E premte, 19.04.2024, 09:13 AM (GMT+1)

Mendime

Bedri Blloshmi: Nga Librazhdi janë serbët e Qoses?

E merkure, 09.09.2009, 08:16 PM


Nga Librazhdi janë serbët e Qoses?

Nga Bedri BLLOSHMI

Qosja nuk është as plaku i rrjedhur që i bën ysmet inatit e pafuqisë, as robi që adhuron xhelatin, as ndonjë islamist i thekur e i djegur për ideologji. S’përjashtohet që Qosja të ketë qenë agjent i fshehtë i sërbve. Dhe më e keqja për të: sot Qosja hapur po e shpall veten si agjent i Sërbisë kundër vendit të tij.

Qosja e ka bërë udhë që të hedhë pështyma mbi historinë, mbi Skënderbeun, mbi letërsinë. Nuk më takon mua të merrem me të, por me që në një shkrim të tij të fundit përmendte Librazhdin prej nga jam, po i them nja dy fjalë. Librazhdi im vërtet nuk është si Londra, por unë nuk lejoj t’ma fyejë vendlindjen njeriu me tru të thartuar që pështyn mbi këdo që i del përpara. Ne e duam vendin tonë, ashtu siç duam dhe Europën. Familja ime ka bërë vite të tëra me burgje e internime. Komunizmi derdhi kot së koti gjakun e vëllait tim, Vilsonit, e të kushëriririt tim, Genc Lekës. Ne jemi nga një fshat i Librazhdit, po në përkthimet e në shënimet që i ruajmë ende, vëllai im kishte poezi dhe prozë nga Volter, Hygo, Poe, Verlen, Bodler etj. Pse na fyen ky njeri? Ne kemi dhënë një a dy libra, me atë vlerë që kanë, që të themi se Shqipëria është pjesë e Europës dhe këtë e kemi paguar me gjak. Ç’i thotë mendja këtij njeriu, kur thotë se letërsia jonë nuk është evropiane? Pse mohon punën e tij dhe të tjerëve? Një burrë i ndershëm nuk pështyn mbi punën e jetës së tij. Vetë ka dashur të merret me letërsinë për gjithë jetën, nuk e ka detyruar njeri. Thonë që akademikët janë gati si barinj për shkrimtarët e për veprat e tyre. Bariu e mbron tufën e vet, e shton dhe e kujdeson. Nëse nuk e pëlqente tufën e vet, pse Qosja punoi një jetë si bari i saj?

Turp e faqja e zezë! Vetë ky gjasme bari na e thotë se ia ka hapur vathën ujkut, e ka shitur tufën e tij. Shan letërsinë shqipe, mburr atë sërbe. Ngul këmbë se serbët janë më të mirët, më të njohurit, më të lexuarit në Europë. Flet sikur ende të jetë zyrtar sahanlëpirës i serbve, zyrtar i krahinës serbe nën Jugosllavi. Specialistët e tjerë thonë se ai e ka gabim, se gënjen, kur flet kështu, po robi Qose adhuron robërinë, flet e ç’nuk flet për lavdinë letrare të nënës Sërbi.

Që gënjen, kjo duket sheshit. Kur letërsia shqiptare, nën emrin e Kadaresë, më 2005 mori në Angli çmimin Internacional Man Booker, në krah të tij konkuruan shumë shkrimtarë botërorë, por asnjë shkrimtar sërb nuk ishte në listë, asnjë ballkanas.

Kur mori sivjet në Spanjë Princin e Asturias, konkuroi me kolosë të letërsisë në botë, si Kundera, Tabuchi etj, por serbët prapë nuk ishin as kandidatë. Nga Librazhdi janë këta serbët e Qoses?

Po kështu letërsisë shqipe (Kadaresë) i janë dhënë çmime si: Herder në Gjermani, Grinzane Cavour e Bokacio në Itali etj. Edhe anëtarësisë së Kadaresë në Akademinë franceze, serbët e Qoses i vijnë anash, nuk kanë as anëtar, as kandidat.

Me një vrer të padëgjuar për një koleg shkrimtar, Qosja i turret Kadaresë dhe kërkon linçimin e tij në emër të krimeve të komunizmit. Kadareja të japë llogari? Kush ka dhënë llogari për krimet e komunizmit në Shqipëri? Kanë dhënë llogari miqtë e mëdhenj të Qoses, ata që urdhëronin të vriteshin në kufi djem e vajza edhe më 1990? Kanë paguar gjë ata që na vranë prindërit dhe vëllezërit tanë, që t’i mbetet radha Kadaresë?

Por Qosja mbase do ta linçojë Kadarenë si islamofob, se, me gjasme, Kardareja na qenka me katolicizmin, kundër islamizmit. Ne në Tiranë jetojmë dhe e dimë që kjo është një gënjeshtër tjetër e Qoses. Nga ana e tij, Qosja, si komunist i thekur, nuk mund të duronte dot pa një ideologji. Meqë i vdiq komunizmi, zgjodhi për ideologji islamizmin. Asnjë nga burrat që janë marrë me punë mendjeje që nga Naimi, Noli, Anton Arapi etj, nuk e kanë përdorur ndonjërën nga fetë tona si ideologji. Në thelb, që të gjithë janë bashkuar me Pashko Vasën, ’’feja e shqiptarit është shqiptaria’’. Qosja, kushedi me ç’porosi të mbrapshtë, i ka dalë për zot islamizmit si ideologji. E meqë e ka bërë vetë këtë, përrallis se edhe të tjerët kanë bërë si ai. Kadarenë, të paktën, ende nuk e kanë lënë mendtë. Ai kurrë nuk ka shpallur armiqësi për ndonjë nga fetë në Shqipëri.

Qosja në emër të islamizmit ka pështyrë mbi kulturën, mbi Skënderbeun, Nënë Terezën, Kadarenë. Në këto shkrimet e fundit me mburrje të neveritshme për letërsinë sërbe, Qosja e nxjerr kokën. Islamizmi na qenka një perde për të fshehur qëllimet e tij. Në thellësi ai po përdor tezat e njohura sërbe për shqiptarë islamikë, për letërsi e kulturë të cekët të shqiptarëve, për identitet të gjymtuar të shqiptarëve. Qosja ka kohë që hedh pështyma shumë më lart sesa fuqitë e tij. Dhe pështymat po i kthehen drejt e mbi fytyrë.

Në mbyllje: Qosja nuk është as plaku i rrjedhur që i bën ysmet inatit e pafuqisë, as robi që adhuron xhelatin, as ndonjë islamist i thekur e i djegur për ideologji. S’përjashtohet që Qosja të ketë qenë agjent i fshehtë i sërbve. Dhe më e keqja për të: sot Qosja hapur po e shpall veten si agjent i Sërbisë kundër vendit të tij.


(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora