E marte, 16.04.2024, 05:51 PM (GMT+1)

Mendime

Ami Boue: Një dashamirës i hershëm i Shqipërisë dhe i shqiptarëve

E diele, 16.09.2007, 12:06 AM


Nga Asti Papa

Ndërmjet studiuesve që i kanë kushtuar një pjesë të veprës së tyre njohjes së Shqipërisë dhe të shqiptarëve, dhe të cilët me të drejtë i quajmë “albanologë”, Ami Bue (Ami Boué) mbahet si një nga më të hershmit. Por ai nuk ka vetëm meritën se ishte një nga më të parët albanologë. Ai ndryshonte nga albanologë të tjerë të shquar më të hershëm se ai, si profesori suedez Tunman (H. Thunmann, 1746-1748), ose më të vonshëm, po të shekullit XIX apo fillimit të shekullit XX, si gjermani Bop (F. Bopp, 1791-1897), një nga themeluesit e gjuhësisë krahasuese historike, ose Majeri (G. Meyer, 1850-1900), të cilët ishin gjuhëtarë apo historianë dhe shkruan për Shqipërinë dhe shqiptarët në bazë të njohurive që krijuan falë kontakteve, shpesh jo të drejtpërdrejta me botën shqiptare. Përkundrazi Ami Bue shkroi kryesisht për çështje të kësaj bote, të cilat ai i vështroi dhe i hulumtoi “de visu” në trevat shqiptare dhe midis shqiptarëve. Veçse në këtë mes ai ndryshonte edhe nga ata albanologë të tjerë, madje nga më të hershmit, si Pukëvili (F. De Pouqueville, 1770-1838) ose Liku (W. Leake, 1777-1860), të cilët e patën njohur nga afër botën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XIX, veçse nga pozitat e përfaqësuesve politikë të shteteve të tyre pranë Ali Pashë Tepelenës. Ai ndryshonte madje edhe nga Hani (J.G. von Hahn, 1811-1864), jurist nga formimi, i cili erdhi në trevat shqiptare gjithashtu si diplomat, veçse austriak dhe la pas një nga veprat më të njohura shkencore të kohës për gjuhën, historinë dhe kulturën popullore shqiptare.

Duke qenë se ishte një shkencëtar natyralist, një eksplorator, Ami Bue të tëra vrojtimet ia nënshtronte një metodike të rreptë shkencore. Prandaj vepra e tij ka rëndësi të dorës së parë për anën e saj dokumentare. Nga ana tjetër Ami Bue jo vetëm që analizoi me themel e me rreptësi shkencore gjithçka vrojtoi e çka kuptoi duke shtegtuar nëpër trevat shqiptare dhe duke qenë ndërmjet shqiptarëve, por e përgjithësoi analizën e tij dhe mandej doli në sinteza. Prandaj vepra e tij, sintezat e tij, nuk e humbën kurrë rëndësinë e tyre shkencore.

Po cili ishte Ami Bue dhe çka dha ai për Shqipërinë dhe shqiptarët?

Ami Bue ishte një nga mendjet më të ndritura të shkencave të natyrës, veçanërisht të gjeologjisë, në gjysmën e parë të shekullit XIX, anëtar i Akademisë Mbretërore dhe Perandorake të Vjenës, anëtar i Akademisë Perandorake Leopoldine-Karoline të Hulumtuesve të Natyrës, anëtar themelues dhe president i parë (1830) i Shoqatës Gjeologjike të Francës, anëtar themelues i Shoqatës Gjeografike të Parisit (1821) dhe i Shoqatës Antropologjike të Vjenës (1870), anëtar efektiv i 10 shoqatave të tjera shkencore në Francë, Austri, Zvicër etj., si dhe anëtar nderi në 15 shoqata po të tilla shkencore në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë veprimtarisë së tij jo të paktë ai shkroi dhe botoi rreth 400 artikuj dhe vepra më të mëdha shkencore, si dhe 12 harta të ndryshme[22]. Ndërmjet këtyre hartave përmendet sidomos e para, më e hershmja Hartë Gjeologjike e Rruzullit Tokësor, të cilën ai e përpiloi dhe e botoi në 1843 në Vjenë [19,f.530].

Kjo «kartë-vizitë» na lejon kësisoj që Ami Buenë ta cilësojmë si një njeri universal, si një dëshmitar ideal të kohës së tij për historinë e shkencave të natyrës. Ai mund të quhet si modeli i një dijetari ndërkombëtar të shekullit XIX [25], me një mendje të gjerë, të hapur, të baraspeshuar dhe jo të ngurtë e doktrinore.

Ami Bue (Ami, Amédée Boué) lindi në vitin 1794 në Hamburg në një familje tregtarësh dhe armatorësh të mëdhenj, e cila e kishte prejardhjen nga protestantët francezë, “hygënotët” dhe kishte ikur nga Bordoja nga fundi i shekullit XVII, për të shpëtuar nga përndjekjet që pasuan revokimin (1684) e Ediktit të Nantës. Pasi u vendos fillimisht në Amsterdam dhe në Kopenhagë, më pas familja u ngulit në vitin 1705 në Hamburg, ku lindi edhe gjyshi i Ami Buesë. Më vonë degët e ndryshme të kësaj familje të madhe tregtare u shpërndanë në shumë qytete të Europës. Kështu Ami Bue kishte farefis në Gjenevë, Paris, Bordo, Kiel, Berlin, Londër, Kopenhagë, Amsterdam dhe madje në Amerikën e Jugut, në Karakas, në Venezuelë. Pasi mbeti jetim, të afërmit e paracaktuan që të merrej me tregti, siç ishte në traditën familjare. Për këtë arsye e dërguan që të ndiqte studimet e mesme në Zvicër, në Bernë dhe më pas në Gjenevë. Këto studime ai i përfundoi duke marrë maturën në Paris, që e tërhiqte së tepërmi, sepse kryeqyteti i Perandorisë Franceze të Napoleonit në atë kohë ishte kthyer “de facto” në një lloj kryeqyteti për tëre Europën Perëndimore kontinentale.

Pas rënies së Napoleonit, Ami Bue në nëntor 1814 u nis për në Skoci, në Universitetin e Edinburgut, ku studioi shkencat e natyrës dhe mjekësinë, duke ndjekur kurset e anatomisë njerëzore, mjekësisë praktike, kimisë, fizikës, gjeologjisë e botanikës. Brenda tre vjetëve, në 1817, ai dha provimet në latinisht dhe mori diplomën e doktorit në mjekësi. Por mbi të gjitha mblodhi të dhënat për një përshkrim gjeologjik të Skocisë, të cilin e botoi më vonë, në 1820, në Paris.

Në Paris Ami Bue banoi për rreth njëzet vjet, nga viti 1817 e deri në 1835 dhe përfundoi e përsosi studimet aty, si dhe në Gjenevë, Hamburg, Berlin e Vjenë. Ndërkaq ai u bë dishepull ose mik dhe bashkëbisedues i natyralistëve të njohur francezë, si Sent Hileri (Saint Hilaire), Gaj Lysac (Gay Lussac), D’Orbinji (D’Orbigny), Bronjar (Brogniart), u bë vizitor i përhershëm i laboratorëve të tyre dhe mbeti vazhdimisht në ndjekje të risive më të fundit të shkencave të natyrës [22,f.21]. Duke qenë se pasuria e madhe, e trashëguar, i lejonte të ishte fare i pavarur nga ana ekonomike, ai përfitoi nga kjo gjendje, udhëtoi shumë dhe njohu mirë natyrën në vise të ndryshme të Europës Perëndimore. Këto udhëtime i dhanë gjithashtu mundësi që të njihej dhe të lidhej me miqësi me studiues natyralistë nga më të njohurit e kohës, si Humboldi (A. von Humboldt), Lajelli (Ch. Lyell), Mosi (F. Mohs). Në të njëjtën kohë ai bëri edhe dy udhëtime në Transilvani (1824) dhe në Karpatet (1829).

Kësisoj mund të themi që Ami Bue bën pjesë në atë plejadë natyralistësh, sidomos gjeologë-shtegtarë, të cilët u nisën të njihnin dhe të zbulonin botën në gjysmën e parë të shekullit XIX.

Ami Bue kishte një vizion tepër të përparuar për kohën e tij mbi rolin që duhet të luante shkenca dhe mbi kushtet në të cilat ajo mund të zhvillohej. Dhe për të mbrojtur pikëpamjen e tij disa herë tregoi një çiltëri, që mund ta quajmë edhe brutale. Tregoi çiltërinë e një njeriu kryekëput të lirë, pa asnjë detyrim dhe përfitim zyrtar. Kështu kur i paraqiti po këtë vit, në 1830, mbretit të Francës Luigj-Filipit shoqatën e sapokrijuar gjeologjike, nuk nguroi që të vinte me të madhe në dukje para tij se “shkencat kanë nevojë patjetër për liri që të lulëzojnë”.

Në vitin 1835 dijetari i shquar natyralist u detyrua të bënte një zgjedhje, e cila ndikoi më pas në tërë jetën e tij, për vendin se ku do të banonte dhe për nënshtetësinë që do të kishte. Siç e thotë edhe vetë në autobiografinë e tij “Nëse do të qëndroja në Paris nuk më mbetej rrugë tjetër veçse të ribëhesha francez, si pasardhës i një familje protestante franceze të mërguar, ashtu siç ishin bërë francezë dy vëllezërit e mi”. Trazirat politike të kohës në Francë, dëshira për ta ruajtur pasurinë, si dhe martesa në 1826 me një grua katolike austriake nga Vjena, e shtynë Ami Buenë, që kishte prirje republikane por i pëlqente rendi, që të shpërngulej nga Parisi. Ai hoqi dorë edhe nga qytetaria e vendlindjes, “qytetit të lirë e sovran të Hamburgut” dhe në 1835 u bë përfundimisht qytetar austriak dhe banor i Vjenës, ku tanimë do të “paguante më pak tatime se sa të huajt” dhe ku jetoi deri sa vdiq në vitin 1881.

Udhëtimet studimore të Ami Bues në Gadishullin Ballkanik

Duke filluar nga viti 1836 Ami Bue bëri tre udhëtime studimore në Gadishullin Ballkanik, për të cilat ai u përgatit mirë dhe metodikisht, duke studiuar librat dhe dokumentet e shkruara më parë për viset ballkanike. Ai ishte një studiues i jashtëzakonshëm i dokumenteve të shkruara, me një kulturë tejet të gjerë, i dhënë tërësisht pas punës, gjithnjë i papërtuar, të cilit natyra i kishte dhuruar një kujtesë të pashoqe, që i lehtësonte së tepërmi studimin e gjuhëve. Kësisoj dijetari i shquar, veç greqishtes së vjetër dhe latinishtes, njihte shumë mirë të gjitha gjuhët kryesore shkencore të kohës, frëngjishten, gjermanishten, anglishten, italishten, portugalishten, spanjishten e madje shfrytëzonte literaturë edhe në gjuhën ruse. Megjithatë, menjëherë pasi u vendos në Vjenë, para udhëtimeve të tij në “Turqinë e Europës” ai u mundua të zgjerojë njohuritë e tij gjuhësore duke u përpjekur të familjarizohet edhe me gjuhët e popujve ballkanikë dhe lindorë, të cilat nuk i njihte ende. Siç e përmend edhe vetë, ai filloi të mësojë turqishten duke pasur si mësues një murg armen dhe arriti deri-diku që ta kuptojë mirë këtë gjuhë. Më pas, gjatë udhëtimeve në trevat e Turqisë Europiane, atij iu dha ta njohë më mirë gjuhën turke të rëndomtë dhe ta përdorë atë në bisedat e jetës së përditshme, si dhe për të marrë njoftime nga vendasit në viset e ndryshme. Njohja e rusishtes e ndihmoi që të mësonte serbokroatishten të cilën filloi ta flasë. Por i vinte keq që dinte jo aq sa duhej shqipen dhe hungarishten. Madje ai tregon se “nuk munda të gjej ndonjë mësues për shqipen dhe m’u desh që të merrem pak me këtë gjuhë me ndihmën e disa librave të gramatikës dhe fjalorëve jo të plotë”. Kësisoj në trevat shqiptare, siç e thotë “me fjalorin tim në dorë unë munda të merrem vesh edhe për gjëra të tjera, veç atyre të nevojshme për një udhëtar”. Nga ana tjetër të papriturat e rrugëtimeve në këto vise, si dhe qëndrimi pranë një familje shqiptare për t’u shëruar, kur u sëmurë, i dhanë mundësi që të bënte mjaft përparime në njohjen e gjuhës shqipe të rëndomtë.

Të tre udhëtimet, të cilat zgjatën në tërësi mbi 18 muaj Ami Bue u detyrua t’i kryejë në kushte heroike, duke qenë gjithnjë në varësi të leje-kalimeve, shpesh jo të sigurta, të kryetarëve vendës. Ai u ra kryq e tërthor viseve tepër të vështira, pothuajse të pakalueshme, duke udhëtuar me kalë ose madje edhe në këmbë nëpër shtigjet e thepisura të relievit të ashpër ballkanik. Veç mungesës se rrugëve, ai ishte i detyruar të përballonte edhe pasigurinë politike, si dhe rrezikun e sëmundjeve epidemike, që përhapeshin me shpejtësi.

Në udhëtimin e tij të parë, në pranverën e vitit 1836, Ami Bue, i shoqëruar nga dy anëtarë të tjerë të Shoqatës Gjeologjike të Francës, Ogyst Vikënel (A. Viquesnel) dhe Montalamber (D. Montalambert), zbritën me barkë nëpër Danub, nga Vjena në Beograd. Pasi kaluan nëpër Serbi, eksploruesit arritën në Kosovë. Gjatë udhëtimit nga Novipazari në Pejë Ami Bue vuri re se ”Sulltani po internonte në Azinë e Vogël shumë nga banorët e ashpër të fshatrave rreth e rrotull“. Pasi ndaluan në Pejë, Ami Bue bashkë me bashkudhëtarët e tij u ngjitën në Malin Peklen dhe krijuan një përfytyrim “të pellgut të epërm të Drinit Shqiptar, me Sharrin dhe kështjellën e Prizrenit në sfond”. Nga Peja ata shkuan në Deçan e më pas në Prishtinë dhe që këtu drejtë e në Kaçanik. Pasi kaluan grykën vajtën në Shkup dhe u drejtuan për në veri të Greqisë. Në Selanik bashkudhëtarët e lanë Ami Buenë dhe kështu ai vazhdoi i vetëm udhëtimin deri në malësinë e Rodopit dhe më tej në Sofje. Që këtu u kthye në Nish dhe Beograd e më pas në Vjenë, ku hartoi menjëherë shënimet e tij të udhëtimit.

Një vit më pas, në 1837, eksploratori sypatrembur u nis i vetëm në udhëtimin e tij të dytë, i cili vazhdoi gjashtë muaj, pavarësisht se në atë kohë në trevat ballkanike po bënte kërdinë një epidemi murtaje. Nga Beogradi ai drejtua kah lindja dhe arriti në brigjet e Detit të Zi, pasi kaloi katër herë nëpër Vargmalet Ballkan. Duke shmangur me kujdes vatrat e murtajës, sidomos në Sofje, ai arriti në Burgasi, nga ku vajti më pas në Stamboll. Aty filloi rrugën e kthimit, duke kaluar nëpër Bullgari e më pas në Maqedoni dhe në viset shqiptare. Pasi arriti në Gjilan kaloi nëpër luginën e Janevës dhe Graçanicës, vajti në Prishtinë dhe duke vazhduar rrugëtimin kaloi në Prizren. Më tej zbriti nëpër luginën e gjerë të Verbnicës dhe që këtu shkoi në Lumë e në Kukës. Duke ndjekur luginën e Drinit deri në Va të Spasit u ngjit në Mirditë, deri në vijën ujëndarëse të Qafës së Malit dhe që aty kaloi në Pukë. Më pas filloi një zbritje të madhe, rishtas për në luginën e Drinit, kaloi lumin me trap, arriti në Drinasë dhe e ndoqi atë deri në Shkodër. Aty qëndroi disa ditë dhe pasi e mori veten nga lodhja e rrugës mori rrugën e kthimit për në Kosovë. U ngjit në malësinë e Hasit, më pas zbriti drejt ultësirës në Gjakovë dhe që këtu vajti në Prizren dhe në Prishtinë.

Siç e përmend edhe vetë gjatë udhëtimit të kthimit ai u sëmur rëndë dhe u detyrua të qëndrojë për një farë kohe në një fshat në lindje të Suharekës, i strehuar në një familje shqiptare, e cila u përkujdes shumë për të. Këtu, me sa duket e ka zanafillën edhe ai qëndrim mirëdashës dhe plot respekt që tregon Ami Bue në tërë botimet e tij kur bën fjalë për shqiptarët.

Gjatë vitit 1838, Ami Bue, i shoqëruar nga Ogyst Vikënel ndërmori udhëtimin e tij të tretë, në atë trevë, e cila në atë kohë quhej “Turqia e Europës”. Itinerari i tyre përfshiu vetëm pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, duke kaluar nëpër Bosnje, Serbi, Shqipëri, Maqedoni dhe Thesali. Pasi u nisën nga Beogradi në prill 1838 ata vajtën në Novipazar. Që këtu u nisën drejt Shkodrës, nëpër një rrugë të pashkelur më parë, duke kaluar në shtigjet malore. Shtegtari i palodhur nënvizon se “ne mundëm ta bëjmë këtë rrugëtim nëpër male vetëm me ndihmën dhe besën e pleqve vendas shqiptarë”. Kështu ata kaluan nëpër Pejë e Rozhajë, u ngjitën në bjeshkë e mandej zbritën në Plavë, pranë liqent të saj të kaltër dhe në Guci. Nga Gucia kaluan Qafën e Bjeshkeve të Namuna “mbi 7000 këmbë e lartë, në rrugën më të lartë të kalueshme nga kuajt në terë Turqinë”. Duke vijuar rrugëtimin në Malësinë e Madhe eksploruesit guximtarë zbritën në Grykën e Shalës “me anë të një shkalle artificiale dhe tepër të pjerrët në një të çarë të shkëmbinjve dolomitikë”. Meqenëse nuk mund të shkonin në Shkodër duke ecur nëpër shkëmbinjtë që zbresin pjerrtas në Drin, qenë të detyruar të kalonin rishtas nëpër qafat e maleve ende të mbuluara me borë dhe arritën në Bogë. Më tej nëpërmjet Shkrelit zbritën deri në brigjet e liqenit dhe hynë në “qytetin e madh të Shkodrës, me kopshte dhe sheshe të mëdha ndërmjet banesave”.

Nga Shkodra ata vajtën në Lezhë dhe që këndej vazhduan udhëtimin për në Krujë, Tiranë dhe Elbasan. Nga Elbasani kaluan në Berat dhe u nisën drejt jugut të Shqipërisë. Nga Gryka e Këlcyrës kaluan nëpër luginën e Vjosës në Përmet dhe që këtu vajtën në Janinë. Aty Vikëneli u sëmurë nga tifoja dhe nuk ishte në gjendje rrugëtimi. Ai nuk e shoqëroi më Ami Buenë në itineraret ballkanike dhe i botoi veçmas përfundimet e vrojtimeve të tij jo të plota.

Kështu Ami Bue, i cili ishte një dyzetvjeçar me energji fizike dhe morale të jashtëzakonshme dhe kishte aftësi të madhe që të lidhej me njerëzit, vazhdoi i vetëm udhëtimin në Thesali nëpër malësinë e Pindit. Pasi u ngjit edhe në Malin Olimp mori rrugën e kthimit. Duke kaluar nëpër luginën e madhe ndërmjet Pindit dhe maleve në veri të Kosturit, arriti në Bilisht dhe mandej në Korçë. Më tej u drejtua për në Manastirin e Shën Naumit dhe duke ndjekur bregun lindor të Liqenit të Ohrit shkoi në Ohër dhe në Strugë. Që këtu vajti në Tetovë (që atëherë quhej Kalkandel) dhe pasi kaloi malësinë e Sharrit arriti në Prizren dhe më tej në Pejë nga ku vazhdoi rrugën drejt Beogradit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora