E merkure, 24.04.2024, 12:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Shpëtim Kodra: E lehtë është të kritikosh...

E hene, 07.09.2009, 06:29 PM


E lehtë është të kritikosh..

Nga Shpëtim KODRA

..e vështirë është të vlerësosh Në vijim të debatit për “Pashallaret e kuq” të Kadaresë
Për krijuesit e mëdhenj klasikë gjithnjë flitet e shkruhet. Edhe Kadareja nuk bën perjashtim. Si shkrimtar i madh i një vendi të vogël, i vlerësuar si “Nderi i kombit”, i vetmi shkrimtar shqiptar me reputacion botëror(Anëtar i Akademisë së Shkencave Morale të Francës), ai ka krijuar një univers të vërtetë letrar, duke lëvruar me sukses gjinitë e ndryshme e duke shtuar përsëri vepra të reja, të bukura e të frymëzuara, që rrokin probleme madhore për të gjitha kohët e jo vetëm për vendin tonë, por për mbarë njerëzimin.Vepra e Kadaresë ka emëtuar kurdoherë vlera të rralla ideore e artistike dhe, duke i rezistuar kohës, ka shërbyer, shërben e do të shërbejë si një ushqim i vyer shpirtëror për lexuesit e panumërt. Krijimtaria e tij, ende në proces, ia ngre vlerat kombit tonë, duke e integruar në Evropë nga pikëpamja letrare–kulturore,
duke na dhënë krenari e duke na përmirësuar më tej imazhin, krahas me vlerat në fushat e tjera. Edhe në kohën e diktaturës çdo vepër e tij e re shënonte një ngjarje, veçanërisht për ne mësuesit e letërsisë që e komentonim me mjaft kënaqësi, siç komentonim edhe klasiket e letërsisë botërore. Si modele të shkëlqyera në punën tonë na kanë shërbyer edhe analizat shkencore, si dhe vlerësimet e tij estetike për perlat e folklorit tonë apo për autorët e mëdhenj si Eskili, Migjeni, Poradeci, etj.

Vepra e tij nuk i përfillte parimet dogmatike të realizmit socialist (kredon e besimit totalitar në art, ”meteodogmatizmin”- siç e quante ai) që kërkonin ta paraqitnin realitetin e shëmtuar si parajsë ideale, prandaj duhej të ndeshej shpesh me institucionin e pamëshirshëm totalitar të censurimit të fjalës së lirë. Do të mbijetonte falë talentit të rrallë që e dallonte si individualitet nga të gjithë krijuesit e tjerë, duke përdorur simbolikën, mitet, legjendat, apo transplantimin e ngjarjeve në kohë e vende të ndryshme, për të aluduar te diktatura. Parapëlqente temën e autoktonisë dhe qëndresës së popullit tonë të lashte e vital.

Që në fillimet e krijimtarisë si student në Moskë ai e dëshmoi antikonformizmin e tij. Disponoj në rusisht librin e tij të parë me poezi “Lirika” (1961),në parathënien e të cilit kritiku David Samoillov shkruante: “Kadare-poet qytetar. Poezia e tij përfaqëson rritjen kulturore në RPSH. Në vargjet e tij ndjehen gjurmët e modernizmit. Është një poezi e mjegullt, e ndërlikuar, me ndikim perëndimor”. Për t’u afirmuar i duhej të rrezikonte që në hapat e parë si krijues kurajoz. Edhe romani “Qyteti pa reklama”, i nisur në Moskë, përveç disa fragmenteve të kritikuara, u botua i plotë vetëm pas 4O vjetësh.

Përplasjet e forta me instrumentet e diktaturës për “Përbindshin”, “Dimrin e madh” apo “Nëpunësin e pallatit të ëndrrave” do të vijonin në forma të tjera edhe për veprat e tjera të tij. Ndërsa “Gjenerali”, hapi dhe hapja e parë drejt Evropës, edhe pse u prit ftohtë nga kritika zyrtare, i solli fat dhe emër.

Kritikat ndaj Kadaresë kanë qenë të shumta e të vazhdueshme. Problemet ishin më të rënda veçanërisht kur trajtonte temën aktuale. Kritikohej për mohim të “sukseseve” të jetës socialiste, për dobësim të luftës së klasave, për mungesë të heroit pozitiv etj. Socrealizmi kërkonte pasqyrimin e një realiteti jo real.

Të çuditshme, të papranueshme e të pajustifikueshme duken kritikat e sotme në sensin e kundërt. Në kohën e diktaturës anatemohej si i ndikuar nga borgjezia, ndërsa sot si komunist. Si komb i vogël ne kemi nevojë për figurat e mëdha. Por për ironi e absurditet synohet që edhe Skënderbeu të ulet nga piedestali i lartë. Huniadia as mund të krahasohet me përmasat e pakufishme të pasqyrimit të Skënderbeut në literaturën botërore. Kadareja ka mjaft armiq, shumica vendas. Kundër Kadaresë janë bërë edhe përpjekje që të mos e marrë çmimin “Nobel”, ndërkohë që është arritur të propozohet për atë cmim Diana Culi, e cila nuk e meriton, as si shkrimtare dhe as si qytetare, pasi ka denoncuar poetët V. Blloshmi e G. Leka që u pushkatuan.

Padrejtësisht e në mënyrë të paskrupullt është ndërhyrë edhe në jetën familjare të Kadaresë, edhe pse e ka ruajtur gjithnjë integritetin e tij moral. Dhe të tilla ndërhyrje jepen në faqe të parë gazete, ku shohim shpesh edhe fytyrat e urryera të E. Hoxhës, të së shoqes apo të klanit të tyre. Lidhur me abuzimet me karakter politik, Kadareja ka thënë: “Gjithë bota shqiptare ka nevojë për një pastrim të brendshëm. Bllokimi i procesit të pastrimit të kombit është fatal për të ardhmen. Ai çon në gangrenizimin dhe rrezikun e përsëritjes së të keqes, në mbetjen jashtë të Shqipërisë ndaj zhvillimeve të demokracisë evropiane”. Ai ka kërkuar transparencë që të realizohet katarsisi social nëpërmjet hapjes së dosjeve, madje edhe të atyre të LSHA. Dosja “Kadare” u botua.

Në vendet e Lindjes janë hapur dosjet në përgjigje të kërkesës së BE dhe asgjë tragjike s`ka ndodhur. Pesha e të kaluarës komuniste nuk duhet të rëndojë më mbi të sotmen e të ardhmen. Dosjet duhen hapur. Po nuk u hapën dosjet, do të vazhdojnë të përhapen shpifjet, të cilat përpunohen e serviren kryesisht nga goja e ish persekutorëve komunistë e sigurimsa apo bijve të tyre që ligjërojnë e shkruajnë si “demokratë” agresivë. Kjo situatë pritjeje e pajustifikuar i lejon të pamoralshmit, dhunuesit mizore të të drejtave themelore njerëzore të vazhdojnë edhe sot, në kushte e me forma të reja punën e etërve: denigrimin e njerëzve të aftë e të ndershëm, madje edhe nga familje të njohura antikomuniste. Kadare: “Spiunët e djeshëm, dështakët, smirëzinjtë përpiqen të prishin vlerat, të kthejnë kryengulthi parimet e gjithçka të shenjtë të kombit”. Ndien neveri e dhembje sot në kohën e demokracisë, kur killera mediatikë sajojnë intriga e shpifje të ndyra dhe përmendin numra dosjesh fiktive, të sajuara për intelektualë demokratë të njohur, të cilët preferojnë heshtjen, jo se u mungon kurajoja, por sepse u duket e panatyrshme të futen në lojën e mashtruesve ordinerë. Dhe toleranca shpërblehet kështu me djallëzi, poshtërsi e cinizëm. Populli thotë: “Shpifësit janë gjakpirës”. Ndërsa Hygoi: “Të ligjtë kanë një lumturi të zezë”.

Liri e shtypit nuk do të thotë dezinformim, nxirje e së vërtetës apo helmim i opinionit publik. Ligji i lustracionit ende nuk ka dalë. E pra këta që e bëjnë vetë ligjin, në emër e për llogari të kujt veprojnë? Kush i autorizon apo financon, duke i përdorur si vegla që vjellin vrer, urrejtje e mediokritet, duke rritur reputacionin e vet negativ. Por, siç thotë Shekspiri, “edhe i pastër si kristali, apo i bardhë si bora të jesh, nuk u shpëton dot shpifjeve”. Edhe në rastin e Kadaresë vlen shprehja se “sa më i lartë të jetë lisi, aq më fort e rrahin erërat”.

Shkak për këtë shkrim timin u bë një artikull i para pak ditëve me titullin në faqe të parë të një gazete “Sherr për Kadarenë”, ku poezia “Pashallarët e kuq” e Kadaresë cilësohej si “poezi pa ide, e parealizuar artistikisht e që shpreh vetëm servilizëm!?” Për atë poezi janë dhënë vetëm sentenca kundërthënëse. Ndërsa Sh. Sinani flet për zhdukjen dhe zbulimin e vonë të poezisë së “gjeneralit te letrave”. E vetmja analizë e plotë ideore jepet në librin e Maks Velos, që do t’ia rekomandoja ta lexonte edhe artikullshkruesi i mësipërm.

Unë kam tentuar të zhvilloj një analizë ideoartistike të argumentuar, pa pretenduar një kritikë të mirëfilltë, duke menduar se mund t’u shërbeje sadopak të interesuarve. Për këtë poezi që u hoq nga botimi në një mesnate tetori të vitit 1975, M. Velo shkruan: “Mosbotimi i saj ishte një ngjarje e dhunshme, një krim letrar që la një vakuum”. Dihet që krimi më i madh i tiranisë është shtypja e mendimit. Për këtë poezi autori u detyrua të bënte një autokritikë hipokrite: “Kam kryer gabimin më të rëndë ndaj partisë, kam dëmtuar revolucionin, kam bërë një atentat ndaj diktaturës së proletariatit”. Poezia ishte një marsh funebër për komunizmin.

Diktatori e kuptoi nëntekstin e poezisë, e ndjeu se “servilizmi” ndaj figurës së tij në fund ishte një mjet për të arritur qëllimin, për të mbuluar mesazhin e vërtetë. Kadareja vetë thotë: “Në regjimet diktatoriale shkrimtari paguan një taksë për të shkruar të vërtetën, sidomos kur ajo ëshëe delikate”. R. Alia do ta quante poezinë “një akt armiqësor, një trakt të zi kundërrevolucionar dhe thirrje për rebelim”. Ndërsa në nëntor 2OO1 N. Hoxhës, që do ta quante “hipokrit”, Kadareja do t`i përgjigjej: “Njeriu duhet të jetë i çiltër me homologun e vet, njeriun, por jo me bishën e egër”. Dhe në poezinë “Tirana në dimër” do të shkruante më pas: “Rrethi i nëntë po mbushet / ka mbetur një vend veç për Zonjën e Zezë”. Është fjala për ferrin dantesk.

Në analizën e fshehtë të poezisë “Pashallarët e kuq” D. Agolli do të thonte: ”Kjo është një vjershë kundërrevolucionare, armiqësore, shpifëse. Edhe vepra të tjera të tij kanë mjaft të meta ideologjike. Ka te Kadareja rënie ideore e artistike (kujtoni cilësimin e mësipërm). Ai nuk e njeh marksizmin dhe vijën e partisë, por e zëvendëson atë me teori eklektike, anarkiste, oportuniste, dekadente, objektiviste e subjektiviste. Nuk e njeh jetën e nuk do ta njohë. Ai kujton se heroi pozitiv e prish artin, e bën agjitativ, prandaj e ironizon etj. Vjersha më duket si një trakt antiparti. Ai ka paraqitur një shoqëri të sëmurë plot llahtarë e të kobshme, që nuk mund të shërohet”.

Kadareja i madh ish kryetarin e LSHA që e dënonte aq rëndë, sot e ka falur, madje e vlerëson sa duhet si krijues. Kadareja ish përkthyer jashtë shtetit. Ishte më i njohuri në Shqipëri. Ishte edhe deputet. E. Hoxhës i leverdiste ta nënshtronte, ta fuste në vathë, gjë që nuk e arriti kurrë.

Titullin “Pashallarët e kuq” poezisë ia vuri pëshpërima popullore- tregon Kadareja. Brezi ynë që e kish dëgjuar pëshpërimën (siç dëgjonte “Zërin e Amerikës”) e konsideroi disidencë. Poezia, edhe pa u botuar, ishte bërë e famshme. Shqipëria cilësohej nga poeti “një pashallëk i kuq”. Thomas Schreiber ka botuar një biografi të Enver Hoxhës me titull “Sulltani i kuq”. Pra, kur flitet për pashallarë të kuq, nënkuptohet edhe Sulltani i tyre i kuq.

Si zanafillë për këtë poezi Kadaresë i ka shërbyer miti i Herakliut që vdiq, sepse veshi zhgunin e përgjakur të viktimës së vet, centaurit Nesus. Aluzioni është i qartë: edhe pushtetarët komuniste, pashallarët e kuq, pasi veshin rrobat e përgjakura të të përmbysurve (që u burgosën, internuan e u vranë), veshin dënimin e vet historik që do të vinte pas 15 vitesh. Te “Nëntori i një kryeqyteti” bejleresha Mukades thotë: ”Malli për zotërinjtë e përmbysur, dëshira për të krijuar zotërinjtë e tyre, sipas shembullit tonë, do të sjellë fundin e tyre, rikthimin tonë”. Edhe sot udhëheqës të së majtës nëpër mitingje elektorale ligjërojnë bukur në favor të të varfërve, por në të vërtetë luftojnë veç për vila, troje, pasuri të paligjshme.

Për vitet e egra 1974-75 Kadareja thotë: “Ëndërroja, jashtë çdo realiteti, sikur të zgjoja njerëzit, t’i bija këmbanës, të flijohesha e fjalë të tilla të mëdha”. E shoqja Helena Kadare thotë: ”Shumë vargje të Ismailit, të shkruara atë kohë, i lexoja me admirim e panik, përzier bashkë”.

Po hyj konkretisht në poezinë me titullin prozaik “Mbledhja e Byrosë Politike në mesditë”, një poezi demaskuese e tejet e guximshme për kohën kur u shkrua, pasi gjer atëherë burokratët komunistë paraqiteshin si njerëz qesharakë, si tuafë të mykur, ndërsa këtu, për herë të parë, akuzohen si kriminelë, gjakatarë. Është një poezi e zymte, makabre, e ngritur mbi mjerimin material e shpirtëror.

Pjesa I është uvertura që e përgatit lexuesin për dramën e vërtetë. Të katër strofat, përmes pyetjes retorike, bartin ironinë lidhur me frikën absurde nga imperializmi e revizionizmi, apo nga ish kastat e mëdha, si dhe frikë reale nga dështimet në ekonomi, të cilat emërtoheshin “sabotime”. Kur nuk dilte naftë, Partia nxirrte grupe armiqësore. Metafora “rrjedhin të zakonshëm” kamuflon qetësinë, “normalitetin” e stanjacionit (ujin e ndenjur). Vargjet këtu janë të rregullta, ndonëse jo me numër të barabartë rrokjesh. Duket një lloj narracioni që e afron me poemën.

Në pjeseë II nisin të thyhen vargjet, ashtu siç thyhet tabuja apo qetësia-amulli. Këtu nyja e veprimit nis të përvijojë dramën socialiste me kontrastin e frikshëm dukje-realitet që karakterizon çdo diktaturë që nga lashtësia (forca, farina, festa). Jepet bukur drama e dashurisë në dukje dhe e urrejtjes në thelb lidhur me kalbjen e sistemit që simbolizohet nga “tumori i zi”. Antitezat domethënëse “lart–poshtë”, “diell i ndritur – tumor i zi” pasqyrojnë besnikërisht, por dhe trimërisht, gjendjen e pashpresë, sëmundjen e burokratizmit, kancerin komunist. Ndërsa metaforat “s’prishen – pikojnë” vërtetojnë që superstruktura s’mund të ishte jetëgjatë, ndërkohë që baza po vdiste. Diktatura përpiqej të mbahej me këngë, pankarta e vargje optimiste, kur gjithçka ishte e zymtë. “Qeshu palacjo, ndërsa zemra të pëlset”-do të shkruante Migjeni. Sistemi i bazuar në luftën e klasave, në mashtrimin dhe hipokrizinë, s’mund të ishte jetëgjatë, siç reklamohej për Diktatorin që “do të rronte” sa malet tona.

Në pjesën III, ku zhvillohet veprimi, drama e rëndë evoluon në tragjedi. Në të portretizohen burokratët (pushtetarë komunistë) përmes epiteteve antiteza “qeshja dashamirëse – të kobshëm me duar të përgjakura”. Autori është futur thellë në tokë të minuar. Burokratët për të nuk janë më personazhe karikatura (siç përshkruheshin rëndom), por vegla vrastare, ekzekutore të zellshëm të urdhrave të Diktatorit – monstër, me të cilin Makbethi nuk do të guxonte të matej. Për herë të parë në letërsinë tonë të Pasluftës jepet një portret i tillë real e i frikshëm i burokratëve sundues. Kadareja kish shfrytëzuar vetëm sinjalin e Diktatorit për luftë kundër burokratizmit, luftë që e zhvillon krejt ndryshe. Duke përdorur hiperbolën i etiketon thjesht kriminelë ordinerë “me duar të përgjakura gjer në bryl”. Është piktura e një skene jo të zakontë e dhunës rivrasëse mbi pavdekësinë.

Vargu “Nga themelet gjakun duan të fshijnë shpejt” na kujton Makbethin: ”Vallë a e lan dot ujët e oqeanit prej kësaj dore gjakun?”. Figurat letrare janë fort të spikatura. Metaforat “rrëmojnë në themelet – trupat e dëshmorëve kthejnë përmbys” na japin një skenë vërtet makabre, surreale, të denjë për penelin mjeshtëror të F. Gojësës. Kujtojmë veprat “Pushkatimi” apo “Saturni gëlltit një prej fëmijëve të vet”, ku spikat dukshëm ngjyra e kuqe e gjakut. Apostrofa “Pa shiko!” që na drejtohet dhimbshëm, pasohet nga metaforat “trupat lajnë, gjakun fshijnë”. Skena e fortë e deheroizimit të dëshmorëve tanë mund të shërbente fare mirë për një pikë kulminante në një tregim të shkruar nga Markesi apo ndonjë tjetër përfaqësues i Realizmit magjik. Një konkluzion paraprak do të ishte: nëse raporti me të kaluarën e “lavdishme” është i tille, e sotmja është e zymtë, atëherë ç’pritet në të ardhmen?

Skena që nuk harrohet lehtë dëshmon injorim, mohim, amoralitet, vulgaritet, përdhosje, përçudnim të djajve komunistë që bredhin në botën e përtejme si në një shesh lufte me të vrarë, duke shkelur mbi idealet dhe veprën e atyre partizanëve, shumica të rinj në moshë që luftuan për një Shqipëri të lirë e demokratike, për një sistem human popullor. Në të vërtetë popullit nuk i erdhi liria, por skllavëria e kuqe, lufta kanibaleske e klasave, lufta kundër intelektualëve të vërtetë, që nisi gjatë LACL dhe vazhdoi e përbindshme gjatë gjithë kohës së diktaturës, siç e dëshmojnë edhe disa emisione televizive që japin pamje e shifra reale për ferrin komunist. 146 shkrimtarë e artistë të dënuar e të vrarë nga Sigurimi i shtetit. Vend i vogël, diktaturë më e egër staliniste. 6000 vetëm të ekzekutuar nga diktatura komuniste, aq sa ishin edhe dëshmorë (me dokumente).

Pjesa IV, ata që kërkuan të rrëzonin klasën borgjeze u shndërruan vetë në “pashallarë të kuq, bejlerë me tesera partie”. Vetëm baronë – sekretarët kishin vila, vetura, bodigardë, etj. Vetëm fjala e tyre vlente (edhe pse mund të kishin qenë vetëm karrocierë, shoferë apo mjelëse). Lart kish mirëqenie, poshtë tollona, barazi në varfëri. S’kishin asgjë të përbashkët me popullin. Veç Republika e Pushteti cilësoheshin “popullore”. Nënteksti përmban mesazhin e fortë: ata që shkelnin mbi idealet e dëshmorëve apo mbi djersën e punëtorëve meritonin tabutin e revolucionit. Konstatimi ogurzi: “Çojnë tabutin e revolucionit për në varr”, meritonte një Rekuiem, të kompozuar nga Moxarti. Gjysma e poezisë me 4 pjesët e para përbën një tërësi e mund të qëndronte më vete.
Në pjesën V poeti, i vetëdijshëm ndoshta për rrezikshmërinë e 4 pjesëve të para, i rikthehet idesë së hipokrizisë, falsitetit, dukjes në mitingje, buzëqeshjeve. Te “Vajza e Agamemnonit” do t’i quante “festime groteske në këtë Muze të së keqes”.

Ndërsa te gjysma e parë e poezisë shfrytëzon mitin e Herakliut, te gjysma e dytë shfrytëzon legjendën e Rozafatit. Me kontrastin “ngre ditën - prish natën” shpreh idenë se revolucioni është delikat e, po u rrëzua, nuk ringrihet dot si Rozafati. Edhe krahasimi i zgjatur (similituda) me Rozafatin ka një nëntekst dyshues: nëse për të qëndruar kështjella e Rozafatit mjaftoi murosja e një gruaje, për të qëndruar “kështjella” socialiste nuk mjafton sakrifica e dëshmorëve, apo të torturuarve në burgjet komuniste, të internuarve etj, sepse idealet, për të cilat u flijuan dëshmorët, apo sakrifikuan të përndjekurit, u nëpërkëmbën.

Te pjesa VI “servilizmi” në dukje i poetit (“një ambalazh rutinë”-do ta quajë T. Caushi) që e karakterizon Diktatorin me epitetin “syri i tij i mprehtë” dhe simbolika e “zbritjes në themelet e shtetit si në baladat e mëdha, me pishtar të kuq”, apo epiteti tjetër “i vrejtur” dhe krahasimi i hiperbolizuar “si një mal në dimër bubulloi” janë vetëm pjesa e dukshme, maja e ajsbergut. Edhe krahasimi me Krishtin që nuk u pëlqen komunistëve apo “ngritja e klasës punëtore për ta zaptuar burokratizmin” tingëllojne ironike. Zbritja e tij, pas zbritjes dhe sjelljes perverse të burokratëve sundues, janë një përpjekje e vonuar, e pavlerë (e kish marre ferra uratën). Pra Diktatori prezantohet si një hero donkishotesk për t’i qarë hallin. Goditet në zemër sistemi kriminal e terroristik, kur pohohet se kanceri kish hyrë në themelet e shtetit. Veprimet e shëmtuara e të ulëta shihen si produkt i sistemit antihuman dhe antipod të së bukurës.
Te pjesa VII që të kujton vargjet e thyera të Majakovskit, vijon të shtjellojë idenë e mësipërme të kontrollit punëtor duke e paralelizuar me patrullat partizane. Ideja e luftës vazhdon. Pyetja retorike “Je për socializmin ?” pasohet nga vargu “Bjeri ditë e natë burokratizmit / Nëse s’do që nesër skuadër e pushkatimit / Të të vejë në mur / Tek Bulevardi i Madh”. Profeci? Rastësi? Te “Dimri i madh” një njeri përfytyron masakrën kundër komunistëve kriminelë. Gjatë revolucionit demokratik të vitit 1956 në Hungari u varën në sheshe kriminelët e udhëheqjes komuniste.
Në pjesën VIII vargjet qartësohen e duket sikur marrin një trajtë më optimiste për të ardhmen më të sigurtë në vitet që shtjellen “me furi”. Megjithatë dy vargje të diskutueshme: “Ecte klasa pas partisë në ditë epike / Populli pas klasës derdhet oqean”. Duket një marshim imagjinar nga “fitorja në fitorje”. As epiteti “epike”, as metafora e hiperbolizuar “oqean” nuk të bëjnë të neglizhosh rreshtimin e tri shtresave të shkëputura: partia – klasa – populli, që vijnë njëra pas tjetrës, madje as klasa nuk vihet përbri popullit. Thirrja për kontrollin punëtor rezultoi si një parullë boshe, propagandistike. Situata ishte pa rrugëdalje. Uniteti i trumbetuar ishte fals. Edhe klasa punëtore ishte pjesë e vuajtur, e uritur, e cfilitur e popullit. Në Gdansk klasa punëtore me Solidarnostin (formuar më 198O) u ngrit kundër diktaturës dhe për një fare kohe u bë forcë politike dominuese në Poloni. Edhe thirrja “gati jemi” në fund të poezisë tingëllon groteske, në atë situatë ku ziente lufta e klasave.

Në poezi ndërthuret ferri në tokë me ferrin e përtejmë. Plani fantastik ndërthuret me planin real. Përmes elementëve të realizmit magjik realizohet kalimi i natyrshëm nga realja te irrealja e anasjelltas. Kujtojmë Portën e ferrit te tregimi i D. Buxatit. Në letërsinë moderne forma artistike merr një rol të dorës së parë, duke përcaktuar edhe vlerën e përmbajtjes me mënyrën si e paraqet dhe si e mishëron mesazhin. Arti për poetin është luftë kundër regresives, antihumanes. Në shoqerinë socialiste progresi s’ekziston, virtyti shkelet.

Përmes kësaj kronike të zhveshur të një realizmi të ashpër, ndërthurur me elementë narrativë dramatike të realizmit magjik, ku alternohet realja dhe irrealja, përcillet mesazhi i qartë: Synimi drejt mirëqenies e lumturisë në atë sistem totalitar obskurantist është iluzor.


(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora