E enjte, 25.04.2024, 12:14 AM (GMT+1)

Faleminderit

Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Xhamia e Leverkuzenit, vatër fetare e kombëtare

E diele, 13.09.2009, 01:15 PM


FARUK TASHOLLI

ME TETOVARËT NË GJERMANI

XHAMIA E LEVERKUZENIT - VATËR FETARE E KOMBËTARE
 
            Përpos Klubit Kulturor Shqiptar “Xheladin Zeqiri” në qytetin Leverkuzen të Gjermanisë, shqiptarët e këtushëm janë të organizuar edhe në Bashkësinë Islame, ku e mbajnë edhe xhaminë për shërbesa fetare, për takime të ndryshme, por edhe për ndeja të përbashkëta në kohën e lirë. Strumbullar  i  gjithë aktivitetit këtu është hoxha i pajisur me një dije të lartë fetare dhe me një kulturë të gjerë, Amir Xheladini, me të cilin na jepet kënaqësia të bisedojmë rreth organizimit fetar e kombëtar brenda këtij tempulli, që dita ditës nga shqiptarët e mërguar  synohet t’i jepet një fizionomi më e përsosur.
 
            Shqiptarët në rrethinën e Këlnit dhe më gjerë e dinë edhe një adresë: ajo është xhamia shqiptare e Leverkuzenit, ku shumica shkojnë gjatë festave fetare, por edhe në ditët e tjera kur bëhen faljet e rregullta. A mund të na shpaloni çka ka pas kësaj adrese z. Amir?
 
            - Këtu, në Leverkuzen, unë jam nga viti 1996, ndërsa objekti i xhamisë sonë ekziston qe shtatëmbëdhjetë vite. Para meje ka pasur edhe hoxhallarë të tjerë. Jemi një bashkësi shqiptare e organizuar, po të themi në nivel të duhur ndoshta është pak e tepërt, por në krahasim me pjesët e tjera të mërgatës, llogaritemi nga më të mirët. Leverkuzeni është një qytet i vogël, por është qytet industrial, ku disa fabrika kanë bërë  që shqiptarët të fokusohen këtu nga të gjitha viset tona. Ne si xhami kemi statistikat tona, pra, në bazë të evidentimit të shqiptarëve që jetojnë e punojnë këtu në Leverkuzen, xhamia jonë i ka 300 anëtarë, d.m.th, kur themi këtu 300 anëtarë, kemi parasysh vetëm kryefamiljarët. Përafërsisht në qytet janë diku 600 familje shqiptarësh. Përsa u përket veprimtarive, çdo thirrje e atdheut, që është bërë nga anë të ndryshme, jemi munduar që me kryesinë e xhamisë t’i përgjigjemi pozitivisht, aq sa kanë lejuar mundësitë dhe kushtet tona. Xhamia ka aktivitete të shumta dhe mund të themi se është prej institucioneve që krahas kultivimit të fesë islame ndër bashkatdhetarët e mërguar, bën edhe mbrojtjen e popullatës nga asimilimet e ndryshme, si gjuhësore, kulturore e të tjera. Në xhaminë tonë predikohet shqip, e po ashtu të shtunave e të dielave, fëmijët mësohen në gjuhën shqipe, që do të thotë se marrin dije nga fusha fetare, por me shpjegim shqip. Xhamia jonë është një qendër e cila bën pjesë në koordinimin e të gjitha xhamive shqiptare në Gjermani, ku momentalisht i kemi 20 të tilla. Përpos veprimtarisë dhe mirëmbajtjes së objekteve, mundohemi të mbajmë familje të varfëra në vendlindje, nëpërmjet sadakave. Prej vitit 1994 e këndej, xhamia jonë nuk e ka lënë kurrë pas dorës familjen e Abdylselam Eminit, dëshmorit të Universitetit të Tetovës. Bashkësia jonë bën edhe organizime të ndryshme, qofshin ato fetare apo kombëtare. Me rininë organizojmë ndonjë turnir të vogël sportiv, ndonjë ekspozitë e gjëra të tjera praktike. Me ekzistimin dhe funksionimin e xhamisë në një qytet të mërgatës shqiptare, jeta pasurohet dhe gjallërohet edhe më shumë, e sidomos ajo ana shpirtërore e saj.
 
Të rinjtë tanë, jo vetëm në atdhe por edhe këtu në mërgim, ndeshen me rrjedhat asociale dhe me dukuri të dëmshme. Sa është ndikimi që t’i parandaloni, ta zëmë, konsumimin e drogës, të alkoolit, ushtrimin e prostitucionit etj?
 
- Islami është një besim që ka të bëjë me jetën e shëndoshë të njeriut në këtë botë. Ai ka të bëjë komplet me realizimin e synimeve të njeriut në planin personal, familjar, shoqëror etj. Islami si fe nuk ka proces në të cilin nuk është përgjegjur në vështirësitë dhe dilemat sa i përket jetës së njeriut. Dukuritë negative, si janë, ta zëmë narkomania, ndeshen në vendlindje dhe në mërgim. Sikurse në vendlindje që hoxhallarët flasin kundër narkomanisë, flasin edhe këtu. Sikurse e gjykojnë atë në vendlindje të njëjtën punë e bëjnë edhe këtu. Mirëpo paradoksi qëndron në atë se këtu në mërgatë kemi raste më të rralla të përdorimit të drogës nga të rinjtë tanë se në vendlindje. Ndërkaq në viset nga vijmë, bazuar nga informatat që i marrim gjatë pushimeve që i bëjmë atje, mjerisht, dëgjojmë se përdorimi i drogës nga të rinjtë ka filluar edhe nëpër fshatra, e të mos flasim nëpër qytete. Prandaj, roli i xhamisë, edhe këtu, është që njeriun ta udhëzojë, ta frymëzojë dhe kryesisht ta pengojë që të futet në kanalet e përdorimit dhe të shitjes së drogës. Përsa i përket prostitucionit, gjithashtu ka të bëjë me ato dukuri që i lufton feja. Nëse në të ardhmen do të kishim një rini të zhytur në narkomani dhe prostitucion, kur kemi parasysh erërat e stuhishme politike që fryejnë në ballkan, vështirë që ajo rini do të mund t’u përgjigjej kërkesave të kohës dhe çuarjes përpara të atdheut.
 
            Cilat janë kontaktet tuaja dhe vizitat me instiucionet e ndryshme fetare  e shoqërore në vendlindje?
 
            - Sidomos gjatë muajit të Ramazanit, por edhe gjatë pjesës tjetër të vitit, kontakte të vazhdueshme kemi me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe me atë të Maqedonisë, por edhe me atë të Shqipërisë, pak më rrallë. Prandaj çdo  vit kemi pasur vizita nga këto bashkësi. Normalisht se ne, si institucion fetar në diasporë, iu ndihmojmë atyre bashkësive, sidomos me rastin e blerjes së kurbanëve, të cilët i dërgojmë në medrese të Shkupit dhe të Prishtinës. Por edhe në rastet më të rënda, si ishte lufta në Kosovë e më vonë edhe në Maqedoni, kemi ndihmuar popullatën e tronditur shpirtërisht e materialisht, ashtu që në ato vise të rrezikuara dhe të izoluara nga flaka e luftës, me sukses kanë depërtuar veprimtarët e Bashkësisë Islame dhe të shoqatave humanitare si janë El - Hilal dhe Kalliri i mirësisë.
 
            Kam edhe një pyetje paksa delikate: Të gjithë mërgimtarët shqiptarë që ia kanë mësyrë Gjermanisë dhe shteteve të tjera europiane, janë nisur përkohësisht në këtë udhë. Por përvoja po e dëshmon të kundërtën. Shumica e mërgimtarëve i kanë sjellë edhe familjet këtu, disa kanë marrë edhe shtetësinë gjermane dhe këtu jetojnë edhe si pensionistë. Megjithatë natyra i kryen proceset e veta. A është menduar ndonjëherë për ngritjen e varrezave shqiptare në nivel të Gjermanisë apo të republikave të këtushme?
 
            - Këtu nuk ekziston mundësia e blerjes së një trualli nga një shoqatë e caktuar apo bashkësi shoqërore. Megjithatë, në varrezat e qytetit të Këlnit, në pjesën e quajtur Bëklemund, por edhe në varrezat e qyteteve të tjera ekzistojne parcela të posaçme në të cilat varrosen myslimanët, pa marrë parasysh se të cilave vise janë, apo çfarë përkatësie kombëtare kanë. Njëkohësisht, ne shqiptarët, nuk e kemi traditë t’i lëmë të vdekurit tanë në mërgim. Neve, si xhami, mund të na ketë ndodhur ndonjë rast i rrallë i lindjes së ndonjë foshnjeje të vdekur e cila është varrosur këtu në varrezat myslimane, ose kemi pasur foshnja që janë varrosur pas dy apo tri ditë jete. Bile kemi pasur raste, që tregojnë lidhjen e fortë të mërgimtarit me tokën e vet, kur foshnja njëjavëshe  pas vdekjes është dërguar për varrim në atdhe. Por për çdo eventualitet, si ceka më lart, mundësia e varrosjes ekziston edhe në këto kushte, natyrisht duke plotësuar  obligimet qytetare si edhe vendësit  që e blejnë pjesën e tokës për varr.
            Mund të them se këtu në Gjermani jetojmë me vendësit që kanë simpati ndaj islamit dhe të cilët nuk na kanë penguar në asnjë aspekt që t’i kryejmë shërbesat fetare. Për më tepër, një pjesë e xhamive këtu, tashmë ekzistojnë me atë arkitekturën e jashtme si në viset e banuara me myslimanë, si janë kupolat, minaretë etj. Ndërkaq nga ato 20 xhamitë shqiptare që përmenda, disa janë edhe pronare të objektit dhe truallit ku janë ndërtuar. Mund t’iu them se edhe këtu, në Leverkuzen, popullata shqiptare që jeton e vepron këndej, ka bërë blerjen e një trualli për ndërtimin e xhamisë së re, ndërkohë që presim lejen e ndërtimit nga organet përkatëse gjermane. Si thashë, këtu në Gjermani kemi xhami me minare, por ato janë kryesisht të arabëve dhe të turqve, ndërkaq ne shqiptarët ende në Europë nuk e kemi një xhami të tillë, përpos asaj në Amerikë. Me ndihmën e Zotit, besoj se xhamia e parë e ngjashme me ato që kemi në vendlindje, do të jetë kjo e jona, në qytetin e Leverkuzenit. (2002)


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora