E merkure, 24.04.2024, 04:11 PM (GMT+1)

Mendime

Isa Mulaj: Protokolli i Eulex-it me Beogradin [s’]duhet të nënshkruhet?

E premte, 04.09.2009, 09:11 PM


Protokolli i Eulex-it me Beogradin [s’]duhet të nënshkruhet?

Nga Isa Mulaj (isaamulaj@hotmail.com)
Botuar me lejen e Autorit

Komenti i z. Spahiu është konfuz dhe një interpretim i shtrembëruar. Ai përmend një lloj Protokolli ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë për Kosovën duke mos na treguar se cila është lënda e atij Protokolli që ky po e rekomandon se duhet të nënshkruhet nga Qeveria e Kosovës. Jo pak analistë dhe gati të gjitha mediat në Kosovë i karakterizon një defekt serioz kur shkruajnë komente, lajme, artikuj, e shumëçka tjetër. Ai defekt gjithmonë është i ndërlidhur me mungesën e konceptit bazë. Askush prej nesh si lexues nuk e kemi të qartë se për çfarë Protokolli e ka fjalën z. Spahiu. Fjala është për një marrëveshje të EULEX-it me Serbinë, më konkretisht Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë për “bashkëpunim” në sektorin e policisë. Çka thotë ky Protokoll ose Marrëveshje këtë nuk mund ta mësoni nga z. Spahiu ose shtypi ditor i Kosovës, ndonëse për çdo ditë flitet e shkruhet për të. Diçka e ngjashme kishte ndodhur me 6 pikat e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon. Vetëm në dy raste e kam parë përmbajtjen e atyre 6 pikave në media. Kush e ka tekstin e këtij Protokolli, propozoj ta botoni diku ose së paku postojeni në këtë Forum pa e komentuar. A mund ta përkrahim z. Spahiu kur thotë se ai Protokoll duhet të nënshkruhet? Mjaft ka nënshkruar Qeveria e Kosovës dokumente pa i lexuar fare. Ne nuk po duam ta nënshkruajmë atë Protokoll. Duam vetëm ta shohim se çka thotë.
Komenti i z. Spahiu në pjesën më të madhe paraqet keqinterpretime serioze. Ai e identifikon Protokollin si investim të BE-së. Protokolli është dokument prej letre. Investimet janë diçka tjetër. Nëse z. Spahiu mendon se BE-ja e solli dhe vendosi ta nënshkruaj këtë Protokoll me Serbinë shkaku i ndonjë investimi, kjo nuk qëndron. EULEX-i e imponoj Protokollin në bazë të shumë dokumenteve paraprake si 6 pikat e Ban Ki Moon-it, dhe mbi të gjitha, besimin e plotë që ia dhanë Qeveria dhe institucionet e Kosovës EULEX-it. Po i lëmë anash shumë analistë e shkencëtarë të këtij Forumi që u munduan të na bindin se vendosja e EULEX-it do të sjell mrekullira. Nëse nuk beson, komentet e tyre i keni diku në arkivat e postës elektronike.
Nuk e di çfarë çmimi është duke paguar Beogradi për atë që ju e quani “bllokuesi kryesor I proceseve evropiane ne Ballkan”. Ku e ke dëgjuar këtë? Mos po ta merr mendja ty që liberalizimi i vizave për Serbinë nga BE dhe në të njëjtën kohë përjashtimi i Bosnjës dhe Kosovës është çmim që po e “paguan” Beogradi? Më tutje, kur Beogradi në Kosovë bënë çka i shtihohet ditën dhe natën duke iu falënderuar askujt tjetër në këtë botë pos udhëheqësisë së Kosovës, atëherë a është ky ndonjë çmim që po e paguan Beogradi? Nëse nuk e keni drejtpërdrejtë, 6 pikat e Ban Ki Moon-it janë sjellë me qëllim që të ndërrohet Qeveria e papërgjegjshme dhe jo kompetente e Kosovës. E pa bota dhe BE-ja në veçanti se ne nuk jemi të interesuar për shtet, çka është vazhdimisht me besimet e plota njëherë në UNMIK, më vonë në SHBA, dikur në BE, dje në EULEX, prandaj edhe solli Protokollin për bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë. Ju e dini se ministër në këtë ministri dhe zëvendës kryeministër i parë është Ivica Daciq i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë. Këtë postin e fundit e ka trashëguar nga Millosheviqi i cili vdiq si kriminel lufte në Gjykatën e Hagës për Krime Lufte. Qeveria dhe Institucionet e Kosovës (dhe disa komentues në këtë Forum e shumë qytetarë të painformuar) kanë pasur besim të plotë në EULEX, e kjo tash përkthehet si besim i plotë në MPB-në e Serbisë që e udhëheq pasardhësi i Millosheviqit. Qeveria dhe institucionet e Kosovës nuk duhet të çojnë pluhur shumë pse EULEX-i tash nënshkruan në emër të Kosovës Protokolle (dhe çka do tjetër) me Serbinë. Kanë menduar këto institucionet e Kosovës se duke i bërë lajka çdo institucioni të huaj me frazën me tepër se poshtëruese “kemi besim të plotë” do t’i lë rehat shumë funksionarë shqiptarë të vazhdojnë me korrupsion dhe një lloj qeverisje që nuk dallon aspak me grupet mafioze. EULEX-i vetëm po bënë presion në shoqërinë se sa është në gjendje t’i duroj këto eksperimente të qeverisjes së papërgjegjshme të udhëheqësisë së saj. EULEX-i nuk duhet të ndalet në këtë drejtim derisa t’i sjellë pjesëtarët e MPB-së së Serbisë (mundësisht ata të kohës së Millosheviqit!) që shoqëria dhe shumica e qytetarëve trushpërlarë të Kosovës të shohin “besimin e plotë”, kësaj radhe në policinë e Millosheviqit. Vetëm edhe ndaj MPB-së së Serbisë ka mbetur të zbatohet koncepti i besimit të plotë. Nuk ka mbetur tjetër kush pa u testuar. EULEX-i do ta testoj edhe këtë. Të jeni të bindur se disa budallallëqe mafioze të shumë zyrtarëve nëpër institucionet tona dhe vet institucionet si tërësi, janë analizuar me kujdes nga shumë organizma ndërkombëtarë dhe në bazë të atyre sjelljeve janë përgatitur edhe diagnozat dhe ilaçet që i kemi tani. Në momentet kritike të shtet ndërtimit shumë zyrtarë u turren si të tërbuar për rritje të mëdha pagash për vete, duke përfshirë edhe kryetarin e Kosovës Fatmir Sejdiu. Kështu shteti shihej si një instrument për t’i shkaktuar dëme shoqërisë. Ec e bindi budallenjtë në shtetet normale se kjo i ndihmon shtet ndërtimit? Dikush ose shumëkush i ka analizuar këto përvoja dhe ka sjellë masat që po i shohim se nuk po na konvenojnë.
Z. Spahiu në komentin e tij duket se është shumë i dobët në Gjeografi. Citim:
“Para 20 viteve Beogradi zoteronte gjithe Ballkanin Perendimor dhe tani ka mbete ku ka mbete..... Nese Beogradi me histori gati 200 vjecare si komb, me nje politike te tille ka humbur 2/3 e territoreve qe zoteronte (Sllovenine, Kroacine, gjysmen e Bosnje Hercegovines, Maqedonine, Malin e Zi dhe ¾ e Kosoves),..”
Sqarim për z. Spahiu:
Ballkani Perëndimor përfshin këto shtete: Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinë, Malin e Zi, Serbinë, Kosovën, Maqedoninë, dhe Shqipërinë. Beogradi nuk e zotëronte Shqipërinë para 20 viteve ose më 1989. Lufta në Kroaci ka filluar në mesin e vitit 1991 kurse ajo në Bosnje në muajin prill 1992. Deri në atë kohë Beogradi ose Serbia nuk ka pasur kurrfarë kontrolli të plotë në këto pjesë të Ballkanit Perëndimor. Në Kroaci deri më 1995 kishte arritur ta marrë 1/3 e territorit kroat me luftë, ndërsa në Bosnje më shumë, por jo siç thotë z. Spahiu tërë Kroacinë dhe gjysmën e Bosnjës para 20 viteve. Nuk e di se çka nënkupton z. Spahiu me zotërimin e Maqedonisë si pjesë e Ballkanit Perëndimor nga Serbia para 20 viteve ose më 1989?  Serbia nuk e humbi Maqedoninë pasi nuk e kishte në zotërim. Nëse Maqedonia ka qenë dhe është pro-serbe, kjo është diçka tjetër. Z. Spahiu fut edhe Slloveninë nën zotërimin e Beogradit para 20 viteve dhe atë në kuadër të Ballkanit Perëndimor. Ky është gabim i dyfishtë. Së pari, Sllovenia nuk është pjesë e Ballkanit Perëndimor. Së dyti, Serbia nuk e ka pasur kurrë në zotërim Slloveninë. Nëse mendon se kjo para 20 viteve identifikohej me kryeqytetin e Jugosllavisë që ishte në Beograd, edhe ky është mendim i gabuar. Sllovenia edhe gjatë viteve 1980-ta cilësohej si pjesë shumë e veçantë e Jugosllavisë. Kthehu pak në histori jo më larg se në vitet 1985-1990 dhe mendo për deklarimet e panumërta të shumë qytetarëve shqiptarë të Kosovës kur thoshin me shaka “n’shtete t’jashtme n’Slloveni”. I përmenda këto të meta të vogla në komentin e z. Spahiu sepse nuk është hera e parë që ky bënë dezorientime në kohë (para 20 viteve) dhe hapësirë (Ballkani Perëndimor dhe Sllovenia) dhe në shtypin ditor të Kosovës ku ka qasje më të madhe se shumë analistë tjerë më të saktë, përdorë termin “banalistë” duke aluduar në të tjerët që nuk dinë gjë.    
“Bashkimi Sovjetik, e Jugosllavia kane qene te njohura nga te gjitha shtetet e botes po ku jane sot?” Dihet se ku janë. Rusia është trashëgimtarja kryesore e Bashkimit Sovjetik, është fuqi e madhe, e në aspektin e armatimit dhe teknologjisë ushtarake ende është superfuqi. Ka arsenalin më të madh të armëve të shkatërrimit masiv. Ende i ka në shërbim edhe 75 raketa SS-18 Satan. Një raketë e tillë ka 25 megaton (250 herë sa bomba atomike e hedhur në Hiroshimë) mbushje nukleare, 40 decoys, 10 koka nukleare (secila godet caqe të ndryshme. Me një SS-18 mund të zhduket i tërë Ballkani Perëndimor dhe diçka mbetet edhe për shkatërrimin e Sllovenisë që ju gabimisht e futet në rajonin që nuk i përket.
“SHBA i ka humbur mbi 5000 ushtare ne Irak dhe prap jane shteti me i fuqishem I botes. Me ba Kosova me I hy ndonje aventure e me i humbe 5000 ushtare te FSK-se, mbetet pa ushtri fare e zhduket si shtet. Serbia ka humbe 2/3 e territoreve qe mbante nen kontroll,…”, thotë z. Spahiu në komentin e tij më poshtë. Kosova nuk zhduket si shtet nëse i humb 5000 ushtarë (pse po e dyfishon numrin kur madhësia e tij është 2500 + 800 rezervistë?). Kosova i ka humbur afër 15.000 njerëz gjatë luftës 1998-99 (12.000 viktime+2.000 ende të pagjetur + disa viktima tjera). Përsëri duhet të kthehemi të përvoja e BRSS-së. Ky shtet gjatë luftës së dytë botërore humbi ndërmjet 8.8 dhe 10.7 milionë ushtarë dhe afër 15 milionë civilë, ose afër 15% të popullsisë së përgjithshme. Me vlerësimin që ju i bëni numrit të dyfishuar prej 5000 pjesëtarëve të FSK-së se Kosova do të mbetej pa ushtri (po FSK-ja nuk është ushtri por forcë civile z. Spahiu), do të thotë humbje e vetëm diku e rreth 0.24%  të popullsisë së përgjithshme. Unë do ta shumëzoja këtë humbje me numrin 10 vetëm të bëhemi shtet normal, por kam frikë se humbjet do të jenë dyfishi i këtij numri 10 në forma tjera, duke nënkuptuar këtu sidomos të gjallët por mentalisht të vdekur, të poshtëruar, diskredituar dhe përqeshur nëpër botë si njerëz të një shteti që nënshkruan mijëra dokumente të huaja pa i lexuar dhe kuptuar, që kanë besim të plotë në çdo kë që parashutohet në Kosovë, etj, etj. Humbja e 15% e popullsisë në BRSS ia ka vlejtur që shtetit komunist të futet në Berlin, të bëhet vendi i parë që dërgoi njeriun e parë në hapësirë, dhe për një periudhë të ketë avantazh në goditje kundër SHBA-va në atë që CIA e quante doktrina e goditjes së parë (First Strike). E tillë është historia. Pa sakrificë dhe rreziqe nuk shkon. E tërë kjo përvojë po e bënë Rusinë e tanishme t’i tregoj dhëmbët në disa sfera të ndikimit. E njëjta vlen edhe për Britaninë me territor me të vogël se ish-Jugosllavia të cilën Rusia mund ta shkatërroj me një SS-18 Satan. Edhe anglezët nuk janë se kanë ndonjë fuqi të madhe reale, por i mban ai lloji i përvojës historike “se kush kemi qenë ne”. Vetëm e kundërta e rusëve dhe anglezëve i karakterizon shqiptarët e Kosovës. Gjithmonë kemi pasur besim të plotë kushdo që ka ardhur gjatë historisë (Perandoritë Romake, Bizantine, Osmane, Austrohungareze, Gjermane) Jugosllavi, UNMIK, EULEX, e të tjera në të ardhmen. Sikur sot që themi që Protokolli duhet të nënshkruhet, dyshoj se edhe kur kemi qenë nën të gjitha perandoritë kemi thënë se çdo gjë duhet të nënshkruhet, edhe pse atëherë nënshkrimet nuk duket të kenë qenë më të dëmshme se sot. Atëherë nuk ka pasur aq shumë “brainwashing” sikur sot.
Bosnjëzimi i Kosovës që e keni përmendur është fakt në terren. Serbia është e interesuar edhe më shumë se kaq. Institucionet e Kosovës kanë thënë më herët se kanë besim të plotë në EULEX-in që u vendos me pëlqimin e Serbisë, që është neutral ndaj statusit politik të Kosovës dhe kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e njeh si kufi administrative e jo shtetëror.
Është mirë qe ky problem diskutohet në Alb-Shkencë ku ka edhe shumë zyrtarë në pushtet. Qytetarët nuk dinë se çka po ndodh me Kosovën shkaku i censurës dhe dezinformimit. Këtyre disi duhet sqaruar duke i bindur se fajet më të mëdha gjinden vetëm brenda Kosovës tek të gjitha shtresat, sidomos të karakteri intelektual super i lig. Edhe sikur t'i kishim në dispozicion SS-18-shat, ne me dëshirë do t'ia jepnin dikujt shkaku i besimit të plotë nga i cili kurrë nuk po mund të lirohemi, ani pse ai do t'i përdorte kundër neve.
Me respekt
Isa

Në vijim, komenti i z. Spahiu:

 
Date: Mon, 24 Aug 2009 07:31:32 -0700
From: nspahiu@yahoo.com
To: alb-shkenca@alb-net.com
Subject: [Alb-Shkenca] Protokolli i Eulex-it me Beogradin duhet te nenshkruhet
 
Protokolli i Eulex-it me Beogradin duhet te nenshkruhet

- Ky moment politik eshte rezultat i investimit te Bashkimit Evropian duke perdorur “pak shkopin e shume karroten” ndaj Beogradit. Natyrisht, kosovaret do te donin qe politika e Bashkimit Evropian karshi Beogradit te jete ajo e “shkopit te madh e karrotes se vogel” por Prishtina nuk mund te ndryshoje kete politike te Brukselit duke e shantazhuar Brukselin me bllokim te proceseve aty ku Bashkimi Evropian investon.

-Nenshkrimi i protokollit mes Eulex-it dhe Beogradit nuk garanton se Kosova nuk do te Bosnjizohet (te ndahet ne dy republika dhe te behet federate e brishte) por eshte nje shanse me shume qe deri te kjo te mos vihet.

Nexhmedin Spahiu
 
Me beri pershtypje nje titull gazete “Lidershipi i Kosoves bllokon” (protokollin mes Eulex-it e Beogradit). Ne fakt, lidershipi i Kosoves po bllokon gjitheçka e me se shumeti zhvillimin e Kosoves. Bllokimi eshte bere metode e zhvillimit te politikes kosovare. Per me teper ne disa raste te politikave te tilla te gabuara lidershipi i Kosoves po e merr edhe perkrahjen e opzites ne menyre direkte e me shpesh ne menyre indirekte. Politikat e gabuara me perkrahje te opozites jane edhe me te demshmet sepse ketu motoret ndizen deri ne fund derisa te ndodhe theqafja.
Jane shume arsye qe lidershipi kosovar nuk duhet ta kundershtoje nenshkrimn e protokollit mes Eulex-it dhe Beogradit.
Se pari, ky moment politik eshte rezultat I investimit te Bashkimit Evropian duke perdore “pak shkopin e shume karroten” ndaj Beogradit. Natyrisht, kosovaret do te donin qe politika e Bashkimit Evropian karshi Beogradit te jete ajo e “shkopit te madh e karrotes se vogel” por Prishtina nuk mund te ndryshoje kete politike te Brukselit duke e shantazhuar Brukselin me bllokim te proceseve aty ku Bashkimi Evropian investon.
Ne fakt, bllokuesi kryesor I proceseve evropiane ne Ballkan eshte Beogradi dhe ai per kete ka paguar dhe po e paguan ende çmimin per kete. Para 20 viteve Beogradi zoteronte gjithe Ballkanin Perendimor dhe tani ka mbete ku ka mbete. Prishtina nuk duhet te ndjeke rrugen e Beogradit. Nese Beogradi me histori gati 200 vjecare si komb, me nje politike te tille ka humbur 2/3 e territoreve qe zoteronte (Sllovenine, Kroacine, gjysmen e Bosnje Hercegovines, Maqedonine, Malin e Zi dhe ¾ e Kosoves), atehere me politike te tille Kosova jo vetem qe humbe veriun e saj e pjese tjera po edhe rrezikon te perspektiven e vet si shtet.
Njohja nga 62 shtete (e as edhe nga 192 shtete) nuk eshte garance se shteti ne fjale do te ekzistoje. Edhe Bashkimi Sovjetik, e Jugosllavia kane qene te njohura nga te gjitha shtetet e botes po ku jane sot?. Ajo çfare siguron ekzistencen dhe perspektiven e nje shteti eshte politika e mençur e klases politike te atij shteti. Madje sa me i vogel te jete shteti aq me te mençur lypset ta kete klasen e vete politike. Shtetet e fuqishme e kane luksin edhe te gabojne. Ato demtohen kur gabojne por nuk u rrezikohet ekzistenca. SHBA i ka humbur mbi 5000 ushtare ne Irak dhe prap jane shteti me i fuqishem I botes. Me ba Kosova me I hy ndonje aventure e me i humbe 5000 ushtare te FSK-se, mbetet pa ushtri fare e zhduket si shtet. Serbia ka humbe 2/3 e territoreve qe mbante nen kontroll, I ka qendruar bllokades ekonomike per disa vite rresht ne kohen e Millosheviqit po prap eshte shtet. Imagjinoni Kosoven ne nje rast te tille. Kjo eshte arsye e mjaftueshme per te mos marre per model politiken e Serbise ne drejtim te Perendimit.
Nenshkrimi I protokollit mes Prishtines e Beogradit do t’ishte I mireseardhur, po kush I ka faj Prishtines qe nuk eshte e zoja t’ia imponoje Beogradit nje gje te tille ashtu siç ia ka imponuar Brukseli Beogradit. Tani Prishtina do te tregoje se eshte e zonja ta bllokoje Bashkimin Evropian. Natyrisht me kollaj eshte me prishe se sa me ndreqe, por politika e bllokimit te tregon se nuk je duke shkuar perpjete po je duke rene teposhte. Kur bllokimi paraqitet si sukses kjo tregon se nga po e çon klasa politike Kosoven.
Interesi i Kosoves eshte qe te mos bllokohet ky proces edhe per arsyen se me kete nenshkrim protokolli, Beogradi po futet ngadale nen kthetrat e aleateve tane (jo nen kthetrat tona, po te aleateve tane) me te cilet ne nuk guxojme t’i ftohim marredheniet, sado qe ndonje diplomat perendimore per ta testuar klasen politike te Kosoves edhe mund t’i nxite politikanet tane ne drejtim te te marrurit poza “patriotike”.
Kundershtimi i nenshkrimit te protokollit mes Eulex-it dhe Beogradit mund te lere pershtypjen se klasa politike e Kosoves eshte e nderlidhur me struktura mafioze dhe se i leverdise nje gjendje amullie siç eshte aktualisht.
Nenshkrimi i protokollit mes Eulex-it dhe Beogradit nuk garanton se Kosova nuk do te bosnjizohet (te ndahet ne dy republika dhe te behet federate e brishte) por eshte nje shanse me shume qe deri te kjo te mos vihet. Ne te kunderten, me politika te vendnumrimit e te bllokimit, Kosova po shkon pashmangshem drejt bosnjizimit te saj.


(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora