Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Produkt 28 "fluturojne" nje kat me lart

| E premte, 14.09.2007, 12:55 AM |


Nga Gentian Minga

“Kam shumë qejf të takojë një herë djemtë e grupit “Produkt 28” dëgjova të thoshte një adoleshente në një nga kafenetë në qendër të Tiranës. Në njërën tavolinë unë dhe në tjetrën ato, po ndiqnim me kërshëri klipin më të ri të “Produkt 28”, “Një kat më lart”... Djemtë kanë pasur një ide origjinale për të ardhur me një klip të animuar tek publiku. Dhe pse vërtiten tek 23 – 24 vjeçët, të befasojnë me fantazinë dhe zgjedhjet artistike, a thua se kanë një shekull që merren me muzikë. Turi, është më shakaxhiu nga të tre. Kjo të bie në sy dhe kur prezanton në “Vizion +” por më shumë akoma, kur e takon në një tavolinë mes miqsh. Albani, më duket më seriozi nga të tre... “Produkt 28” nuk është e vetmja lidhje me muzikën, pasi vëllai i tij është Dr Flori, pjesëtar i grupit “West Side Family” dhe një njëkohësisht, kompozitor. Sa për Fabin, ai dallon për dedikimin e madh ndaj punës... “Grupi është gjëja që më fal më shumë lumturi – tregon ai – ndërsa kur merrem me foninë apo ndriçimin në koncerte, kjo është më tepër një punë e lodhshme”.

Rrepi i lehtë i “Produkt 28” të kujton se në Shqipëri ka artistë të talentuar, që me origjinalitetin e tyre përpiqen të sjellin diçka të re në treg. E bukura dhe e reja nuk qëndron vetëm në tekst dhe melodi, por po aq në stilin e të punuarit. Një studio modeste u shërben kantautorëve të “Produkt 28” që të eksperimentojnë me shijet dhe fantazinë e tyre. Gjithçka për ta nisi kur së bashku me Besa Kokëdhimën, fituan çmimin e parë në festivalin e përvitshëm organizuar nga radioja “Plus 2”, “Mikrofoni i artë”... Suksesi vijoi me “Trokas”, një këngë që shumë shpejt u bë hit sepse kushdo mund ta gjente veten në të: të rinjtë që çdo ditë thyejnë në mes ëndrrat e tyre para dyersh që nuk hapen, studentë që “kapen në grackë” me hile nga pedagogët e tyre, punëtorët e thjeshtë që nuk kanë mundur dot të ngrihen në detyrë ndoshta sepse njëra nga koleget plotëson “dy kushte kryesore” apo dhe të moshuarit që “qajnë” për ëndrrat dhe ambiciet e parealizuara.

Pas kaq shumë vitesh produktiviteti, pas disa pjesëmarrjesh të suksesshme në festivale brenda dhe jashtë vendit, “Produkt 28” vijnë me albumin e tyre më të pjekur se kurrë... Profesionalisht, apo në karakter? Hmmm... Mund të thuash më tepër profesionalisht, sepse në karakter ata mbeten po aq gazmorë dhe me shpirt adoleshenti. Këtë e dallon në përgjigjet e tyre, por ky shpengim është gjithsesi i këndshëm, aspak i tepruar. Albumi që mbështetet kryesisht nga klipi “Një kat më lart” mban po të njëjtin titull dhe së shpejti do të pasohet nga një tjetër video interesante, “Tre shokët”. Mos bëhet fjalë për “tre shokët” e vet grupit, Fabin, Turin dhe Albanin? Kjo nuk dihet, sepse djemtë nuk donin të na tregonin më shumë detaje rreth këngës paraprakisht...


Përshëndetje dhe urime për klipin! Të gjithë mendojnë se ju keni hipur një “kat më lart” me këtë këngë...

Turi: Në fakt, ngaqë s’kishte drita dhe ashensori s`punonte, u detyruam të ngjisnim shkallët për të shkuar në këtë kat. Ishte pak e lodhshme, por ia vlejti mundimi! Kjo këngë ka ardhur si çdo këngë tjetër, pas një pune të madhe e të palodhur në studio. Është një ndër këngët që e kemi më shumë për zemër që të tre.

Fabi: Deri tani, vetëm fjalë pozitive dhe komplimente kemi dëgjuar nga njerëzit; jemi gjithsesi të kënaqur për faktin që albumi është blerë goxha nga emigrantët që kanë ardhur me pushime. Duam t`i falënderojmë, sepse janë një mbështetje e madhe për ne!

Me siguri që për këngën keni dëgjuar shumë komente... Më thoni një pozitiv dhe një negativ.

Turi: Komenti pozitiv: Bravo! Keni dalë krejtësisht ndryshe! Komenti negativ: Mos duhet të dilnit me një klip më serioz?

Pse menduat që një klip i animuar do të kishte qenë më tërheqës?

Albani: Donim të realizonim një klip profesional dhe ndryshe, që të mund të tërhiqte vëmendjen e publikut. Shpresoj t’ia kemi arritur qëllimit, sepse kemi punuar shumë për këtë këngë. Për sa i përket realizimit të klipit, do të donim të falënderonim “GM-soft” që na ka ndihmuar me të vërtetë jashtë mase.

Pse kaluat te kukullat? S’ju pëlqejnë më klipet me goca seksi?

Fabi: Aq na pëlqejnë, sa nuk e ke idenë! (Qeshin) Së shpejti, do të shihni një të tillë edhe nga “Produkt 28”. Një femër e bukur, ta bën edhe klipin të bukur.

Çfarë mesazhi donit të përcillnit me “Një kat më lart”?

Albani: Në këtë vend ka shumë stres, lodhje, mërzi e të tjera si këto, kështu që të gjithë, gjatë minutazhit të kësaj kënge, le t`i harrojnë problemet dhe të jenë pak më lart me moralin; domethënë, një kat më lart, aty ku bëhet qejfi-qejf, tamam si në klip. (Qeshin)

U bëtë të njohur kur në një bashkëpunim me Besën (Kokëdhimën), fituat çmimin e parë tek “Mikrofoni i artë”... E prisnit që pas kaq shumë vitesh, të ishit akoma në krye të klasifikimeve të tregut muzikor?

Turi: Po, sigurisht që e mendonim diçka të tillë, pasi kemi punuar fort për të arritur këtu ku jemi sot. Shumë njerëz na kanë ndihmuar në mënyrën e tyre, ndaj i falënderojmë për këtë. Kush me profesionalizmin e tij dhe kush duke dëgjuar muzikën tonë, ka ndikuar që grupi ta vazhdojë rrugën e muzikës.

Ka qenë e thjeshtë për ju që t`ju hapeshin dyert apo kënga “Trokas” ka baza krejtësisht personale?

Fabi: Asgjë nuk është e thjeshtë në këtë jetë! Çdo ëndërr që të realizohet ka kostot e veta, të cilat duhet t`i marrim mirë parasysh. Ka momente kur mund të dështojmë, të mërzitemi dhe të duam t`i dërgojmë të gjitha në djallë, por në asnjë mënyrë nuk duhet të dorëzohemi e të heqim kollaj dorë nga ëndrrat. Mund të ndodhë që “dera” për ty të mos hapet kurrë, megjithatë e rëndësishme është të tentosh dhe të japësh maksimumin që pastaj të mos ia hedhësh fajin vetes për dështimet. Tek e fundit, dhe nëse një derë nuk hapet me të mirë, jam i mendimit që ta hapësh me forcë.

Çfarë ka ndryshuar tek ju pas kaq shumë vitesh në muzikë? Jeni “dehur” ndopak nga suksesi apo ai ju detyron të jeni gjithmonë e më tepër me këmbë në tokë?

Albani: Të jesh i suksesshëm ka favoret e veta por ama në Shqipëri nuk ka shumë hapësira për të deliruar dhe fluturuar prej famës. Të gjithë përveçse të merremi me muzikën, duhet edhe të punojmë për të siguruar jetesën.

Jeni takuar ndonjëherë me adhuruesit tuaj, ata më besnikët kur ua kanë kërkuar me ngulm? Është e bezdisshme të merresh me fansat?

Fabi: Ne kemi absolutisht raporte shumë të mira me fansat dhe meqenëse më jepet rasti, dua t`i falënderoj për gjithçka bëjnë për ne. U dërgojmë një puthje kudo që ndodhen, në Shqipëri dhe jashtë saj... Faleminderit, sepse pa ju “Produkt 28” do ishte thjesht një ëndërr adoleshence.

Po ju, kë pëlqeni në muzikën shqiptare? Cilit prej kolegëve, ia blini albumet dhe cd-të?

Turi: Këngëtarë të mirë, Shqipëria dhe Kosova kanë shumë, por ne na pëlqejnë Sandër Gjoka, Aurela Gaçe, Elsa Lila, Sabri Fejzullahu apo dhe “Ritmi i rrugës”.

Ju është dashur të bëni kompromise në muzikë, për të ecur përpara apo keni bërë gjithmonë atë që keni dashur?

Albani: Gjithmonë kemi bërë, bëjmë dhe do të bëjmë atë që duam dhe këtë s`e luan as topi! (Qeshin)

Me pëlqen kontrasti mes vargjeve tradicionale tip “më deh si koçimare” apo “raki skrapari pi” në këngët tuaja dhe pamjes vërtet moderne e trendy...

Turi: Ato janë fjalë që i përkasin tabanit popullor shqiptar dhe që është mirë të trashëgohen ndër breza, sepse do të ishte një mëkat i madh të humbisnim. Janë fjalë që kanë një ëmbëlsi dhe në fund të fundit janë shprehje të popullit tonë.

Të këndonit për atdheun, ju ka pëlqyer vërtet apo ka qenë thjesht një lëvizje komerciale?

Albani: Çdo njeri ka identitetin e vet, ka karakterin dhe personalitetin e tij. Pjesë e pandashme e një njeriu është vendlindja sepse çdo gjë për herë të parë e ka bërë aty dhe nëse një njeri mohon atdheun, ka mohuar atë që është. Është njësoj sikur të mos kishte lindur kurrë! Të gjithëve na jepet mundësia të bëjmë diçka për këtë vend, kështu që u munduam të bënim diçka, sado e vogël qoftë ajo.

Si i keni raportet me femrat? I keni frikë lidhjet serioze dhe a i ndëroni shpesh të dashurat?

Turi: Nuk na pëlqen të flasim për këtë temë.

Në lidhjet tuaja, kush e hedh zakonisht hapin i pari... Juve apo “ajo”?

Albani: Gjithmonë ndodh që mashkulli ta hedhë hapin i pari, megjithatë do të ishte bukur po të ndodhte e kundërta.

Cila është mënyra më e zakonshme se si ju argëtoheni këtu në shqipëri?

Fabi: Varet nga ditët, pasi të themi të drejtën, Tirana s`të lë shumë hapësira për argëtim. Zakonisht shkojmë në kalçeto, shohim ndeshje në televizor ose organizojmë ndonjë mbrëmje.

Turi: Ndonjëherë, shkojmë edhe në kinema sepse thonë që ajo është magji dhe kanë të drejtë... Ne shohim të tre shumë filma, ndër të cilët më i fundit është “Shrek 3”-shi.

Jeni tipa romantikë dhe të vëmendshëm ndaj femrave? E kam fjalë, aq sa t`u hapni dyert e makinës apo t`u dhuroni lule e t`u shkruani poezi?

Fabi: Deri tek dyert dhe tek lulet nuk shkojmë, as tek poezitë... (Qeshin) Megjithatë, romanticizmin tonë e tregojmë me këngët.

Jeni të suksesshëm, por a jeni edhe të pavarur? Çfarë roli luajnë prindërit në jetën tuaj aktualisht? A i diktojnë ata zgjedhjet tuaja?

Albani: Prindërit tanë si fillim duhet t`i falënderojmë që na sollën në jetë dhe na mësuan se familja është gjëja më e shenjtë që mund të ketë një njeri. Absolutisht nuk diktojnë zgjedhjet tona, thjesht janë një suport i madh pa të cilin do e kishim shumë të vështirë të ecnim përpara. Madje të gjithë të rinjtë, duhet ta mendojnë këtë gjë dhe të kuptojnë se familja është gjithçka, të tjerat shkojnë e vijnë.

Fabi, ke shkuar në Eurovizion si shoqërues i këngës së Luiz Ejllit... Do të të kishte pëlqyer të shkoje me grupin si përfaqësues i shqipërisë?

Fabi: Qejfi do ishte akoma më i madh, sigurisht, por në një eveniment si Eurovizioni s’ka shumë rëndësi në ç’formë paraqitesh, mjafton të përfaqësosh Shqipërinë. Kjo më ka bërë të ndihem krenar dhe konkurrimin në festivalin europian e konsideroj si një eksperiencë të jashtëzakonshme.

Këndoni për famë dhe para apo për pasion?

Na pëlqen të këndojmë, sepse muzika më jep energji. Të tjerat, janë aksesorë... Edhe paraja e fama. 

Shqip