E premte, 19.04.2024, 08:11 PM (GMT+1)

Faleminderit

Baki Ymeri: Thanas Kantili - Luftëtar i përflakur i kolonisë shqiptare të Bukureshtit

E shtune, 05.09.2009, 10:00 PM



Thanas Kantili
Boboshtarët e Bukureshtit: Thanas Kantili (1863-1933)


LUFTËTAR I PËRFLAKUR I KOLONISË SHQIPTARE TË BUKURESHTIT

 

Dhe pas Te-deumit të shërbyer në gjuhën e ëmbël nënore, vinte fjalimi i parë i rastit i mbajtur prej një personaliteti nga më të lartët e vëndit, i pasuar prej fjalimesh të shqiptarëve, të cilat kurdoherë më çdo festë, kurorëzoheshin në fund prej veteranit të madh Thanas Kantili, të zjarrtit, të flaktit, të djegurit dhe të zhuriturit luftëtar të Kolonisë në Rumani. Ky me gjith natyrën e tij zakonisht hijerëndë, kur fliste në kishë në këto festa kombëtare nuk e përmbante dot veten nga mallëngjimi gjer në mbarim të fjalës, po i shpërthenin lotët mu në mes duke e përfunduar pastaj me fjalët e papritura: Rrofsh moj rrofsh! Ti do të rrosh e do të jesh moj Shqipëri! Dhe kisha mbaronte kështu në mes të gëzimit dhe të dashurisë, që ish gëzim kombëtar dhe dashuri kombëtare, dhe anëtarët ktheheshin nëpër vatrat e tyre me shpresën më të rritur për mëmëdhenë.


Nga Baki Ymeri (Bukuresht)

 

Duke hulumtuar veprimtarinë e korçarëve të kësaj metropole në periudhën e Mbretërisë, konstatojmë se Bukureshti paraqet lulen më të bukur të diasporës shqiptare në botë. Bukureshti, sipas Lasgushit ishte “kryeqyteti i Shqipërisë së mërguar”, “qyteti që mban emrin më bujar të të folurit shqip”. Janë pikërisht korçarët e kësaj qendre që e kanë ndezur dhe mbajtur të pashuar flakën e shenjtë të Rilindjes Kombëtare. Në një zonë të vjetër të  Bukureshtit, ndërmjet Bibliotekës së Akademisë dhe Stacionit Hekurudhor “Gara de Nord”, në rrugën Calea Grivicei, gjendet një nga shtëpitë më të  vjetra të rilidësve tanë, ajo e Thanas Spiro Kantilit, i cili, sipas “Shqipërisë së Re” të Konstancës (1933), “punoj dhe u sos për Shqipëri, atëherë kur kjo gjendej në robëri”.

Në bazë të dokumenteve që i ruan me shenjtëri nipi i këtij rilindasi të zjarrtë, Niko Kantili, kuptojmë se para vitit 1880, kjo ka qenë pronë e një hebreu: Simon Goldemberg. Këtë e dëshmojnë edhe disa akte autentike, që nga viti 1833. Niko Kantili është i biri i një gjermanke (Elizabeta Opricesku), dhe i një shqiptari boboshtar  (Theodor Kantili). Edhe përnga pamja, edhe përnga sjellja, edhe përnga karakteri e temperamenti, lë përshtypjen se është shqiptar. Posa merr vesht se nga jemi e nga vijmë, për të kërkuar rrënjët e lashta të shqiptarizmit, na thot:

“Më fal që po të shqetsoj! Nuk e di zotrote në je shqiptar, ngase ke emër turku! Më vjen keq pse s’di shqip, por kur dëgjoj për Shqipërinë, më rrënqethet lëkura. E sheh këtë oborr të gjatë  e këtë shtëpi të motshme! E gjithë kjo ishte pronë e gjyshit tim, Thanas Kantili, një nga rilindësit më të shquar të Rumanisë. Këtu gjendej një dyqan, tejmatanë tij, një pijetore, të hapura në vitin 1890, nën firmën “Vineria T. Cantili”. Para 70 vjetësh, vinin këtu shkrimtarë e artistë të mëdhenj, ndër të cilët edhe dramaturgu i shquar i Jon Luka Karaxhiale (rum. Ion Luca Caragiale), për të cilin flitet se kishte origjinë shqiptare. Gjyshja ime, Sofia Treska, bashkëshortja e Thanas Kantilit, ishte kushërirë e Viktor Eftimiut. E sheh këtë fotografi të vitit 1931? Ja këtu, pranë ungjit tim, Konstantin Kantili, ngre dollinë shkrimtari i famshëm Teodor Mushatesku! Shkrimtari i madh, Al. O. Teodoreanu, shkruan në revistën Magazinul (Nr. 30/1933): “Këtu ka ndenjur Karaxhiale. Sa bukur fliste, zotëri, të gjithë e donin. Diku nga vitit 1883, Thanas Kantili e merr me qera këtë lokal dhe e shndërron në kafene. E pyeta Anton Sotirin për karierën e tij gastronomike. Është interesante. Ka ardhur këtu nga Shqipëria, më 1899, duke hyrë në punë te një ungj i tij, Dionisie Gjika, njeri që merrte vesh përnga mjeshtria dhe që kish një lokal në rrugën Izvorul. Pastaj punon nën drejtimin e Kantilit, bëhet shok me të dhe mbetet pronar”.

 Në këtë shtëpi të vjetër, nuk ka munguar kurrë mikpritja tradicionale e shqiptarëve, shton zoti Niku. Për kontributin që pat dhënë përgjatë Rilindjes Kombëtare, gjyshi im, Thanas Kantili, më 2 shtator të vitit 1914 (në kohën e Princ Widit) qe dekoruar nga Mbretëria Shqiptare me “Medaljen Ushtarake në Bronz” (dorëshkrimi është në gjuhën frenge). Dokumentet që na i prezanton Niku, janë origjinale dhe autentike, të nënshkruara e të vulosura. Ndër to shquhet Testamenti i Thanas Kantilit, ku përmes një fjalori të zgjedhur, plot respekt e përdëllim ndaj gruas e fëmijëve, defilon shpirti i një shqiptari të shenjtë. Thanasi e përfiton nënshtetësinë rumune në vitin 1926, ndërsa në vitin 1932, Mbreti Carol II, e nderon përmes një dekreti, me titullin “Meritul Comercial si Industrial, Cl.II” (Merita Komerciale dhe Industriale, Kl.II).

 

Punoi dhe u sos për Shqipëri, kur kjo gjendej në robëri

 

Thanas Kantili ishte një nga anëtarët më aktivë në Komitetin e Shoqërisë Shqiptare “Dituria” e Bukureshtit. Emrin e tij e hasim në dokumentet e kësaj shoqërie, që nga viti 1896. Më 11 prill të vitit 1899, në kuadrin e Kuvendit Vjetor të Diturisë, Thanas Kantili zgjidhet nënkryetar. Nga “Përlindja shqiptare” e Sofjes, kuptojmë se në mbledhjen e zakonshme që ka bërë Shoqëria “Dituria”,  në vitin 1903, në një pyll jashtë Bukureshtit, krahas Kristo Dakës dhe Jovan Lazarit, Thanas Kantili flet fjalë të zjarrta dhe propozon që të dy shoqëritë (Drita e Dituria) të bashkohen ngase “bashkimi bën fuqi”. Emri i Thanas Kantilit ndërlidhet edhe me mbledhjen historike të Bukureshtit (5 Nëntor 1912), kur u morën vendimet lidhur me Pavarësinë e Shqipërisë. Nga kujtimet e botuara të Asdrenit në “Shqipërinë e Re” të Konstancës (29 Nëntor 1925),  kuptojmë se se në mbledhjen e fundit të konsultimeve e bisedimeve, përveç Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Kristo Meksit, Aqile Eftimiut, Dhimitër Zografi etj., e merr fjalën edhe Thanas Kantili.

Thanas Kantili ka patur një vajzë, Ekaterinën, dhe 5 djem: Nikollën,  që vdiq i ri, si pasojë e një pneumonie, pastaj Konstantinin, Tonin, Vasilin,  dhe Teodorin, babain e Nikut. Todori jetoi ndërmjet viteve 1918-1996. Edhepse ka lindur në Rumani, në një familje patriotike, aq shumë e ka dashur Shqipërinë, saqë shkon, derisa ish kryeministër ungji i tij, Pandele Vangjeli, e shkollohet në Tiranë, Durrës, Korçë e Shkodër. Korina e Niku nuk mund të harrojnë kurrë përmallimin e tij, dëshirën e tij të vetme, për ta parë edhe një herë Shqipërinë, para se të ndërrojë jetë. Një një dëshirrë të këtillë, të zjarrtë, e hasim edhe te shqiptarët e sotëm të Bukureshtit, të cilët shuhen pa e parë Shqipërinë, si pasojë e impotencës patriotike të ishkomunistëve me pasaportë diplomatike. Së bashku me korçarët Duro, Zografi, Milkani e Buzi, vëllezërit Kantili ishin ndër tregtarët më të shquar të Bukureshtit. Thonë se aq i pasur ka qenë, saqë ka djegur thasë të tërë me para kur u ndërruan paratë, në shenjë të stabilizimit të vendit, ndërsa pjestarë të kësaj familjeje fisnike, që kanë ardhur para 13O vitesh në Rumani, figurojnë edhe në katalogjet telefonike të Bukureshtit: Xhorxheta, Maria, Nikulae, Toni, Vasile,  Kristina, Konstantini dhe Angjelika, të gjithë duke mbajtur mbiemrin Cantili (shq. Kantili).

Thanas Kantili vdiq në një spital të Bukureshtit, më 14 shtator të vitit 1933. Lajmi i hidhur u përhap si vetëtima ndër krejt shqipëtarët e kësaj qendre, ku e njihnin si një patriot të palodhur, që tërë jetën punoi për vëndin e tij, pa pretedime personale apo materiale. Varrimi u bë pas dy ditësh, më 16 shtator, me një ceremoni të shkëlqyer, në varret e Shën Premtes (Sf. Vineri), atje ku qe varrosur më 1913, apostulli i shqiptarizmit, Nikolla Naço, kurse më 1947, Asdreni. “Një pjesë e madhe e Shqipëtarëvet të Bukureshtit, morën pjesë në këtë varrim. Trupi i të ndjerit  Kantili ish mbuluar me lule edhe me kurora. Një kurorë vjente  nga ana e Komunitetit, një tjetër nga  ana e Kryekonsullatës, një kurorë nga ana e Shoqërisë së Boboshtarëve dhe një tok kurorash të tjera nga ana e farefisit të tij. U mbajtën  një tok fjalimesh, duke treguar aktivitetin dhe zemërgjerësinë e të ndjerit. Fjalën e parë e mbajti delegati i Odës Tregtare të Bukureshtit, duke nxjerrë në pah se si një jetë të tërë, i ndjeri punoi me ndershmëri dhe qe shembëll për të tjerët”. Shënimet prezente vijnë nga numri 539, i së përjavshmes “Shqipëri e Re”, që delte asokohe në Konstancë. Ja edhe fjala e Asdrenit, me rastin e varrimit:

 

Një nga të parët nismëtarë të kësaj Kolonie kreshnike

 

Zotërinj të brengosur! Pik së pari këtu shfaqim hidhërimin e Kryekonsullatës Mbretënore për vdekjen e pa-pritur të patriotit, që e deshti me gjithë shpirt e zemër Shqipërinë, si një shqiptar me plot ndjenja që ish,  si edhe ngushëllimet e kësaj Kryekonsullate, familjes dhe gjithë far’ e fisit të tij. Do të jenë fjalë të tepërta, në dua të bëj këtu një përshkrim të jetës së Thanas Kantilit! Jeta e tij trupësonte vetëm e vetëm mirësinë edhe zemërbardhësinë, në tërë kuptimin e fjalës, sa nuk i ze besë që të gjendet një, midis nesh, që të mos e dijë edhe të mos e ketë njohur dhe kuptuar, këtë cilësi të rrallë, të shpirtit të tij.

            Thanas Kantili si patriot, qe i pari ndërsenjës, i cili me fjalët e zjarrta dhe me flagën e dashurisë s’atdheut, që përmbante në vehten e tij fisnike, nuk linte asnjë rast me zërin e tij të fortë, që shpërthente si bubullimë, pa mos i çfaqur haptazi mendimet dhe ndjenjat, që i valonin pa rreshtur në kraharorin e tij, për t’i treguar ato që ndjente edhe për t’i bindur të tjerët se e drejta edhe e vërteta duhet të dalë në dritë,  siç dolli,  dhe aqë shumë mallëngjehej sa kur shifte, derthte lotë dhe qante, qante prej dhempshurisë! Në patriotizmë qëndronte i patundur, pa ligësi shpirti, as dredharak, pa asnjë pikë interesi, por përkundrazi, ay vetë nga pak a shumë sa kishte, jepte me dorë plot. E ndjente për detyrë edhe e kishte për krenari. Ndihmonjës i çdo çështje kombëtare, shpirtndrituri sa rrojti, i solli nder Kollonisë së këtushme dhe kombit përgjithësisht. Dhe me ç’do fjalë të bukura shpirtnore, dhe me ç’do farë ndihme pa përtim, mund të them, ka qenë një shtyllë e fortë edhe e ndritshme, një nga më të parët nismëtarë të kësaj kollonie kreshnike.

Thanas Kantili si mirëbërës i të varfërve, prapë qëndronte në krye të ç’do vepre mirësije me dorëgjerësin’ e tija të pashëmbëlltë. Ç’do njeri që e shkelte edhe që ndjehej në nonjë nevojë, Thanasi kurrë nuk e përcjellte nevojtarin të dalë dorëzbrazur nga pragu i derës së tij. Me sa vura re edhe unë vetë, prej aqë kohe që e njihnja, me gjithë që fshihej kur bënte të mirën, shumë herë shëkonja që hynin, herë pleq, herë gra të veja, të  varfër si nga t’anët, si edhe të tjerë, të huaj, që Thanasi të mos u jepte disave atë çast, edhe disave që u jepte muaj për muaj, nga një sumë, duk’ i përcjellë gjithmonë me një të qeshur në buzë: e bënte të mirën me të djathtën pa të dijë e mëngjëra!

            Thanasi si krye i familjes së vet, qe aq i mirë dhe i urtë, sa nga urtësija e tij nukë kuxonte të nxjerrë nga goja një fjalë të keqe, një përtim apo një të sharë kundra bijve të vet, por duke pandehur gjithmonë që fëmija e tij vetvetiu t’ia kuptojë mendimin që ushqente, edhe dhempshurinë atnore që kish për ta, do të mundin të shkelin po në gjurmat e tij. Por në këto të pakta fjalë, nuk mundet t’i bëhet apollogjija e të gjithë veprave të tij, e gjithë jetës së tij, siç ka qenë një karakter i pashoqtë, si një pasqyrë e kulluar, të cilën shumë veta duhet t’a kenë para sysh, për t’udhëzuar edhe për t’i vazhduar gjurmat edhe faktet e mira të tij. Thanasi në jetë s’kish as armiq, se ishte i zoti që kundërshtarin t’a përballë, ta zbutë me fjalë të ëmbla dhe me  sjellje vërtet bujare. Në dyqanin e tij, si të dorës së tretë, shifnje njerëz të dorës së parë, nëpunës të lartë, politikanë, artistë si edhe shkrimtarë të shquar të këtij vëndi, të rinë me të në fjalë e të kuvendojnë, të kënaqur prej tij,  nga ç’do pikëpamje të sjelljes së tij.

Pa le më një patriot kur i vinte. Nuk dinte si e si t’a presë sa më mirë. Thanasi s’kishte mësime por ishte i zoti të japë mësime. E dëgjonte tjetrin me durim edhe jepte këshilla. Kish dhembje për ç’do send në vehte të tij, por ndjente edhe dhembjet e të tjerëve dhe vuante ai bashkë me ta. Ishte dikush i brengosur, ay e ngushëllonte. Ish aq zemërbardhë sa shpesh herë vinte gjer në sakrificën e vet, si një dëshmor! Tani që na la, dhe vajti në prehje pas një mbarimi jete aqë tragjik, le të thomi: Kujtimi i tij qoft’ i përjetëshmë! Edhe i Madhi i jetës, t’i bëjë vënd prehjeje me të shkëlqyer, atje në gjirin e Abrahamit, si shpirtmirë që ish! Perëndija e ndjeftë!

 

Përkrahësi  shqiptarëve që kanë shkelur tokën e këtij vendi liriprurës

 

Pas  Asdrenit  foli ekonom At.Steliani, një fjalim tepër të gjatë, duke treguar mjaft mirë shpirtin e të ndjerit Th. Kantili. Një fjalë tjetër mbajti kryetari i Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit, Nikolla Xhorxhesku. Pas këtij foli zoti Nikolla Tabaku, i cili në rmes të tjerave tha: “Në një kohë rreziku për Shqipërinë, shqipëtarët e Bukureshtit ishin mbledhur dhe po bisedonin se ç’masa duhet të marrin për të mirën e vëndit. Thanas Kantili i cili nga hera ka qenë plot kurajo dhe guxim  ka thënë me një rast: “Ne jemi këtu deputetët e Shqipërisë, pra neve na mbetet bara për shpëtimin e Shqipërisë”. Serën e fjalimeve e mbylli Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), nga ana e Shoqërisë së Studentëve Shqiptarë të Rumansisë:

“Të pikëlluar Miq! Pas një perëndimi të ngadalshmë e plot dhembje, u këput  midis nesh, veterani Thanas Kantili, një nga kollonat e gurta të Kolonisë Shqipëtare të Bukureshtit, të cilën e pat nderuar edhe ndriçuar me zellin dhe veprën e tij. Atdhetar kur s’kish Atdhe, Shqipëtar kur s’kish Shqipëri, luftëtar kur shokët ishin të rrallë, i veneruar plak Thanas Kantili punoi një jetë të tërë me zell të palodhur, që t’i japë flakë e gjallëri një ideali të vetëm: liria e Atdheut. Këshilltar, nënëkryetar dhe kryetar i Kollonisë Shqipëtare, dhe anëtar i saj i pandarë, zëri i tij tingëlloi rradhë pas rradhe, në të gjitha mbledhjet kombëtare, të mbajtura në Bukuresht dhe gjetkë.

Edhe Kongresi Kombëtar i Trieshtës, e dëgjoi  zërin e tij sulmonjës me fjalë të arta, i cili u jepte gjallëri ndjenjave. Thanas Kantili, ushtar i thjeshtë i detyrës, ka qenë kurdoherë edhe një nga përkrahësit e pakursyer të intelektualëve shqiptarë, të cilët kanë shkelur tokën e këtij vëndi liriprurës. Për shërbimet e çmuara,  të sjella çështjes kombëtare, Shoqëria e Studentëve Shqipëtarë i shfaq homazhin e saj, duke u zotuar të shkelë pas gjurmave të dukshme që la prapa tij. I qoftë e lehtë toka e mërgimit!”.

 

Thanas Kantilit dhe Kisha Shqiptare e Bukureshtit

 

Sipas Lasgush Poradecit, festa më e madhe e Kolonisë dhe kishës shqipe të Bukureshtit ishte 28 Nëntori: Dita e Flamurit dhe Shën Gjergji: Emri i Gjergj Kastriotit. Këto kremtime bëheshin me bujën dhe madhështinë më të madhe, duke e ftuar në Seli të Kolonisë dhe në kishë autoritetet dhe personalitetet më të larta të vëndit, me mbretin në krye të të gjithëve. Ftoheshin dhe përfaqësitë e huaja, ambasadorët, ministrat, konsujt, të cilët në atë atmosferë ngazëllonjëse të botës shqiptare i jepnin kishës dhe festës një madhëri dhe një madhështi të rrallë.

            Kisha qe e mbushur përplot, dhe tri të katërtat e të pranishmëve rinin nga mungesa e vëndit jashtë në obor, bukur të rrethuar dhe të stolisur për atë festë. Aty jashtë në obor, më të djathtën e hyrjes kryesore të Kishës qëndronte i vendosur me shkëlqim flamuri i Kollonisë, i cili ishte më i madhi dhe më i bukuri nga gjithë flamuret e shoqërive  dhe organizatave të Bukureshtit që kishin flamur. Flamuri i Kolonisë shqiptare ishte i kuq me shkabën dykrerëshe në mes, qe bërë prej mëndafshi të qëndisur rreth-e-përqark me bufka të arta dhe kishte më një anë dy esharpa, njëra e kuqe, tjetra e zezë, të cilat mvareshin me hijeshi prej majës së shtizës gjer përposh. Shumë i rëndë ishte flamuri dhe nga ky shkak e mbanin përherë dy veta, njëri tosk, tjetri gegë, të mveshur secili burrërisht me robet e tyre kombëtare.

            Kurse kjo ishte pamja e përjashtme e kishës nër festat më të mbëdha të saj (28 Nëntor dhe Shën Gjergj), përbrenda ajo shkëlqente nga uniformat dhe robat e zyrtarëve, po më shumë nga fryma shqiptare që frynte në zemra. Dhe pas Te-deumit të shërbyer në gjuhën e ëmbël nënore, vinte fjalimi i parë i rastit i mbajtur prej një personaliteti nga më të lartët e vëndit, i pasuar prej fjalimesh të shqiptarëve, të cilat kurdoherë më çdo festë, kurorëzoheshin në fund prej veteranit të madh Thanas Kantili, të zjarrtit, të flaktit, të djegurit dhe të zhuriturit luftëtar të Kolonisë në Rumani. Ky me gjith natyrën e tij zakonisht hijerëndë, kur fliste në kishë në këto festa kombëtare nuk e përmbante dot veten nga mallëngjimi gjer në mbarim të fjalës, po i shpërthenin lotët mu në mes duke e përfunduar pastaj me fjalët e papritura: Rrofsh moj rrofsh! Ti do të rrosh e do të jesh moj Shqipëri! Dhe kisha mbaronte kështu në mes të gëzimit dhe të dashurisë, që ish gëzim kombëtar dhe dashuri kombëtare, dhe anëtarët ktheheshin nëpër vatrat e tyre me shpresën më të rritur për mëmëdhenë.

Korcaret e Bukureshtit me Asdrenin ne mes (1938)

Shoqeria Lira e Bukureshtit, 1918
Shoqeria Lira e Bukureshtit, 1918



(Vota: 15 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora