E shtune, 20.04.2024, 04:29 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Shevki Sh. Voca: Ali Pashë Tepelena - Politikani, diplomati dhe ushtaraku i vetëformuar (I)

E marte, 15.09.2009, 04:40 PM


ALI PASHË TEPELENA-POLITIKANI DIPLOMATI DHE USHTARAKU I VETËFORMUAR 

(I)

Nga Shevki Sh. Voca

Qyteti i Tepelenës ngrihet mbi bregun e majtë të lumit të Vjosës, rreth 3 km më tej nga bashkimi me Drinosin, mbi një ngritje shkëmbore ndërmjet rrjedhës kryesore të lumit dhe përroit të Bënçës nga Kurveleshi i Sipërm. Në antikitet mali mbi lumë njihej me emrin Aeropus. Emri i Tepelenës ka prejardhje turke që don të thotë Kodra e Helenës, sepse sipas legjendës vendi dikur kishte pasur besëlidhje me fshatrat fqinje të Damësit e të Dragotit nën mbretëreshën vendëse, të quajtur Helena. Në afërsi të saj është gjetur një kështjellë e shek. IV-VI. Në vitin 1789 ajo u mor nga Ali Pashë Tepelena, ku ngriti sarajet e veta. Pashai  aty ndërtoi një kështjellë, me tri hyrje dhe tri kulla, në një sipërfaqe prej mbi 4 hektarë.

             “Origjina e familjes së Ali Pashës, sipas Sylejman Gylqes (shqiptar i lindur në Shkup më 1884, vdes në Stamboll 1955, ushtarak dhe bashkëkohanik i Mustafa Kemalit), ishte nga turqit e Anadollit e cila vinte nga familja e një dervishi mevlevi (sekt fetare islame pasues të Xhelaledin Rumiut, vërej. Sh. V.), të quajtur Nazif, i cili katër-pesë breza më parë kishte një qendër Mevlevi në qytetin e Kytahjas në Anadoll dhe më pas, kishte emigru në Ballkan. Ndërsa për gjyshin e Ali pashës, Gylqe thotë se quhet Muhtar bej, i cili  ishte myteselim i Tepelenës dhe që  kishte ra dëshmor në një fushatë ushtarake gjatë kohës kur ktryeministër i Perandorisë Osmane ishte Damat Ali Pasha, kurse për Veliun, babën e Aliut,  thotë se ishte nga paria e Tepelenës”[1]. Është interesant  që me këtë rast në lidhje me prejardhjen dhe origjinën e familjeve të mëdha shqiptare  t’i referohemi kujtimeve të veprimtarit dhe diplomatit të shquar shqiptar Eqrem bej Vlorës, i cili thotë: “Gojëdhënat për zanafillën e pothuaj të gjitha <shtëpive të mëdha> shqiptare janë një përzierje e legjendës me të vërtetën. Dhe se ç’përqindje të vërtetë ka legjenda, kjo është vështirë të thuhet. Por për mendimin tim, vazhdon më tutje Eqrem bej Vlora, në Shqipëri  ku populli dhe traditat e tij nuk janë prekur nga ndikime të tjera të huaja në atë masë sa edhe në vendet e përparuara, atyre u duhet dhënë një rëndësi më e madhe, aq më tepër që burimet historike  janë të kursyera dhe të pasakta. Historianët osmanë dhe arkiva e tyre  shtetërore i përmendin emrat e parë të shtëpive të mëdha vetëm atëhere kur ata kishin hyrë në historinë e sundimit osman, por edhe atëherë vetëm me emrin (e parë) dhe me titullin që u përket. Për të kaluarën e tyre, sidomos kur ata kishin qenë të krishterë, ato nuk flasin fare ose flasin shumë rrallë” [2].

    Veli bej Tepelena me gruan e dytë Hankon e cila ishte nga Konica, kishte dy fëmijë; djalin Aliun dhe vajzën Shanise.

Babai i Veliut la pas tre djem. Veliu ishte djali i tretë dhe më i vogli, të cilin të mëdhenjtë e lanë pa trashëgimi, prandaj Veli beu ishte i shtrënguar të merret me hajdutëri. Pasi u  pasurua dhe u përforcua në këtë mënyrë, me shokët e tij u kthye në Tepelenë. Vëllezërit e tij i dogji në shtëpin e tyre. Pas këtij rasti bejlerët e Tepelenës morën qëndrim të prerë që këtë ta bojkotojnë dhe ta dëbojnë nga krahina e tyre. Në vitin 1753 Veli beu u vra nga përfaqësuesit e një familjeje rivale. Aliu mbeti shumë i ri pa njërin prind. Nëna, Hanko ishte një grua trime, energjike dhe mjaftë e ashpër. Ajo për t’iu revanshuar bejlerëve të Tepelenës bëri marrëveshje me ish shokët e ngushtë të bashkëshortit, kurse fëmijën e saj, Aliun, që nga vegjëlia e mësonte për hakmarrje, urrejtje dhe ashpërsi ndaj armikut. Bejlerët e kasabasë së Kardhiqit, e cila i takonte Gjirokastrës kishin bërë shpifje për prishje të moralit ndaj nënës dhe motrës së Aliut. Hankoja, kur ishte edhe duke vdekur, Aliun e  porositi që të mos harojë për hakmerrjen ndaj kardhiqasve, ashtu që e gjithë jeta dhe karriera e Aliut ishte dhe një hakmarrja e tij. Më vonë dot bëjmë fjalë se në ç’mënyrë Aliu kreu porosin e së ëmës për t’u hakmar ndaj Kardhiqiotve.

      Data e saktë e lindjes së Ali Pashës nuk dihet; llogaritjet që janë shkruar deri më tani sillen nga viti 1732, 1740, 1741,1743, 1744, dhe1750. Por të gjitha burimet dëshmojnë se ka lindur në një familje fisnike myslimane shqiptare. Aliu lindi në fshatin Beçisht të Tepelenës,(dikun shkruan Kashisht të Tepelenës). Është një nga figurat më madhore dhe më komplekse të kombit shqiptar. “Ndoshta  është shqiptari më i famshëm i të gjithë periudhës osmane” [3]. Ali Pashë Tepelena kishte vazhduar rrugën e prindërve të vet, duke e filluar karrjerën e tij si kryetar i një bande hajdutësh që vepronte sidomos në Thesali dhe anës maleve të Pindit. Këto krahina administroheshin nga pashallëku i Beratit që kishte në krye Kurt Pashën. Një dit prej ditve Aliu arrestohet dhe sillet në Berat. Kurt Pashës i banë përshtypje bukurija mashkullore e djaloshit hajdut, mendja e tij e shkathët dhe zotësija në të folun. Prandaj,ai e amneston  dhe vendos me  mbajtë në konak si trim të rojës së tij personale. Aliut iu rrit mendja dhe një ditë muer guximin me kërkue për grue të bijën e Pashait. Mirëpo kërkesa e tij u refuzua dhe vajza u martua me Ibrahim Pashën e Vlorës. Kjo martesë e goditi Aliun si një thikë në zemër dhe ai ndjeu një urrejtje të pashuejtëshme kundër rivalit të tij më të lumtur. Rasti i parë që iu paraqit Aliut, ai, u arratis nga Berati dhe u bashkua me bandën e hajdutve. Kurt Pasha i zemruar dha urdhër që dezertori të shtihej në dorë, i gjallë apo i vdekur. Aliu gjeti strehim te Kapllan Pasha i Delvinës. Nëna i Aliut që vëzhgonte me kujdes çdo hap të tij e rregulloi martesën e Aliut me Gjylsymen, ( ndryshe Gjylsymen e quanin Emine) të bijën e Kapllan Pashës.Martesa u celebrua me salltanet të madh, Aliu asokohe i kishte 24 vjet [4].    

    Deri në moshën 25 vjeçare Aliu jetoi së bashku me të ëmën larg vendlindjes; më pas, me nxitjen edhe të së ëmës, ai u fut në rradhët e çetave në zonën e Tepelenës. Me një zemër luani që nuk dinte se ç’është frika dhe me një talent ushtarak të jashtëzakonshëm, pra falë aftësive të veta, ai brenda një kohe të shkurtë u bë lider i njërës prej çetave të asaj zone.

          Aliu për gati 20 vjet (18), bëri një jetë kaçaku. Ai sulmonte dhe plaçkite fshatra e karavane në Shqipëri dhe Greçi. Pastaj filloi të ndërhynte në grindjet feudale, duke e mbajtur anën e Portës së Lartë. Ai vazhdimisht organizonte bastisje dhe inkursione

plaçkitëse kundër rivalëve të tij. Duke ndërhyrë dhe në konfliktet lokale të pronarëve të mëdhenj të tokave, ai tërhoqi vëmendjen e sulltanit dhe popullsisë vendase. Për këtë në vitin 1785 sulltani i dha atij titullin e pashait dhe e caktoi në detyrën e mytesarifit të Delvinës [5]. Pas pak kohe  Aliu u transferue në sanxhakun e Tërhallës për të vendosur atje qetësinë e tronditur, ku më 1786 muerr përsipër postin e mytesarifit të sanxhakut të Tërhallës [6]. Një pozitë e tillë i hapi rrugën që të përdorte kompetencat për të vënë rregull dhe disciplinë në këtë rajon. Meqenëse brenda një kohe të shkurtër u tregua i suksesshëm në detyrën e tij, më 1787, u shpërblye nga sulltani duke i dhënë postin e dervenpashës së krahinave të Toskërisë dhe Thesalisë[7].Për Ali Pashën hyrja në shërbim të sulltanit ishte vetëm një shteg për të prue në vend ambicjet e jetës së tij. Tri gjana ishin që e shtynin me veprue: “Dëshira për me kriju pasuri, lakmija e pushtetit dhe pasijoni i hakmarrjes”[8], Ambicja e tij shtohej me suksesin, dhe kishte ditë kur Ali Tepelena ëndronte me u bë sundimtar i pamvarun i Shqipërisë dhe i një pjese të Greqisë.

Pushtimi i Janinës

Një qendër për të cilën pati shumë rivalitet e luftë ndërmjet familjeve feudale shqiptare ishte qyteti i Janinës, ku pjesa më e madhe e popullsisë ishte shqiptare. Janina aso kohe ishte një kaza e pasur dhe e zhvilluar, që konsiderohej qytet shumë i rëndësishëm për shkak të marrëdhënieve tregtare që kishte me Evropën. Në këtë kaza ishte krijua një rivalitet i madh mes disa familjeve të fuqishme të cilët pretendonin që secila për veti të vendosë kontrollin mbi te. Ambienti i tensionuar i krijuar në këtë kaza i dha mundësi Ali pashës që t’i kërkojë zyrtarisht sulltanit ta emëronte atë në këtë detyrë, duke  shfrytzuar si pretekst pakënaqësinë e popullsisë lokale ndaj valiut, Izet Pashës. Meqenëse sulltani nuk i ktheu asnjë përgjigje, Aliu marshoi në Janinë kundër Izet Pashës, dhe e shtiu në dorë me dhunë më 1788, që e forcoi dhe e rriti nga Preveza deri në lumin

Shkumbin[9]. Në këtë kohë sulltani, duke marrë parasyshë kushtet e luftës me Austrinë dhe Rusinë, u detyrua ta mirratojë marrjen e Janinës prej tij. Pas kësaj Ali Pasha e emëroi të birin e vetë Veliun si mytesarif të Tërhallës.

    Ekziston edhe versioni tjetër në lidhje me pushtimin e Janinës nga Ali pashë Tepelena të cilën ne për këtë rast dota paraqesim, me çrast  sërish i referohemi librit të cituar më lart të Eqrem bej Vlorës:  “Ali pashë Tepelena ishte sanxhakbej i Tërhallës dhe njëherësh i ngarkuari për sigurinë e rrugëve dhe të qafave në Ballkanin Jugperëndimor.

Ai shfrytëzoi vjegën e trazirave në sanxhakun e Janinës, erdhi me një fuqi mjaft të madhe ushtarake në Perama (fshat në bregun lindor të liqenit të Janinës) duke thënë se ka për detyrë të rivendosë rendin. Përballë këtij rreziku bejlerët e shtëpisë së Asllan Pashalive (i pari i dinastisë së pashalive quhej Asllan Pasha, që sunduan në Janinë prej viti 1590-1786) u bashkuan dhe nga rradhët e tyre zgjedhin Asim beun, një djalë të ri dhe energjik, për komandant të trupave që duhej të mbronin Janinën. Mirëpo Ali pasha nuk ishte nga ata që tremben prej mburrjeve të një çunaku. Ndodhi një përleshje e përgjakshme, u vranë disa njerëz, por problemi mbeti i pa zgjidhur. Ali pasha nuk donte të futej me forcë në qytet, për të mos armiqësuar me banorët. Ai qëndroi në kamp dhe ndërkaq u mur vesh me të bijën e Tahir Pashës, gruan e ndarë të Ahmet beut (të dy nga dera e Asllan-Pashalive), që e kishte pallatin brenda kështjellës dhe që prej kohësh e shihte me simpati dhe admirim Ali Pashën. Ai i premtoi asaj ta marrë për grua, në rast se ajo e hap portën e kështjellës. Pasi u bë ujdia, një natë, Ali pasha, i shoqëruar nga disa besnikë të tij, kaloi liqenin dhe u ndodh para kështjellës: u hap një derë anësore dhe të gjithë hynë në pallatin e Zeliha hanëmit, ku, në praninë e një hoxhe, u lidh akti i martesës. Po atë natë Ali pashë Tepelena u kthye në kampin e vet, por tanimë si bashkëshorti i gruas më të pasur dhe më të rëndësishme të derës së Asllan Pashalive. Kjo martesë i ndau ata në dy parti: njera ishte me Ali pashën, tjetra kundër tij. Popullsia (me shumicë të krishterë dhe grekë) shpresonin se duke  përkrahur emërimin e Ali pashës si sanxhakbej, do të mirrnin fund trazirat dhe do të arrinin barazin e të krishterëve me muslimanët. Ndaj nuk shkoi gjatë dhe nga Stambolli erdhi dekreti i emërimit të tij, ndërsa si sanxhakbej i Trikallës u caktua i biri i tij 17 vjeçar, Veli beu (pasha)”[10].

[1] Sylejman Gylqe, “Osmanli Tarihinde Arnavutluk” sf.157, Ankara 19 Nisan (prrill) 1943, (“Shqipëria në historinë Osmane” fq. 157, kopja e këtij libri nga origjinali në turqishte gjendet te autori i këtij shkrimi).

2 Eqrem bej Vlora, “KUJTIME-vëllimi i dytë 1912-1925” fq, 277-278.

[3] James Pettifer- “Shqipëria dhe Kosova”,fq.109.

[4]Tajar Zavallani, “Histori e Shqipnis” pjesa e I-rë fq 151.

[5] Grup autorë- “Historia e Shqipërisë dhe e Shqiptarëve”,fq. 93.

[6]Aristidh Plaka, Ibrahim Xhamaj-“Kalendari Enciklopedik”, fq.91

[7]Nuraj Bozbora “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osmane” fq. 108.                                       8 T. Zavallani, vepr. e cit. fq.151.

9 “Fjalori Enciklopedik”,fq. 684 

[10] Eqrem bej Vlora, “KUJTIME-vëllimi i dytë 1912-1925”fq.281-282.


(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora