E enjte, 25.04.2024, 07:08 AM (GMT+1)

Faleminderit

Qemal Sakajeva: ''Zoti kjoftë me ju!'' - u lut ajo në shqip

E enjte, 03.09.2009, 10:00 PM


''Zoti kjoftë me ju!'' - u lut ajo në shqip

E ftuara e paftuar

Nga Qemal Sakajeva

1. Cila ishte Nënë Tereza? Kisha lexuar një lajm për të, në gazetën sovjetike “Za rubjezhom”, shumë vite të shkuara, kur ende shtypi sovjetik vinte dhe lexohej në redaksinë e “Zëri i Rinisë”. Në atë organ botoheshin artikuj, intervista dhe lajme, marrë nga shtypi perëndimor, kryesisht nën këndvështrimin e interesave sovjetike, që nuk binin ndesh me politikën e Bashkimit Sovjetik. Nga emri i saj, dhe padija ime, mendoja se, Nënë Tereza duhet të qe italiane, spanjolle ose nga ndonjë vend i Amerikës së Jugut. Kjo hamendje lindëte nga arsyetimi mbi besimin e saj fetar dhe emrin tipik latin.
Por, marre e s’ka më keq për regjimin diktatorial komunist të censurës idiote, propagandës së mërzitshme, ndalimeve të çmendura, që intelektualë e njerëz të thjeshtë, të marrë së bashku, nuk dinin as kaq:
Që Nënë Tereza ishte shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu.
Që Nënë Tereza ishte me origjinë nga qyteti i Prizrenit dhe e lindur në Shkup, më 27 gusht 1910.
Që thirrej Nënë Tereza e Kalkutës, sepse qe bërë Nëna e skamnorëve, e të vuajturve, e të sëmurëve të botës, vetëm në shërbim të Zotit.
Që Nënë Tereza, një ditë përpara se të merrte Çmimin Nobel të Paqes, e takoi në Oslo mbretin e Norvegjisë, Ottavo V, të cilit i tha:
““Madhëri, do të vini sot në ceremoninë për Çmimin Nobel?”
“Do të vija me dëshirë, por unë jam gjithëmonë në qendër të vëmendjes së popullit dhe nuk dua sot të ndodhë kjo”.
“Jo, madhëri, jo - ia ktheu Nënë Tereza.- Në qendër s’jemi as ju, as unë. Është Zoti””.
Që presidenti i Komitetit të Çmimit Nobel për paqë, Dr. John Sannes, i dorëzoi Nënë Terezës çmimin e madh, në Oslo, më 10 shtator 1979.
Që Nënë Terezës i ishin dhënë çmime e medalje të larta nga vende të ndryshme.
Që, në botë, për Nënë Terezën janë botuar libra e artikuj të shumtë, ndërsa në Shqipëri nuk qe lejuar të zhgarravitej as edhe një lajm e të pipëtintë qoftë edhe një fjalë e vetme për të.
Që Nënë Tereza ka thënë se, “jam shqiptare, varret e nënës dhe motrës i kam në Tiranë”, por regjimi komunist nuk e lejonte të vizitonte Atdheun, edhe thjesht sa për të vendosur një tufë lule kujtimi për të afërmit më të dashur.
Që Nënë Tereza renditet ndër 100 personalitetet më të mëdha të shekullit të 20-të.

2. Gruaja truppakët, me emrin Nënë, me N të madhe, gjithësesi nuk mund të ndalohej më. Në gusht të vitit 1989, dhjetë vjet pas marrjes së Çmimit Nobel për Paqë, shkeli në dheun e vendit të vet. Ikja e saj e hershme pati kthim shumë të vonët. Kjo nuk qe për faj të saj. As të popullit që i përkiste. Çështja ishte tronditëse, por e rrokshme: Nëna, që besonte vetëm te Zoti, nuk duhej të lejohej të vinte këtu, ku me kushtetutën e vitit 1974, ishte shpallur ndalimi i besimit në Zot. Atdheu i besimtares së madhe ishte vetshpallur “Vendi i vetëm ateist në Botë”.

Por Nënë Tereza u kthye në çastin e duhur. Nevojitej të ngjallej jeta e popullit që kishte përshkuar Golgothën, që qe kryqëzuar ashtu si Jezu Krishti, që u kryqëzua dhe ditën e tretë u ngjall. Si përkim me mrekullinë, ringjallja nisi nga Vorreza e Rrmajit, siç ka saktësuar Dom Simon Jubani, në librin e tij, “Burgjet e mia”. Kjo ka ndodhur më 4 nëntor 1990, kur, në shtëpinë e këtij meshtari të dënuar, trokiti shoferi Mark Murana, që njoftoi klerikun se, te vorret qenë mbledhur njerëz dhe donin të bëhej një meshë. Meshtari Dom Simoni mori valixhen e vogël, me orenditë e nevojshme të meshës dhe, nën shoqërimin e Muranës, mbërriti te Kapela gjysmëdjegur, çatishembur, trenërënë, e rrënuar si fati i rrënimit të përgjithshëm. Aty, ku dikur kishte qenë altari, “u ndala mbi grumbullin e plehnave dhe prita”, deri sa Murana solli nga shtëpia një tryezë të vogël, që u bë altari i parë pas kryqëzimit të madh të Shqipërisë.
Ajo, mesha e 4 nëntorit 1990, i priu meshës të një jave më pas. Të rinjtë e Shkodrës, katolikë, muslimanë dhe ortodoksë bartën meshtarin mbi supe për kah altari i Kapelës së Vjetër, të cilin e ndërtuan vetëm në katër ditë. Kremtimi Eukaristik i pushtoi të gjithë në shpirt. Homelia e  asaj dite historike, të 11 nëntorit 1990, nga Kapela e Vorrezës të Rrmajit, të Shkodrës, mbërriti kudo nëpër Shqipëri.

