E shtune, 20.04.2024, 04:24 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Oazi i qetësisë quhet... Bajram Curri?!

E diele, 16.09.2007, 12:34 AM


NJOFTIM!

JU KERKOJME NDJESE! KEMI NJE PROBLEM ME FAQEN (INDEKSIN E FAQES), TE CILIN SHPRESOJME TA RIPAROJME SE SHPEJTI. ARTIKULLI ME POSHTE, PA DESHIREN TONE, HAPET AUTOMATIKISHT SI FAQE KRYESORE. JENI TE LUTUR QE TE KLIKONI NEPER KATEGORITE QE DESHIRONI SEPSE GJITHCKA TJETER FUNKSIONON NE RREGULL.

FALEMINDERIT PER VIZITEN!

PERZEMERSISHT,
STAFI I
WWW.ZEMRASHQIPTARE.NET

 

 

Shkruan: Ben Andoni

Tropojën e thith me të gjitha poret, që kur vendos të udhëtosh me furgonat e linjës Tiranë-Bajram Curri ose anasjelltas. Shoferët, ndryshe nga kolegët e linjës së jugut, janë të gjallë dhe shumë vitalë. Këtë cilësi të fundit e teprojnë varësisht preferencave të tyre muzikale. Sa më shumë kohë të kenë që ‘janë rënë’ në Tiranë, aq më të heroikë janë, por sa më të brendshëm, aq më tepër melankonikë. Dhe, ndaj të ndodh, që duke ikur të dëgjosh pafund këngë dashurie që të gjitha përfundojnë vajtueshëm. Nusja, shpejt e ve; vajza do një të vdekur etj...Gashët ngatërrohen me Krasniqët dhe Nikaj Mërturi më tej...Më të këndshëm janë vendalinjtë me korpusin e këngëve popullore dhe tingullin e mprehtë të veglave të tyre. Vikasin. Por, me edukatë. Kanë një sqimë të veçantë banorët e Bajram Currit...Këtë e ndjej tek Naimi. I edukuar dhe kavalier është më tepër një shkollar sesa një shofer i linjës. I kujdesshëm deri në manjak për pasagjerët e tij dhe i pafjalë...E tropojanët, çuditërisht, kur janë në udhëtim janë pagojë...

Për në Bajram Curr
Falë rrugës së re të Shkodrës deri në Mjedë, në orët e para të mëngjezit, shkohet gati fluturimthi nga Tirana. Naimi e bën ndalesën e parë në Mjedë, bash përballë një shtatore të përgjumur të Nënës Terezë. Kolegë të tij e bëjnë ndalesën në Lezhë, por të gjithë nxitojnë kush e kush të kapë hyrjen për në traget. Po të bësh udhën e gjatë, makina amortizohet dhe është një strapacim, që askush nuk e dëshiron. Gjithsesi, pak minuta më vonë, ndër kthesa të harruar malesh, të gjithë do të bëhen miq. Ekziston një marrëveshje kortezie e shoferëve me klubet. Do ndalosh pikërisht në aksh vënd dhe do e kesh sillën aty. Nuk ka vend tjetër. Këtë e vendos Naimi. Nuk ka edhe kundërshtime. Në fund, kur vjen gromsima e kujdesshme e shoferit, është shenja që duhet të mbledhësh mëndjen dhe të shkosh. Shpejt do i ngjitesh një shpati mali dhe do kthehesh në të majtë. Kjo rrugë të dërgon drejt Komanit, buzë liqenit të Vaut të Dejës, që i ka kthyer ish zotërimet e Dukagjinëve në liqen dhe madje edhe rezidencën e tyre të Sardës në Ishull. Jo shumë vonë, që andej, i ngjitesh një trageti dhe përmes një kanioni fantastik që mbledh Liqenin, do kapësh Fierzën. Por, fati nuk është me ne. Nuk e bëjmë këtë rrugë. “Befas”, shoferi Naim kujtohet. Është zënë rradha e tragetit prej turistëve kosovarë, na jep kumtin. U lëshon dhe bash një të sharë të fundit, këtyre qyqarëve- dhe dredhon djathtas. O Zot, të dish se do shkosh në Pukë, Fushë-Arrëz, atëhere edhe vetë Alonson e Formula 1 mund ta zërë makina. Shoferi e merr me të qeshur. “Nuk kam ç’të bëj”-na thotë. Bie heshtja. Përpara është një grua plakë, e cila nuk ka zbritur fare nga makina. Nuk bëzan. Para saj, një burrë i sapo dalë nga spitali, qëndron stoik. Në Qafën e Malit filmi këputet. Njerëzit janë tulatur si bagëtia. Nëse nuk të ka zënë makina do të zërë. Po shpëtove- tregon, që stomaku yt mund të përballojë gjithçka. Të gjorët kosovarë, që kanë kaluar këtu pari në kohën e Luftës, i kujtoj me trishtim....Këtu mbyllet shtegu...Si në jerm dëgjojmë një këngë që përzien sërish Krasniqen me Gashin dhe më pas emri i frikshëm me piskamë i Nikaj- Mërturit na zgjon...Janë dhe 79 kilometra, nga Fushë Arrëzi. Të mjaftueshme për t’u trullosur përfundimisht në knock-down.

Më në fund
Kur pas orësh dhe pluhuri mbërrin sipër suprinës së ujit, sytë të lbyren nga avulli i madh që ngrihet prej liqenit dhe vapës së pamatë. Çuditërisht për shoferat e Tropojës nuk ka vend për ajrosje. Të gjithë pasagjerët janë të troshitur dhe shoferëve nuk u bën shumë. Mundohem t’i tregoj dikujt bukurinë e këtij vendi. Ma bën me shenjë: Po më nxjerr tym nga...Qeshim të dy. Dhjetra kilometra i kemi bërë në një rrugë të paasfaltuar. Kemi heshtur dhe parë pa gojë njëri-tjetrin. Kur lemë Fierzën dhe futemi në asfaltin e rrugës, atëhere duket se ka ardhur shpëtimi. Bajram Curri është i vaptë, por i paqëm. Në orën e drekës nuk është askush. Ngaqë funksionon ndryshe. Njerëzit respektojnë kohën. Pushojnë. Një furgon policie, mbushur me disa policë të stërgjatë, rrotullohet në rrugën pa makina. Qyteti ngjan me fillesat e tij. Eshtë krijuar nga fshati i dikurshëm Kolgecaj. Katër lagjet e tij Gjongecaj, “Mustaf Mehmeta”, Gjoçaj dhe Gjyryçi janë edhe sot pjesa përbërëse e qytetit. Vetëm një rrugë të dërgon në qytet dhe lagjet janë edhe pikat e tij të referencës. Kjo rrugë degëzohet në tre të tilla, të cilat mbajnë të gjithë ecejaket e qytetit 12 mijë banorësh (referencë e vitit 2005), që me gjithë rrethinat duhet që t’i kalojë të 35 mijë njerëzit. Në gjendjen civile dhe në një manual janë të përcaktuar deri me detaje ecuritë e banorëve të B.C. Shumë syresh tash janë në Tiranë. Tropojanët, mbas fitores së kryeministrit Sali Berisha, që është me origjinë nga vendi i tyre, ‘janë zbritur’ në qytet. Ndryshe nga vite më parë, në qytet vozisin targat e Kosovës, krahasuar me dikur kur dominonin targat e Tiranës. Kishin siklet, sepse me targën e Bajram Currit, ishin të prekshëm në Tiranën e socialistëve. Ndërkohë që tropojanët, të njohur për dinjitetin e tyre, i mbajnë pak targat e vendit. Këtë dinjitet dhe sjelljen e fisme të tropojanëve të mjediseve sociale, e shikon në pak vende në Shqipëri. Nuk e vendosin kurrherë në siklet mikun, por mundohem që ta trajtojnë mirë. Nuk nëmin. Gjithmonë dhe në hall ka dritë në thënien e tyre: “Të dhëntë Zoti jetë!”, “T’u haptë Drita!”, “T’u ngjat!” Malësorët tanë të jugut të mynxyrosin me nëma, qoftë në gëzim por edhe në hidhërim. Përjashtim bëjnë ata të saporamët në Tiranë. Këta kinse kryeqytetas tallen dhe mbahen me të madh…Për fat janë pak…Qyteti është një pjesë e Malësisë të Gjakovës dhe në përgjithësi njerëzit e ndjejnë veten më afër dhe më të lidhur me Kosovën, sesa më pjesët e tjera të Shqipërisë. Atje shkojnë tash për tregti dhe për të gjithë shërbimet. Nuk dihet se çdo ndodhte me këtë qytet po të mos ishte kaq bujare gjeografia. Qeveria “e tyre”, e theksojmë këtë prej kryeministrit, që vizitën e fundit e ka bërë në vitin 1997, pak kujdes ka treguar. Njësoj si paraardhësit. Veçse në njerëzit e ndryshëm është ngjallur shpresa. Po shtrohen pak rrugë dhe diçka lëviz në qytet, pavarësisht se rruga deri në traget është katastrofë dhe në dorë të privatëve të pangopur. Këta të fundit i rrjepin pa mëshirë kosovarët. Viktima fatkeqe këtë vit kanë rënë bash kosovarët. Në këto udhëtime kënaqësie u është bërë shumë e ashpër gjithçka, prej të tillë vendasish. I trajtojnë keq dhe i përqeshin bash për atë ndjenjë naiviteti, që atyre u ngjall panorama mahnitëse e vendit të tyre të ëndrrës. Eshtë pak larg kujtimi, kur mundoheshin t’i bënin karshillëk Kukësit, që më kot u mundua të listohej në qytetet, që duhet të merrte një çmim për mikpritjen e kosovarëve. Gjithsesi, për 40 minuta janë në Gjakovë. Kujtimi, që e bën si taksi këtë rrugë dhe që ka pak shkollë, më bën një shesh-përshkrim të gjithë vendit. E quaj fat që e kam njohur, sepse është ciceron, të mban me gajret dhe të jep edhe shpresë. “Kishim me dek- më thotë, -po të mos ishte Kosova”. Ka tre fëmijë. Njëri në shkollë në Tiranë dhe tash nuk begenis të kthehet në qytet; tjetri pret të shkojë; dhe një i tretë që është i mitur. Gruan e ka të sëmurë dhe e adhuron. Kurse, Gjakova, ku ata bëjnë tregtinë e ligjshme dhe të paligjshme, ka qëlluar bajagi i mirë dhe po të jenë dhe njerëzit e turnit të doganës- të mirë, mbase do jetë dhe më mirë. Për një sasi malli, nuk paguajnë fare taksë dhe kjo shërben tregtinë më të shumtë të vendasve. Çmimet të grishin pa fund dhe në krahasim me kryeqytetin, perimet dhe frutat janë me gjysmë çmimi. Po ashtu mishi dhe gjërat e tjera të Kosovës. Qytetarët që barisin, në shëtitoren e vetme të qytetit janë njësoj të qetë, në hallet e tyre. “Jena të vorfën”, e dëgjoj më pak këtë verë. Në fakt, kjo fjali artikulohet nga pak njerëz. Gjithmonë nuk kam qenë i prirur t’u besoj për shkak të fizikut të mirë dhe mbi të gjitha ndryshe nga jugorët që vetëm qahen, këtu vetëm pak veta ankohen. Ata, vetëm baresin. Baresin. Takohen. Ritakohen. Ka klube, dikur shumë farmaci, tash tip markete, jo bash të mira. Ky është peizazhi. Eshtë rregulluar Godina e Muzeut, pas Monumentit të Bacës dhe në Parkun natyror të Lojërave me dorë, ka mbetur platforma e një shfaqje. Më shumë duan të ikin. Për fat, nuk ka pasur më vrasje. Në të vërtetë, ato, ndodhin atëherë kur nuk ta pret dhe sipas një logjike që kuptohet vetëm këtu. Ose, duhet që të jetë vetë destini, që e jep në kohën e pamundur. Por, kaq qetë. Sa keq që turizmi nuk e ka në planet e tij. Njerëzit sërish baresin. Vetëm, kur diku bie pushkë. Qytetin e kaplon hija e vdekjes, që pak ditë më vonë e kthen me zor në jetë. Markezi do ishte i panevojshëm këtu me “Kronikën e vdekjes së tij të paralajmëruar”. Një i ri, inxhinier, na kërkon që të ndërhyjmë në Tiranë. Eshtë njeri i PD-së dhe do të jetë drejtor. Nuk ka mbushur ende të 30-tat, por është i bindur që e meriton.
Një tjetër e gjej në të njëjtin mjedis ku shet disa mobilje, që më duken off-moda. Ka shumë klube dhe shërbim të mirë, por tropojanëve u shkon pak tipi i kamarierit. Ndërsa pimë të vetëm konjakun e vetëm në turizmin e qytetit, gati afër mesnatës, kamarierët e turnit që sapo e kanë mbyllur, hapin në kulm muzikën për t’i tërhequr vëmendjen dy drenushave lokale, që kanë ra në Tropojë për një si tip dasme. Serenata e tyre këtu i ngjan alarmit për luftë, e në vend të përfytyrimeve idilike me dashuri..këngët e tyre që tregojnë vaj- të bëjnë me dije se pjesën tjetër të natës do e kesh me ëndrra të frikshme.
Në tavolina, deri më atëherë, burrat kanë tjerrur me gjestikulacione problemet ditore dhe e thërrasin njëri-tjetrin me shumë gëzim. “Ejjjjjjj, ku je bre”, “O, ku je....”. Dhe, përfundojnë befas në të qeshur. Këtu mund të dashurosh të qeshurën e njerëzve. “Pse bërtasin kaq shumë”, i them Kujtimit, një ditë më vonë. E kemi lidhur këtë me karakterin vital të tyre. Por, Kujtimi, 41 vjeçar, që e ka pasur të atin ish mësues të kurseve të analfabetizmit, më jep një version bjeshkor. “Poshtë kalon Valbona dhe bjen me aq forcë, sa për tu marrë vesh me tjetrin duhet me piskat”, përfundon versionin e tij gazmor. Ne futemi te sakatët këtu. Nuk na del koha të pyesim për të ngujuarit, ngaqë burrat tash duket që zdërhallen më shumë në liri. Qyteti mbaron shpejt në këtë segment të ngushtë. Në verë në orën 22.00 qyteti fillon dremitjen, që në dimër reduktohet deri atje nga ora 20.00. Nga kjo orë dhe deri në mëngjes, njerëzit mblidhen në shtëpitë e vogla që kanë mbetur nga komunizmi, me një make-up të lehtë që u kanë bërë orendive dhe flenë. Pushojnë, rehatohen. Femrat vendase zhduken nga qarkullimi ditor, që në orët e para të pasdites. E rrallë të shohësh ndonjë çift që shëtit i qetë. Çuditërisht, këtë herë, më tërheq një grua që e ka nxjerrë qenin në orën 22.30?! Gratë e moshës mesatare mbajnë ende shaminë tradicionale të bardhë, ndërsa fundet normalisht kapin takën e këpucës. Më ‘e guximshmja’ e ka fundin rreth një pëllëmbë poshtë gjurit. Këtë e kam parë kohë më parë. Përjashtim bëjnë vajzat e reja, që mblidhen tek turizmi me rrobat e tyre moderne dhe që rrinë pak më të ekspozuara. Kaq. Natyra i ka ndryrë këta njerëz. Ndryshe nga fusharakët që e tresin vështrimin drejt, këtu je i kufizuar. Shkëlzeni përballë të pengon që të shikosh krahinën e Gjakovës. Pylli i Kolgecajve të pengon më andej qytetit. Është habi se zjarri, që ka vigjëluar për ditë të tëra mbi qytet dhe më tej, i ka lënë shumë indiferent vendasit. I themi dikujt. “Ka kush merret”, na përgjigjet ftohtë. Por, zjarri vazhdon. Të papunë, dhe të ngeshëm pak u bën përshtypje për gjërat e këtilla. Në një katalog të Bashkisë kapin shifrën e 3833 vetëve, që nuk kanë punë, por qyteti duket që nuk ka iniciativa. Ndaj, të gjithë, tash i janë ngjitur Tiranës. Të paktën, sa të kenë pushtetin. Gjëja që të bën më shumë për vete janë fëmijët. Ata luajnë të patrazuar nga askush dhe gjithkund. Janë të veshur mirë dhe për fat luajnë bashkë femra e meshkuj. Kurse prindërit e tyre vegjetojnë dhe i ka mësuar ky realitet i jetës. Banorët, sipas bashkisë, janë shumica të pastrehë dhe mbi të gjitha u mungon uji. E të mendosh se me pak investim mund ta marrin me rrjedhje të lirë?! U falet dhe kjo. Nuk duket se janë pagues të mirë të energjisë, ndërsa kanë edhe ata kufizimet e tyre, që në Tiranë raportohen si zero.

Tropojanët-kaq të ngeshëm
“Jo”- më thotë nënkryetarja, Hasime Gjongecaj, një grua shumë e vendosur. E prerë. Mezi e bindim të na thotë pak fjalë. Kur qetohet, është shumë e sjellshme dhe tepër dyshuese. Na tregon plane dhe optimizëm. Në fund, përfundon në origjinë. Bash mikpritëse. E mendojmë që ta takojmë pas orës 18.00, kur në qytet funksionon xhiroja si dikur. Baritet që nga monumenti i Bacës Bajram dhe deri 200 metra më tuje, ku rruga hepohet për në spitalin e qytetit. Por, jo. Ajo zhduket. Naimi më thotë se ka mësuese dhe intelektuale, që pas auditorit u duhet të ruajnë lopët?! Interesimin për këtë vend kur merr vesh se ka vetëm një hotel në qytet. Eshtë bërë një tjetër, që na e propozon Kryetarja, por... Ndërsa Hotel “Kosova” prej vitesh nuk funksionon. Në këtë qerthull baresin të gjithë vendasit. Më bën përshtypje mungesa e femrave, por çuditërisht oazi i të ardhurve, prehet në ish-turizmin e qytetit. Tashmë gjithmonë e më shumë nga ish njerëzit e saj, që kanë zbritur në Tiranë, në vend të tij vinë të huaj. Dy të tillë i hasim me një biçikletë dyshe, që kanë ardhur prej larg. Falë një mjedisi të madh të gjelbëruar, që shikon stadiumin gati natyror të lojrave me dorë, tashmë mblidhen edhe familjarë në Turizëm. Më të rinjtë i lejojnë vetes intimitetin. Por kujdes. Veshja ndryshe, që vashat e sjellin nga Tirana, këtu është e kontrolluar. Liria është jo e tepërt. Më andej qyteti është mashkullor. Kortez. I kënaqen ajrit. Bajram Curri ka një klimë, që do t‘ia kishte zili çdo qytet i vendit. Nuk është shumë metra mbi nivelin e detit, paçka se në këmbë të alpeve, dhe është i rrotulluar mes maleve gjigande...Temperaturat maksimale është e rregjistruar më 18 korrik 1973, që ka kapur 37,2º C, ndërsa minimalja në të njëjtin vit -16,5ºC. Nuk ka shumë investime. “Nga klima ka pak qytete në Botë, që janë të dytë me Tropojën”, më tregonte dikur Qazim Gjongecaj, një bisnesmen vendas. “Por Tropojën e ka prish politika. Në fakt, ka pasur investime, por këtu nuk shfrytëzohen. Mos harro se qyteti ynë e don shtetin”, vazhdonte ai. Kishte të drejtë sepse qyteti ka hidrocentralin më të madh të Shqipërisë, minierat e Kamit dhe Rragamit, ujin e Valbonës etj. E, këto i hyjnë pak në punë. Qyteti po mundohet të rivitalizohet thjesht, duke mos e parë si dele e zezë dhe mbi të gjitha lufton me hapjen e rrugës me Kosovën dhe së shpejti dhe me Malin e Zi. Më pas, Tropoja, ka të ngjarë, që të ketë shumë pak nevojë për pjesën tjetër të Shqipërisë. Kuptohet të bie të shkosh më shpejt dhe më arsyeshëm në Prishtinë dhe në Podgoricë sesa në Tiranë. E, kjo, duhet të jetë një mësim i mirë për politikanët, që lutjeve të tyre të shumta për tu bërë një rrugë buzë liqenit, e kanë neglizhuar. Të gjithë tropojanët kanë shumë dëshirë që të flasin, dhe i nderojnë shumë të vdekurit. Është shpirti i tyre, që dikton tashmë gjithçka të tyren në jetën e vdektarëve. Për ta flitet shpesh. Ndaj, tropojanët ecin në një mënyrë të çuditshme, sikur e mbartin të gjithë këtë ngarkesë. Sot, janë të përhapur kudo nëpër Shqipëri. Ka disa dhjetëra intelektualë të shquar, që kanë dhënë një kontribut jo të zakonshëm për vendin, por fare të papërfillshëm për qytetin. Shkollimi i tyre lidhet me faktin se në kohën e diktatorit Enver Hoxha: ky qytet ka pasur një nga numrat më të mëdhenj të arsimuarve me universitet, për frymë të popullsisë. Por, këto emra, që sot e mbajnë krenarinë intelektuale të qytetit janë pak për namin “e tmerrshëm”, që ka marrë qyteti.

Kthim
Të vjen keq që pasi i je kënaqur këtij oazi paqeje, të kthehesh pas. Tropoja, Erseka dhe Përmeti janë vendet më të paqta në Shqipëri. Nëse do të kishin mundësi pak më shumë për zbavitje dhe atraksione, do të dukej se vetë Zoti i kishte bekuar për paqe. Po ja, çfarë e do që Bajram Curri e ka namin e keq dhe derisa në vendlindje nuk shkon as kryeministri (na e përsërisin), diçka nuk shkon. Gjithsesi, një mëngjez fundvere, i lutemi një shoferi, që po të mos udhëtojë nëpër Qaf Mali sepse do të donim të ishim pasagjerët e tij. Duhet ta ketë zgjidhur me njerëzit e tragetit, se as nuk e vë në dyshim rrallën e kosovarëve, që presin te trageti. “Kur them unë, e di unë”. Na tregon dhe vendin. Pak minuta më pas, kur agimi zbardh, një ushtarak me uniformën e marinës shqiptare dhe me një bark të shëmtuar, vë kinse rregull. Më duket se është koha e Princ Vidit, ku e shikoj. Këtu mbaron ideja e turizmit. Na vjen turp. Sërish zallamahi. Parregullsi. Dhe, makina, që paketohet deri me milimetra. Qetësohemi kur futemi mes grykave, ku Tropoja, Puka dhe Mirdita ndajnë sinoret e tyre. E harrojmë sjelljen e njerëzve të tragetit. Shkrepëtijnë blice kosovarësh dhe udhëtarësh, që janë rishtarë mbi suprinën e vajtë të Drinit në gjumë. Indiferencë e plotë vendasish. Kjo bukuri e virgjër, pas dy orësh, shuhet se në Koman të pret një kalvar tjetër dhe ku mund të shikosh fytyrën e vërtetë të disiplinës sociale shqiptare. Të marrim, çfarë të marrim. Udhëtimi në fund ka mbaruar. Endrra merr fund në mesditë. Furgona, që presin, dhe nuk lenë në pak metrat katror, nga ku dilet deri te Tuneli i Komanit, presin. Makinat e tragetit mbesin. Rrëmujë. Një grua me një bark të madh nuk e nxjerr dot makinën. E ndihmon një djal, që futet si James Dean në makinën e saj. Nga sipër, të gjithë udhëtarët shtyhen. Kush të dalë le të dalë i pari. Kujtoj, një foto të Marubit, ku një çift pleqsh malësorë me veshjet tradicionale nën soditjen e dy marinarëve, ngjisin të rregullt shkallët e tragetit të viteve të para të shekullit XX. Ikin në Itali për Shna Ndoun. Të paqëm. Të patrazuar. Ndërsa, malësorët e sodit, nuk presin. Këtu merr fund paqtimi rifillon ankthi…Ne gjejmë shoferin tonë, që sërish e ka hapur rrugën. I zoti. Nuk do t’ia dijë për rregull. Ligji i më të fortit. Dhe, ai, është një i tillë. Jemi në Shqipërinë turistike të shekullit XXI, ku zyrtarët mbushin statistika me shumëzime. Verë e vaptë 2007.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora