E premte, 19.04.2024, 01:14 AM (GMT+1)

Mendime

A duhet ndryshuar Himni Kombëtar?

E hene, 17.09.2007, 10:56 PM


Pamflet nga YMER MINXHOZI

E them që në fillim: Po, duhet ndryshuar! Dhe vetëm pasi të jetë bërë korrigjimi i tekstit të Himnit Kombëtar, mund të rishkruhet edhe Historia e Shqipërisë, në përputhje me kërkesat e kryeministrit aktual. Teksti i Himnit Kombëtar, ashtu siç është sot, sjell mjaft ngatërresa në vlerësimin e veprimtarisë së disa politikanëve gjatë këtyre 95 vjetëve, që nga Pavarësia e këtej. Në Himn thuhet: "Prej lufte veç ai largohet / Që është lindur tradhëtor…".

Siç shihet, kur është fjala për luftën për pavarësi kombëtare, Himni nuk le asnjë shteg për interpretime pluraliste. Të gjithë atyre që i shmangen luftës, kur i huaji sulmon atdheun, Himni u stampos në ballë vulën e tradhtisë. Asnjë ekuivok, asnjë mëdyshje. Që ditën kur u këndua për herë të parë në Vlorë, veprimtaria e politikanëve, partive apo organizatave, u ndesh në murin e këtij Himni. Ai shërbeu si gur prove dhe kufi midis atyre që ishin pro dhe atyre që ishin kundër Pavarësisë. Mirëpo tani, në demokraci, në zbatim të urdhrave më të fundit të Kryeministrit të vendit, duket se i erdhi fundi edhe sundimit njëshekullor të Himnit Kombëtar. Ai ka nevojë urgjente për korrigjim.

Ja, ta zëmë se ju jeni ftuar në një mbledhje solemne kushtuar ditëlindjes apo fronëzimit të Ahmet Zogut. Në hapje të ceremonisë të gjithë ngrihen në këmbë dhe këndojnë Himnin Kombëtar: "Prej lufta veç ai largohet...". Pas kësaj, menjëherë ngjitet në podium oratori kryesor dhe numëron bëmat patriotike të Mbretit. Oratori e përfundon fjalën e tij pak a shumë kështu: ...Më shtatë prill 1939 ushtria fashiste italiane sulmoi Shqipërinë. Një ditë para sulmit, Mbreti organizoi me madhështi largimin nga atdheu, bashkë me familjen, oborrin mbretëror dhe ministrat më besnikë. Gjatë gjithë viteve të pushtimit ai u prit me dinjitet në hotelet e kryeqyteteve kryesore të Evropës dhe Egjiptit, duke mbajtur në zemër popullin e vet që po vuante nën pushtimin e huaj...

Dhe ju, si pjesëmarrës në këtë mbledhje solemne, ndodheni midis dy përshtypjeve krejt të kundërta: Lartmadhërisë që ikën nga lufta dhe Himnit Kombëtar që e dënon ashpër largimin nga lufta. Cilën anë do të mbani? Do të duartrokisni për Lartmadhërinë që braktisi Shqipërinë, apo do t'i bashkoheni Himnit Kombëtar që e dënon tradhtinë? Ja pra se çfarë ngatërresash sjellin ato dy vargje të formuluara 100 vjet më parë nga Asdreni dhe që duhen hequr, sepse koncepti zyrtar mbi tradhtinë kombëtare tashmë ka ndryshuar. Ajo çka cilësohej tradhti në kohën e pushtimit turk, pas 30 vjetësh, në kohën e pushtimit italo-gjerman është kthyer në shqiptarizëm. Hiqini ato dy rreshta, në mënyrë që edhe Himni Kombëtar të tingëllojë konform politikës aktuale demokratike! Dhe kjo mund të bëhet fare lehtë, me një të lëvizur të lapsit. Një fjalë e vetme u zëvendësua në poemën e famshme të Pashko Vasës "O moj Shqipni" dhe gjithçka erdhi në normat e politikës së sotme qeveritare. Vargu ku thuhet: "Mos shiqoni kisha e xhamija" u zëvendësua me "Mos braktisni kisha e xhamia". Vetëm një fjalë e gjetur me kujdes nga censori zyrtar, bëri që poeti i shquar i Rilindjes të bjerë me kokëposhtë: Nga mbrojtës i madh i unitetit të kombit në luftën për pavarësi, në mbrojtës të kishave e xhamive. Nuk thuhet më kot: Fjala bën kala, fjala bën hata!

Kryerja e "bajpasit" në trupin e Himnit Kombëtar do të sjellë disa leverdi njëherësh: Në radhë të parë, drejtori aktual i Muzeut Historik dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt do të kenë mundësinë të zbulojnë shumë persona të "shquuuur" të viteve para dhe gjatë pushtimit, të cilët edhe pse u shërbyen okupatorëve duke u ngjitur në poste të larta, këtë e bënë jo për privilegje e grada, por vetëm e vetëm në interes të shqiptarizmës…

Së dyti, pasi të krasisin Himnin Kombëtar, rishkruesit e historisë do të vërtetojnë me dokumente autentike se gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët nuk kanë qenë në anën e Koalicionit të Madh Antifashist Botëror, por kanë qenë të angazhuar në një luftë civile me vetveten.

Së treti, edhe Fjalori i Gjuhës Shqipe do të ketë përfitimet e veta. Ai do të shkarkohet nga disa fjalë pa kuptim, që s'dihet nga kanë ardhur deri tek ne, si për shembull cilësorët "kolaboracionist" dhe "kuisling". Edhe në qoftë se francezët dhe norvegjezët i kanë cilësuar me përçmim shërbëtorët e pushtuesit fashist në vendet e tyre, kjo s'ka asnjë lidhje me gjuhën shqipe dhe ne s'kemi pse shkojmë deri në Francë e Norvegji për të gjetur kuislingë.

Përveç korrigjimit të Himnit Kombëtar, unë propozoj të ndërhyhet pranë qeverisë britanike që t'i djegë të gjitha dokumentet arkivore të Luftës së Dytë Botërore që kanë të bëjnë me Shqipërinë, sidomos informacionet sekrete që kanë dhënë oficerët anglezë që kanë qenë në vendin tonë në vitet 1943-44. Natyrisht, kjo ndërhyrje do të bëhet përmes ministrit tonë të Punëve të Jashtme, i përforcuar kohët e fundit me një këshilltar të ri me gjak blu. Është e palejueshme që këto dokumente jo vetëm të ruhen akoma në arkivat britanike, por edhe të qarkullojnë nëpër botë e të disinformojnë qarqet shkencore. Si është e mundur që qeveria britanike të lejojë të futen edhe në Shqipëri këto dokumente të hartuara fshehurazi nga oficerët e saj? Nga raportimet e tyre, del e qartë se ka pasur një lidhje klandestine midis oficerëve të Shërbimit Sekret Anglez dhe historianëve shqiptarë me orientim komunist. Këtë komplot të oficerëve britanikë mund ta ilustrojmë me shumë shembuj, por unë do t'i referohem vetëm njërit prej tyre, që mban datën 17 dhjetor 1943. Atë ditë (ndoshta ka qenë edhe natë), shefi i misioneve angleze në Shqipëri, gjenerali Dejvis, i ka dërguar këtë telegram sekret komandës së tij në Kajro: "Tani rekomandoj një ndryshim. Situata ka evoluar kaq shumë kohët e fundit, është imperative tani të denoncohet Këshilli i Regjencës kolektivisht dhe emër për emër. Po ashtu BALKOM dhe Zogistët. Të gjithë po bashkëpunojnë me gjermanët, të cilët po i shfrytëzojnë ata duke u dhënë armë në sasi të mëdha, duke i vënë të ruajnë rrugët kryesore, të bëjnë punën e policëve në qytete e të drejtojnë patrullat, duke i çliruar kështu trupat gjermane nga këto barrë.

Në të gjitha aksionet e kryera, kohët e fundit, forcat e LANÇ janë ndeshur me trupat e përziera gjermane e balliste, të armatosura mirë, të stërvitura nga gjermanët. Betejat në zonat e Pezës dhe Dibrës, veçanërisht në këtë të fundit, kanë dhënë prova të shumta për bashkëpunimin e ngushtë.

BALKOM dhe Abaz Kupi, si njëri dhe tjetri, më kanë premtuar se do të luftonin aktivisht gjermanët, por nuk kanë bërë asnjë aksion këto muajt e fundit, ndonëse kanë pasur shumë raste për t'u bërë rezistencë gjermanëve. Abaz Kupi ka hequr dorë nga vendi i tij ne Këshillin e LANÇ dhe i ka prerë marrëdhëniet me ta. Si BALKOM dhe Zogistët tani botojnë gazeta të kushtueshme dhe ambicioze, që duket hapur se janë ndihmuar nga gjermanët. Në tetë numra nuk ka pasur asnjë referim anti-gjerman. Të dyja palët lavdërohen se aleatët do të bashkëpunojnë me ta, pasi të kenë ikur gjermanët, duke cituar si dëshmi që Britania nuk ka përmendur me emër Këshillin e Regjencës dhe asnjë parti politike".

Përmend këtu se ky gjenerali Dejvis nuk ishte i vetëm. Edhe nënkoloneli Norman Uiler i raportonte qendrës po ato që raportonte Dejvisi: "Është provuar përtej çdo hije dyshimi se qeveria e Tiranës dhe BALKOMI janë duke bashkëpunuar aktivisht me gjermanët... Prandaj mund të çmohet se është jashtëzakonisht e vështirë që t'u shpjegosh partizanëve arsyen përse aleatët jo vetëm nuk i denoncojnë këto bashkëpunëtorë, po ju japin furnizime...".

Po kështu vepronte edhe gjeneral brigade Ficroi Maklin, që erdhi në këmbë të Dejvisit. Edhe ai, në një raport të firmosur bashkë me majorin Smajli, thoshte: "Asnjë nga nacionalistët që përbëjnë shumicën në Shqipërinë e Veriut, nuk duket i prirur për të luftuar kundër gjermanëve. Në të vërtetë ata bashkëpunojnë me ta". *

A nuk kemi të bëjmë këtu me një komplot të Shërbimeve Angleze, jo vetëm kundër Ballit e Legalitetit, por edhe kundër nacionalistëve të Shqipërisë së Veriut? Personalisht unë shoh këtu një komplot që është po aq i rrezikshëm sa edhe Klani i Zemunit! Kundër këtij kurthi është e domosdoshme të ngrihet jo vetëm Kryeministri, por edhe vetë historiani i shquar Uran Butka. Sepse, po nuk u zhdukën me djegie këto lloj dokumentesh, bashkë me korrigjimin e Himnit Kombëtar, ne nuk do të mund t'i faturojmë kombit tonë luftën civile, që është kaq e dëshiruar nga përkrahësit e patriotizmës së re.

Së fundi, nuk mund të mohohet se, të paktën dy kryeministra të periudhës së tranzicionit po japin një kontribut të pazëvendësueshëm, duke e vënë historinë në zap. Ata, pasi zgjidhën të gjitha hallet e popullit; siguruan drita, ujë dhe punësim, pasi arritën ta bindin shumicën e shqiptarëve të aftë për punë se e ardhmja e jonë nuk është këtu, por jashtë Shqipërisë, vendosën t'i qepen edhe historisë. Njëri nga këta dy kryeministra e deklaroi solemnisht e gjithë modesti, se "Mua më vjen pas historia". Tjetri, nga xhelozia apo nga dashuria, u ngrit e dha urdhër "të rishkruhet historia". Në mënyrë që historia t'i shkojë pas edhe atij.

E shkreta Histori! Tani ka mbetur në udhëkryq. Ajo ka dalë tek semafori dhe rri e mendohet: Cilit t'i shkoj e cilit mos t'i shkoj? Unë bëra një provë nëse dashurinë kryeministrore për historinë të mund ta shpreh edhe me vargje. Dhe më rezultoi si më poshtë:

Në ëndërr e pashë veten mbi kalin Pegas / Dhe historinë urdhërova të më vinte pas. / Historia qeshi sa mali u tund /

-Me ty, tha ajo, nuk shkoj kurrkund... / Më vonë i kërkova dhe piedestal- / Të madh e të lartë sa një mal… / Historia u gjej gjithë qesëndi: -Sa qesharak bëhesh, i dashur zotëri! / Për ju që krekoseni si gjelkokosha / S'kam piedestale, kam vetëm kosha...

*Citimet nga raportet e oficerëve anglezë janë marrë nga libri i Reginald Hibbertit me titullin "Fitorja e hidhur. Lufta Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar". Pas luftës, Hibbert shërbeu në diplomacinë angleze në një numër vendesh dhe u emërua Ambasador i Britanisë së Madhe në Francë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora