E enjte, 25.04.2024, 01:45 AM (GMT+1)

Mendime

Edmond Arizaj: Nga adhurim në mëshirim

E diele, 06.09.2009, 01:24 PM


Nga adhurim në mëshirim

Nga Edmond Arizaj

Shqiptarët e adhuruan Edi Ramën. Nëse ka një të dytë pas Sali Berishës, i dëshiruar, dashuruar dhe adhuruar nga shqiptarët, ky është Edi Rama. Vala goditëse e shkrimeve dhe fjalëve të tij kundër të atëkohshmit president dhe nyjëtimeve që dilnin prej tij, apo në emër të tij, një lloj zhveshjeje prej një shqiptari të zakonshëm gjysmë anadollak e gjysmë kopjim i keq perëndimor, leksiku, oratoria dhe fjalori në shumë raste për t’u pasur zili, ndryshe nga hileqarët të ndarë tashmë në dy kampe, antikonformizmi herë-herë i dhunshëm, apo edhe i sforcuar, por gjithsesi i kundrueshëm, i dhanë Edi Ramës deri në vitin 1996, adhurimin e fshehtë të atyre që nuk mund të “besonin” hapur si dhe adhurimin e hapur të atyre që ishin të vendosur të besonin.
Shqiptarët e adhuruan Edi Ramën, kur lideri i së majtës i sapodalë nga burgu, në emër të gjithpërfshirjes dhe bashkëqeverisjes, ua risolli në kujtesë pas vitit të harresës 1997. Ishte i njëjti Ed Ramë, ndoshta me më pak flokë, me më pak antikonformizëm, por me të njëjtin egoizëm dhe ambicie për t’u shfaqur, me një revansh të shumëfishuar nga vitet, për të vendosur edhe ai firmën e tij në ç’rrënjosjen e komunizmit në Shqipëri. Dhe sërish duke mprehur shpatën e oratorisë, duke luajtur me telat e zemrës së njerëzve deri në pragkëputjen e tyre, ai mund t’u hidhte surratit brekët e Violeta Manushit (të madhes, ish-anëtare e Partisë Socialiste) dhe ata sërish t’i puthnin duart, mund t’u lyente pallatet me vija të shtrembëta dhe sërish atyre t’u dukeshin si piktura katedralesh, mund t’i shante e t’i fyente gjithë ditën dhe sërish t’u dukej si zëri i Orfeut. Shqiptarët e adhuruan Edi Ramën, edhe kur ai nisi të mësonte se zotëronte një pushtet të pakufishëm, madje e adhuruan edhe kur ai u dashurua pas këtij pushteti të pakufishëm, duke i braktisur ata, madje e adhuruan edhe kur ai pak e nga pak nisi të shkrihej me këtë pushtet të pakufishëm, të dhënë nga vetë shqiptarët. E adhuruan sepse Edi Rama fliste bukur, përgatitej gjatë, nuk përballej, polemizonte, por nga larg, larg atyre që mund t’i bënin atë, ose ato pyetjet e vështira, ku ai do të mbetej pa batutë e prej nga ku do të niste të ç’mitizohej. Një megafon i mbajtur në dorë, përballë disa deputetëve që donin ta linçonin dhe nuk ia arritën, dy grushte që përplaseshin fortë në podium dhe fjalë të padëgjuara për parë, e shtonin adhurimin e shumicës dhe mpaknin e rrudhnin pakicën, sytë e së cilës arrinin të shihnin përtej mjegullës së artë që rrethonte marshimin e pandalshëm të Ramës.
Shqiptarët e adhuruan, edhe kur nisën përgojimet e para. Adhurimi i tyre shkonte deri atje sa ata i falnin edhe “turpe”, për të cilat kishin përzënë fëmijët e tyre nga shtëpia, jo pse i kishin parë, por pse i kishin dëgjuar. Adhurimi i tyre nuk u mek për asnjë sekondë, edhe kur nisën vërshimet e fjalëve të lejekërkuesve e pallatndërtuesve. Ata faleshin për një shenjt, duke e pranuar me gabimet e një njeriu dhe i luteshin njeriut të bënte punën e një shenjti, (mrekullinë). Rama kishte sërish në krah të tij lidhëzat, kundrinorët, emërorët, përcaktorët, kallëzoret, të fuqizuara thekshëm edhe me pak pabesi, pak tradhti, pak ngjalëzim dhe me shumë, shumë ambicie, ego dhe dëshirë për gjithëpushtet. Shqiptarët e adhuruan edhe më shumë dhe një pjesë e tyre e zgjodhën për prijës. Në nënshkrimin e lavdisë së tij, Rama firmosi dhe rrënimin e tij, jo vetëm si politikan.
Për katër vjet rresht, Rama hyri në mekanizmin më të ndërlikuar, marrëdhëniet me njerëzit të cilëve nuk u jep rrogë, apo shpërblesa të tjera, por ua premton. Adhurimi vazhdonte me të njëjtën forcë, por thellë-thellë, grafitë e natës, nxirrnin hije të errëta dyshimi; mohim, përjashtim, zemërim, akuzim, largim, diktat, vetvendosje, injorim, përqeshje, hungërimë; kishin ngritur herë-herë krye edhe më parë, por nuk kishin zgjatur më shumë se një stinë dhe nuk ishin përmbledhur kurrë tek një njeri i vetëm. Por loja tashmë ishte bërë e madhe dhe shumë shqiptarë besimin e tyre për të ardhmen e varën tek zaret që kishte hedhur Edi Rama. Ai i sigurt në adhurimin që këta njerëz kishin për të, i ngopur prej vitesh dhe ditësh nga kërpudhat që i mbinin apo i rriste vetë rreth e rrotull, me idenë se ai ishte Mesia që pritej prej 2 mijë vjetësh, me armën e vjetër, por gjithmonë të re të oratorisë dhe fjalëve magjepsëse, si dhe me Asin që nuk mund ta mbante dot nën mëngë, vetë emrin ndjellës; Edi Rama, u nis të bëhej i gjithëpushtetshmi. Vetëm...
Kjo ishte me pak fjalë rruga e ndjekur dhe fati që ka ndjekur, por dhe që Edi Rama nuk e ka lënë pa i shërbyer. Pas 28 qershorit, por më shumë pas kongresit të Partisë Socialiste, kemi dhembshurisht një Ramë në metamorfozë totale, një Ramë të shpërfytyruar, ashtu si nuk do ta donte edhe armiku i tij më i betuar, që nuk dihet se kush është. Një Ramë, i cili nuk të ngjall asnjë lloj besimi në ato që thotë, që të shkakton vetëm keqardhje në atë lloj paraqitjeje të pagjumë, të vrarë e të sfilitur. Një Ramë që të ngjall habi me atë fjalor aq të varfër, aq të mbivendosur nga dita në ditë, aq të sforcuar e të holluar. Një Ramë, që nga Dante po kthehet në Neron, nga trëndafil po kthehet në gjembaç, nga ideator po kthehet në diktator. Një Ramë që nuk pranon me kokëfortësi se ylli i tij politik perëndoi. E, edhe romantikët e fundit, me keqardhje, por do ta kthejnë dikur kokën nga një tjetër yll. Rama nuk ofron më nxehtësi dhe nuk mund të pretendojë adhurim.


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora