E shtune, 20.04.2024, 06:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Një burrë i shumfishuar

E diele, 16.09.2007, 09:24 PM


Nga Luan Laze

Lorenco Lopez, nëpunës në administratën e një firme të prodhimeve farmaceutike në Venezuelë, u gjobit nga pronari i tij. Shkaku që ka befasuar të gjithë është se, ai nuk ka reaguar kur një kolege zyre e goditi pa shkak në fytyrë me dorë dhe dosje. Në argumentin e tij pronari tha se, Lopez me indiferencën e vet ka cënuar figurën e nëpunësit dhe të mashkullit.
Pronari i zotit Lopez, me siguri duhet të jetë me origjinë nga anët tona. Por edhe si nëpunësi i rrahur dhe gjobitur njëkohësisht, Shqipëria ka sa të duash. Po të ishte këtu pronari i të parit, do të shikonte si nuk fyhej nga femra dinjiteti i mashkullit, sepse një pjesë e burrave nuk ja bën të gjatë. Ata më mirë e hedhin gruan nga ballkoni, ja futin me vazo kokës ose i zbrazin një breshëri automatiku me krisma që i ngjajnë si duartrokitje për veprimin burrëror, se sa të fyhen nga ajo. Pronari venezuelian me karakter shqiptar, do të ndjente krenari kur të shikonte se çfarë u bëjnë disa burra gjinisë femërore. Por më shumë se ai, këtu do të gjente veten i gjori Lorenco Lopez. Jo si nëpunës korrekt, sepse të tillë tani nuk ka më, por nga ata që trajtohen nga gratë e tyre, si gra. Sepse këtu ka burra që ende nuk janë emancipuar dhe nuk i kanë fituar të drejtat e tyre të barabarta me to. Lopez do të gjejë kopje të vetes, ku emancipimin ua kanë dhënë në dorë grave për ta përdorur si pushtet.
Më kujtohet një grua të lagjes sonë dikur me trupin e një lope, që rrihte burrin e vet në sy të fëmijëve të lagjes. Ne shkriheshim gazit pas hekurave të dritares. Kam parë dhe burrë që nga frika e gruas nuk martohet, por edhe burra që për inat të gruas së vdekur, rimartohen. Kam parë dhe njohur burra, që për paranë pranojnë çdo lloj pune për gruan e tyre. Kam parë dhe njohur burrë në vitet ’90 që dërgonte gruan me të cilën kishte dy vajza të bukura, në një hotel të Tiranës në mbrëmje dhe e merrte të nesërmen në mëngjes.
Kam parë burrë që shkon me dëshirë në emigracion, dhe pas disa kohësh qan, se gruaja e ka tradhëtuar atje. Kam parë dhe çfarë nuk kam parë! Burra që urdhërohen nga gratë, burra që poshtërohen nga gratë, burra që zhvleftësohen nga gratë, burra që tallen nga gratë dhe burra që janë të shpifur për gratë. Burrë që nuk do prindërit e tij se nuk i do gruaja, burrë që nuk do shokët se nuk i pëlqen gruaja, burrë që vdes për vjehrrin se do gruaja dhe burrë që nuk do muzikën se e urren gruaja. Burrë që mërzitet me suksesin e gruas dhe burrë që gëzohet me sëmundjen e saj. Burrë që për gruan jep edhe prapanicën, e burrë që për këtë të fundit, të dhuron gruan. Burrë që pi cigare me leje të gruas dhe burrë që e mban atë me ferexhe. Burrë që nuk del me gruan për turp të shoqërisë dhe burrë që për gruan nuk njeh shoqëri. Burra që vishen, lyhen dhe sillen si grate, dhe burra që ngrihen në pozitë nga gratë. Burra që bien në baltë nga imoraliteti i grave, burra me vathë, thonj e manikyr, dhe burra 40 vjeçarë pa dhëmbë në gojë. Burra që duan partinë më shumë se nënën dhe burra që duan paranë më shumë se fëmija.
Kam parë dhe ç’nuk kam parë! Burra të pabesë dhe intrigantë, burra me huqe dhe hileqarë, burra servilë dhe frikacakë, burra pa karakter si të vetat gra. Burra që qeshin në vdekje nga gëzimi dhe burra që qajnë se i duket tek të tjerët i pakët hidhërimi. Burra që martohen se duan vetëm të tradhëtojnë dhe burra të tradhëtuar ende pa u martuar. Kam parë burra që me dashnoren martohen dhe gruan e duan si të dashur. Por dhe burra që nuk thonë kurrë faleminderit dhe burra që të thonë në telefon në vënd të “alos”, “çfar do”. Burra që të adhurojnë kur je me post dhe burra që të harrojnë shtëpinë kur nuk je më. Burra që urrejnë librin si një mortajë, dhe burra që në gabim nuk dinë të thonë kurrë më fal. Burra që kujtojnë se vlera e tyre është celulari me rreze sa shtrirja e tij, dhe burra që tek hakmarrja gjejnë lumturinë. Burra që tek vesi, prej vesit dhe nga vesi rrojnë, dhe burra që për një kafe të paguar tri ditë të mallkojnë. Shkurt, burra që kanë lindur qose nga qimja dhe karakteri.
Atë tjetrin, mashkullin si e ka bërë Zoti dhe më pas qytetërimi, që e di se i duhet gruaja si shoqe, e dashur, motër, dhe nënë e fëmijëve, zor se e gjen këtu. Deri atëherë në pritje të atij mashkulli që do ta meritojë emrin burrë do të përtypim dhe kavardisim këta që fati, antiqytetërimi, shteti, puna dhe jeta na i bënë peshqesh pa dëshirën tonë. E bashkë me ta edhe konsideratën e grave se, të gjithë burrat janë njëlloj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora