Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Ujëvarë stinësh (Poezia fituese e Çmimit ''Ora e Tahir Deskut'')

| E diele, 13.09.2009, 02:25 PM |


(Poezia që mori Çmimin “Ora e Tahir Deskut” si poezia më e mirë e lexuar në Manifestimet e Para Letrare Tradicionale “Ora e Tahir Deskut” mbajtur me 07 shtator 2009 në Klinë)

Sejdi BERISHA:

UJËVARË STINËSH

Ti, ujëvarë
Histori shekujsh
Gurgullimë e freski jete
Bukuri e kujtim i hidhur
Sa uji nga ti ka rënë
Në përroin dhe lumin e jetës
Dhe, asnjëherë nuk ke treguar
As për dashurinë
As për urrejtjen
   As për mashtrimin
   As për tradhtinë
   Por as për ëndrrat rinore
   As për vuajtjet e shkëmbit
   As për barrën e tokës
   As për shuarjen e etjes
   As për shkrumbin e shpirtit
   Çdo gjë roman kënge e ke bërë
   Kurrë dhe asnjëherë nuk u moshove

   Të pyes
   A më njeh tash në këtë kohë
   Nëse s’më ke harruar
   Jam ai çunaku
   Që ujin ta pija për ëndrra të mira
   Jam ai i riu
   Që me bukurinë tënde
   Këngën përrallore e thurja
   Jam ai që të rrëfeja për shkrumbin
   E ti më lazdroheshe me freskinë
   Por sikur kurrë nuk më kuptove
   Megjithatë
   Tani erdha prapë tek Ti
   Sepse kam mall për Ty

   Po, më thuaj diçka
   Së paku më qorto
   Për atë flakën që ta ofroja
   Për t’ma shuar
   Apo bjeshkë për t’ma bërë
   Për atë këngën e nënës
Të kujtohet
Për qumështin e gjirit
Me të cilin asnjëherë nuk u ngopa
E mban mend
Atëherë kur ta pata thënë
Fjalën e fjalës sime
Ti vetëm buzëqeshe
Nuk ma bëre mall as zërin e lutjes
Edhe pse në burim të burimit
Tash diçka paske gdhendur
Diçka paske shkruar në ujin
Që sertshëm bie nëpër Ty

Ti, ujëvarë e stinëve të pasosura
Ndale për një çast rrjedhën tënde
Në heshtje më thuaj
Se, a e mban mend
Fëmijërinë tonë të çuditshme
Rininë hujnike e kurrë të pajtuar
Të gjitha për kujtim t’i kam sjellë
E, Ti hesht
Se, ndoshta ke shumë për të thënë
Por, edhe diçka dua të pyes
A mund ta kthesh prapa
Gjithë atë ujë që e ke hedhur gjithandej
Çfarë tkurrje historike
Mendimi im

Mos u çudit
Sot erdha tek Ti
Me një tjetër mall
Me një tjetër pezëm
Ti, ujëvare shekujsh
Sot të kam trokitur në derë
Për lutjen e cila
Për asgjë nuk ka kuptim
Tani, kurrë nuk do të lus më
As për pleqërinë time të katandisur
As për rrugët dredharake
Por, thuami dëshirat tuaja të shkuara
Ujëvare stinësh

Të lutem
Vetëm harresën mos e përqafo
Mos i harro emrat
E gjithë atyre kalimtarëve
Që tek ti kanë pirë ujë
Që janë freskuar
Që kanë pushuar e kënduar
Që kanë vrarë e dashuruar
Që tek Ti kanë gënjyer
Por edhe kanë heshtur
Për historinë e stinëve
Për bukurinë e tokës
Për biografinë tënde
E cila vetëm rrjedh
Si loti i pakthyer

(Pejë, 02 gusht 2009)