari nxënës mysliman në atë kohë, u bëra objekt i një vemendjeje të veçantë, jo vetëm për shokët e mi të shkollës, por edhe nga profesorët. Ruaj kujtimin më të mirë për këta mësues dhe ndiej një mirënjohje të thellë për kujtimin e Omer Efendiut e të profesor Çime, që çdo ditë vinin për të më dhënë mësime private, njëri për arabishten e tjetri për frëngjishten. Një gjë që më argëtonte, ishte këmbëngulja e priftit grek, që vinte sipas zakonit çdo fillim muaji të bekonte shkollën, duke e spërkatur me ujë të bekuar. Ai vazhdonte të më tregonte kryqin, megjithëse e dinte mirë që unë gjithnjë i shmangesha”[18]. Kjo ngrehinë ishte e para shkollë moderne në gjuhën greke. Ali Pasha kësaj shkolle i kishte dhënë ndihmën e vet, duke mos e  kuptuar se kjo shkollë greke në kryeqytetin e Toskërisë do t’i sillte shumë plagë popullit shqiptar[19].

     Kur Aliu mori pashallukun e Janinës, ai me ndihmën dhe përkrahjen e dy  djemëve të vet, dhe natyrisht me një ushtri që kishte pas veti, të cilës më vonë i kushtoi një organizim dhe një kujdes të veçantë duke i meremetuar kështjellat për nevoja ushtarake ai, i goditi feudalët rivalë, shfarosi bandat e hajdutëve dhe kusarëve, që në atë kohë ishin shumë të përhapur në Epir dhe në Shqipërinë e jugut, sa që udhëtimet ishin praktikisht të pamundura, dhe në këtë mënyrë në vendin e pashallëkut të tij u vendos një rend dhe qetësi. Ishte e qartë se Aliu synonte që në njëfarë mase të paraqitej si një sundues zemërmirë dhe mbrojtës, që përmirson ndjeshëm fatet e popullit duke i bërë territoret e tij më të hapura dhe duke i zbukuruar me ndërtesa të shkëlqyera. Këto vepra i shërbenin edhe për të mbrojtur veten nga një revoltë e mundshme e shtetasve të tij. Përmirsimi i komunikacioneve ishte në të mire të Aliut, si dhe në të mire të popullsisë së tij.

     Vitet e rinisë që i kishte kaluar si kusar, Aliut ia kishin mundësuar që t’i njeh tokat me të cilat do të qeveriste më vonë. Udhëtarët e fillimit të shekullit XX si Liku dhe Brugtoni vunë në dukje se Aliu shpesh nuk gjendej në Janinë dhe se kalonte një kohë të konsiderueshme duke udhëtuar nëpër territoret e tij. Njohja e thellë e territorit ishte një nga themelet e forcës së Aliut dhe, për më tepër, duke vizituar zonat edhe më periferike, ai mblidhte të dhëna nga informatorë vendas në fshatra të ndryshëm. Kur në vitin 1809 Brugtoni dhe Bajroni po planifikonin të largoheshin nga oborri i Aliut dhe të niseshin për në Peloponez, vizitorët anglezë mbetën të befasuar ngaqë Pashai i njihte në mënyrë të përkryer të gjitha rrugët që mund të përshkonin në këtë udhëtim. Kështu, Aliu qeveriste në mënyrë shumë të centralizuar, duke u sjellë si një sundimtar shumë i kujdesshëm dhe shumë i pranishëm kudo. Ai bëri përpjekje të konsiderueshme për t’u kushtuar vëmendje edhe zonave më të largëta të tokave të tij dhe për të mbajtur mbi to një kontroll të plotë dhe të drejtpërdrejtë[20].

     Aliu  ishte i pamëshirshëm dhe brutal kundër të gjithë atyre që e kundërshtonin. Ai  në fillim për ta fituar besimin e Portës së Lartë, luftoi kundra suliotëve heroik (Suliotët ishin shqiptarë të krishter të Sulit, jetonin në perëndim të Janinës ) që qeverisnin vetveten. Suliotët jetonin në afro 60 fshatra por vetëm me 1500 luftëtarë Për të pushtuar atë shpesh u orvatën ushtritë turke, por suliotët rezistonin me sukses. Mirëpo,

vetë Aliu vendosi për të pushtuar atë. Përpjekja e tij u bë që në vitin 1792, me një ushtri disa herë më të madhe prej asaj të suliotëve, por u thye. Në vitin 1800 Aliu përsëri i sulmoi. Udhëheqësi i tyre i vërtet Boçari(mos të ngatërrohet me Markon e të njëjtit emër) kishte munguar. Pas një lufte të ashpër kundër fuqisë më të madhe, suliotët u thyen, por jo në tërësi. Me 1803 sulltani i urdhëroi Aliut që ta pushtojë gjithsesi Sulin. Suliotët luftuan si heronj,  të udhëhequr nga prifti i quajtur Samuel, ofiqi i të cilit ishte”Last Judgment”. Kur, me anën e tradhtisë, hendeqet e Sulit u pushtuan Samueli refuzoi të dorëzohet, dhe vendi kur ishte duke u pushtuar, një magazë e barotit qëllimisht u hodh në ajër, me ç’rast u likuiduan shumë miq dhe vetë Samueli[21]. I biri i Ali Pashës, Muhtar beu i cili komandonte forcat rrethuese u dha Suliotëve besën e ushtarit se do të liheshin të lirë të shkonin me gjithë familjet e tyre në Parg të detit Jon, por Ali Pasha e shkeli premtimin dhe masakroi Suliotët ndërsa po shkonin në Pargë, dhe po atëher kur më nuk ishin në gjendje të mbronin vehten[22]. Në tri ditë lufte u vranë 200 suliotë. U zunë të gjallë 55 veta, disa prej tyre të plagosur. Gratë kishin parë që nga manastiri Vasternicë fundin e burrave. Kur pushoi çdo krismë, gratë nisën krujën, u ngrit një ulërimë e madhe e shpirtit, që i ndali në vend ushtarët e nisur drejtë manastirit. Prej andej doli një varg i gjatë me 174 gra. Vargu i grave u drejtua nga shkëmbi dhe qëndroi grumbull reth tij. E para doli në majë Dhespoja, tundi shaminë dhe u hodh në humnerën e lumit. Pas saj tundi shaminë dhe u hodh Leni Boçari, e përcjellë nga klithma e përbashkët e grave. Tundja e shamive të bardha dhe përcjellja me klithmat e përbashkëta krijuan legjendën e “vallës së Zalonjës”. Ushtarët kishin mbetur të shtangur[23].

         Faktori kryesor që ndikoi në rezistencën e armatosur që i bënë Ali pashës banorët e krahinës malore të Sulit, nuk ishte sepse ata ishin të krishterë. Arsyeja ka të bëjë me natyrën luftarake të fiseve të kësaj krahine, çka është karakteristikë e të gjitha fiseve malësore, me shpirtin e ashpër, por krenar, dhe me dëshirën për të jetuar të lirë. Aliu nuk e kishte për zakon të përndiqte njerëzit për shkak të besimit fetar.

        William Plomeri thotë se Ali Pashë Tepelena nuk karakterizohej nga ndonjë ndjenjë fanatizmi fetar, ishte mysliman me myslimanët, bektashi me bektashinjë dhe i krishterë me të krishterët; ashtu siç vazhdimisht ngrinte dolli për shëndetin e Shën-Mërisë, ashtu dhe mbante të varur në qafë një simbol të falur nga një dervish; këto thuhet se i bënte në

     mënyrë të hapur[24]. Nuk është e qartë se deri në  ç’masë  Aliu besonte tek Zoti. Kurse, W. M. Liku, i cili ishte nënkolonel i artilerisë në Angli, pastaj i ngarkuar me mision në Shqipëri dhe që qëndroi një kohë pranë Ali Pashës[25], vënte në dukje faktin se Aliu pinte verë  haptazi.  Por edhe sipas shumë tregimeve tjera, ai vërtet pinte verë, edhe pse me masë[26]. Megjithatë pati të tillë të cilët luftën e Aliut kundër suliotëve e shihnin nga

këndëvështrimi fetarë. Haxhi Shereti, për shembull, në mënyr fare konvencionale, paraqet luftën e Aliut kundër suljotëve si një luftë fetare, duke iu referuar rebelëve ortodoksë si “din dushman” (armiq feje)[27]. Aliu prirej të ishte më i rrept në praktikat fetare kur ishte për vizitë në territoret shqiptare ku kishte kaluar rininë e tij, ndërsa në mënyr të veçantë tregonte interes për besimin fetar vetëm kur mendonte se mund të nxirte ndonjë përfitim politik. Ndërsa Uliam Mileri në librin e tij “Perandoria Osmane” thotë se Aliu njihej për “shkatërrimin e paanshëm si të bashkësisë së krishterë ashtu edhe asaj muhamedane”.  

          Por pavarësisht nga ajo që kemi shenuar në fillim të këtij shkrimi për prejardhjen e familjes së Aliut, e cila “rjedh nga familja e një dervishi i quajtur Nazif të ardhur nga Anadolli” të  cilën na paraqet  Sylejman Gylqe, dhe pavarësisht nga ajo se defterët, korespodencat administrative si dhe shkresat e instancave më të larta që shkruheshin më një gjuhë të rëndë greke që mund ta kuptonte vetëm ai[28], si dhe të  dhënat që na ofrohen lidhur me konvertimin e familjes së  Aliut nga krishterimi në islam dhe anasjelltas, ai, para se gjithash vehten e ndiente shqiptarë, e pastaj të tjerat vinin në rradhë.

     Se në ç’mas kishte Aliu armiqësi dhe urrejtje të thellë ndaj suljotëve na tregon një ekspert ushtarak në artileri dhe avanturier i madh, i cili përkundër dëshirës qëndroi tre vite me rradhë (1816-1819) pranë Ali Pashë Tepelenës në Janinë, ku pati rast të shohë vuajtjet, peripecitë dhe përleshjet e ndryshme të disa njësive të armatës frënge me atë     të Pashait. Në veprën e tij  “Kujtime nga Greqia dhe Shqipëria” e paraqet Ali Pashë Tepelenën si njeri të pa shpirtë gjakëpirës dhe satrap. Ky ishte hebreu Samson Cerfler de Mendelsheim, identiteti i të cilit është i dyshimtë, sepse ka vende ku shkruhet për te se ishte franqez dhe që quhej Besjer, por edhe se ishte i konvertuar në fenë islame  me emrin Ibrahim Manzour-Efendi[29].

     Manzur efendiu në kujtimet e veta, në mes tjerash ku bëhet  fjalë  për suljotë  na hedh një notë reale tragjike, me ç’rast na përshkruan fundin e jetës së Emines gruas së Aliut. Ai thotë: “Duke paraparë fatkeqsitë që do të ngjasin me rrëzimin e Sulit, Emineja, shoqe e Aliut dhe mëma e Muhtar dhe Veliut, vete dhe i lutet të shoqit që të jetë shpirtmadh, i mëshirshëm. Duke dëgjuar fjalën Sul dhe suljotë, Ali Pasha egërsohet dhe qëllon me kobure mbi të shoqen; Emineja nuk u plagos, por ra e mekur;  shërbëtoret e heqin në haremllëk, po Aliu ka remorde (brerje ndërgjegjës), ka frikë se mos e vrau dhe kërkon që ta shohë; gratë trëmben dhe mbyllin derën; Aliu e thyen dhe rend në odën që ndodhet Emineja; kjo tmerrohet duke kujtuar se vjen ta therë, e zënë konvulsionet (ngërqet Sh. V.) dhe atë natë vdes. Aliu këtë pamje, këtë kujtim se paska harruar kurrë, natën shpesh here i shfaqesh hija e së shoqes dhe me lebeti thirkesh: Ime shoqe, ime shoqe, po më shikon! Edhe dhjetë vjet pas kësaj ngjarjeje satrapi nuk guxuakesh të flerë vetëm në një odë”[30].

[11] “ZËRI”, 18 mars 2000 fq18, e shtunë.

[12] Nexhip P. Allpan - Nexhip Kaçi, “Shqiptarët në Perandorinë Osmane”, fq. 48.

[13] T. Zavallani…..fq.157.

[14] Katherine E. Flemming, “BONAPARTI MUSLIMAN-diplomacia dhe orientalizmi në Greqinë e Ali Pashës”,fq.54.

[15] Dr. Shkëlzen Raça, “Marrëdhëniet Shqiptaro-greke 1829-1881, fq.127.

[16] “Bonaparti musl….fq.90.

[17] Vep. e cit… Fq.91. Dr. Sh. Raça,vep. e cit..fq52

[18] Ismail Qemal Vlora, “KUJTIME”, fq.31. Kjo shkollë e famshme ishte një fondacion i katër vëllezërve Zosimea, të cilët pasi kishin patur fat në Rusi, vendosen të mos martoheshin dhe të përdornin pasurin e tyre të përbashkët për institucionimin e shkollës që ishte një nga qendrat më të shkëlqyera të edukimit në rajon.

[19] Mehdi Frashëri, “Problemet Shqiptare”, fq.48. Dr. Muhamet Pirraku, “Kultura Kombëtare Shqiptare Deri Në Lidhjen e Prizrenit”, fq. 276.

[20] “Bonaparti musliman….” Fq. 65-66.

[21] Sir Edwin Pears; “Turqia dhe popullsia e saj”. Në kapitullin e pestë të këtij libri flitet për historinë e shqiptarëve që nga koha  më e vjetër deri në dhjetëvjetshin e parë të shek. XX, më gjerësisht për këtë shih në “Gjurmime Albanologjike-seria e shkencave historike 14-1984”, fq.207.

[22] T. Zavallani vep. e cit…fq152.

[23] Sabri Godo; “Ali Pashe Tepelena”, fq.144, bot. 1993; Dr. Drira Bakija-Gunga; “Kontributi i grave në qëndresën e popullit shqiptar kundër pushtuesve osmanë në shek.XV-XIX” në Kosova,22-23, fq.80; dhe  “Historia e Popullit Shqiptqr” I fq.428, viti bot. 1967.

[24] N. Bozbora, “Shqipëria dhe naci…..” fq106.

[25] Lumo Skendo (Mithad Frashëri), “Udhëtarët e huaj në Shqipëri-gjer në fund të shek.XIX”fq. 110. Libri u përgatit për botim nga Luan Malltezi dhe Sherif Delvina.

[26] Bonaparti Musli…fq.199-200.

[27] Haxhi Shereti; “Jeta e Ali Pashës”. Teksti i plotë i biografisë në varxhe të Haxhi Sheretit mbi Aliun gjendet në Bibliotekën Kombëtare të Greqisë në Athinë, më gjerësisht për këtë shih në veprën e cituar Bonaparti Musl….fq.55 dhe 200.

[28] Sami Frashëri: Vepra 9, “Personalitetet shqiptare në Kamus Al-A’lam, fq. 47 në përkthim të Mehdi Polisi.

[29] Dr. Veli Veliu; “SHQIPTARËT-sipas udhëpërshkruesve friëgë të shek. XIX”, fq.161; T Zavallani në vep. e cit…fq.156 dhe  Bonaparti Musl. .fq. 201.

[30] Lumo Skendo; në veprën e cituar më lart fq.104.[11] “ZËRI”, 18 mars 2000 fq18, e shtunë.

[12] Nexhip P. Allpan - Nexhip Kaçi, “Shqiptarët në Perandorinë Osmane”, fq. 48.

[13] T. Zavallani…..fq.157.

[14] Katherine E. Flemming, “BONAPARTI MUSLIMAN-diplomacia dhe orientalizmi në Greqinë e Ali Pashës”,fq.54.

[15] Dr. Shkëlzen Raça, “Marrëdhëniet Shqiptaro-greke 1829-1881, fq.127.

[16] “Bonaparti musl….fq.90.

[17] Vep. e cit… Fq.91. Dr. Sh. Raça,vep. e cit..fq52

[18] Ismail Qemal Vlora, “KUJTIME”, fq.31. Kjo shkollë e famshme ishte një fondacion i katër vëllezërve Zosimea, të cilët pasi kishin patur fat në Rusi, vendosen të mos martoheshin dhe të përdornin pasurin e tyre të përbashkët për institucionimin e shkollës që ishte një nga qendrat më të shkëlqyera të edukimit në rajon.

[19] Mehdi Frashëri, “Problemet Shqiptare”, fq.48. Dr. Muhamet Pirraku, “Kultura Kombëtare Shqiptare Deri Në Lidhjen e Prizrenit”, fq. 276.

[20] “Bonaparti musliman….” Fq. 65-66.

[21] Sir Edwin Pears; “Turqia dhe popullsia e saj”. Në kapitullin e pestë të këtij libri flitet për historinë e shqiptarëve që nga koha  më e vjetër deri në dhjetëvjetshin e parë të shek. XX, më gjerësisht për këtë shih në “Gjurmime Albanologjike-seria e shkencave historike 14-1984”, fq.207.

[22] T. Zavallani vep. e cit…fq152.

[23] Sabri Godo; “Ali Pashe Tepelena”, fq.144, bot. 1993; Dr. Drira Bakija-Gunga; “Kontributi i grave në qëndresën e popullit shqiptar kundër pushtuesve osmanë në shek.XV-XIX” në Kosova,22-23, fq.80; dhe  “Historia e Popullit Shqiptqr” I fq.428, viti bot. 1967.

[24] N. Bozbora, “Shqipëria dhe naci…..” fq106.

[25] Lumo Skendo (Mithad Frashëri), “Udhëtarët e huaj në Shqipëri-gjer në fund të shek.XIX”fq. 110. Libri u përgatit për botim nga Luan Malltezi dhe Sherif Delvina.

[26] Bonaparti Musli…fq.199-200.

[27] Haxhi Shereti; “Jeta e Ali Pashës”. Teksti i plotë i biografisë në varxhe të Haxhi Sheretit mbi Aliun gjendet në Bibliotekën Kombëtare të Greqisë në Athinë, më gjerësisht për këtë shih në veprën e cituar Bonaparti Musl….fq.55 dhe 200.

[28] Sami Frashëri: Vepra 9, “Personalitetet shqiptare në Kamus Al-A’lam, fq. 47 në përkthim të Mehdi Polisi.

[29] Dr. Veli Veliu; “SHQIPTARËT-sipas udhëpërshkruesve friëgë të shek. XIX”, fq.161; T Zavallani në vep. e cit…fq.156 dhe  Bonaparti Musl. .fq. 201.

[30] Lumo Skendo; në veprën e cituar më lart fq.104.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora