Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sistemi elektronik i zgjedhjeve - Unikat në botë - Mund të dërgohet si dhuratë e Demokracisë në Kosovë

| E enjte, 20.09.2007, 01:40 AM |


DELEGACIONI I NDËRMARRJES PËR DIPLOMACI E PROJEKTE NDËRKOMBËTARE “DIPROJINT” VIZITOI GJYKATËN RAJONALE ELEKTORALE TË SHTETIT MINAS GERAIS, NË BELO HORIZONTE

SISTEMI ELEKTRONIK I ZGJEDHJEVE – UNIKAT NË BOTË – MUND TË DËRGOHET SI DHURATË E DEMOKRACISË NË KOSOVË

Drejtori ekzekutiv i Shkollës Gjyqësore Elektorale – Juiz Paulo de Tarso Tamburini Souza, me bashkëpunëtorët, i ka njoftuar mysafirët me sistemin elektoral elektronik, që është unikat në botë, si garanci e demokracisë së vërtetë, ku secili votues është i sigurtë për regjistrimin e menjëhershëm në sistemin kompjuterik të votës së tij, që garanton pamundësinë e manipulimit të zgjedhjeve. Drejtori i projekteve internacionale DIPROJINT-it – Engjëll Koliqi, ka shprehur dëshirën për bartjen e këtij sistemi zgjedhor në Kosovë, kërkesë kjo e pranuar menjëherë nga Drejtori Tamburini, i cili ka shprehur gatishmërinë ta vizitojë sa më parë Kosovën dhe të jetë atje vëzhgues i zgjedhjeve të 17 nëntorit.

Shkruan: Caio WERNECK

Drejtori ekzekutiv i Shkollës Gjyqësore Elektorale – Juiz Paulo de Tarso Tamburini Souza duke i shpjeguar Engjëll Koliqit sistemin elektronik të zgjedhjeve
Belo Horizonte, 20 shtator 2007. – Në fillim të kësaj jave, delegacioni i Ndërmarrjes për Diplomaci e Projekte Ndërkombëtare DIPROJINT, i përbërë nga: presidentja – Dr Vera Lucia Alves Neves, nga drejtoresha e përgjithshme - Esmeralda de Carvalho Castro dhe nga drejtori i projekteve ndërkombëtare – Engjëll Koliqi, e në shoqërinë e drejtuesit të Ndërmarrjes për tregti ndërkombëtare CONSULTORIA V3 – Rodrigo Oliviera dhe studentit të së drejtës ndërkombëtare, në universitetin UNI -  Raphael Fernandes Vieira Moreira Gonzaga, ka vizituar Gjykatën Rajonale të Shtetit të Minas Gerais-it, në Belo Horizonte. Ata i ka pritur drejtori ekzekutiv i Shkollës Gjyqësore Elektorale – Juiz Paulo de Tarso Tamburini Souza, me bashkëpunëtorët: Elizabeth Rezende Barra – koordinatore e Kursit të së Drejtës Elektorale, Cibelle Vieira Barbosa – teknike gjyqësore e Asesorisë Juridike, në qendrën analitike elektorale, dhe të tjerë.
Mysafirët janë njoftuar gjerësisht me historikun dhe mbarvajtjen e këtij procesi, që ky sistem zgjedhor elektronik - unikat në botë, ka bërë që mbi 125 milionë zgjedhës brazilianë të ndjehen të qetë dhe të sigurtë, kur ata votojnë për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në pushtet, qoftë në pushtetin qendror federativ, qoftë në pushtetin shtetëror rajonal e lokal. Veç këtyre shpjegimeve, nga ana e Drejtorit Tamburini, mysafirët kanë parë edhe praktikisht aparaturat kompjuterike, si komponente bazë e këtij sistemi zgjedhor.
Mysafirët, sidomos Engjëll Koliqi, kanë mbetur shumë të kënaqur me këtë vizitë, duke veçuar sidomos ekspozimin praktik të votimit elektronik. Me demonstrimin që është bërë për ta, mysafirët janë bindur se me këtë sistem zgjedhjesh, është i pamundur manipulimi i votave. Z. Koliqi ka ftuar Drejtorin Tamburini që të vizitojë Kosovën dhe të mbaj atje disa ligjërata, me ç’rast do të njoftoheshin për së afërti ekspertët dhe organizatorët vendorë dhe ndërkombëtarë të zgjedhjeve, me këtë sistem elektronik të zgjedhjeve, me sigurinë dhe me garancinë e pamundësisë së manipulimeve. Do të ishte ky hapi më i madh i zbatimit të një demokracie të mirëfilltë në Kosovën e trazuar, që ende po valëvitet turbullirave, me batica e zbatica që shkaktohen nga kryqëzimet e interesave të ndryshme të faktorëve ndërkombëtarë, që po diktojnë politikat, mjerisht ende diskriminuese mbi shumë popuj të botës.
Mikpritësi, jo vetëm që ka pranuar me kënaqësi ftesën për të vizituar Kosovën, por edhe ka premtuar ndihma konkrete për mundësimin e zbatimit praktit të sistemit zgjedhor elektronik në Kosovë. Ai ka thënë se nëse Kosova vendos për zbatimin e këtij sistemi, Brazili, pikërisht shteti Minas Gerais, do të jetë ai që do të furnizojë këtë vend të vogël ballkanik, mik i shtetit tonë, me të gjithë aparaturën e nevojshme për zbatimin e këtij sistemi. Edhe gjatë përshëndetjes, më i theksuari ka qenë urimi: mirupafshim sa më parë në Kosovë. Përveç vizitës që së shpejti do t’ia bëjë shtetit më të ri ballkanik, në pritje të njohjes ndërkombëtare të pavarësisë, është kuptuar se nga vendi ynë ka interesim edhe për dërgimin e një grupi vëzhguesish, në zgjedhjet e 17 nëntorit, udhëhequr nga vetë Drejtori Tamburini, natyrisht nëse për këtë mbërrin një ftesë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Prishtinë.