Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bashkësia Budiste Soka Gakkai interesohet të jetë pjesë e proceseve dhe ndërmarrjeve të paqes në Kosovë

| E premte, 21.09.2007, 01:24 AM |


DELEGACIONI I NDËRMARRJES PËR DIPLOMACI DHE PROJEKTE NDËRKOMBËTARE “DIPROJINT” KA VIZITUAR SELINË MINEIRE TË BASHKËSISË BUDISTE BRAZILIANE NË BELO HORIZONTE:

BASHKËSIA BUDISTE SOKA GAKKAI INTERESOHET TË JETË PJESË E PROCESEVE DHE NDËRMARRJEVE TË PAQES NË KOSOVË

Mikpritësit kanë shprehur kënaqësi të posaçme për praninë në lokalet e Qendrës së tyre të një përfaqësuesi nga Kosova, nga toka e një shenjtëreshe që mbarë bota e njohu si nënë – nga toka e Nënës Tereze. Paulo Henrique Carneiro – përgjegjësi i selisë së Qendrës Ndërkombëtare të Bashkësisë Budiste SOKA GAKKAI të Brazilit, në Belo Horizonte, i ka shprehur Engjëll Koliqit interesimin e shtrirjes edhe në Kosovë të kësaj bashkësie, që tashmë është në 190 vende të botës. Ai gjithashtu ka thënë se kjo bashkësi nuk do të mungojë në implementimin e Sheshit të Paqes “Nëna Tereze”, në Hajvali të Prishtinës, ku do ndërtohet një qendër botërore e ndërtimit dhe gjetjes së metodave të aplikimit të paqes.

Shkruan: Caio WERNECK
 

Engjëll Koliqi gjatë bisedës me mikpritësin Paulo Henrique Carneiro
Belo Horizonte, 21 shtator 2007. – Edhe kësaj radhe, si zakonisht në këtë periudhë kohore – në cilësinë e ndërmjetësuesit në bashkëpunimin Brazil-Kosovë, delegacioni i Ndërmarrjes për Diplomaci e Projekte Ndërkombëtare DIPROJINT, që të ditë më parë vizitoi selinë mineire të Bashkësisë Ndërkombëtare Budiste SOKA GAKKAI, në kryeqytet, ishte i përbërë nga: presidentja – Dr Vera Lucia Alves Neves dhe nga drejtori i projekteve ndërkombëtare – Engjëll Koliqi. Ata në selinë mineire të Bashkësisë Ndërkombëtare Budiste Braziliane, janë pritur nga: Paulo Henrique Carneiro – përgjegjës i kësaj bashkësie në shtetin Minas Gerais, me bashkëshorten Zuleika Carneiro (gjithashtu funkcionare e lartë e kësaj bashkësie – koordinatore e kësaj selie), këshilltarët e selisë metropolitane të Belo Horizonte-s – Atsushi Fusazaki e Neusa Fusazaki, përgjegjësit e marrëdhënieve publike – Carlos Henrique Ferreira, me bashkëshorten Geralda Silva Ferreira, Thomaz Mata Machado, Valéria Ajvim, etj.
 
Mikpritësit kishin organizuar një pritje madhështore për delegacionin e DIPROJINT-it, duke shprehur sidomos interesimin e bashkëpunimit dhe të shtrirjes së Bashkësisë Budiste Ndërkombëtare edhe në Kosovë, meqë ajo tash është e pranishme në mbi 190 vende anemban botës. I zoti i shtëpisë – Paulo Henrique Carneiro, duke folur për zhvillimin historik të kësaj bashkësie ndërkombëtare të budistëve (SOKA GAKKAI), ka theksuar rolin e pamohueshëm dhe të pazëvendësueshëm të presidentit aktual, që si president i tretë i radhës, në krye të kësaj bashkësie qëndron plot 60 vjet – DAISAKU IKEDA, i cili veç tjerash është i mirënjohur edhe për faktin se për çdo vit i dërgon OKB-së nga një mesazh për paqen botërore. Ai, duke folur për veprimtaritë e bujshme të kësaj bashkësie, që mysafirët i kanë parë edhe të shkruara e edhe në një ekspozitë të bukur fotografishë, u ka thënë të pranishmëve se kjo bashkësi ndërkombëtare budiste tashmë ka shtrirë veprimtarinë e saj në mbi 190 vende të botës. Shumë nga veprimtaritë e kësaj bashkësie janë shikuar edhe përmes ekranit televiziv, nga një DVD speciale. Edhe mikpritësit kanë pasur rastin të shohin një DVD mbi veprimtaritë e Engjëll Koliqit – si veprimtar i mirënjohur i Kosovës dhe si shkrimtar shumë i kërkuar në vendin tonë.

Mysafiri nga Kosova ua ka shpjeguar mikpritësve të gjitha sfidat e mëdha, me të cilat po përballet populli i Kosovës, ende në pritje të njohjes ndërkombëtare të pavarësisë dhe të sovranitetit shtetëror. Duke folur për popullin e tij, Z. Koliqi ka thënë se mburret me tolerancën shembullore ndërfetare, me të cilën populli shqiptar është shembulli më i mirë në botë, bashkë me popullin brazilian, ku besimtarë të shumë besimeve jetojnë në harmoni të plotë midis tyre. Ai ka thënë se mburret që vjen nga ky popull ka lind edhe shenjtëresha e dashurisë – Nëna Tereze, e cila u njoh si nënë e të sëmuarve dhe të varfërve të mbarë botës. Ai i ka njoftuar mikpritësit edhe me projektin madhor “Sheshi i Paqes – Nëna Tereze”, që duhet të ngritet në Hajvali të Prishtinës, ku do ndërtohet një qendër botërore e paqes, gurthemelin e së cilës e ka vënë ish Presidenti Rugova para  katër vjetësh, por që në mungesë mjetesh financiare ende nuk ka filluar ndërtimi, pos rrethimit të truallit 20 hektarësh, që Komuna e Prishtinës e ka dhuruar për këtë projekt. Mikpritësi ka shprehur interesimin e Bashkësisë Ndërkombëtare Budiste që të shtrijë veprimtarinë e vet edhe në Kosovë e poashtu ka premtuar edhe pjesëmarrjen aktive në ndërtimin e Sheshit të Paqes, sepse siç ka thënë Ai – parim kryesor i budizmit është paqja, toleranca e harmoinia ndërmjet njerëzve. Z. Koliqi e ka mirëpritur këtë gatishmëri dhe i ka siguruar mikpritësit se Kosova është e hapur për të gjithë dhe mirëpret çdo nismë vullnetmirë në dobi të paqes, të tolerancës dhe të harmonisë midis njerëzve. Ai ka thënë se toka e Nënës Tereze meriton të jetë kryekuvendi botëror i të gjitha marrëveshjeve paqësore, sepse kjo Nënë e botës mbarë tashmë është e njohur edhe si Shenjtëresha e Paqes dhe e Dashurisë. Z. Paulo Henrique Carneiro ka shprehur dëshirën e tij që të vizitojë sa më parë Kosovën, kurse mysafiri kosovar i kam premtuar atij një ftesë dhe i ka dëshiruar mirëseardhje sa më parë në vendin e tij.