E enjte, 25.04.2024, 09:48 PM (GMT+1)

Faleminderit

Përkujtohet ikona e demokracisë, Azem Hajdari

E shtune, 12.09.2009, 09:12 PM


Bota sot, Tiranë

Është përkujtuar në Tiranë, 11 vjetori i vdekjes së liderit të dhjetorit, Azem Hajdari. Azem Hajdari, është vlerësuar si një nga figurat më të rëndësishme të politikës pluraliste.

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot paradite një vizitë në familjen e Azem Hajdarit, me rastin e 11-vjetorit të ndarjes nga jeta në mënyrë tragjike të njërës prej figurave më të ndritura të historisë së pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri.

Presidenti Topi viziton familjen Hajdari

Gjatë vizitës dhe bashkëbisedimit me familjarët, Kreu i shtetit shqiptar, përmendi dhe ndau me ta disa prej kujtimeve më të veçanta dhe më të paharrueshme të njohjes, miqësisë dhe punës me të ndjerin Azem Hajdarin, duke nënvizuar forcën e tij të karakterit, guximin, vetëmohimin dhe besimin tek populli shqiptar dhe triumfi e konsolidimi i demokracisë në Shqipërisë. Azem Hajdari u shqua për këto veti qysh në fillimin e Lëvizjes Studentore të vitit 1990-të, për të vazhduar më pas me veprimtarinë e tij politike, duke mbetur në kujtesën historike si një udhëheqës me vlera të rralla demokratike e patriotike, për të cilat atij i është dhënë, pas vdekjes edhe Urdhri i lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës.

Bashkëshortja, fëmijët dhe të afërmit e të ndjerit Azem Hajdari, falenderuan Presidentin Topi për nderimin që i bën gjithmonë kujtimit të “Pishtarit të Demokracisë” duke shprehur njëkohësisht edhe një herë mirënjohjen për vizitën.

Kryetari i Shtetit e theksoi vlerësimin për këtë figurë të shquar të historisë së demokracisë shqiptare edhe gjatë një prononcimi për mediat, në të cilin u shpreh: “Natyrisht që vitet kalojnë shumë shpejt, por Azemi mbetet në memorien e gjithësecilit, sidomos të miqve dhe të shokëve të tij. Një njeri shumë i veçantë, me një karakter të fortë, gati-gati të papërsëritshëm. Kjo është arsyeja që ne e kujtojmë Azemin jo vetëm në përvjetorin e rënies së tij, por në çdo moment tjetër kur flitet për heronj. Ne heronjtë i përfytyrojmë si personazhet e librave, por ky është një hero, që ne e kemi parë në çdo hap, e kemi parë shumë afër në aksionin politik dhe në aksionin shoqëror. E thashë edhe në takim me familjarët e Azemit që është një nga ato personazhe, i cili përkujtohet pa asnjë lloj note hipokrizie. Përkujtohet me shumë vlerësim, me shumë dëshirë dhe besoj që kështu do ta kujtojnë Azemin të gjithë miqtë, bashkëpunëtorët si dhe ata që e kanë njohur nga larg, besoj që edhe ju”.

Përkujtimi nga Kryeparlamentarja Topalli

Kryetarja e Kuvendit homazhe në nderim të liderit të lëvizjes studentore, Azem Hajdari.Jozefina Topalli:Azemi ishte dhe mbetet modeli i politikanit të ri për të guxuar.Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli bëri sot homazhe në memorialin e Heroit të Demokracisë, liderit të lëvizjes studentore, deputetit Azem Hajdari, në përkujtim të përvjetorit të ndarjes së tij nga jeta.Zonja Jozefina Topalli shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Ridvan Bode, Nënkryetari Astrit Patozi, bashkëshortja dhe fëmijët e Azem Hajdarit, të afërm e përfaqësues të partisë demokratike vendosën kurora me lule në nderim të liderit të dhjetorit 90’ vrarë në 12 shtator 1998.Për Kryetaren e Kuvendit “Azemi ishte kalorës i lirisë. Ishte dhe mbetet modeli i politikanit të ri për të guxuar dhe për të qenë në çdo moment i zoti dhe i aftë për të mbrojtur atë që beson. Kjo është gjëja më e rëndësishme për çdo politikan të ri.“Më pas Kryetarja e Kuvendit së bashku me përfaqësues të Partisë Demokratike bënë një vizitë në shtëpinë e Azem Hajdarit, ku u takuan e biseduan me bashkëshorten e tij Fatmira, fëmijët dhe të afërmit e Heroit të Demokracisë.

Figurë emblematike

Ashtu si çdo vit kur mbërrin data 12 shtator, krerë të lartë të Partisë Demokratike përkujtojnë me ceremoni të posaçme përvjetorët që ikin një nga një të vrasjes së kolegut të tyre, Azem Hajdari. E cilësuar si “vrasja e shekullit”, sivjet ajo mbush 11 vjet që nga data e ndodhisë në 12 shtator 1998. Në ceremoninë e sotme merrnin pjesë përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike. “Azem Hajdari do të mbetet një model për politikanët e rinj dhe modeli i guximit për demokracinë”, mësohet të jetë shprehur në fjalën e saj përkujtimore nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli, e cila e ka ngritur lart figurën e Hajdarit. “E kujtojmë me dhimbje atë kohë. Falë asaj kohe kemi sot demokracinë dhe vlerat e saj”, ka thënë më pas përfaqësuesi i lartë i selisë rozë, Ridvan Bode.

Që të gjithë kanë përmendur vlerat e pamohueshme që i dha demokracisë shqiptare Azem Hajdari, i cili 11 vite më parë u nda nga jeta në mënyrë të padrejtë nga një vrasje, për të cilën drejtësia shqiptare tashmë e ka dhënë gjykimin e saj.

12 shtator 1998 do mbahet mend si data kur u vra ish-deputeti i Partisë Demokratike, Azem Hajdari dhe shoqëruesi i tij, Besim Çerja. Në fund të gjykimit të çështjes, në 29 prill 2002, gjykata e Tiranës dha vendimin, duke shpallur fajtor Jaho Salihin me burgim të përjetshëm; si edhe duke akorduar 25 vjet për Izet Haxhinë dhe 20 vjet burg për Ismet Haxhinë.

Azem Hajdari, është v;erësuar si një nga figurat më të rëndësishme të politikës pluraliste. Ai u qëllua për vdekje pranë selisë së Partisë Demokratike në 12 shtator të 1998 së bashku me truprojën e tij Besim Cerja.Azem Hajdari luajti një rol kyç në vitet e para të demokracisë. Ai ishte një nga studentët e dhejtorit dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike. Me rastin e përvjetorit të 10 të vrasjes së tij do të organizohen disa aktivitete që do të nisin me një ceremoni pranë memorialit të tij. Dy ditë më parë Azem Hajdari u dekorua nga presidenti Bamir Topi me Medaljen Gjergj Kastrioti Skënderbeu për kontributin e tij në forcimin e demokracisë.


(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora