E shtune, 16.11.2019, 02:29 AM (GMT)

Kulturë

Siguri është pulla, jo ilaçi - Nga bordello vijmë, në bordello shkojmë

E diele, 16.09.2007, 08:13 PM


Nga Luan Laze
 
Siguri është pulla, jo ilaçi

Një pacient futet tek mjeku i zverdhur. Ai sa e shikon, i thotë:
-E kuptova pse je bërë ashtu, përgjysmo ilaçet që pi, dhe eja përsëri pas një jave.
Kthehet kur i tha mjeku, por përsëri i zverdhur.
-I përgjysmove ilaçet ti?
-Po.
-Sa ilaçe pije më përpara?

-Asnjë. Për herë të parë i fillova kur me thatë ju!


Kjo barcoletë e vërtetë m’u kujtua sapo mësova se nga dita e pardjeshme, në Shqipëri nuk do të ketë më ilaçe pa pullë. Kush e hëngri, e hëngri. Iku në botën tjetër, pritet të ikë, apo i është shpifur ndonjë sëmundje suplementare, pak rëndësi ka. Përgjegjësinë e ka vetë viktima.

Nga dita e pardjeshme e tutje, do të thotë se askush nuk e di se çfarë ilaçesh ka shitur dhe ka ngrënë. Qytetari ka paguar paratë, ka gëlltitur ilaçet dhe ka pritur përmirësime. Por ai nuk është dukur kurrkund. Përmirësime ka patur, por tek të tjerët, si: përmirësimi i kushteve të banimit të mjekut që i ka dhënë recetën, wc-ja e shtëpisë së tij, makina, dhe llogaria bankare. Po kështu, përmirësim nga ato ilaçe, ka ndjerë dhe farmacisti në buxhetin e vet.
Nejse, e pardjeshmja ka dy ditë që ka kaluar. Tani, kemi sot e tutje. Çfarë do të ndodhë? Me pullë, do të thotë ilaçe më të mira, më cilësore, më të sigurta, më efektbërëse. Ilaçet janë po ato. Por kanë vetëm një pullë. Pullë, do të thotë, siguri. Dhe sigurinë do t’a sjellin po ata që e tregtuan pa pullë. Jeta është më e sigurtë nën pullë. Duhan me pullë, pije me pullë, ushqime me pullë, filma me pullë, dhe grua me pullë. Kjo, mundësisht të jetë më pullë të kuqe.
Në përgjithësi, ilaçet janë një lloj frenuesi drejt varrezave. Ato venë rregull në listën e gjatë të njerëzve që shkruajnë emrin në funerale. E, meqë ato nuk kanë mundësi t’i dërgojnë njëherësh atje, është shpikur receta dhe ilaçi. Me këtë rast, shtyjnë edhe ca vite jete mjekët dhe farmacistët. Efekti i ilaçit është ky: ju dërgon ngadalë dhe ëmbëlsisht në varreza, duke ju ngjallur shpresën se po riktheheni në jetë.
Sa më injorant njeriu, aq më shumë i do ilaçet. Dhe llogariteni vetë sa injorantë kemi, në sasi dhe cilësi. Ka familje, që me breza trashëgojnë kulturën e përdorimit të ilaçeve. Në shtëpitë e tyre nuk gjen libra apo mjete të tjera sportive. Vetëm ilaçe. Nuk dëgjon muzikë dhe rregjim në të ngrënë, në të pirë, apo dhe gjumë. Vetëm ilaçe. E ngopin veten me gjithçka, dhe pastaj, ilaçi. Ai do të na shërojë. Çmenden nga xhelozi të ndryshme, zilitë, hakmarrjet, nuk i ze gjumi, dhe o burra, tek ilaçi! Hanë si kafshët dhe përmjerin si zogjtë, e pastaj, zgjidhjen e gjejnë tek ilaçi. Si nuk po shpiket një ilaç që këta njerëz të mos besojnë tek ilaçet?
Hobistët e ilaçeve dinë histori dhe barcoleta për farmacistë të njohur. Kjo i kënaq dhe ua bën jetën më të lumtur. Pavarësisht se nuk janë të sëmurë, apo e trajtojnë veten si të tillë. Kujtojnë se shëndeti kalon nga mjeku, farmacisti, dhe ilaçi. Nuk mund t’i bindësh që mjeku më i mirë vetvetes, janë ata. Jo! Ilaçe në mëngjes, ilaçe në drekë, ilaçe në darkë, dhe ilaçe në mesnatë. Në mëngjes urinojnë blu, dhe përmjerin të kuq. Tani, jemi shëruar, thonë.
Një miku im farmacist, më tregon se kur nuk ka xhiro, njerëzve që njeh, u thotë: Nuk më dukesh mirë nga fytyra! Shko vizitohu! Të nesërmen, e ka klient.
Përdoruesit vullnetarë të ilaçeve, krijojnë miqësi me farmacistët. Dy herë në ditë, ndalen dhe pyesin nëse ka ndonjë ilaç të ri apo jo. Janë bërë miq, por krushq, kurrsesi. Nuk ka farmacist që të lidhet me ta. Jo se janë të sëmurë, por nga mendja janë si të lënë. Dhe nuk është normale të rrjepësh krushqinë, apo më keq akoma, t’i largosh si klientë. Nëse doni të njihni naivët, shikoni sa herë hyjnë e dalin në farmaci. Bardhësia e saj ju ngjall besim, receta shpëtim, dhe ilaçi shërim. Farmacistët janë të vetmit profesionistë që nuk provojnë atë që tregtojnë. Janë aq të mençur, sa të mos shkurtojnë jetën e tyre. Ka budallenj të tjerë plot.
Tani që do të dalin ilaçet me pullë, pritet të kemi edhe sëmundje me pullë. Do shtohet akoma më shumë besimi, tregëtia, dhe fitimi. Fjala pullë, prandaj u shpik, që të besohet se kjo që po merrni është krejt e veçantë. Ka shumë sëmundje në këtë botë, por më e rënda është ajo kur njeriu vetëgënjehet.
Një semundje, sa kohë duhet për t’u futur, aq kohë duhet edhe për të dalë, thonë grekët. Ajo hyn me okë dhe del me derhem, përgjigjen shqiptarët.
Kush e di se si ka qenë bota para se të shpikeshin gjithë këto sëmundje, thotë dikush tjetër…
Këtu po e ndërpres shkrimin, sepse do të pi një paracetamol. Kot fare, për forcë zakoni!
Një pacient futet tek mjeku i zverdhur. Ai sa e shikon, i thotë: -E kuptova pse je bërë ashtu, përgjysmo ilaçet që pi, dhe eja përsëri pas një jave. Kthehet kur i tha mjeku, por përsëri i zverdhur. -I përgjysmove ilaçet ti?-Po.-Sa ilaçe pije më përpara?
 
Megjithëse u bëra mesoburrë, ende nuk e kam kuptuar nëse duhet të votoj për një hajdut të ngopur, apo për një hajdut të etur.

Nga bordello vijmë, në bordello shkojmë

Një nga poetët tanë të moshuar, klient i një bordelloje në Maqedoni, i thotë prostitutës:
-A më ndihmon pak, të të përdhunoj?
Nuk dimë nëse ajo e ndihmoi apo jo. Por dimë se, poeti erdhi gjallë në atdhe dhe ende ka dëshirë të shkruajë. Edhe pse i dridhet dora dhe veglat i janë bërë si fiq të thatë, ai përsëri mendjen e ka tek dy frymëzimet e tij që fillojnë me “P”, poezia dhe prostituta. Kjo është e vërtetë. Madje, disa politikanë dhe artistë nga Shqipëria, janë klientë të rregullt të bordellove në Strugë.
Megjithëse thuhet se politika është kurvë, përsëri këta tanët nuk kanë vajtur atje në rolin e prostitutës, por të klientit. Për të mirën e vendit edhe kjo mund të bëhet. Politikanët i kanë bordellot maqedonase, si shfrime pas një pune të lodhshme dhe kondrabande të suksesshme. 200 deri 500 euro, nuk janë asgjë për të mirën e popullit. Edhe aty në shtrat me prostitutat, për hallet e vendit mendojnë, pavarësisht se ka qytetarë mosmirënjohës që edhe këtë profesion e thërret po me atë emër. Ish ministrat qenkan klientët më të rregullt. Tani në opozitë, mund t’i administrojnë më mirë paratë që kanë fituar me djersë. Për të hequr edhe stresin, se Berisha do t’i çojë dosjet e tyre në Prokurori, ata kanë gjetur për t’u ngushulluar shalët e prostitutave.
Bordellot e Maqedonisë janë të sigurta, sepse këtu në atdhe, nuk të lënë rehat. Në motele të survejojnë dhe spiunojnë tek gruaja dhe gazetat. Prandaj më mirë, hipi avionit dhe shko në bordellot e Strugës. Atje ka ruse, bullgare, rumune, ukrainase, bjonde, brune. Me shalë të gjata dhe të shkurtëra, elegante dhe të shëndosha, me gjoks të madh dhe të vogël, të majta dhe të djathta, por edhe të qendrës. Si t’i duash!
Ndërkohë që njihesh me traditat e seksit të vendeve nga ato vijnë, zhvillon edhe një takim pune me kolegët maqedonas në opozitë. Integrimi rajonal, dhe rikthimi në qeverisje, e kërkon këtë. Dhe derë më të mirë se ajo e bordellos, nuk ka për në Europë dhe pushtet. Aq më tepër që në këtë rast, politika nga bordello vjen, në bordello shkon.
Bashkë me ta, këtë zanat e preferojnë edhe artistët e gjorë, shkrimtarë dhe poetë. Sa herë organizohen “Ditët e Naimit” në Strugë, poetët hidhen një vrap deri tek bordelloja për arsye frymëzimi. Megjithëse, ankohen vazhdimisht se shteti nuk pyet për ta, i lë pa punë, pa shtëpi, pa studio dhe pa sponsorizime. Por ata janë njerëz të sakrificës. Për hir të artit, dyert e bordellove i gjejnë lehtë.
Janë të thjeshtë dhe njerëzorë, sepse gjithë pensionin apo rrogën mujore, ia dhurojnë më kënaqësi prostitutës së pavarur. Prej aty, kthehen dhe recitojnë me frymëzim poezitë, aq sa fillojnë e qajnë edhe vetë. Ende nuk dihet nëse qajnë nga vargjet, apo nga kujtimi i kofshëve të prostitutave. Artisti që është artist, është i lirë dhe i panënshtruar. Ai ka kërkuar gjithnjë lirinë, frymëzimin dhe tani i ka gjetur në dhomat e bordellove. Këtu ankohen vazhdimisht se nuk ua blen njeri librat. Me erë prostitute, lexuesit nuk i kanë shumë qejf librat poetikë.
Sidoqoftë, arti dhe politika marrin frymëzim nga bordellot. Prandaj dhe cilësia e tyre është me shijen e një prostitute, ngaqë trupin e kanë kthyer si kuti votimi. Më të fituar dalin ata politikanë që janë edhe pak poetë. Sepse kanë fatin të votojnë disa herë. Shkruajnë vargje mbi trupin e saj, dhe prej aty mendojnë për të mirën e vendit.
Ëmbëlsinë e femrës së vërtetë, kjo kategori nuk e njeh dhe nuk ka se si, sepse ajo është frymëzim vetëm për punë të bukura. Politika shqiptare dhe librat, me nder poetik që shiten sot, njohin frymëzimin e femrave të bordellove. Ndërkaq, poeti plak, me marifetet e tij, ka bërë kërkesë që të marrë nga Presidenti titullin e lartë “Mjeshtri i Madh i Punës”. Mezi po pres që dëshira t’i plotësohet. Gjithë këto sakrifica, është gjynah të mos vlerësohen. E kam gati shkrimin e urimit për këtë punëtor të vargjeve dhe kofshëve. Se atë tjetrën, as me dylbi nuk e shikon, i gjori.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT