Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Minorancë - Ruajeni Xhuvelin - I dashur Shën Lul

| E diele, 16.09.2007, 09:19 PM |


Nga Luan Laze

Minorancë, maxhorancë, injorancë

Erdhi Barroso në parlament dhe i fikëm dritat. Kërkoi qetësi kur foli në kryeministri, se deputetët bënin gallatë dhe zhurmë. Nuk e pa të ftuar kryetarin e opozitës. Iku, dhe rrahëm gazetarin. Këto kërkonte mosmarrëveshja e asocimit. Barroso i mori me vete katër nga arritjet tona. Sa të mbërrijë në Bruksel, do i kemi dhjetëfishuar. Do rrahim jo vetëm gazetarët, por edhe gjithë lexuesit e tyre.
Nga Tirana në Rinas, ajo farë rruge, e bindi se çfarë vendi po ftonin në BE. Të nesërmen kryeministri Berisha dha një sihariq tjetër. Nuk është në programin e qeverisë rrahja vetëm e një gazetari! Duhet të rrihen të gjithë, pa përjashtim. Barroson e njoftuan edhe për këtë. U gëzua shumë. Kështu asociohesh. Ky vend duhet pranuar urgjentish, tha në Bruksel ai. I ka të trija: minorancë, maxhorancë, dhe injorancë.

Ruajeni Xhuvelin nga gripi i pulave

Ndalohet gjuetia e shpendëve, urdhëroi ministër Lufteri.
Nuk është normale që gjelin t’a zërë gripi i pulave. Se ai është gjel në parti, dhe gjel në ministri. Prandaj, ju lutem, ruajeni këtë burrë shteti nga gripi që po vjen me krahë zogu. Nëse Xhuvelin e zë gripi i pulave, çdo bëjnë pastaj pulat e tjera votuese? Nuk e di nëse e ruan imuniteti i deputetit. Prandaj ministri të mos dalë për gjah, të mos hajë mishin e pulave, dhe të mbyllë dritaren e zyrës nga glasat e zogjve shtegtarë. Çdo të thoshte bota pastaj, kur ministrin e Higjenës shqiptare e zë gripi i pulave? Ruajeni këtë Lufter, se një Xhuvel me gripin e pulave nuk mund t’a kandidojmë as për president. Me gripin e gjelave, po! Se falë tij qëndron ende ministër dhe kërkon presidencën.
 
I dashur Shën Lul Valentin Basha!

Gropën që hapi Sejdia, e mbylli partia. Na hoqët qejfin dhe bukën e gojës. Mbylle gropën dhe çave tubin. Atë të ujit, sigurisht. Shën Valentini na gjeti pa Shën Gropën por me Shën Fekale. Kemi dëgjuar se do t’a bësh lulishte. Atë do t’a thërrasin “Lulishte Travestiti”. Me hapjen e gropës u fituan vota. Me mbylljen e saj do fitohen përsëri. Nëse do bëhesh Kryetar Bashkie, fitoren e ke nga gropa jonë. Nga gropa fituam ne, nga ajo do fitosh edhe ti. Ajo është si kuti votimi. Pasi të fitosh, besoj se do na kujtosh. Sepse ti nuk je nga ata që, kur kalon gropën thua, të dhjefsha travestitin! Gëzuar nga Sindikata jonë e Pavarur, Shën Lul Valentin Basha!
 
BEJE TE MIREN E HIDHE NE DET, SE E DI PARTIA VETE

Një grua që nuk tregon vitet e moshës së vet, ka një arsye të fortë. Ajo e di mirë se ato nuk korrespondojnë me pjekurinë e saj BEJE TE MIREN E HIDHE NE DET, SE E DI PARTIA VETE

Ka plasur pakënaqësia tek shqiptarët e djathtë. Partia nuk po i punëson aty ku ata shpresonin. Për vite të tëra e ndoqën pas, në mitingje, në mbledhje e qarje, tani po e braktisin. Ky fenomen është shqetësues, sepse po prishet rregulli. Anëtarët, nuk janë anëtarë për të dhënë vetëm votën. Ata janë anëtarë për t’u punësuar, sapo partia e tyre vjen në pushtet. Kjo është Shqipëria. Shqipëria e anëtarëve, jo e të pavarurve. Të jesh anëtar, ke aftësinë më të madhe. Ajo është më e dukshmja. Jam anëtar partie, çfarë duhet tjetër? Kush pyet për diplomën, gjuhët e huaja, specializimet, personalitetin. Jam anëtar partie, dhe pikë. Pastaj fillon karriera.
Para disa kohësh, në komisariat përfundoi një dyzet vjeçar që ishte përzier në një konflikt në klub. Kur polici e pyeti se çfarë pune bënte, ai ju përgjigj: Jam demokrat!
Kështu rrjedh jeta shqiptare. Ikën një parti dhe vjen një tjetër, sëbashku me taborin e anëtarëve. Mund të jenë shumë, thotë dikush. Punë e madhe. Le të bëhen tavolinat me dy kate, si krevatet e ushtrisë, Doganat me katër turne, Prokurimet, e kështu me radhë. Shef Komisariati, zv.shef, zëvendi i zëvendësit, dhe zëvendësi i zëvendësit të zëvendësit. Këta të kenë nga një zëdhënëss shtypi, nga një shofer dhe nga një mekanik për mirëmbajtjen e makinës. Pastaj vijnë policët. Edhe këtu mund të praktikohet me zëvendës polic, po me pagë sa i pari. Kështu plotësohet organika, lehtësohet partia nga detyrimet, vendi merr frymë lirisht, dhe kruhen xhepat gjithësisht.
Kështu mund të veprohet edhe në arsim apo shëndetësi. Madje, në këtë të fundit, nëse nuk ka vend për mjekë dhe infermjerë, le t’i punësojnë si pacientë. Veshin pizhamat, shtrihen në krevat, hanë, pinë, shohin TV, lexojnë shtypin e partisë, dhe marrin rrogën. E kush do t’a marrë vesh? Partia drejton, ajo mbulon.
Si dallgë deti, një herë në disa vjet, shkojnë e vijnë anëtarët. Në mes, si kallamishte, tunden dhe qëndrojnë vetëm shqiptarët.
Të pakënaqurit thonë se i kanë gënjyer. Votuan që disa të bëhen deputetë, dhe ministra disa të tjerë. Ndërsa të kënaqurit thonë se së shpejti fillon dyndja në vendet e punës. Sapo të ikë dhe vala e fundit nga deti i PS-së. Partia nuk harron. Bëje të mirën hidhe në det, se e di partia vetë. Prandaj janë të mençura ata familje që kanë anëtarësuar fëmijët në dy partitë kryesore. Që vëllezërit opozitarë të mos ngelin rrugëve, në pazar.
Por mos harroni: Edhe pse jeni anëtar partie, CV-në, analizat e gjakut, të urinës, dhe pështymës, do t’i paraqisni në selinë e saj. Atje është agjensia e punësimit. Por kësaj radhe, të jeni të sigurtë se, me ju nuk ka lidhje urtësia: “Prit gomar të mbijë bar!”