Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


"Aldo Bare shëtiste me kokën e Dajës në dorë"

| E diele, 06.09.2009, 10:25 AM |


Flamur Vezaj |             

Dëshmia

Rrëfimi i dëshmitares së krimit makabër: Ata shëtisnin në qytet dhe bërtisnin:
O papu, ja koka e Artur Dajës

TIRANË- "Aldo Bare, Enver Dondollaku, Arjan Aliço, Erion Cici, Enver e Arben Boriçi, Ilir Stërgu, Leonard Prifti dhe shumë anëtarë të tjerë të bandës së Lushnjes, shëtisnin dhe loznin me kokën e prerë të Artur Dajës më 21 tetor 1998 nëpër qendër të qytetit".

Kjo është një pjesë e dëshmisë "bombë" të lexuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda gjatë procesit për bandën e Aldo Bares.

Dëshmitarja Mimoza Haxhiu është marrë në pyetje në vitin 2006 dhe ka rrëfyer tmerrin e përjetuar nga banda e Lushnjes gjatë viteve 1997-'98. Pas kësaj dëshmie, gruaja ka emigruar në Gjermani së bashku me familjen.

Largimi i saj nga Shqipëria është bërë për arsye sigurie dhe për këtë arsye prokuroria është detyruar që të lexojë dëshminë në gjykatë.

"Ka qenë fundi i muajt tetor i vitit 1998, rreth orës 8 apo 9 të mëngjesit, kisha dalë tek shtëpia e vjehrrës që ndodhet pas Gjykatës së Rrethit. Po ikja nga shtëpia para Prokurorisë, tek rruga që të çon tek shatërvani në qendër të qytetit. Sa kalova para shatërvanit, pashë para Bashkisë rreth 50 metra më tutje një grup personash që po vinin drejt shatërvanit.

Në dorë kishin një kokë njeriu dhe thërrisnin "O papu, ja koka e Artur Dajës". Në këtë grup personash unë arrita të njihja, Leonard Priftin, Enver Dondollakun, Ilir Stërgun, Erion Cicin, Arben Boricin, Enver Boriçin, Aldo Baren.

Koka ishte me flokë të gjata por që nuk e dalloja dot fytyrën, por më vonë po atë ditë mësova se me të vërtetë kishte qenë koka e Artur Dajës, hasmit te Alfred Shkurtit.

Personat e mësipërm i njoh ngaqë frekuentonin vazhdimisht lokalin tonë që ndodhej mbrapa ish-Hotel Myzeqesë në Lushnje",-mësohet të ketë thënë ndër të tjera dëshmitarja Mimoza Haxhiu para oficerëve të policisë.

Në vazhdim të deklarimit të saj, Haxhiu konfirmon edhe djegien e banesës së kunatit të saj shtetasit Shkëlqim Haxhiu, për të cilën akuzohen të pandehurit e këtij procesi gjyqësor.

"Në vitin 1997 na janë kthyer pronat dhe kemi marrë godinën pranë hotel Myzeqesë në Lushnje. E meremetuam dhe e shndërruam në godinë banimi me dy dhoma dhe një kuzhine.

Për arsye ekonomike njërën nga dhomat e bëmë një dyqan të shitjes me shumice dhe pakicë të artikujve ushqimore. Me to nxirrnim shpenzimet e familjes. Në vitin 1998 ngjitur me dyqanin investova dhe hapa edhe një restorant. Në fund të muajit gusht rreth orës 1:30 minuta pas mesnatës dëgjova goditje të forta në portën e jashtme.

Burri im, Sami Haxhiu, nuk ishte në shtëpi pasi kishte shkuar tek nëna e tij e sëmurë, duke u gjendur përballë kësaj situate pa hapur derën dal në dritare. Pashë që para shtëpisë sime ishin grumbulluar disa persona të armatosur me automatik në dorë.

Sa i pashë unë arrita të njoh aty: Ilir Stërgun, Arben Boriçin, Enver Boriçin, Enver Dondollaku, Arjan Aliçon e të tjerë që nuk arrita t'i njihja. Unë pashë aty edhe Leonardin që këta e thërrisnin Çibuku ose Zhvejku. Në të njëjtën kohë që këta po përpiqeshin të hapnin derën, thërrisnin "do ju vrasim. Duam Samiun.

Do ju djegim brenda". Unë e frikësuar nxitova dhe lëviza një tavolinë metalike që lëshoi një zhurmë karakteristike që u duk si mbushja e një arme. Sa u dëgjua kjo zhurmë ata u larguan. Pas pak mblodha veten dhe mora në telefon vjehrrin tim, i thashë se mos takoheshin me Samiun rrugës dhe i ndodhte ndonjë gjë.

Të nesërmen mora vesh që i kishin djegur shtëpinë Shkëlqim Haxhiut, kunatit tim. Pas dy javësh dhe në vazhdim mua më kanë kërcënuar në telefon disa herë dhe u detyruam të iknim bashkë me familjen, fillimisht në Greqi, më pas në Turqi dhe në fund në Gjermani",- thuhet në procesverbalin e deklarimit të shtetases Mimoza Haxhiu e cila u administrua në dosjen e procesit gjyqësor.

Pranvera Haxhiu
"Si na mori peng banda e Lushnjes"

TIRANË- Po gjatë seancës së djeshme në ngarkim të të pandehurve të akuzuar si pjesëtar të "bandës" së Lushnjës, u lexua edhe deklarimi i dëshmitares së akuzës Pranvera Haxhiut, e cila është marrë peng nga anëtarët e kësaj bande për disa orë së bashku me familjarët e tjerë. "Në fund të muajt gusht 1998, disa persona erdhën tek dera e banesës dhe bërtisnin. Në kohën që po hapja derën personat thoshin se ishin të policisë.

Ishin të gjithë të maskuar, ndërsa armë nuk vura re se kishin me vete. Hynë në banesë dhe më marrin mua dhe bashkëshortin tim Karafilin. Na hipën në një furgon të mbyllur ku pamë se ishte bashkëshortja dhe familjarë të tjerë të kunatit Shkëlqim Haxhiu.

Nuk e morëm vesh se ku po na çonin, kur pas 20 minutash rrugë na zbritën dhe na futën në një dhomë që se morëm vesh se ku ishte",- ka rrëfyer në procesverbalin e saj shtetasja Pranvera Haxhiu.

Sipas saj, aty janë pyetur të gjithëve se ku ndodhej Shkëlqim Haxhiu i cili kishte ikur vetëm pak para hapjes së derës së kërkuar nga personat e armatosur.

"Pasi na pyetën na lanë të lirë, por, kur u kthyem në shtëpi, vumë re që banesa e Shkëlqim Haxhiut ishte përfshirë nga flakët," -ka thënë Haxhiu në deklarimin e saj, që në vazhdim të seancës u administrua edhe dëshmia e bashkëshortit të saj Karafil Haxhiu, i cili kishte të njëjtën dëshmi që për efekt kohe nuk e lexoi Gjykata.

Flamur  Bilbili
"Më vranë vëllanë se ishte shoku i Tur Dajës"

TIRANË- "Vëllanë tim Luan Bilbili e morën pjesëtarët e "bandës" së Alfred Shkurtit për një sqarim dhe e vranë pse ishte shok i Artur Dajës". Me këto fjalë i ishte përgjigjur ndër të tjera oficerëve të policisë shtetasi Flamur Bilbili, të cilit 17 gushtin e 1998 anëtarët e "bandës" së Lushnjës ia kishin vrarë vëllanë dhe hedhur në vendin e quajtur "gropa e derrit".
"Ditën e varrimit të vëllait më 19 gusht 1998 më kanë thënë se vëllanë tim e kanë vrarë pjesëtarët e "bandës" së Alfred Shkurtit, pasi Luani ishte shok me Artur Dajën.
Në banesë e kishin marrë Ilir Stërgu e Arben Boriçi, të cilët e kishin ftuar për një sqarim në "Komisariatin e Fredit" dhe më pas e kishin vrarë. Pasi e kanë vrarë e kanë hedhur trupin e tij në vendin e quajtur "gropa e derrit" në afërsi të vendit të njohur si "Kodrat e Ullinjve" në afërsi të fabrikës së tullave në Lushnje.
Personat e Fred Shkurtit e kishin pyetur për një shpërthim që kishte ndodhur nga data 15 gusht 1998 në afërsi të banesës së familjes tonë në Lushnje, por, që atë ditë ai nuk u kthye më i gjallë, pasi e kishin vrarë", -ka nënvizuar para oficerëve në vitin 2006 shtetasi Flamur Bilbili në dëshminë e tij që u administrua në dosjen penale në ngarkim të të pandehurve të "bandës" së Lushnjës.
Marrë nga Gazeta Shekulli, 05/09/2009 - Për ZSH: S. Demaku