E enjte, 18.04.2024, 07:36 PM (GMT+1)

Editorial

Tis

E hene, 17.09.2007, 08:01 PM


Nga Albert VATAJ

 

Albert Vataj
Eshtë ende natë! Të zgjon nga një gjumi i keq, zilja e orës. Gjëmon ngulmthi sikur edhe ajo do pjesën e saj në këtë sëmbim dashakeq. Ke lënë për të dytën ditë të zësh radhë të pajisesh me një çertifikatë personale. Se këto fletushka të duhen kudo të trokasësh, thua se jeton në një realitet ku gjithçka e ka sunduar anonimi. Një ditë më parë, e gjithë koha e vënë në dispozicion për shërbimin ndaj qytetarëve nga zyrtarët bashkiak u mbyt në mundësinë e pagesës së takses së pronës, së gjelbërimit, të higjenës, të dreqit e të të birit. Se kur ta zë shtegun shteti, ta zë e ta numëron në lule të ballit. Dhe ashtu është, ashtu kjoftë dhe ashtu u bëftë.

 

Hedh këmbët plot drojë mbi dysheme. Drita e Zotit s’ka dalë ende. Veç të lehurave të qenve, natyrisht atyre që i kanë shpëtuar ekspeditës së fundit qenvrasëse të bashkisë, një terri që t’i nxjerr syt dhe frymëmarrjes që të sëmbon, asgjë tjetër nuk ka në dekorin e këtyre momenteve të fillimit të ditës. Ashtu me duar të shtrira përpara, se mos përplasesh nëpër objektet që ngërthehen në dhomën e vockël të gjumit, kërkon çelësin e dritave. Shpreson se mrekullia do të ndodhë. Shpreson, (se shpresa thonë populli ka vendosur të vdesë e fundit), shpreson se volframi i llampës 100-nshe do të nxehet e do të ndrisë hapin tënd të parë në ditën e re. Por edhe kjo përpjekje është një nga të shumtat përpjekje, gjithnjë të dështuara.

 

Kërkon derën dhe sakaq në kujtesën që ka filluar të kthjellohet bashkë me hutimin e një zgjimi të turbullt, kërkon të rrëmosh për të gjetur vendndvendosjen e fundit të shkrepses dhe qiririt. Kërkon se ku i ke lënë mbrëmë para se të zësh krevatin, përnjëheresh me pulat. Se ky është orari që KESH ka vendosur për të ulur konsumin, por edhe për t’u kujdesur për shëndetin tonë. Se thuhet diku se gjumi të rigjeneron. Nuk e di nëse këtë e dinë zotërinjtë e KESH-it, apo jo. Nejse. Më në fund korr triumfin tend të parë të këtij zgjimi bereqetli, kur thotë një proverb i popullit tone trim, liridashës, punëdashëse, por pak si shumë të qytetnum. Gjithnjë nëse qytetërimin e kuptojmë dhe e shohim si maturia dhe maturinë si një armëpushim për të mos u përfshirë nga një shtjellë rebelimi turithyerjesh dhe zehershfryrjes në një mizerabilitet kërcënues dhe krrysja nën barrën e rëndë të poshtërimit mund të pagëzohen me këtë fjalë.

 

Ndez me padurim shkrepsen, e cila edhe ajo nuk nguron të të cingërijë nervat pasi nuk shkendin. Sakaq korr edhe sfidën e dytë, ndez qiririn dhe drejtohesh nga lavamani. Ke nevoje për një grusht ujë për t’u përmendur plotësisht. Por dëshira nuk mund të jetë mundësi në një vend që profesionistët dhe të zotët ngrysin ditën nën grinë e një realiteti funebër. Të paaftët janë militantë, dhe duke qënë të tillë janë zyrtarë, shtetarë, deputetë e çfarë u do bytha atyre. Sepse partia këtij soj robi nuk heziton t’ia bëjë ëndrrat realitet. Ka dhënë Zoti që këto syresh tash së fundi kravatat kanë mësuar t’i lidhin vetë, parfumet t’ua zgjedhin të dashurat, paratë t’i numërojnë nën parmakun e një vështrimi që sheh gjithherë nga e keqja, mizerabiliteti, tymnaja e luksi që të ndjell nga një dhimbje në çdo përshkënditje shkëlqimi.  

 

Rubineti edhe sot, si dje, si pardje, si tjetërpadje, si para një muaji, ka vendosur të hesht, të qëndrojë stoik në refuzimin e tij para një dëshire gjithnjë të etur për ta parë se vërtetë vadhë do të këndoje kjo grykëhollë, apo ka vendosur të hesht përngaherë. Diku në kënd të tualetit një enë është ujë i mbushur me krah. Plot dhimbje ke vendosur ta heqesh një grusht ujë. Vishesh nxitimthi. Rrobat janë të rrudhosura. Fundja s’ke vendosur të dalësh për të shitur tangarllëk, pasi pak pjesë të ka mbetur në këtë botë të vockël ku ndodhin çudirat më të mëdha. Se s’do të ta marrë kush për ters, se në këtë deregje janë të gjithë ata me të cilët do të shihesh, të gjithë ata që kanë të njëjten trajektore fati. Se shyqyr Zotit kur mendon shteti mendon njësoj për të gjithë. Të kuptohemi, për vete ai s’ka nevojë të mëndojë, se mendojnë të tjerët për të. Tundu e mos ki gajle. Një radhë të pret, klithmat e zyrtareve të paedukuara të zyrave dhe dyert e rënda të ankimit që të përplasen hundëve. Ora varur mbi mur vijon të ecën pa pyetur nëse gjithçka është OK para se të dalësh për të marrë rrugën e për të filluar këtë ditë të re. Tymos një cigare dhe nisesh nëpër tis.

Do të kujtojmë një ditë, të na shkojë ndër mend të pyesim, veten apo dikë tjetër që ka kurajon të na tregojë me zemër në dorë se si quhet ky vend, ku një ditë e zakonshme ka një fillesë të tillë. Mbarimin gjejeni vetë, por mos harroni proverbin, një fillim i mbarë gjysma e punës.

 

Do të vijë ajo ditë kur të kemi një përgjigje të saktë, dhe s’do të ketë njeri as të pendohet as të na besojë. Ky ferr tejkalon çdo realitet virtual triller, që sajohet për të frymëzuar një gjeneratë ta rrokë dashurisht këtë, si një fatkeqësi. Sa për të larguar syrin e keq. Zoti e dhëntë të mos jetë ende tis edhe atëherë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora