Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjenden eshtrat e një njeriu me një palë pranga

| E marte, 15.09.2009, 08:30 AM |


Durrës/Policia dyshon se përkasin Luftës së II

Pjesë të mbetura të skeletit të një njeriu të paidentifikuar, janë zbuluar në fshatin Katund Sukth të Durrësit. Eshtrat janë gjetur rastësisht nga një banor i fshatit teksa po gërmonte për të hapur një pus uji.

Policia ka bërë të ditur se eshtrat e njeriut janë gjetur në thellësi rreth 3 metra, dhe pranë tyre janë gjetur dhe një palë pranga.

Gjetja

Teksa po gërmonte për të hapur një pus dhe kur ndodhej në thellësinë prej katër metrash, kazma e tij prek një kockë njeriu. Në fakt Skënder Preza i cili po paguhej për të hapur pusin e një bashkëfshatari të tij, mendonte të shihte vetëm shenja uji teksa gërmonte por kurrsesi një skelet njeriu. Pjesët e skeletit të një njeriu u gjet pasditen e djeshme në Katundin Sukth të Durrësit nga një banor i zonës i cili lajmëroi menjëherë policinë. Oficerët e policisë mbërritën menjëherë pranë vendit ku u gjet skeleti për të bërë këqyrjen e provave. Që nga konstatimet e para policia zbuloi se personi i varrosur rreth katër metra nën tokë dhe pas asnjë shenjë arkivoli, të paktën policia nuk gjeti asnjë mbetje, që mund të ishte përdorur për mbulimin e trupit, mund të ketë vdekur shumë dekada më parë.

Dyshimet

Dyshimet u përforcuan kur pranë skeletit u gjetën dhe një palë pranga të cilat janë të llojit të vjetër të përdorura në fillimet e komunizmit. Paraprakisht policia ka marrë në pyetje personin që ka gjetur skeletin dhe veç këqyrjes së vendit të ngjarjes nuk ka bërë asnjë veprim tjetër. Kjo për shkak se skeleti i përket një njeriu që mund të ketë vdekur dekada më parë gjë e cila vështirëson për momentin përqendrimin e hetimeve të policisë. Pritet ekspertiza mjeko ligjore për të përcaktuar seksin moshën dhe ndonjë detaj tjetër të skeletit që të nisin dhe hetimet për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së personit si dhe vitin e varrosjes së tij. Ndërkohë që sipas banorëve të zonës vendi ku u gjet skeleti nuk ka qenë i banuar më parë, ndërsa ka nisur të popullohet vitet e fundit, ndërsa ka pasur varreza. Ende nuk dihet nëse personi mund të jetë ekzekutuar gjatë sistemit komunist të Enver Hoxhës apo gjatë Luftës së Dytë Botërore, por sipas policisë prangat e gjetura dëshmojnë se ai mund të jetë ekzekutuar. Ndërkohë që pranë skeletit të gjetur nuk janë konstatuar skelete apo shenja të tjera që mund të çonin në ndonjë vrasje të shumëfishtë.
Tirana Observer