Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ami Boue: 1 milion e 600 mijë shqiptarë në fillim të shek. XIX

| E diele, 16.09.2007, 12:09 AM |


Nga Asti Papa

Përfundimet e vrojtimeve që bëri gjatë ekspeditave të tij disavjeçare në “Turqinë e Europës” dijetari mendjendritur i përpunoi dhe i redaktoi gjatë vitit 1839. Në këtë mes, duke parë mungesën e njohurive që kishte publiku europian për këtë trevë ai a quajti të përshtatshme dhe me interes që t’i plotësonte vrojtimet e tij me “disa nga vrojtimet e pararendësve, të cilat në fund të fundit njiheshin vetëm nga pak studiues në Europë”.

Tërë materiali dokumentar vëllimor që kishte mbledhur Ami Bué gjatë tre shtegtimeve të tij ballkanike dhe të cilin e kishte përpunuar tanimë për botim, përbëhej nga përshkrimi i itinerareve të kryera në 2 vëllime, që u botua më vonë në 1854, nga një hartë gjeografike dhe gjeologjike e Gadishullit Ballkanik, nga një hartë etnografike e së njejtës trevë dhe sidomos nga vepra e tij themelore “La Turquie d’Europe”, të cilën e botoi me shpenzimet e tij në Paris në 1840. Nga ana tjetër ai i dhuroi Muzeut të Shkencave të Natyrës dhe “Jardin des Plantes” në Paris koleksionet e pasura të e shkëmbinjve, mineraleve dhe bimëve që kishte mbledhur gjatë shtegtimeve të tij nëpër viset ballkanike.

Dhe si për të përforcuar prirjen që kishte për shkencat e natyrës, veçanërisht për gjeologjinë, për të cilën ai nuk e fshihte asnjëherë interesimin dhe dashurinë, dijetari i njohur botoi më vete, po në 1840, pjesën gjeologjike të veprës së tij madhore, të shoqëruar edhe me hartën e parë gjeologjike me ngjyra të Europës Juglindore, afërsisht në shkallën 1:2500000.

Me këtë vepër të tij madhore, siç e thotë vetë, Ami Bue “kërkonte të plotësonte atë mungesë thuajse të plotë të njohurive të publikut europian mbi gjendjen e vërtetë gjeografike dhe etnografike të Turqisë së Europës”. Ai synonte gjithashtu që të nxiste kureshtjen e botës shkencore europiane për një trevë fare të afërt, të cilën e quante “porta juglindore e Europës”. Njëkohësisht studiuesi i njohur donte të inkurajonte autoritetet e Perandorisë Austro-Hungareze që të lidhnin trevat e Europës Qëndrore me ato të Perandorisë Osmane me hekurudha, trasetë e të cilave ai i vizatoi në hartat që përpiloi për këtë qëllim.

Kjo vepër madhore e Ami Buesë, në katër vëllime me afro 2000 faqe, ishte një afresk madhështor i trevave ballkanike, deri atëherë pothuajse të panjohura, për të cilat ai trajton të gjitha anët, politike, ekonomike dhe natyrore. Dhe të gjitha këto i trajton nisur nga vrojtimet dhe përvoja vetjake, gjë që përbënte diçka të re për tërësinë e trevave që ai vizitoi. Sepse, siç e thotë vetë, “nëse para meje udhëtarët i kishin marrë njoftimet e tyre në Stamboll, Selanik apo Thesali dhe mbi të gjitha në Epir nga ato që shkruante Pukëvili, unë përshkova të gjithë pjesën e brendshme të Gadishullit Ilirian, vizitova vargjet malore kryesore dhe çdonjërën nga provincat e saj”.

Pikërisht kjo veçori përbën origjinalitetin dhe vlerën e madhe të veprës së dijetarit poliedrik. Dhe prandaj ajo mbeti për një kohë të gjatë si burimi i vetëm dhe më përfaqësues për të gjithë studiuesit, si për natyralistët, ashtu dhe për historianët, por edhe për politikanët dhe diplomatët, pra për të gjithë ata që donin të njihnin viset juglindore të Europës dhe problemet e tyre.

Shqipëria në veprat e Ami Buesë

Në të katër vëllimet e “La Turquie d”Europe”, si dhe në vepra të tjera të mëvonshme të Ami Buesë, krahas përshkrimeve dhe shënimeve për trevat e tjera ballkanike, jepen mjaft nga të dhënat më të hershme shkencore mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Një vend të veçantë i ka kushtuar Ami Bue njoftimeve mbi natyrën e Shqipërisë, sidomos mbi gjeografinë dhe gjeologjinë e saj, duke bërë fjalë edhe mbi bimët, tokat dhe kafshët që ndeshën në trevat shqiptare. Madje ai është i pari dijetar që ka folur për gjeografinë dhe gjeologjinë e Shqipërisë me terma shkencore dhe e ka bërë këtë gjë shumë më herët nga çka kanë shkruar në këtë drejtim shkencëtarë të tjerë për disa vende të tjera ballkanike.

Duke veçuar ndihmesën e tij për gjeografinë e Shqipërisë duhet të përmendim se ai e ndau atë në tre zona: Shqipërinë e Epërme deri në Elbasan, Shqipërinë e Mesme deri në Malësinë e Tomorit dhe Skraparit dhe Shqipërinë e Ulët ose Epirin deri në Akarnani. Për çdonjërën nga to dha një përshkrim të shkurtër të tipareve morfologjike dhe të hidrologjisë.

Ami Bue përmendi me radhë, jo vetëm lumenjtë kryesorë të Shqipërisë, nga Drini në Veri deri në Vjosë në Jug, por edhe disa rrjedha më të vogla duke theksuar se përgjithësisht “ nuk janë të lundrueshëm, pjesa më e madhe e tyre nuk kanë rrjedha të mëdha ujore, janë të shkurtër e me pjerrësi të madhe, saqë gjatë verës disa prej tyre mbeten fare pa ujë”. Ndërkaq ai theksoi se Buna, si kanal shkarkimi i Liqenit të Shkodrës, është një rrjedhë ujore e rëndësishme, sepse në te mund të lundrojnë deri në Obot anijet e vogla.

Gjatë përshkrimit të viseve malore të Shqipërisë natyralisti i njohur i kushton sidomos vëmendje të posaçme Sharrit, viseve malore të Mirditës dhe të Dukagjinit, në të cilat spikasin “kreshtat e mbuluara me pyje pishash”,si dhe trevave malore të Shqipërisë së Jugut, ndër të cilët përmend malësitë e Sulit, Himarës, Çikës, Lungarës, Shashicës, si dhe ato më lindore të Shpiragut dhe Skraparit. Të bie sidomos në sy përshkrimi që i bën Tomorit “në trajtë të një cungu të madh konik”, me pllajat e veshura me livadhe alpine dhe që mbizotëron mbi një visore jo më të lartë nga 2000 këmbë.... plot me kodrina si dhe mbi fushën që shtrihet deri në det, nga Berati deri në Vlorë dhe përbën në kuptimin e mirëfilltë Myzeqenë e lashtë”.

Jo më kot quhet dijetari i përmendur mbahet si themelues i gjeologjisë së Shqipërisë, sepse pikërisht ai bëri vrojtimet e para shkencore mbi ndërtimin gjeologjik të trevave shqiptare. Në këtë vështrim veçanërisht i rëndësishëm është njoftimi që dha mbi përhapjen e madhe të serpentiniteve në Shqipëri kur shkruan se “Shpërthimet më të mëdha të serpentineve në Turqinë e Europës kanë ndodhur midis Prizrenit dhe Shkodrës”. Këta shkëmbinj ai i vrojtoi pranë Mitrovicës dhe në rrugëtimin e tij në krahinën e Mirditës. Ai vuri re se kjo krahinë përbëhet kryesisht nga serpentinite, të cilët shoqërohen kudo me gabro, ose “eufotide”, me diorite dhe diaspre dhe theksoi se ato kanë një zanafillë të përbashkët si “prodhime magmatike”. Duke e parë me syrin e sotëm mund të themi se qysh në atë kohë, me këtë pohim, Ami Bue i ra më të, deri-diku, nocionit të “varganit ofiolitik”.

Përshkrimin e natyrës së Shqipërisë Ami Bue e plotësoi edhe me bimësinë dhe kafshët që takohen në viset shqiptare. Duke folur për bimësinë ai përmend veçanërisht pyjet e mëdha me gështenja në Sharr dhe në Malësinë e Gjakovës, si dhe lajthitë e shumta në trevën e Mirditës. Në viset bregdetare përmend ullishtat e shumta që “ngjiten edhe në luginën e Shkumbinit”, si dhe kopshtet me agrume. Ndër kafshët e egra më të njohura në viset shqiptare përmend ariun.

Një kujdes të veçantë i ka kushtuar natyralisti i shquar pasurisë ujore të Liqenit të Shkodrës dhe peshkimit në të, duke përmendur të dhëna mjaft të sakta, të cilat i kishte vrojtuar vetë gjatë disa ditëve të qëndrimit të tij në metropolin shqiptar të kohës: Shkodrën. Madje këtij qyteti i kushtoi disa faqe nga më interesantet e librit të tij. Ai përshkroi edhe qytetin e Beratit, të cilin e quan një “metropol ortodoks” nga kishat e shumta që ka në kështjellën e tij.

Shqiptarët në veprat e Ami Buesë

Ami Bue tregoi gjithnjë një interesim të madh dhe një qëndrim mirëdashës ndaj shqiptarëve. Jo vetëm në vëllimin e dytë të veprës së tij madhore, që i kushtohet etnologjisë, por edhe në disa shkrime të tij të mëvonshme janë paraqitur edhe një varg vrojtimesh mendjemprehta mbi ato çka pa ai në viset e banuara nga shqiptarët, mbi jetesën, mbi popullsinë dhe gjuhën shqipe. Ai ka paraqitur edhe mjaft të dhëna për historinë politike dhe ekonomike të shqiptarëve, për jetën shoqërore, për botëkuptimin dhe ndjenjat e popullsisë, për veçoritë e kulturës materiale e shpirtërore, për banesat dhe veshjet, si dhe për doket e zakonet shqiptare.

Në këtë vështrim mbi të gjitha ka rëndësi të veçantë sinteza shkencore e Ami Buesë mbi përhapjen e popullsisë shqiptare në trevat ballkanike në gjysmën e parë të shekullit XIX. Ai thekson se : ”Vlerësohet se shqiptarët janë 1 600 000 frymë. Ky është një vlerësim mjaft i arsyeshëm dhe madje duket se i njehson ata më pak nga sa janë në të vërtetë, kur mendojmë se shqiptarët shtrihen qysh nga Epiri...Pothuajse vetëm ata banojnë në viset që nga burimet e Lepenicës, në fushën e Prishtinës, Vranjës, Gjilanit, Kurshumlisë....si dhe në viset e tjera shqiptare të malësorëve, mirditorëve, gegëve, toskëve .....Shqiptarë janë edhe banorët e Çamërisë, ose ata të pjesës qendrore të Shqipërisë së Poshtme, që nga Janina e deri në det”. Dhe përhapjen e popullsisë në trevat shqiptare ai e ka paraqitur edhe në disa harta etnografike, që shoqërojnë punimet e tij dhe kanë një vlerë të jashtëzakonshme shkencore dhe dokumentuese edhe sot e kësaj dite, sidomos për trevat e Kosovës.

Duke folur mbi tiparet fizike të shqiptarëve Ami Bue thotë se “Shqiptarët ndoshta janë raca më e bukur e Turqisë, afrohen më tepër me grekët se sa me sllavët dhe të kujtojnë tipat më të bukur të malësorëve zviceranë, me fytyrat e tyre vezake, hundën deri-diku të gjatë, shtatin e hedhur dhe më tepër të hollë se sa të trashë..... Por nëse shqiptarët kanë vetitë fizike të zviceranëve dhe të tirolezëve, nëse janë shtegtarë sypatrembur njëlloj si ata, që ngjiten si dhitë nëpër male, me pushkën në krah, ata kanë edhe diçka më tepër nga ta, kanë gjallërinë dhe harenë mesdhetare që i shtohen mendjehollësisë së tyre të jashtëzakonshme dhe të atypëratyshme...Krenaria kombëtare shfaqet qysh në fjalët e para të shqiptarëve, në gjestet e tyre, në ecjen e tyre të lehtë..... Shqiptarët i qortojnë për egërsinë dhe ashpërsinë e veçantë të karakterit. Por këto veçori duket se rrjedhin më tepër nga mënyra e jetesës dhe nga edukimi që kanë marrë, se sa nga përkatësia e tyre në një tip primitiv. Ata persona që i kanë quajtur shqiptarët si hakmarrës nuk i kanë njohur fare doket dhe zakonet e tyre, sepse për ta marrja e hakut për çdo fyerje që pësojnë është një detyrë dhe tek shqiptarët ajo zë vendin e ligjeve tona të policisë ndëshkimore dhe të policisë kriminele”. Madje, më tepër si për kureshti, po marr lejen të përmend këtu edhe këtë vlerësim që i bën shqiptarëve, si dhe disa popujve të tjerë ballkanikë, në autobiografinë e tij Ami Bue, kur thotë se : “janë të gjithë të gatshëm që t’i përshtaten qytetërimit tonë evropian dhe madje edhe nën zgjedhën turke kanë dhënë vende-vende prova të aftësisë së tyre për t’u qeverisur bashkërisht mjaft mirë. Në këtë pikë ata e tejkalojnë, madje së tepërmi, dozën e zakonshme të inteligjencës së fshatarëve tanë europianë”.

Kur flet për gjuhën shqipe, për të dëshmuar se ajo është një gjuhë indoeuropiane, dijetari poliedrik jep shembuj të shumtë fjalësh shqipe, të ngjashme me fjalë të njëkuptimësie nga gjuhë të tjera europiane, që nga latinishtja e greqishtja e vjetër, tek gjuhët neolatine, anglosaksone, balto-sllave. Kështu ai përmend rreth 300 fjalë shqipe të ngjashme me fjalë frëngjishte me të njëjtin kuptim. Nga ana tjetër ai e vlerëson gjuhën dhe elokuencën e shqiptarëve duke theksuar se “Sigurisht shqipja nuk mund të quhet një gjuhë pak e formuar, e varfër dhe e thjeshtë në trajtat e foljeve, siç është për shembull gjuha e ciganëve. Përkundrazi kur i dëgjon shqiptarët të flasin mund të njohim një gjuhë me shprehje të fuqishme dhe të hareshme...”.

Mjaft interesante duken vërejtjet e holla dhe me vend të Ami Buesë mbi toponimet sllave në mjaft vise shqiptare. Ai e shpjegon këtë dukuri me dyndjen e sllavëve në këto vise në mesjetën e hershme dhe thekson se “sllavët kanë veçorinë...që të vendosin me detyrim gjuhën e tyre ndërmjet popujve të pushtuar, në mënyrë që të zëvendësojnë emërtimet e vendeve, madje edhe me përkthime të emrave të vjetër ose me emra të rinj”.

Duke folur për natyrën e shqiptarëve ai vë në dukje dashurinë e tyre për atdheun dhe thekson se “Shqiptari, edhe pse i pëlqen shumë të udhëtojë nëpër botë, nuk pushon së menduari për malet e tij.....Tamburi i tij deri sa të vdesë i këndon bukurisë dhe bëmave të viseve shqiptare”. Nga ana tjetër Ami Bue nuk mungon, në mjaft raste, të vejë theksin mbi dy anë skajore të mendësisë shqiptare. Në njërën anë ai flet për mikpritjen dhe besën e pashembullt shqiptare, që i bëjnë “udhëtarët e huaj të ndihen më të sigurt se në çdo vis tjetër të Turqisë Europiane”. Në anën tjetër përmend hakmarrjen, e cila “zëvendëson drejtësinë, ligjin që mungon në Shqipëri dhe në Malin e Zi”. Ndërkaq ai i kundërvihet edhe legjendës së përhapur në atë kohë në Europë sipas së cilës “pjesa më e madhe e Shqipërisë është një vend barbar dhe shumica e shqiptarëve janë cuba”. Ai e shpjegon saktë zanafillën e kësaj legjende duke shkruar se “ Ashtu si europianët edhe turqit osmanë i quajnë cuba, brigandë, të gjithë kryengritësit, pavarësisht se në thelb ata janë atdhetarë që kërkojnë çlirimin e viseve të tyre nga zgjedha e huaj”. Dhe më tej ai shton “Ne patëm rastin që të takojmë njerëz, të cilët turqit i quanin “cuba”, por asnjëherë nuk na prekën as fijen e flokut. Përkundrazi na nderuan dhe na kumtuan urrejtjen e tyre ndaj zgjedhës turke dhe gjendjes së tyre të mjerueshme duke shfaqur edhe shpresën për ndihmë nga Europa”.

Një çështje tjetër që tërhoqi vëmendjen e Ami Buesë është edhe ajo e vlerave shpirtërore dhe e kulturës popullore të shqiptarëve. Kështu ai flet për poezinë dhe përmend se vjershëtarët i këndojnë Skënderbeut, Arianit Topisë, Ali Pashë Tepelenës e trimërive të heronjve të tjerë shqiptarë. Përmend këngët popullore, sidomos ato shkodrane që i kishte dëgjuar të këndohen nga gra, si dhe veglat muzikore popullore. Me shumë kënaqësi ai bën fjalë për vallet popullore shqiptare, dhe thekson se në tërë trevat ballkanike “shijen më të bukur për vallëzimin e kanë grekët dhe shqiptarët” dhe më tej vazhdon e thotë “Kur fillon të heqë vallen shqiptari duket edhe më sqimatar, barazohet me grekun në hijeshi dhe krijon një pamje shumë më të bukur se sa serbi dhe boshnjaku, falë edhe veshjes së tij më të lehtë e më elegante”. Duke përshkruar veshjet popullore shqiptare ai vë në dukje se burrat shqiptarë janë kudo të armatosur dhe se shkëlqejnë në Turqinë Europiane si armëtarët më të mirë “të cilët madje i zbukurojnë armët e tyre dhe i veshin dorezat me pllaka argjendi të skalitura”. Kësisoj “në tërë Turqinë e Europës shqiptarët mbahen si armëtarët më të mirë dhe në këtë mjeshtëri është i përmendur Prizreni”. Ami Bue përshkroi edhe veshjen popullore të grave dhe theksoi se “ato asnjëherë nuk mbajnë armë me vete, por në rast nevoje dinë t’i përdorin....siç e kanë provuar plotësisht gratë suljote”.