Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Papavrami, i pari mes dy botëve

| E diele, 16.09.2007, 05:41 PM |


Violinisat i shquar, me përmasa ndërkombëtare, përkthyes i talentuar, aktor simpatik


Tedi Papavrami

Violinisti shqiptar me famë botërore, Tedi Papavrami, ka çelur të premten në mbrëmje edicionin e parë të festivalit “Takimet muzikore të dy botëve”, i cili do të organizohet për tri ditë me radhë në Kalanë e gurtë të qytetit jugor të Gjirokastrës.
Ky aktivitet organizohet nga shoqata franko-shqiptare “Argjiro” dhe Qendra e Dokumentacionit dhe Komunikimit për Muzikën Rajonale, nën kujdesin e deputetit të Gjirokastrës, Genc Ruli, si dhe me mbështetjen e ministrisë së Arsimit, ministrisë së Kulturës, Këshillit të Qarkut, Prefekturës dhe Bashkisë së Gjirokastrës, etj.
Spektatorët e pranishëm kanë duartrokitur ekzekutimin në violinë të Papavramit në skenën e gurtë të Kalasë së Argjiros, i cili përfshinte ekzekutimet në violinë solo Bach, Chaconne, Bartok “Solo”, Isaie “Ballade”. I shoqëruar nga pianistja Anita Tartari ai interpretoi edhe Bartok “Vallet rumune”, De Falla “Këngë popullore spanjolle”, si dhe nga kompozitori Aleksandër Peçi “Valle popullore shqiptare”.
“Ky koncert në Gjirokastër për mua përbën një emocion të veçantë” , u shpreh artisti i njohur pas përfundimit të koncertit, duke pohuar faktin se Kalaja e Gjirokastrës përbën një skenë të veçantë dhe origjinale për organizime të tilla. “Koncerti im recital do të pasohet edhe me koncerte të tjera të miat këtu në Gjirokastër”, siguroi Papavrami, duke premtuar kështu një kthim të shpejtë në skenën artistike të qytetit të gurtë.
Sipas organizatorëve të Festivalit, krahas violinistit Tedi Papavrami në skenën e gurtë të kështjellës së Argjiros do të ngjiten edhe orkestra e dhomës “Tsakalov” në Greqi, kuarteti i harqeve “Atrium” nga Rusia, ansambli shqiptar “Asmus”, i cili do të interpretojë vepra shqiptare, ndërkohë që i gjithë aktiviteti do të mbyllet nga “New Tango” për violinë dhe pianoforte interpretuar nga violinisti shqiptar Elvin Dhimitri dhe pianisti argjentinas Ernesto Romero.
Krahas koncerteve gjatë tri ditëve të festivalit do të zhvillohen edhe simpoziume me instrumentistë dhe muzikologë të njohur nga e gjithë bota. Simpoziumet do të përqëndrohen kryesisht në traditën muzikore dhe folklorin shqiptar.
Në referatet e tyre, muzikologë të njohur, si Sokol Shupo, Ramazan Bogdani, Piro Misso do të diskutojnë tema të tilla si “Gjurmët më të lashta të shkrimit muzikor bizantin në Shqipëri”, “Vallja çame në Greqi dhe në Shqipëri”, “Klarineta shqiptare në rrjedhën e tre mijë vjetëve”, etj. Sipas Presidentes së shoqatës franko shqiptare “Argjiro”, Ilda Mara, ‘’me Takimet Muzikore të Dy Botëve ne kemi parasysh përballjen e dy botëve ; atë të muzikës klasike me muzikën tradicionale, të cilat do të vijnë të ndërthurura nga instrumentistë dhe orkestra të njohura”.
Gjatë këtij sezoni shoqata “Argjiro” ka organizuar një sërë aktivitetesh artistikë në Kalanë e Gjirokastrës si: koncertin recital të sopranos Inva Mula, dramën në gjuhën frënge “Kush e solli Doruntinën”, bazuar në novelën e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare. “Projektet tona për mbështetjen e aktiviteteve artistike në Gjirokastër si një mundësi e afirmimit të qyteti të gurtë të UNESCO-s në një hapësirë sa më të gjerë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, thotë Mara.

Në fakt Tedi Papavrami ka patur një jetë të dyzuar mes vetmisë, fëmijës së rritur vetëm në Parisin sqimatar dhe mikes së tij, violinës.
Kur e sheh vetiu të kap mendimi, se kush ia dha famën djaloshit që i iku Shqipërisë kur ishte 12 vjeç.
Tedi, apo violina Tedit…
Simbiozë e dyshimtë…!
Pas hapjes së Shqipërisë me botën , kur kishte kaluar koha kur Tedit dhe familjes së tij iu ofrua fillimisht ‘përkëdhelja’ e familjes Hoxha (kur ai studionte vetëm në Paris) dhe paskësaj rrënimi mbasi familja e tij kërkoi azil politik në Francë , ai mundi të vinte për herë të parë në Shqipëri vetëm në vitin 1993. Kësaj here si një muzikant i njohur në qarqet e muzikës pariziene, por edhe me një CV koncertore për zili në botë, ai u shpreh në atë kohë për shtypin se, nga Shqipëria ruante kujtime të mjergullta; kujtimet e një fëmijërie me studime këmbëngulëse, por edhe të lumtur, sidomos gjatë pushimeve të verës kur shkonte në një fshat të Himarës, e sidomos shëtitjet e gjata me motoçikletë më babain e tij .
Vizitat e tij do të shpeshtoheshin pas këtij viti në Shqipëri. Pjesëmarrës në spektakle të mëdha si “Dua më shumë Shqipërinë”, një serial spektaklesh, ku dyshja e njohur Grabocka & Gjebrea do të sillte në skenën shqiptare emrat e shqiptarëve me famë në botë, si dhe një seriali koncertesh dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, shtypi i pas viteve ’90, një shtyp tashmë i ç’ideologjizuar dhe i lirë, do ta konsideronte pa ngurim Papavramin “Ambasador të Shqipërisë në botë”.
Djali i Robert Papavramit, një violinist virtuoz, një ndër pedagogët më të mirë të violinës në Shqipëri, me prejardhje nga një familje aristokrate, pak a shumë kundër rrymës së regjimit komunist, tek ai që i vogël do të kultivohej një kulturë ndryshe nga ç’ofronte kuadratizmi i regjimit komunist.
Tashmë që jeton mes Parisit dhe Gjenevës, përkthyesi zyrtar i veprave të shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare, nga viti 2000, por që ka sprovuar talentin e tij edhe në film kohët e fundit, ka qënë aktiv me koncertet e tij edhe në vende të tjera ku jetojnë shqiptarë si në Prishtinë (Kosovë), Tetovë (Maqedoni) .
“Unë e kisha vështirë të pozoja si model ; nuk jam model , më kanë fotografuar me violinën time, kur unë kam qenë i përqendruar tek ajo ”, u shpreh në dhjetor në Tiranë, Papavrami, i cili edhe në filmin “Les Liaisons Dangereuses”, një serial televiziv i shfaqur në TF1, interpreton rolin e një violinisti.
I ‘dashuruar’ sidomos mbas Paganinit, ai ka interpretuar me virtuozitet nga Prokofiev, Brahms, Bach , ndërsa është fitues i disa konkurseve të rëndësishme në Francë, ku ka interpretuar në vende të ndryshme të Europës, në Turqi, Izrael, Afrikën e Jugut, shoqëruar nga orkestrat më të mëdha të këtyre vendeve. Papavrami, i cili ka mbaruar studimet e larta në Paris (Francë), pranë “Conservatoire National Superieur de Musique”, në mënyrë modeste thotë se ka në duar përkthimin e një vepre të re të Kadaresë , “Verbimi hyjnor”, që, siç cilëson ai ,”do të dalë në qarkullim nga shtëpia botuese franceze “Fayard” që gëzon të drejtën e botimit të Kadaresë në Francë, në muajin prill të vitit 2007”.
Libri i Kadaresë “Dantja i pashmangshëm” ose (Një histori e shkurtër e Shqipërisë me Dante Aligierin) përkthyer në frëngjisht nga Tedi Papavrami, me titull “Dante, l’inconturnable” ou (“Brève historie de l’Albanie avec Dante Alighieri”) është pritur mjaft mirë nga mijëra lexues, ndërsa shtypi francez i ka bërë jehonë këtij libri përkthyer nga Tedi Papavrami, muzikanti që i iku fëmijë Shqipërisë.