E premte, 29.03.2024, 05:24 AM (GMT)

Mendime

Ardian Vehbiu: Tradita e vetëgjymtuar

E shtune, 05.09.2009, 04:06 PM


Tradita e vetëgjymtuar

Nga Ardian Vehbiu

Ata që krenohen me arritjet e shqiptarëve në kultura të tjera, ndoshta do ta kenë parë imazhin e arkitektit austriak me origjinë shqiptare, Karl Gega, të riprodhuar në kartëmonedhën 20-shilingëshe.

Me të drejtë Austria e ka nderuar inxhinierin e vet të hekurudhave malore të vështira, tuneleve, urave dhe mbikalimeve marramendëse.

Natyrisht, pakkush veç historianëve e mban mend se kush ka qenë ministër austro-hungarez i Ndërtimit, në kohën kur Gega projektonte hekurudhat, urat dhe tunelet; sepse ministri i Ndërtimit bënte detyrën e vet, për të cilën paguhej, por formën veprave dhe shkëlqimit të kombit ia jepnin burra dhe gra si inxhinieri i tunelit të Semmering-ut, një nga të paktët specialistë të kohës, në mos i vetmi, që guxoi të ndërtonte të pamundurën.

Shoqëritë e shëndetshme dallohen prej të gjymtuarave edhe ngaqë kujdesen për elitat e tyre kulturore, njerëzit e mençur dhe të shkolluar, institucionet delikate që ua ruajnë dhe përcjellin traditat; kujdesen duke i mbajtur pranë, nderuar, financuar dhe veçanërisht mbrojtur nga egërsia e turmave dhe e politikave populiste.

Shqiptarët nuk i bën dot me faj për katastrofën e shekullit XV, kur pushteti osman u vendos në Ballkan duke shkatërruar me rrënjë qytetet, institucionet, hierarkitë sociale, traditat qytetare, artin dhe organizimin e elitave të atëhershme; por nuk është kurrë e tepërt të thuhet se nga ai ndërrim kodesh dhe institucionesh shqiptaria ende nuk e ka marrë veten plotësisht.

Kjo vlen veçanërisht për qytetet - mjaft të përmend Krujën e dikurshme kryeqendër të Arbrit, ose Shkodrën që e pësoi prej osmanëve më keq se Kartagjena e fshirë nga faqja e dheut prej romakëve. Një fshat të djegur mund ta rindërtosh nga themelet e ta përurosh me ceremoni festive; por një qytet të rrënuar nuk e rikthen dot më.

Ka një iluzion populist dhe barazimtar që qarkullon hareshëm në mendësinë moderne shqiptare - dhe pikërisht se elitat janë po aq të përkulshme e të restaurueshme sa edhe tregu. Ky iluzion mbështetet në një lexim optimist të historisë së Shqipërisë gjatë shekullit XX; ose të marrëdhënieve zakonisht armiqësore që ka mbajtur shteti shqiptar me elitat e veta.

Vitet 1945 dhe 1990 mund të përfytyrohen, simbolikisht, si vite të spastrimeve të mëdha të elitave; ose të një rituali absurd, gjatë të cilit shoqëria shqiptare, duke përfshirë shtetin dhe institucionet publike, u kthye kundër bijve të vet më të mirë, më të shquar, më të përgatitur e më të mençëm: për t'i asgjësuar fizikisht e për t'i kalbur burgjeve si "armiq" në 1945-ën; për t'i pështyrë tutje si bërthama kumbullash, në 1990-ën.
Regjimi komunist jo vetëm arriti të heqë qafe elitat e përgatitura me mundim të madh gjatë viteve 1920-1939, por edhe u futi traktorin institucioneve kulturore të viteve të mbretërisë; edhe një herë, Shkodra dhe veçanërisht katolikët e Veriut e pësuan fatin e Kartagjenës.

Historianët dhe sociologët pak janë marrë me fatin e atij brezi shqiptarësh të talentuar, që shkuan të studiojnë në Perëndim gjatë viteve 1930; sado që ajo lëvizje mendore ishte vijim i logjikshëm i përpjekjeve të filluara gjatë Rilindjes, për t'ia dhënë një fytyrë bashkëkohore kombit shqiptar dhe sidomos shtetit.

Deri edhe një qytet relativisht i vogël si Gjirokastra, dërgoi me dhjetëra, në mos qindra djem dhe vajza për të studiuar në Europë; herë me bursa të mbretërisë, herë me kursime të familjeve.

Asgjësimin fizik të kësaj klase, në gjyqet, spastrimet dhe terrorin e lëshuar zinxhir pas vitit 1945, mund ta interpretosh edhe si ritual mistik, ose sakrificë në altar të historisë, e cila u duhej pushtetarëve të rinj po aq sa ç'i duhet gjaku i kurbanit të therur themeleve të urës.

Shfarosja e Karl Gegëve shqiptarë ishte vetëm një aspekt i katastrofës së përgjithshme; tjetri kishte të bënte me shkatërrimin e traditës, ose bllokimin me dhunë të kanaleve të natyrshëm të transmetimit të dijeve e në përgjithësi të kulturës.

Një krahasim nga lëmi i kulturës materiale do të ndihmojë për t'i rrokur përmasat e plojës: kur mungon mishi në treg, gjellët me mish nuk do të gatuhen dot më dhe një brez i tërë rritet me speca të fërguara, sallam dhe qepë.

Më pas mishi do t'i rikthehet tregut përsëri, por kultura e gatesave, ose dija e gjysheve, e rafinuar deri në art dhe e përcjellë brez pas brezi për shekuj me radhë, tashmë do të ketë humbur përfundimisht.

Disa orvatje individësh, në vetvete heroike, tregojnë megjithatë, se jo gjithçka është e humbur; kështu publikut shqiptar i janë kthyer sot revista si "Përpjekja" ose "Hylli i Dritës"; edhe pse këto dy oaze në shkretëtirë nuk mjaftojnë, për t'ia restauruar kulturës shqiptare frymën e debatit intelektual të viteve 1930.

Regjimi totalitar ia asgjësoi elitat Shqipërisë duke i përndjekur me rrugë policore, teksa institucionet ia rrafshoi me buldozerë. Përkundrazi, katastrofa e vitit 1990, ose kundërpërmbytja e Shqipërisë, pati të njëjtin efekt, edhe pse më pak tragjik për elitat vetë, të cilat u larguan nga Shqipëria, për t'i vënë talentet e tyre në shërbim të kulturave të tjera.

Përsëri, më mungojnë të dhënat statistikore, për të gjithë ata studentë dhe pasuniversitarë të formuar në Perëndim, gjatë viteve 1980-1990, me bursa ndërkombëtare ose ndonjëherë edhe të shtetit shqiptar; dhe që sot janë vendosur përfundimisht në vendet ku kanë studiuar.

Vendin e tyre, në institucionet dhe në kulturë, e ka zënë jo rrallë mediokriteti, nënproduktet e klientelizmit politik, kameleonët dhe intelektualët e kafeneve dhe të kapardisjeve hipokrite, nipat dhe mbesat e "të fortëve".

Politikanët, të cilët tashmë e ëndërrojnë të gjithë portretin në kartëmonedhat simbolike të shtetit shqiptar europian post-totalitar post-kapitalist atlantiko-verior, ushqejnë iluzionin e çuditshëm se institucionet mund të rikrijohen me dekrete e fjalime po aq lehtë sa edhe zhbëhen; thuase çka prish dinamiti, mund ta shlyejë gërshëra e përurimit.
Strategjitë kulturore ngatërrohen sistematikisht me politika të kuadrit.

Politikanët të thonë: ja ku e keni mishin, jua sollëm, gatuajeni tani përsëri; edhe pse shumëkush është mësuar të mbijetojë me gorrica dhe bathë, madje nuk të lejon t'ia prekësh, duke të shpjeguar se është krenar për dietën e vet kreshnike.

Mirëpo, e vërteta është kokëfortë - po aq kokëfortë sa edhe sallat e kinemave, të koncerteve e të teatrove zbrazur nga publiku; ose shkallët e stadiumeve braktisur nga tifozët; ose tirazhi qesharak i librit shqip, që ende shitet librarive të pakta që i kanë mbijetuar tsunamit të tregut.

A mund ta përballojë dot kultura shqiptare këtë vetëvrasje të re? Pyetja sjell me vete implikime të frikshme, edhe pse përgjigjja nuk është nga ato që mund të jepen menjëherë. Qytetari shqiptar ende e modelon jetën e vet, private dhe publike, sipas rregullave të mbijetesës; dhe ndoshta tashmë ka mbijetuar, me gjithë inercinë e institucioneve.

Megjithatë, kultura e mbijetesës nuk ka shumë të bëjë me mbijetesën e kulturës.
Zgjidhja, për fat të keq, ka mbetur edhe një herë në dorë të politikanëve të sotëm - por vetëm ngaqë këta kanë përqendruar në duart e tyre gjithçka të përqendrueshme, njëlloj si kisha dikur në Mesjetë.

Prej tyre sot kërkohet, para së gjithash, një reflektim i gjatë dhe i përbashkët, për çfarë mund t'i rikthehet Shqipërisë - në elitat dhe në institucionet, por sidomos në strategjitë dhe mjetet për transmetim të traditës; përtej ndyrësive dhe farsave të politikave të kuadrit, zgjedhjeve dhe rizgjedhjeve, kandidaturave dhe dorëheqjeve, zhargonit pseudo-demokratik, pozave fotozhenike dhe vikamave populiste nga podiumet.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora