Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Humor & Satire

| E diele, 16.09.2007, 09:18 PM |


Nga Luan Laze

Petro katarsisti funksionon akoma


Kur ju flisni dhe të tjerët mbajnë qetësi, do të thotë se budallallëqet tuaja janë shumë serioze. Petro katarsisti funksionon akoma

Katarsisti i vjetër Petro Koçi, funksionon ende. Sa herë i bie celulari, ai vihet në lëvizje. Njofton mediat dhe bën deklarata. Nano urdhëron këtë, ky mediat. Kjo metodë funksionon mirë. Vetëm për këtë paguhet. Dikur mori urdhër të ndizte motorrin katarsist kundra Metës kryeministër. Dha rezultat. Atë e rrëzuan.
Por e kishte marrë shumë seriozisht. Filloi të flasë për katarsis edhe pa e urdhëruar Nano. Madje edhe kundra tij. Nuk kishte faj. Ashtu qe kurdisur. Por jo deri aty. Eprori të ve në levizje për të tjerët, jo për veten. E lanë në hije dhe fliste me vete për katarsis. Ndërkohë që eprori i tij bënte pushime në Katar. Ti flit për katarsis, unë po pushoj në Katar. Rrodhën vite dhe gjoja ndryshime. Tani Petroja rifilloi zanatin. Nanoja e ka ende celularin e tij. Nuk e ka ndërruar, ka po atë që kishte kur filloi punë si katarsist. Nano i bie sa herë që do. Petro, dil plase këtë. Thuaj që në PS nuk bëhet opozitë. Del Petro katarsisti. Nuk bën opozitë me pozitën, me qeverinë. Jo, kurrë. Nuk paguhet për këtë. Paguhet të pastrojë të përbrendëshmet. Të vetët. Sa herë i duhet Nanos, lëshon Petron dhe ai deklaron. I duhet presidenca, jepi Petro! Thonë se, presidencën e ka të sigurtë nga Berisha, por e ka të vështirë me Ramën dhe Metën. Për të bindur të parin duhet t’a trembë se do të rikthehet në PS. Dhe trembës më të mirë se Petro Koçi nuk ka. Në kamp të pionierëve Petro Koçi ka qenë borizan. Tani është katarsian. Megjithatë, ai duhet të flasë, të besohet se punët erdhën pas debateve dhe jo pas skenarëve. Presidenca e Nanos është vendosur. Ai po qep kostumet dhe ka gjetur kollarot dhe shoferin. Sepse presidentit të vendit, muajt e parë nuk i lejohet t’i japë vetë makinës.
I vini në dyshim këto? Pyesni Petron. Ai do t’u thotë se kështu është vendosur. Siç ishte vendosur që Berisha një herë të bëhej president, pastaj kryeministër. Nano, një herë kryeministër, pastaj president.
Njëzet vjet do i mbyllim me këta. Po pastaj? Pastaj prisni deklarimet e tjera të Petro Koçi katarsistit. Por edhe ai do deklarohet pasi t’i ketë telefonuar Nano. Katarsisti, pas një dopio kafe të thotë në intimitet se, Berishës i duhet të bëjë pak burg pasi të largohet nga kryeministria. Si Nano dikur. Nano në fillim, ky në fund. Për të mirën e partisë punësohesh kryeministër, president, dhe i burgosur. Dhe anasjelltas. Skenari do realizohet siç është shkruar. Edhe këtë sekret t’ia ketë thënë Nano, Petro katarsistit? Kaq shpejt!

Ministër Lufteri dhe lulja e diellit

Kisha menduar se, Lufter Xhuveli me gjithë titujt, postin dhe moshën, është shumë serioz dhe nuk bën humor. Por isha gabuar. Një mbrëmbje më ka shkrirë së qeshuri. Është mirë kur politikani jo vetëm bën sikur punon, por
ka edhe humor. Në ekranin e një TV-je, tha se, qeveria ku ai është i punësuar, është më e mirë se ajo ku ka qenë i punësuar.
Si politikan e di se kë duhet të lavdërojë. Aty ku ha bukën, aty edhe lavdëron. Si burrë i pjekur, e di se në këtë vend nuk ka rëndësi sa punon, si punon dhe çfarë punon. Aftësi është vetëm kur i bën furçe eprorit. Lavdëro atë, dhe je në rregull. Të punosh, të vrasësh mendjen, të kërkosh llogari, është punë e gjatë, e lodhshme. Aq më tepër kur këtë nuk di t’a bësh. Prandaj bjeri shkurt. Lavdëro kryetarin e shtetit, partinë e tij, dhe je në rregull. Po t’a dojë puna edhe anëtarët e PD-së, bile me emër dhe mbiemër, fqinjët e kryetarit, lokalet pranë shtëpisë, e copën e qiellit që ka mbi kokë. Çfarë të dojë ai! E për çfarë? Vetëm në këmbim të një gjëje fare të thjeshtë dhe të vogël. Të qëndrojë në qeveri ministër, të dalë në ekran si ministër, t’i hapet dera si ministër, dhe të shkruhet në gazeta ministri Xhuveli. Pastaj, kur të jetë në fund të jetës, të mburrë veten në shtrat: ke qenë shumë i aftë, o Xhuve, prandaj çdo qeveri nuk të lëshonte!
Por ai ka nuhatur edhe diçka tjetër. Mund të bëhet president. Në fakt, këtë informacion në media e çoi vetë ai. Dhe vetë e beson. Po të jetë e vërtetë kjo, atëherë çfarë do na shohin sytë? Ministri Xhuveli, Kryetari i partisë Xhuveli, Prof. Doc. Xhuveli, burri i Labërisë Xhuveli, do mbajë kalapiç Berishën nga kryeministria deri në presidencë. Sepse e meriton.
Kur interesi e kthen burrin në vlerat e një gruaje të zakonshme, e meriton të qëndrojë ministër, e meriton t’a ëndërrojë presidencën, dhe e ka për detyrë të mbajë kalapiç kryeministrin. E meriton t’i dalë emri në gazetë. Por edhe një shkrim si ky.
P.S
Ministër Lufteri! Po të pres të dalësh edhe një herë në ekran. Të lutem, kam nevojë të qesh përsëri. Je i madh! Vetëm se je agronom, ministër, president në rezervë, edhe lulja e diellit të imiton ty. Kthehet andej nga shkon dielli. Për ty, tani diell është Berisha. Ndërsa për mua je ti. Të pres të dalësh të thuash edhe një herë ato thesare që the atë natë. Je i madh, je ministër. E meriton presidencën!

Një celular dhe një gomar

Sipas specialistëve, telefonat celularë dëmtojnë nervat.
Kjo është e vërtetë. Të gjithë ata që nuk kanë celularë, janë njerëz shumë të qetë. Së pari se, rrezatimi nuk u ngacmon nervat, dhe së dyti se miqtë e marrë, nuk i marrin çdo pesë minuta në celular. Këtë e përforcon edhe fakti se njerëzit e politikës janë shumë të acaruar. Rrezatimi dhe lajmet e këqia që u japin njerëzit e tyre nga Europa dhe rrethet e vendit: nuk do të hapen negociatat, luftoni korrupsionin, kancelaritë e botës nuk ju duan, partia në rreth nuk ju do, FMN-ja ngrini taksat, qytetarët ulni taksat, etj. Të gjitha u ngacmojnë nervat.
T’u japësh celular njerëzve kur u dëmton nervat, ndërkohë që kanë lindur të tillë, është e padrejtë. Aq më tepër, njerëzit e politikës mbajnë nga tre, që valët dhe lajmet t’i fusin në kokë nga të gjitha anët.
Celularin e përdorin në timon, në mbledhje, në dreka, në gjumë, në seks, në banjo, dhe kur mendojnë për tendera. Në Itali, Gjermani dhe vende të tjera, qytetarët dhe shtetarët nuk i ka pushtuar epidemia e celularëve. Atje vetëm vëllëzërit tanë kanë celularë dhe makina të shtrenjta. Siç i kemi edhe ne këtu. Njëlloj jemi, një diagnozë kemi.
Kur dikush lexon një libër, shoqëria ka një gomar më pak, ndërsa për celularët, përdoruesi është i barabartë me një gomar. Pra, atë që pakëson libri, e shton celulari. Po ai që ka i ka të dyja, imunitetin dhe celularin?