3. Takova sekretaren e kolegjiumit të gazetës “Bashkimi”, Luçije Doçi dhe fotoreporterin Petrit Sheqeri. U thash të shkonin te hotel “Dajti”, t’i merrnin një intervistë dhe fotografi Nënë Terezës, që kishte ardhur përsëdyti. Ishte mirë që intervistën ta bënte Luçija, edhe si sekretare kolegjiumi, edhe si gazetare e njohur, edhe si femër, por edhe se ishte e lindur katolike, pavarësisht që, për shkaqe fort të ditura, mund të ndjehej ateiste. Intervista me titull “Atdheun e doni më shumë po të doni njëri-tjetrin”, u faqos dukshëm, në faqen e parë dhe të tretë, bashkë me një fotografi të Nënë Terëzës, me buzëqeshjen e saj njerëzore, në numrin e 6 dhjetorit 1990.

Pyetjes së gazetares se, cilat do të ishin këshillat e saj për shqiptarët, Nënë Tereza, veçmas dalloi dy: “Atdheun e doni më shumë po të doni njëri-tjetrin” dhe “Këtu, në Tiranë, kam varrin e nënës e të motrës. Kam mall, por edhe dashuri për ju. Dashuria është diçka shumë e bukur. Ajo sjell unitet e paqë në zemrat tona. Duajeni njeri-tjetrin, siç ju dua unë, Nënë Tereza”.
Në qytetin e Shkodrës, intervista qe prerë me gërshërë nga gazeta dhe u ngjit në vende të dukshme, për të rënë më mirë në sy, për t’u lexuar nga shumë vetë. Por nuk qe e thënë të mos cenohej gëzimi. Profesori, ose shoku Sofo Lazri, u shfaq tepër qortues në telefon:
-Pse i more intervistë Terezës (nuk tha Nënë), - foli rreptë.
-Nënë Tereza është shqiptare dhe është e ftuar nga shteti shqiptar, - iu përgjigja.
-E ka ftuar shteti shqiptar apo e ka ftuar gazeta “Bashkimi” dhe kryeredaktori i saj? - kundërpërdori Profesori qëllimshëm argumentin e sjellë, për të ndarë pronësinë mbi të drejtën mbështetur te ftesa.
-Natyrisht nga shteti shqiptar.
-Atëherë, pse nuk e pyete shtetin shqiptar që ka bërë ftesën, nëse jepte a nuk jepte leje për të botuar intervistë me të? Po ajo, Luçija, pse shkoi, nëse vajti vetë, dhe pse u dërgua, nëse e urdhërove? Apo do të tregojë së është katolike? Do të ketë masa të rënda për këto që bëni në “Bashkimi”,- përfundoi Profesori duke mbyllur telefonin.

4. Asnjë dyshim: Nënë Tereza ishte e ftuara e paftuar. Diktatura e pranoi djallëzisht vizitën e saj, për ta përdorur për përballimin e trysnisë ndërkombëtare, për ndryshime të domosdoshme, të cilat duhet të përfshinin, patjetër, edhe lirinë e besimit në Zot. Ardhja e saj e parë u cilësua “vizitë private”, dhe dy ishin nivelet më të larta të protokollit të pritjes: Kryetarja e Frontit Demokratik Nexhmije Hoxha dhe ministri i Jashtëm Reis Malile. Nexhmije Hoxha nuk nguroi aspak, dhe nuk u ndje ngushtë, për t’i bërë Nënë Terezës një deklaratë tipike propagandë se, ” Në Shqipëri nuk ka të varfër, lypës, të braktisur, nuk ka sëmundje e plagë sociale nga të cilat bota vuan sot dhe për këtë ju mund të ndjeheni krenare”.

Kurse statistikat ndërkombëtare e renditnin Shqipërinë socialiste ndër shtetet më të varfëra të botës. E veja e diktatorit, mandje, i bënte thirrje Nënë Terezës, të ndjehej krenare për vendin e saj ku nuk lejohej të besoje Zotin, ku kishte skamje të madhe, ku sistemi e shtypte popullin pa mëshirë, si rrallëkund.
Vetëm pak kohë më vonë, saktësisht më 17 gusht 1992, Televizioni Shqiptar transmetoi pritjen që Presidenti Sali Berisha i bëri Nënë Terezës, duke i thënë, ndër të tjera, kështu: “…Ju, më veprën Tuaj, më shumë se çdo shqiptar tjetër gjatë këtij shekulli, i dhatë emër dhe nder kombit shqiptar. Kjo jo vetëm për faktin se ju jeni Nobelistja e parë shqiptare, por për faktin se nga gjithë titujt që ekzistojnë dhe kanë ekzistuar në të gjitha kohërat dhe për të gjitha vendet dhe racat njerëzore, titulli më suprem është ai i Nënës dhe Ju jeni gruaja e vetme në botë që keni dëshmi nëne nga i gjithë njerëzimi”
“Zoti kjoftë me ju! - u lut ajo në shqip.


(Vota: 16 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora