E enjte, 28.03.2024, 11:19 AM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Eralda Hitaj "Jam Angelina Jolie shqiptare"

E shtune, 15.09.2007, 11:47 PM


Nga Gentian Minga

Eralda Hitaj
Të kesh një imazh të ngjashëm me atë të një artisteje të adhuruar të kinemasë bashkëkohore, ka dy këndvështrimet e veta. Së pari, krahasimi me një ikonë të tillë, përbën shenjë vlerësimi, si dhe një mundësi të mirë për t’u vënë në qendër të vëmendjes. Por ka edhe anën tjetër: që harrohesh se je “ti” dhe njerëzit vazhdimisht kërkojnë përqasje edhe në detajet më të imëta.
Për Eralda Hitaj, modelen shqiptare, e cilësuar si “Angelina Jolie shqiptare”, kjo është një lloj “loje”, të cilën tashmë ka mësuar ta luajë.
E ka dëgjuar krahasimin për ngjashmërinë e saj me aktoren Angelina Jolie, që kur konkurroi për herë të parë në “Miss Universe” në Kaliforni. Që atëherë emri i “Jolie”e ka ndjekur kudo.

Realisht emri i aktores së njohur i krijon një buzëqeshje të lehtë pranimi dhe kënaqësie në fytyrë. Ka zgjedhur të studiojë për regji, për të qenë sa më afër aktrimit, megjithëse i kanë sugjeruar të bëhet aktore, “njëlloj si Angelina”. Prandaj ka vendosur që sivjet të konkurrojë në Akademinë e Arteve të Bukura për regjisurë. Por nuk është mjaft kjo për Eraldën.
Prej pak kohësh ka nisur punën si moderatore në një prej programeve simbol të brezit të ri në Top Channel, në “Select”, duke filluar një karrierë të re edhe në ekran.
Brune, e kripur me sy bojëqielli, natyra është treguar bujare me Eraldën. Fati e ka ndjekur që kur takoi “kumbarin” e modeleve më të mira shqiptare në Botë, fotografin e njohur Fadil Berisha.
Miss, modele, pjesmarrëse në sfilata me peshë, imazhi aktual i një agjensie mjaft të njohur në Botë për veshjet e mbrëmjes, me dëshira deri tani të realizuara, ajo ka lënë nga pas ndrojtjen e fillimit të një vajze adoleshte dhe ka fituar pjekurinë e një femre e cila e di se çfarë kërkon. Vlerësimet e shumta, kontratat ndërkombëtare dhe ofertat pa fund që vijnë në adresë të saj, e kanë bërë të ndihet më të sigurtë në vetvete, atë që të gjithë njohin si “Angelina Jole shqiptare”.

Eralda, si kanë qenë ditët e para të prezantimit në “Top Select”?
Kanë qenë ditë pak të ngarkuara emocionalisht, sepse është hera e parë që shfaqem si prezantuese televizive. Është një eksperiencë e re për mua, interesante, por meqenëse jam akoma në hapat e parë, ndihem shumë e emocionuar.

Jeni ambientuar me atmosferën e re të punës?
Them se po ambientohem pak e nga pak. Kam gjetur një staf që më mbështet dhe ndihem mirë. E rëndësishme është që shkoj me dëshirë në punë dhe bëj diçka që më kënaq.

Kjo do të thotë se tani po hiqni përfundimisht dorë prej modës dhe sfilatave?
Këtë s’e kam të domosdoshme, mund të kujdesem paralelisht për modën dhe t’u përgjigjem pozitivisht ofertave për sfilata. Tek e fundit, është moda që më dha gjithçka, asaj ia detyroj suksesin dhe famën. Falë saj sot bëj një punë më të mirë, të cilën s’është kollaj ta sigurosh. Përveçse profesionalisht, karriera si modele më ka pasuruar edhe shpirtërisht. Ka qenë një përvojë që më ndihmoi në shumë drejtime...

Në ç`kuptim?
Një eksperiencë e tillë të rrit karakterin, të ndihmon të kuptosh më mirë vetveten dhe të jesh më e hapur me të tjerët. Të ndihmon në shumë aspekte: të bëhesh person publik, të mëson të sillesh dhe të menaxhosh karrierën e marrëdhëniet me të tjerët. “Miss Universe” ishte një eveniment prestigjioz, dhe për mua ishte hera e parë që merrja pjesë në një organizim të këtyre përmasave. Po hidhja për herë të parë një hap të rëndësishëm.

Le të ndalemi pak tek ky spektakël që ju orientoi nga moda.....
Ishte fat për mua që takova Fadil Berishën para tre vitesh dhe që u bëra e përzgjedhura e tij për të marrë pjesë në “Miss Universe”. Edhe pas konkursit, ai me ka ftuar te pozoja për të dhe kemi realizuar disa sherbime fotografike, në Shqipëri dhe SHBA. Ndër to do të veçoja një sesion fotografik në Krujë. E veshur me rroba popullore, tradicionale, etj. Më pëlqejnë së tepërmi ato fotografi.

Bukuria juaj është vlerësuar, madje ju kanë cilësuar si “Angelina Jolie shqiptare”. Kush e bëri të parin krahasim me aktoren e famshme?
Ju falenderoj për komplimentin, por s’kam qejf të flas për veten. Në fakt edhe vetë jam çuditur kur kam dëgjuar për krahasimin. Për herë të parë e kam ndeshur në forumet ndërkombëtare në internet, ku vizitorë të ndryshëm, pasi kishin parë fotografinë time të prezantuar në sitin e “Miss Universe”, që përpara garës, më cilësonin si Angelina Jolie.
Pastaj e kam dëgjuar ta thonë shumë të tjerë shqiptarë dhe të huaj, sot e kësaj dite.

Juve realisht ju pëlqen t’i ngjani asaj?
Më pëlqen, por të mos harrojmë se unë jam Eralda që ngjasoj me Angelina Jolie. Realisht krahasimi me një figurë të tillë vetëm më ndihmon, më vë më tepër në dukje.

Shfletoni revista me fotografi të saj për të imituar diçka edhe nga stili i saj? Kjo gjë përdoret tepër në Botë...
Jo, nuk e bëj, nuk më ka shkuar nëpër mend. Por nuk dua të mbliverësohem. Të mos harrojmë se ne kemi patur dhe një vajzë tjetër shumë shumë të bukur që përfaqësoi Shqipërinë në “Miss Universe” dhe ajo është Sadina Alla.

Si ndikoi “Miss Univers” tek ju?
“Miss Universe” ishte një botë e panjohur për mua. Po hyja në një ambient ku s’njihesha me askënd, s’isha përgatitur mirë për të shkëlqyer, kështu që... Shumica e vajzave që kishin ardhur aty, kalojnë jetën duke u përgatitur për konkurset e bukurisë, kurse unë i hyra asaj gare fare rastësisht. Modës dhe garave të bukurisë në vende të tjera u kushtojnë vite përgatitjeje, duke filluar në një moshë fare të vogël.
Kanë një tjetër filozofi për “Miss Universe”, e shohin këtë aktivitet ndryshe... Konkurentet mësojnë të sillen, të flasin dhe të ecin me klas. Por do të thoja se arrita të përshtatem lehtë me situatat e reja që u krijuan. Mbeta e kënaqur nga spektakli, por po të më jepej edhe një herë mundësia për të shkuar në një konkurs të tillë, ndoshta disa gjëra do t’i kisha bërë ndryshe...Do të shkoja më e përgatitur.

Realisht e ndieni mungesën e një agjenti të mirëfilltë?
Aspak, sepse kam pasur në çdo moment mbështetjen e tij. Z. Berisha, kur merr në patronazh një vajzë të bukur, punon me të në të gjitha planet, sepse ajo është e destinuar të shkojë në një konkurs si “Miss Universe”, pas të cilit qendron as më pak, as më shumë, por vetë Donald Tramp. Fadili punon një vit me secilën nga vajzat që është menduar të përfaqësojnë Shqipërinë në konkurse ndërkombëtare, derisa i vjen radha tjetrës. Këtu tek ne, më shumë se sa menaxhimi mungon mentaliteti i duhur për ato që merren me modën. Në SHBA ku kam pasur një përvojë pune, gjërat ishin të organizuara deri në detaje. Edhe në një aktivitet më pak të ndërlikuar si “Miss Universe”, kishte koreograf profesionistë dhe përgatitje në gjithçka. Siç thashë dhe pak më lart, vetë vajzat konkurrente ishin të përgatitura... Sidomos ato të Amerikës Latine, që tradicionalisht ia kushtojnë jetën konkurseve të tilla, ishin perfekte. E kanë shndërruar modën në një mjet që u siguron jetesën...

Nga ku i merrni ofertat për të punuar si modele?
Kryesisht, ofertat për të punuar si modele më vijnë nga jashtë, sepse “atje moda është industri”. Puna ime e fundit është realizimi i tre sesioneve të rëndësishme fotografike në New York për llogari të firmës së njohur të veshjeve të mbrëmjes, “Jovani”. Në sitin e kësaj firme mund të gjeni fotot e mia.

Tani që keni marrë dy drejtime, modën dhe ekranin, cila është ambicia juaj më e madhe?
Në fushën e modës ngelet moda ndërkombëtare. Ambicia ime është që të dal të paktën një herë në kopertina prestigjioze si “Elle” apo “Vogue”. Ndërsa sa i takon ekranit, nuk jam shumë e sigurtë nëse do të jetë vetëm ai që do më tërheqë, apo edhe aktrimi....

Ju pëlqen të aktroni?
Jam një adhuruese ekstreme e teatrit dhe kinemasë. Përpiqem të mos më shpëtojë asnjë premirë pa e parë. Kam një dëshirë të çmëndur për skenën në përgjithësi, prandja kam vendosur t’i futem seriozisht shkollës për regji. Duke punuar në një televizion dhe duke mësuar profesionin e regjisorit, besoj se do të jem një hap përpara në karierën time. Regjia e ka aktrimin brenda. Vazhdimisht më thonë se jam e prerë për aktrimin dhe mezi po pres të më jepet rasti të bëj diçka të kësaj natyre. Madje mund të shtoj se edhe parametrat e mi fizikë më shumë më lejojnë të bëj fotomodelen dhe aktoren, sesa modelen që sfilon.

Punoni në industrinë e bukurisë... Pasqyrohet kjo në jetën tuaj private?
Nuk jam tip që mbahem thjesht në jetën e përditshme, por dhe që t’i dedikohem tërësisht pamjes së jashtme, apo të jem e fiksuar pas saj, nuk jam. Më pëlqen ta mbaj veten, të vishem bukur dhe të ndihem komode. Në rastin tonë, një modele nuk duhet të dalë bukur vetëm në foto. Duhet të kujdeset për veten edhe në jetën e përditshme, sepse është imazh në vazhdimësi...

Mendoni se po të humbisnit bukurinë, do të humbnit edhe shumë nga personat që keni pranë?
Ndoshta, s’e kam menduar ndonjëherë këtë. Nuk e di as nëse kam miq, apo njerëz që më duan për shkak të pamjes së jashtme. Mund të ndodh dhe që të humbas dikë tani që jam në formën time më të mirë, për shumë arsye... Megjithatë, do të më pëlqente të mos humbisja kurrë asnjë nga njerëzit e dashur, gjë që s’varet aspak prej meje.

I zgjidhni njerëzit me të cilët rrini?
Po, e zgjedh shoqërinë dhe miqtë me shumë kujdes. Mund të kem shumë të njohur, por vetëm pak syresh i konsideroj miq. Miq quaj vetëm ata që i njoh prej shumë vitesh dhe që më bëjnë të ndihem mirë kur jam në shoqërinë e tyre. Në një farë mënyre, kam krijuar besim dhe ndihem e sigurtë me miqtë e mi më të mirë. Nuk është e thjeshtë të takosh miq të sinqertë dhe ky është problemi i vërtetë. Shumicën e rasteve të duhet pak fat që të biesh në njerëz të mirë, me vlera. Kam pasur motrën një vit më të madhe dhe kemi qenë si shoqe me njëra-tjetrën. Kam gjithashtu një shok me të cilin kemi pasur raporte shumë të ngushta që nga koha e gjimnazit dhe vazhdojmë t`i ruajmë marrëdhëniet.

Cila është gjëja që ju emocionon më tepër?
Të kridhem me kokë në det, nga lartësi të mëdha. Im atë është me origjinë nga Vlora dhe kam një lidhje organike me detin, megjithëse jam lindur e rritur në Tiranë. Të kuptohemi, nuk është se jam kaq trime sa mund të duket, nuk jam fort e dhënë pas gjërave ekstreme.

Në jetën private keni ndonjë lidhje dashurie?
Hm, nuk më pëlqen të flas për këtë argument. E kam të vështirë të flas për jetën time intime, sepse më duket sikur humbas diçka nga vetja.

Angelina Jolie ia rrëmbeu Brad pitt një tjetre... po ju, do ta “rrëmbenit” një djalë që ju pëlqen?
S’do rrëmbeja kurrë dikë që s’do donte të rrëmbehej!

Si do ta përkufizonit veten në këtë moment?
E plotësuar në jetën profesionale dhe e kënaqur me jetën private.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora