E premte, 29.03.2024, 03:22 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Palok Prela: Darka e krenëve të Malsisë e ngjarje të tjera

E shtune, 12.09.2009, 04:05 PM


Dedë Gjo' Luli
Dedë Gjo' Luli
DARKA E KRENËVE TË MALSISË E NGJARJE TË TJERA


Nga Palok Prela

Kur pasha i Shkodrës thirri gjithë parinë e malësisë, Dedë Gjo Luli nuk pranoi me i dhanë vendimet e preme, perpara se me dalë e me bisedue edhe me popull. Edhe të tjerët ranë dakort me mendimin e Dedës se pa kenë populli dakort nuk mundena me thanë kurrgja.
Duelnë nga pasha në miletbaçe, u bashkuene e u thotë Deda, nuk mund të bajmë muhabet këtu, se këtu ashtë rrugë e madhe por po shkojmë sot tek Palok Luca, se kështu e thërriste Dedë Gjoni gjithmonë. Aty kemi shtëpinë tonë, tha Deda, Paloka asht njeri me shkollë e i pret mendja hollë e kështu atë natë lajmëroj Deda Palokën e i thotë, «përgatitu për 7 vetë, shtatë pari të maleve». Zen Paloka me bisedue me Martin Ujk Çekun e me Prelocin(Preken), korjerin e Ded Gjo Lulit, e u thotë Paloka se me ther një dash, ai ka një krye, e ata janë shtatë burra e dashi nuk i ka shtat krena. Prandaj nuk di se kujt me i qitë një krye e kujt një copë mish, se del dikë me e rritë e dikë me e zvoglue, por, i thotë Martinit, merr thesin e shko tek filan kasap, në mos i pastë ai t' i marrë nder shokë, i thuaj ka thanë Paloka më ço 7 krena e 15 kile mish: I thanë, ka me i ba(kushtue) kaq shumë, sa kështu ka me i shkue e nesermja pa hangër bukë.
Dalë nga dalë, kah mbramja, ka kris dera e Palok Traboinit. Niset Katrina me e çilë. Ndal, i thotë Paloka, ndal se duhet me dalë vetë me i prite e me i ndeshë.
I thotë Mehmet Shpendi ne të hyme:
«Palokë na ka marrë mendja me të mush me miq! ».
«More, ja kthen Paloka, si me ja ba armikut, se për atë zot, me miq nuk po ngihena kurrë, por juve bash ju qoftë hoshgjeldën!».
Hynë burrat mrenda. Ded Gjo Luli, Mehmet Shpendi, Isa Buletini, Marash Dashi, Zenel Shaba i Kastrat, Vat Marashi bajraktari i Nikçit, Ded Nika bajraktari i Grudës që kishte ardh mësheftas Sokol Bacit, e kështu filloi sofra, filloi pija, kush mastikë e kush raki qysh heret e tuj pi po bien mbrapa 7 krena e t' ja vënë të gjithëve ka nji përpara.
E nget Mehmet Shpendi:
«Shumë i paska pasë krenat ai dash, Palokë!».
Ja priti Paloka:
Palok Traboini
Palok Traboini
«Duhej me kenë me shtatë krena, se shtatë prijës që ishi nuk dijshem, kujt me i qitë nji copë mish e kujt nji krye, cilin me e rritë e cilin me e zvoglue. E këtë nuk mund ta bajshe se ashtë një punë e madhe dhe e randë.» Kështu vazhdoi pija e muhabeti deri mbas mjesnate. E kështu mbeti dhe muhabeti, që Ded Gjo Luli nëpërmjet, miqëve të vet me shikue hallet e një flamur.

Të ngjamen e flamurit e di kështu: U vonue me u projektue e punue në ndermarrjen artistike të Vjenës së Austrisë. Tuj pa se flamuri vonoi, çoi Deda Kolën djalin e vet përsëri në Austri e atje u muer vesh se asht tue u punue : e ala nuk ishte mbarue. Ishin në Cetinë bashkë me Hil Mosin e Luigj Gurakuqin e u thotë Deda, si me ba o burra , nuk asht çajre pa bajrak, se atëherë i thojshin bajrak, se kur s' ke flamur, thotë Deda, nuk dihet se pse luftojmë. Prandaj ndërhyn tek Gjon Gjokola e te terzija i Krajl Nikollës së Malit të Zi.
Por erdhi lajmi që delni priteni flamurin se asht nis prej Vjene. Prandaj Deda filloi luftën, e tue qënë se nuk mund të lente shokët por as luftën vetëm, përcollën Palok Traboinin me e prite në Kotorr. Ai e pruni në Hot. Vazhdoi e mbaroi lufta e atë flamur e ka ruejt në arkën vet Nore Kolja ( gruaja e Kolës, të birit të Ded Gjo Lulit,)deri që filloi lufta e dytë botnore. Qe pra at flamur as Zogut nuk ja dorzoj Nore Kolja deri në 1939. Kur prejt friget të Italisë, se po ja marrin e po ja humbin, çoj me e strehue tek kleri katolik, aty ku u zhduk e nuk u pa kurr ma flamuri që prunë prej Vjene. Në pranverë të vitit 1912, Deda qiti xhevap në të gjithë malet që kush donte me e pa atë shënj Shqipnije e që nuk e ka pa kurrnjihërë, të dilte e ta shihte ditën e diel. Aty u bashkuene gjithë malësia. At flamur e kanë hap dy burra në një vend të nalt e njerzija thojshin se gja ma të bukur nuk kishin pa ndonjëherë. E Palok Traboini kaq patriot i flaktë ishte sa ka qitë në atë festë 12 teneqe spirto (raki-mastikë) që zejshin nga 18 kile secila, e atë duhej me e pre katërsh me ujë që u bajshin them nja 800 kile pije. Filloi pija alkolike. Brohore e madhe sa nuk ka festë a dasëm ma të madhe, por siç thamë ai flamur u zhduk e tash fotografia e tij shihet në muzeun e Ded Gjo Lulit.
... Kur Paloka fillonte mësimin, nxirrte livoren aslagant e vente mbi tavolinë e u thoshte nxansëve:
«Gjithmonë duhet me mësue, me punue e me luftue, e gjithmonë njeriu qysh në të leme, duhet të mëndoj për Atdhenë!».
... Di që kur asht nis në luftë të Koplikut, i kanë thanë Zef Skanjeti e do shokë reshperë:
«More Palokë, s' asht nevoja me dale ti në luftë, ka kush me luftue se ti je i kalemit e ti nuk shikohe për luftë». Paloka u pat thanë:
«Ai që nuk lufton për Atdhe e nuk asht për pushkë, nuk duhet gja as për kalem, se armiku gjithmonë shporret vetem me pushkë! Prandaj, shokët i kam tuj u vra e vet me ndej me gra, mos he burra. Po këto armë atëherë çka më duhen?».
Në Luftë të Koplikut, Palok Traboini nxorri pushkën me vra Alush Lohen që thërriste: «0 bini burra, djemt e Hotit! Qëndroni mos u koritni...», e vetë vesh ushtarak rrinte ndënjur në karrike e i përcillte të tjerët për në luftë.
Palok Traboini e mësyni:
«Çou qeni i qenit me ardh në luftë se nuk bahet lufta prej karrike. Burrat e Hotit nuk janë korit e as do të koriten asnjihëre.» Por shokët ja kapen dorën Palokës shpej e shpejt, kaloi plumbi permbi kryet e Alush Lohës që shpëtoi pa u vra.
E kam pas kojshi në Hot të Ri dhe e kam ndigjue edhe vetë kur u thonte atyne që i patën thirrë në një aparat (pritje) kur pat ardh Viktor Emanueli: «Atë ka kënë marre për shqiptarët me e lshue pa e vra e me shkue gjallë në Itali. Në vend që me e vra, ju i keni shkue me tuba lulesh. Si nuk ju ka ardhë marre he burra?!»
Megjithse ishte i moshuem, këto fjalë i folte shumë bukur e jo si po i shkruej vetë, se nuk kam shkollë, por kam shumë vullnet që mos me i lanë të dekuna këto qellime të shëjta.
Në jeten e vet personale ka pas edhe veshtirësina. Ka pas probleme me disa krenë të klerit pse Paloka mor gru të dytë kur ishte mësues në Tuz. Por nuk asht nda me Katrinën e u martua me lejen e saj, (asaj i kishin dekë tre fëmijë me Palokën e s' lindte ma), se as njeni e as tjetri nuk dojshin që të mbyllej një derë shqiptare. E Katrina fëmijët e Palokës i ka dashtë si fëmijët e vet, se ka kenë gru fetare e me zemër të mirë.
Për Palokën ka gjithçfarë të dhanash e asht zor me i kujtue të gjitha. Shtoj se i thosha mbas çlirimit në Hot të Ri:
«Pse nuk shkruan për të dhanat e tua?». E kishem fjalen edhe për me ju njohtë meritat e me i lidh ndonji pension që nuk ja dhanë kurr sa ishte gjallë por ai më thoshte i menduem:
«Une nuk kam ba ndonji gja të tepert, por kam ba detyren si shqiptar. Me punue e me luftue për Atdhe e ka detyrë gjithësekush!».
Kështu pra i kishte përgjigjet Palok Traboini, kështu i kishtë qellimet e punët më të mira që ka shqiptari.

PALOK PRELA
77 vjeç
Shkodër, korrik 1984

Kujtim i lënë dorëshkrim familjes së P. Traboinit



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora