E premte, 19.04.2024, 04:28 AM (GMT+1)

Faleminderit

Baki Ymeri: Diaspora e atdhetarëve të harruar: Dhimitër Emanoil (1884-1945)

E marte, 08.09.2009, 09:20 PM


Dhimitër Emanoil (1884-1945)
Dhimitër Emanoil (1884-1945)
Diaspora e atdhetarëve të harruar: Dhimitër Emanoil (1884-1945)


Në gjirin e lëvizjes patriotike

Dhimitër Emanoilit i buzëqeshi fati të jetojë në Bukuresht, në kohën e Mbretërisë, kur Drita, Dituria, Shpresa, Bashkimi e shoqëritë tjera, botonin me të madhe veprat e rilindësve tanë, abetare, kalendarë, broshura, statute, revista, gazeta, apele e memorandume për t’ua ndezur shqiptarëve atë zjarr të shenjtë të atdhedashurisë që i shtynte ta konsiderojnë gjuhën shqipe si gjuhë perëndishë.

Nga Baki Ymeri (Bukuresht)

Pasuri e shkrirë  për kauzën e shenjtë kombëtare

 “Të rrahur dhe të shtyrë nga të gjitha anët, me sy të lodhur nga dhembjet, vuajtjet dhe uria; të ikur natën me druajtje, duke i braktisur vatrat e veta apo zandanet osmane, nacionalistët e parë shqiptarë gjetën në Rumani një vend-prehjeje, një popull mik e vëlla, që ua kuptonte dhembjen. Bukureshti, kryeqyteti i bukur i këtij vendi, është një emër i shenjtë dhe i shtrenjtë në historinë e lëvizjes kombëtare të Rilindjes Shqiptare, ngase aty u ndez flaka e parë e Shqiptarismës, e përmbajtur deri më sot dhe e përhapur në të katër çipet e botës. Dhe po ky Bukuresht, është qyteti nga i cili plaku i ndjerë, Ismail Qemali (1844/1912), me një tufë të entuziasmuar atdhetarësh, shkoi për në Vlorë, për të ngritur flamurin e lirisë dhe për të proklamuar vetqeverimin e Shqipërisë. Ja kështu e fillonte artikullin-bazë, “Shqipëri’ e Re” e Konstancës (nr.119), në prak të Ditës së Flamurit, të vitit 1923. Artikulli mban titullin “Ç‘i detyrojmë Rumanisë?”. Bukureshti është një vend në të cilin edhe pas 90 vitesh, që nga ajo ditë e shenjtë, gjejmë gjurma të reja lidhur me shtypin dhe shoqëritë shqiptare, lidhur me hymnin, flamurin, mbledhjen historike të kolonisë, pjesmarrësit e delegacinit dhe shpalljes së pavarësisë. Historiografia shqiptare konstaton kohëve të fundit se flamuri ynë që u ngrit në Vlorën e Ismail Qemalit para 90 vitesh, u soll i gatshëm nga Rumania, nga ana e Spiridon Ilos, i cili, sipas Agim Rushitit, ishte grafist dhe i cili, përgjatë rrugës për në Shqipëri, ka gjasë ta ketë pregaditur vetë.
         Aktualiteti i rikthimit të shqiptarëve në hershmërinë tonë të shenjtë është prioritet që dëshmon se shqiptarët dinë t’i flakin influencat osmane që s’kanë gjë të përbashkët me shpirtin shqiptar, ndërsa çështjet e luftës, të heronjve, himnit, flamurit dhe pavarësisë, janë tema që përherë do t’i preokupojnë atdhetarët tanë. Kësaj rradhe po ndalemi te një emër i harruar: Dhimitër Emanoil Mborja, njëri nga pjesëmarrësit e delegacionit të Ismail Qemalit që vajti në Vlorë. Për këtë dhe atdhetarë të tjerë të flaktë të shoqërive shqiptare të mërgimit, Fjalori Enciklopedik Shqiptar i Akademisë socialiste të Shkencave (Tiranë, 1985), asnjë fjalë s’e tha. Duke bërë fjalë për Format e reja të ideologjive të vjetra, profesori universitar N. N. Lenguçeanu, qysh para 60 vitesh ka deklaruar në Universitetin Popullor “Niculae Iorga” (Vëlenii de Munte): “Në këtë çast, njerëzimi gjendet në rrugëkryqin nga i cili shkëputen katër rrugë të mëdha: parlamentarizmi, fashizmi, nacional/socializmi dhe komunizmi marksist, ky i fundit, sipas asaj që po shohim, duke evoluar drejt sllavizmit”. Leksionet sllavokomuniste të Moskës e Beogradit i kishin trembur sivëllezërit tanë në Tiranë që nuk kishin guxim për të afirmuar shqiptarët e pasur, tregtarët dhe patriotët që shkrinë shëndetin dhe pasurinë për kauzën e shenjtë kombëtare.
Dhimitër Emanoilit i buzëqeshi fati të jetojë në Bukuresht, në kohën e Mbretërisë rumune, kur Drita, Dituria, Shpresa, Bashkimi e shoqëritë tjera shqiptare, botonin me të madhe veprat e rilindësve tanë, abetare, kalendarë, revista, gazeta, apele e memorandume, për t’ua ndezur shqiptarëve atë zjarr të shenjtë të atdhedashurisë që i shtynte ta konsiderojnë gjuhën shqipe si gjuhë perëndishë. Sipas Sherban Tabakut (bukureshtar me origjinë korçare, mjek/stomatolog, gazetar dhe autor i fjalorit të parë shqip/rumanisht-rumanisht/shqip, Dhimitër Emanoili ishte një patriot i madh shqiptar, pjesmarrës i rëndësishëm në pregaditjen dhe realizimin e aktit historik të 28 Nëntorit 1912. Dhimitri ishte i vëllai i gjyshes së gruas së tij, Adrianës. Zoti Tabaku me Adrianën dhe fëmijët e tyre jetojnë në një shtëpi shqiptare të shek.XIX, e ngritur në kohën e Rilindjes. Edhe atë e shqetson fakti pse autoritetet e Tiranës, madje edhe shtypi i asaj kohe, i lanë në harresë këta atdhetarë. Sipas gazetës “Minerva” të Bukureshtit (5 nëntor 1912), që gjendet në repartin e Koleksioneve Speciale të Bibliotekës së Akademisë Rumune, konstatojmë se artikullit “Autonomia e Shqipërisë” i paraprijnë tre medalione (të Dhimitër Emanoilit, Dhimitër Zografit dhe Dhimitër Beratit), që të tre anëtarë të delegacionit të Ismail Qemalit. Jepet me këtë rast një rradhitje kronologjike e kontributit që kanë dhënë patriotët shqiptarë “për ruajtjen e identitetin të këtij populli trim”. Kujtohet vizita e Ismail Qemalit në Bukuresht, takimi i tij me udhëheqës të kolonisë së këtushme shqiptare si dhe vendimet që janë marrë më 5 nëntor: Shpallja e Pavarësisë Shqiptare, thirrja e kolonistëve shqiptarë nga Egjipti, Greqia, Amerika dhe Konstantinopoja, për të dërguar delegacion në Triestë, formimi i një qeverie të përkohshme në Shqipëri”. Në kapitullin “Delegacioni nga Bukureshti”, lexojmë:

Anëtarët e delegacionit  vishen në kostume kombëtare

    “Delegacioni zyrtar i cili do ta prezentojë në këtë akt të madh kombëtar koloninë shqiptare nga Bukureshti, është i përbërë nga katër veta: zotërinjtë Dhimitër Emanoil, pronar i lokalit “Carpati”, Dhimitër Zografi, tregtar në rrugën Doamnei, Sotir Ilo dhe Dhimitër Berati, profesor. Ky delegacion, i shoqëruar edhe nga të tjerë patriotë të cilët shkojnë privatisht, do të lënë kryeqytetin me trenin Arad, në këtë mbrëmje, e Djelë. Pas disa ditëve, në mes të javës, ikën edhe udhëheqisit shqiptarë Meksi dhe Gurakuqi, ndërsa pas disa ditëve, do të shkojnë dhe zoti Pandeli Evangjeli, kryetar i Shoqërisë  “Bashkimi”. Në Triestë, të gjithë delegatët do të vishen në kostume kombëtare dhe do të hypin në një anije të Lordit austriak, e rregulluar posaçërisht për ta, e cila do t’i transportojë në portin e Vlorës, kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë”. Më 28 Nëntor të vitit 1912, para një mase shqiptarësh të panumërt, u lexua vendimi për shpalljen e pavarësisë shqiptare dhe u ngrit flamuri kombëtar, me shqiponjën e Skënderbeut. Me një fjalë, për iftarxhinjtë e Forumit të të Rinjve Muslimanë që organizojnë ceremoni turko/arabe në trojet shqiptare dhe Zvicër, mjafton ta dinë se qëllimi elementar i pavarësisë shqiptare ishte dëbimi i pushtuesit osman, zbritja e flamurit turk dhe ngritja e flamurit shqiptar. Ndërmjet nënshkrimeve të këtij akti historik, numërohet edhe ai nënshkrimi i patriotit të madh, Dhimitër Emanoil.
    Emrin e këtij atdhetari që e përjetoi rrugën dhe çastin historik të shpalljes së pavarësisë e përmendin një serë shkencëtarësh dhe publicistësh shqiptarë: Petraq Pepo, Rexhep Qosja, Ismet Dërmaku, Niko Kotherja etj. Sipas Dr. Dërmakut, Dhimitër Emanueli u zgjodh në delegacionin e Bukureshtit, qysh me rastin e mbajtjes së mbledhjes historike, në hotelin Continental. Pos tij, në delegacion u zgjodhën Pandeli Evangjeli, Dhimitri Ilo, Dhimitër Zografi dhe Dhimitër Berati, ndërsa vullnetarisht për në Vlorë u paraqitën: Pandeli Cale, Spiridon Ilo dhe Pandele Emanoili. Sëbashku me Asdrenin, Pandeli Evangjelin, Thanas Kantilin, Dhimitër Beratin, Nikolla Këndzon, Vasil Doganin, Dhimitër Ilon, Mihal Lehovën dhe Dhimitër Zografin, Dhimitër Emanoili e përfaqson koloninë shqiptare të Bukureshtit edhe në Kongresin Shqiptar të Triestës, që u mbajt në pranverë të vitit 1913, e në të cilin morën pjesë edhe një numër i konsideruar filoshqiptarësh me prejardhje arumune (dr. Shunda, At Foti Ballamaçi, Epaminonda Ballamaçi).
         Para se të shkojë në Triestë, më 2 shkurt të vitit 1913,  ai do të jetë prezent edhe në sallën e madhe “Transilvania” në Bukuresht, ku shqiptarët e këtushëm ngritën zërin kundër masakrave të ushtrive të Aleancës ballkanike që ushtronin në trojet shqiptare të Maqedonisë, Kosovës, Çamërisë, Malit të Zi e gjetiu. Disa shënime biografike mbi këtë atdhetar dhe familjen e tij, i ka prezentuar edhe poeti dhe gazetari Klito Fundo, në kuadrin e artikullit “Cilët janë vëllezërit Emanoil” (“Alternativa”, Korçë, 23 Mars 1993). Autori bën fjalë për dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XIX, për tregtarin patriot Viskë Emanoili, që u largua familjarisht nga Mborja e Korës në Bukuresht. “Në një mjedis patriotik të këtushëm, Dhimitri ishte zgjedhur kryetar i Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit. Në shtëpinë e tyre mblidheshin e diskutonin patriotët e shquar për çështjen kombëtare. Aty strehoheshin Ismail Qemali dhe Themistokli Gërmenji. Shtëpia e tyre ishte si një klub patriotik. Në prag të 28 Nëntorit 1912, Dhimitër Emanoili, nëpërmjet Triestës erdhi në Vlorë, duke shoqëruar dhe 1.000 napolona ari, të mbledhura si ndihmë. Ato ia dorëzoi Luigj Gurakuqit për arkën shtetërore. Më 28 Nëntor, Dhimitri ishte nga të parët që firmosi dokumentin historik për Shpalljen e Pavarësisë. Ndërkohë, vëllai i tij më i vogël, Nuçi, qëndronte në Korçë, së bashku me Themistokli Gërmenjin dhe Ferit Frashërin, për ruajtjen e rendit”. Nuçi, faktikisht ishte gjyshi i Adriana Tabakut. Në vend që ta vinin në vend të nderit, stalinistët e Enver Hoxhës e futën në burg. “Sa i përket Dhimitë Emanoilit, na thot Adriana, ai ishte vëllai i gjyshit tim. Ishin katër vëllezër. Gjyshi i im, Naum Nuçi Emanoil, ishte më i vogli. Më kanë thënë se në birarinë e tyre në Strada Matache, më 28 Nëntor, të gjithë hanin e pinin gratis, ngase ishte dita e Shqipërisë.”

Shtëpia e Emanuelëve u bë klub i patriotëve shqiptarë

    Shtëpia e Emanuelëve sipas këtij autori, e ndodhur në kërthizë të kryeqytetit rumun, ishte shndërruar në një klub atdhetarësh shqiptarë. Aty ishte edhe birraria, ku mblidheshin e diskutonin intelektualë të shquar, ndër të cilt edhe Asdreni, Viktor Eftimiu, Lasgush Poradeci. Mblidheshin ndihma dhe shpërndaheshin gazeta shqiptare. Ditën e Flamurit, më 28 Nëntor të çdo viti, birraria e Emanoilëve shërbente falas, për çdo shpirt shqiptar. Sipas broshurës Qyteti im (Korçë, Nr. 9/2008), nga Niko Kotherja kuptojmë se Dhimitër Emanoil ka lindur në Mborje. Ishte anëtar i Shoqërisë “Dituria” të Korçës më 1908 dhe kryetar i shoqërisë patriotike të shqiptarëve të Bukureshtit. Boton e shpërndan programin e komitetit të fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë”. Më 5 nëntor 1912 merr pjesë në mbledhjen e Bukureshtit. Më 28 nëntor 1912 firmon aktin e pavarësisë me siglën “Dh. Emanuel” në emër të kolonisë së Bukureshtit. Në shkurt 1915 zgjidhet këshilltar pranë shoqërisë së Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit, e cila punonte për të mbajtur një shkollë në gjuhën shqipe. Rreth vitit 1920, lëshoi darovisht godinën e shtëpisë së tij në Korçë si ambient mësimor për Liceun Kombëtar. Më 1924 mbështet qeverinë e Nolit. Largohet nga Rumania për t’u kthyer në atdhe vite më vonë. Vdiq në Bukuresht.
Meritat e larta të Dhimitër Emanoilit, thekson “Shqiptari” i Bukureshtit (nr.1/1997), nuk kanë qenë të njohura në regjimin komunist, emri i tij duke u bërë tabu, duke mbajtur etiketën e “mikroborgjezit”. Pasardhësit e tij, syrgjynosur deri në gjeneratën e tretë, sipas Sherban Tabakut, “kanë qenë të persekutuar pa motive dhe pa turp, të detyruar të durojnë një trajtim çnjerëzor të programuar: burg, konfiskim i krejt të mirave materiale, humbje e të gjitha të drejtave të njeriut”. Pas shpërthimit të revolucionit antikomunist, cenzura flaket nga pushteti i shtypit, rehabilitimi shkon duke e bërë të veten, edhepse jetën e hidhur të viktimave të terrorit komunist nuk mund ta rehabilitojë asnjë president dhe asnjë dekoratë. Viteve të fundit, pas instaurimit të pjesërishëm të demokracisë në Shqipëri, regjimi i ri filloi të rishikojë historinë, duke i korrigjuar të metat shkencore të marksistëve tanë. Paralelisht me një numër të konsideruar atdhetarësh nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe diaspora, përmes nënshkrimit të Presidentit të Republikës, edhe Pandeli Emanoilit iu nda Urdhëri i Klasit të I, medalje për kontributin e rëndësishëm sjellë në formimin e shtetit të pavarur shqiptar. Kjo dekoratë e lartë, e nënshkruar nga Sali Berisha, iu dorëzua në një kuadër festiv, nipërve të këtij atdhetari të madh: Julia dhe Eli Emanoil. Me sy të përlotur, e pritën këtë dhuratë të shtrenjtë, mirënjohje konkrete për një rilindës të madh që dha kontribut konkret për shqiptarët e Rumanisë dhe Pavarësinë e Shqipërisë.
Familja Tabaku (2009)
Familja Tabaku (2009)
Shqiptare te Bukureshtit me rastin e ardhjes se Luigj Gurakuqit ne Bukureshte per te pregaditur mbledhjen historike te pavaresi
Shqiptare te Bukureshtit me rastin e ardhjes se Luigj Gurakuqit ne Bukureshte per te pregaditur mbledhjen historike te pavaresi
Hoteli Continental ku u mbajt mbledhja historike per shpalljen e Pavaresise (1912)
Hoteli Continental ku u mbajt mbledhja historike per shpalljen e Pavaresise (1912)



(Vota: 8 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora