E enjte, 25.04.2024, 06:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Budallait i hapet rrugë - Për inat të gruas time

E diele, 16.09.2007, 08:58 PM


Nga Luan Laze
 
Të përdhunosh gruan tënde

Pas shtatë vjet martese dhe lindjes së dy fëmijëve, gruaja akuzon burrin e saj për përdhunim.Emancipimi në diktaturë kërkonte që gruaja të spiunonte burrin e vet, ndërsa në demokraci, ta akuzojë për përdhunim.
Edhe në Durrës, një plakë 73 vjeçare akuzoi plakun e vet për përdhunim pas lindjes së 8 fëmijëve, 17 nipërve dhe 2 stërnipërve. Të përdhunosh gjyshen e virgjër të 17 nipërve të tu, duhet të jesh vërtet një përdhunues i rrezikshëm. Thonë se, prokurorët nuk i kërkonin llogari plakut për kënaqësinë e dhunëshme që i dhuroi plakës tij, por donin të dinin se çfarë kishte ngrënë gjatë jetës, që ai miku, ishte në gjendje të ngrinte krye ndaj ish mikeshës të plakës.
Ndërkaq, gruaja e re e ka denoncuar burrin e vet për përdhunim, sepse ai nuk solli dy muaj rrogën në shtëpi. Ajo, këtë e quajti përdhunim, jo të ekonomisë por të nderit.
Sot duhet të jesh i kujdesshëm me gratë, sepse mund të ndodhë që nuk kryen një herë marrëdhënie seksuale, dhe ajo të akuzon për përdhunim. Burrit i ndodh të jetë i lodhur nga puna, nga pija, nga dashuria, apo nga mbledhja e partisë, dhe akuzohet për përdhunim nga gruaja e shtëpisë.
Për çudi, dashnoret asnjëherë nuk të akuzojnë për përdhunim. Bile ato, kanë dëshirë t’u përdhunosh përdhunimin.
Çdo konflikt midis çiftit, quhet përdhunim. Edhe në Shkodër, një mashkull ipotent akuzoi të shoqen për përdhunim. Nderin nuk e mbrojnë vetëm femrat, por edhe ish meshkujt.
- Përdhunimi i gruas nga burri i vet, ka lindur në Amerikë dhe do të përfundojë në vendet e Lindjes, - ka parashikuar udhëheqësi kubanez Fidel Kastro, ose siç i thonë fshatarët e Rrushbullit, Fadil Kastraveci.
 
Budallait i hapet rrugë

450 milion njerëz në botë, vuajnë nga çrregullimet mendore.


Është lumturi kur budallenjtë e mençur konstatojnë sa shumë budallenj të sëmurë janë! Bile, edhe cilësinë e tyre! Shifrën prej 450 milionësh, e kanë nxjerrë 450 milion të tjerë që u gënjen mendja se janë normalë. Megjithatë, një botë pa psikopatë do të ishte anormale, ka thënë dikush.
Mjeksia njeh disa loje sëmundjesh mendore, si: psikopati depresive, reaktive, agresive. Tek psikopatia agresive, futen ata të politikës. Mjekët thonë se, njerëzit me psikopati agresive, janë vënë në krye të qeverisjes falë budallallëkut të psikopatëve depresivë. Sepse në të gjitha gjuhët e botës njihet shprehja: Budallait më të rrezikshëm hapi rrugë! E keni vënë re si largohen njerëzit kur kalon ndonjë politikan? Vetëm se kanë parasysh këtë thënie ndërkombëtare. Sëmundje mendore është etja për pushtet, para dhe lavdi të pamerituara.
Mjekët thonë se, të sëmurët mendorë në spitale, kanë frikë vetëm nga njëri-tjetri. Prandaj në dhomat e tyre, janë vendosur fotot e disa politikanëve shqiptarë.
Në spitalet psikiatrike, ka të sëmurë që vetëquhen President, kryeministër, dhe deputet. Pra, atje ka një qeveri në hije. Mjekët thonë se, pacientët e sëmurët që e ndjejnë veten politikanë, dhe politikanët e sëmurë që e mohojnë atë, kanë të njëjtën diagnozë.
Partitë shqiptare nuk kanë asnjë mjek psikiatër në radhët e tyre. Sepse kanë frikë, pasi mjeku nuk replikon me pacientin, vetëm i fut ilaçin dhe elektroshokun. Ndërsa tani, në demokraci, kjo vegël ftilluese quhet elektrozotni.
Lenini ka lënë këtë recetë për budallenjtë e mençur: ju meritoni për qeveritarë, vetëm të çmendurit!
 
Për inat të gruas time, shkoj e fle me gruan tënde

Në një televizion privat, drejtuesi i një emisioni për 90 minuta, shtroi këtë pyetje për teleshikuesit: A i qëndron kohës shprehja, “për inat të s’ime vjehrre, shkoj e fle me mullixhiun?” Dhe telefonuesit përgjigjeshin sipas lidhjeve që kanë patur me vjehrrat apo mullixhinjtë.
Këtë urtësi e përdorin edhe në disa vende të tjera europiane. Si çdo mençuri edhe këtë, të huajt e kanë marrë këtej, nga anët tona, dhe e kanë përpunuar sipas moralit të tyre. Ja si e kanë pesë vende të tjera europiane.
Gjermanët: Për inatin tim, vjehrra shkon e fle me mullixhiun.
Italianët: Për inat të mullixhiut, vjehrra fle me mua.
Francezët: Për inat të vjehrrës time, unë nuk fle me mullixhiun.
Austriakët: Për inat të mullixhiut dhe vjehrrës, shkoj e fle me burrin tim.
Hollandezët: Për inat të vjehrrit, shkoj e fle me vjehrrën dhe mullixhiun.
Grekët: Për inatin tim, flej edhe me ty, edhe me mullixhiun.
Anglezët: Oh, çfarë kënaqësie kur fle me vjehrrën dhe mullixhiun!
Siç shihet, në të gjitha gjuhët dhe në të gjjitha rastet, mullixhiu dhe vjehrra dalin gjithnjë të fituar. E, meqë debati për ndalimin ose jo të kësaj urtësie vazhdon, për lexuesit po sjell opinionin e gruas time.
Ajo mendon se, meqë tani nuk ka më mullixhinj dhe kapitalizmi shqiptar nuk i duron dot këto vjetërsira, urtësia të modifikohet dhe përdoret kështu: “Për inat të gruas time, shkoj e fle me gruan tënde”. Sigurisht, në këtë rast ajo e ka fjalën për burrat e tjerë, e jo për mua…
Gjithsesi ky debat vazhdon, sepse siç u pa dhe nga telefonuesit e atij emisioni, kjo urtësi po e turpëron Shqipërinë në sy të botës. Bile thonë që, kjo ishte edhe porosia e Barosos për t’u antarësuar në BE.
Drejtuesi emisionit kaq kishte për detyrë, të hidhte një gur në lumë dhe të tjerët ta nxjerrin andej. Nuk është pak për fatet e këtij kombi, aq më tepër që për urtësitë e një populli, diskutojnë gjithnjë vetëm të marrët e tij.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora