E enjte, 28.03.2024, 07:05 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Besnik Bakiu: Vrasja e gjeneralit italian për kufijtë shqiptaro-grekë

E hene, 14.09.2009, 12:40 PM


Vrasja e gjeneralit italian për kufijtë shqiptaro-grekë

Nga Besnik Bakiu

Më 25 gusht ishte dita e lindjes së gjeneral Enriko Telinit (ka lindur më 25 gusht 1871 në Kastelnuovo të Garfanjanës (provinca Lucca Tuscany) dhe më 27 gusht është data e vrasjes së këtij gjenerali të madh dhe heroi të së drejtës ndërkombëtare, i cili e pagoi me gjakun e vet atë që i shkruante Konferencës së Ambasadorëve, më 26 gusht 1923, pikërisht një ditë prapa datëlindjes dhe para vrasjes, se “… vendimet e komisionit janë të paanshëm”, dhe ai “po kryen detyrën e tij duke u bazuar në ndërgjegjen e vet e drejtësinë”.

Kush ishte gjeneral Telini?

Gjeneral Telini ishte kryetari i komisionit të caktimit të kufijve shqiptar-grek të caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Paris, më 9 nëntor 1921 që vendosi që kufijtë shqiptaro-grek të mbeteshin po ato të caktuara nga Protokolli i Firences.
Ky komision u krijua më 8 janar 1922, dhe në të merrnin pjesë përfaqësuesi i Italisë, gjeneral Enriko Telini; i Anglisë, kolonel Gilles; i Francës, kolonel Ordion; dhe kapiten De Limperani, që ishte sekretar i përgjithshëm i komisionit. Japonia nuk dërgoi delegatin e saj. Kryetar u zgjodh gjeneral Telini, pasi ai ishte një personalitet. Kishte marrë pjesë në luftën italo-turke dhe në Luftën e Parë Botërore. Për zotësinë e disiplinën e lartë që kishte treguar, arriti të marrë gradën e gjeneralit të brigadës pas shërbimit si kolonel i Shtatmadhorisë. Pranë komisionit do të punonte dhe një komitet tekniko-gjeografik. Shtetet e interesuara për kufijtë; Shqipëria, Greqia dhe Jugosllavia do të kishin përfaqësuesit e tyre pranë komisionit. Përfaqësues i Shqipërisë në fillim u caktua Bajram Fevziu, i cili më pas u zëvendësua nga Dhimitër Berati, sekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Komisioni erdhi në Shqipëri në mars 1922 dhe filloi punimet në zonën kufitare, nga mali Gramoz deri në pikën e kufirit greko-shqiptaro-jugosllav, për të vazhduar pastaj për më në Jug. Komisioni hasi pengesa të mëdha nga delegacioni grek. Në një raport të gjeneral Telinit thuhet se: “Ky delegacion nuk më jep besim për një bashkëpunim të sinqertë. Delegacioni kërkon me të gjitha mjetet dhe pretekstet për t’u larguar… Autoritetet dhe trupat greke nxjerrin pengesa nga më të ndryshmet”. Gjatë qëndrimit në zonat shqiptare, gjeneral Telini u prit si mik dhe u respektua për punën që po bënte. Krejt e kundërta ndodhte në shtetin fqinj, ku ndaj punës së komisionit kishte një qëndrim agresiv e sabotues.
Më 27 gusht 1923, komisioni i kufirit do të shkonte nga Janina në Kakavijë, ku do të përfundonte vendosjen e disa gurëve kufitarë atje. Herët në mëngjes u nisën nga Janina automobilat e delegatëve shqiptarë, grekë e italianë. Automobili i përfaqësuesve grekë pësoi një defekt. Automobili i italianëve parakaloi atë grek, duke ndjekur automobilin shqiptar. Gjeneral Telini ishte 30 minuta larg përfaqësisë shqiptare. Pasi kaloi automobili i komisionit shqiptar në afërsi të Janinës, në vendin e quajtur Zepe (54-55 km larg Janinës), 4 km larg Delviqanit dhe 10 km larg kufirit shqiptar, midis Delviqanit dhe Arnishtes, gjakësorët bllokuan rrugën me drurë të mëdhenj. Vendi i zgjedhur ishte shumë i përshtatshëm për pusi, në bërrylin e një kthese. Kur arriti automobili i gjeneralit, shoferi Renixho Farneti, përkthyesi shqiptar, Thanas Kraveri (Leskoviku) zbritën për të larguar drurët nga rruga, por u qëlluan dhe mbetën të vdekur që të dy. U vra dhe doktori Luixhi Korti, që ndodhej brenda në makine. Adjutanti Mario Bonaçini sapo doli prej automobilit, u plagos rëndë e mbeti nën të. Gjenerali u hodh nga makina dhe pasi u largua rreth 20 m, mbeti i vrarë me revolver në dorë. Vrasja e komisionit italian shkaktoi krizë në marrëdhëniet italo-greke. Qeveria italiane bëri përgjegjëse palën greke dhe kërkoi dëmshpërblim për këtë vrasje. Lajmi për vrasjen e komisionit italian pati jehonë të madhe prej shtypit italian dhe u shoqërua me komente të ashpra ndaj Greqisë. Qeveria italiane bëri përgjegjëse morale dhe materiale qeverinë greke. Kjo krizë solli edhe pushtimin e përkohshëm të Korfuzit nga ana e italianëve. Më 7 shtator, Konferenca e Ambasadorëve propozoi krijimin e një komisioni ndërkombëtar për të vëzhguar hetimet rreth vrasjes dhe urdhëroi Athinën të depozitonte 50 milionët (lira) në një bankë zvicerane për të shlyer dëmshpërblimin.
Më 18 shtator, në katedralen e Athinës për të rënët në pritë u dha një meshë madhështore. Pas ngushëllimeve zyrtare, trupat u përcollën për në Prevezë ku autoritetet dhe ushtria greke bën nderimet që i ishin urdhëruar Greqisë dhe u nisën drejt Italisë me avulloren San Marko. Nga Taranto u transportuan në Romë, ku u pritën nga një masë e madhe njerëzish. Në nderime merrnin pjesë Duka i Aostës, Duka i Gjenovës, Konti i Torinos, Princi i Udines, Musolini me ministrat, të gjithë ambasadorët dhe përfaqësues të tjerë të huaj. Trupave e pajetë të misionit ushtarak italian iu bënë nderime zyrtare me madhështi në kishën ‘Santi Apostuli’. Pastaj u dërguan për t’u prehur në banesën e fundit, secili në vendin e lindjes. Gjeneral Telini u varros në Firence.Pasi u bë pagesa e 50 milionë lirave më 26 shtator 1923, u bë tërheqja e trupave italiane nga Korfuzi. Kush ishe vrasësi i misionit italian? Komisioni i hetimit nuk dha përfundime. Por, një gjë ishte e sigurt, krimi u krye për motive politike. Autorë të tij ishin ato forca, të cilave u prishte punë korrektësia dhe paanësia e gjeneral Telinit dhe delegacionit italian.

Vlerësimi i veprës dhe figurës së gjeneral Telinit

Kjo vrasje shkaktoi një zi të përgjithshme në Shqipëri. Parlamenti shqiptar, në shenjë zie ndërpreu punimet e tij për 24 orë. Autoritetet më të larta shqiptare i dërguan telegrame ngushëllimi personaliteteve italiane dhe familjeve të viktimave. Telegrame dërguan dhe bashkitë dhe populli i të gjitha qyteteve shqiptare. Në Korçë, në kishën e Shën Gjergjit, u bë një përshpirtje për gjeneralin e shokët e tij. Populli i Vlorës, ditën e 3 shtatorit, kur do të përkujtonte me festime 3-vjetorin e çlirimit të qytetit nga forcat italiane, u drejtua në konsullatën italiane ku i shprehën ngushëllimet konsullit italian. Po ashtu në Tiranë, në kishën katolike e ortodokse dhe në xhami u kryen gjithashtu shërbesa fetare për shpirtin e të ndjerëve të komisionit italian. Gazeta e Korçës, më 1 shtator 1923 e vlerëson gjeneral Telinin: “Emëri i tij do të mbetet i paharruar për popullin shqiptar. Historia e rilindjes tonë kombëtare emërin e këtij gjenerali të nderuar, së bashku me atë të kolonel Tomson do t’a përmëndë me një nderim të math, për shërbimet q’i solli Kombit tonë të shumëvuajtur”.
Gazeta ‘Vatra Shqiptare’ do të shkruante: “Gjeneral Taliini për ne përfaqëson, njëkohësisht idenë e drejtësisë dhe atë të mbrojtjes të interesave tona. Të dy këto ide i ngjajnë fort njëra tjetrës. Ideja e dytë ndjek pas iden’ e parë si hija e saj. Shqiptari që e ka të thellë kuptimin e drejtësisë e të miqësisë, është e pamundur të mos ishte frymëzuar me një mirnjohje të thellë për gjeneralin italian”. Për të nderuar dhe përjetësuar kujtimin gjeneral Telinit, ju dha emri i tij dy rrugëve: një në Tiranë (rruga pas godinës Presidencës deri tek ura e re e Lanës) e një në Gjirokastër, dhe në 18- vjetorin e vrasjes u vendos në një nga sheshet qendrore të Tiranës (para Akademisë së Shkencave sot) shtatorja e tij, vepër e Odise Paskalit. Sipas kritikës së kohës, në këtë monument, “Odise Paskali, shqiptar me ndjenja të larta, e ka pas të thellë me doemos këtë ndjenjë mirënjohje dhe si artist i hollë, ka ditur t’a shprehë fare mirë, këtë ndjenjë, njëkohësisht vetijake dhe kombëtare, ka ditur të bëhet interpreti i mbaruar i mirënjohjes që ka në zëmër shqiptari për gjeneral Telinin. Në punimin e veprës, Odise Paskali është pushtuar prej një sentimentalizmi të gjallë dhe ka dëshiruar e menduar që ta shfaq ndjenjën e tij duke simbolizuar e konceptuar gjeneral Telinin, këtë dëshmor ashtu siç ka qënë ai në realitet: një simbol për neve. Gjeneral Telini i ngjan tepër një gjenerali të Romës së vjetër”. “U krye më së fundi kjo detyrë. Dhe u krye lumtërisht në një mënyrë që na nderon, pse monumenti është i denjë për heron, të cilit do ti përjetësoj kujtimin”.

Po sot, si e nderojmë gjeneral Telinin?

Paraardhësit tanë e kryen detyrimin e tyre, tani është radha e jonë. Megjithëse figura dhe vepra e gjeneral Telinit janë të përjetësuara në të gjitha enciklopeditë e botës, madje në Itali në nderim të tij, sot mbajnë emrin “Gjeneral Telini” një shesh në Firencie dhe një rrugë në Milano; në vendin tonë sot... pothuajse asgjë. Kjo është e turpshme, mosmirënjohëse dhe antishkencore. Imagjino pastaj dhe broçkollisim pa pushim për rishkrimin e historisë. Enciklopedia shqiptare është e mbushur me jo pak anonimë e dallkaukë, që më shumë i kanë bërë keq se sa mirë këtij kombi, por për gjeneral Telinin dhe shokët e tij nuk ka asnjë fjalë. Vërtetë nuk e kuptoj dot heshtjen e akademikëve dhe parlamentarëve shqiptarë, kur para godinës së tyre ngrihej dikur një shtatore e këtij Burri të madh. Po ashtu nuk e kuptoj as heshtjen e Presidentit të Republikës, kur rruga prapa zyrës së tij dikur nga mbajtur emrin e gjeneral Telinit. Historia është histori, e vërteta e vërtetë, detyra e jonë është ta dëshmojmë ndershmërisht, ta vlerësojmë e përkujtojmë siç ka ndodhur. Megjithatë, e vetmja që më ngushëllon dhe më jep shpresë është thënia popullore: “Më mirë vonë se sa kurrë”. Sipas mendimit tim, kontributi i gjeneral Telinit (në atë periudhë) vjen pas atij të Presidentit Willson, që siç thotë Noli: “… jo vetëm nuk vuri firmën, por u përgjegj dhe me dy nota, që janë dy nga xhevairet më të ndriteshme të karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqiperisë që gëzojmë sot”... Ishte Gjeneral Telini që dha një kontribut unikal në këtë çështje historike, prandaj jo vetëm duhet të përkujtohet, por edhe të nderohet siç i takon.


(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora