E premte, 29.03.2024, 11:09 AM (GMT)

Kulturë

Gjovalin Paçi: Imazhi i Nënë Terezës, frymëzues i ekspozitës sime

E shtune, 15.09.2007, 10:59 PM


Ekspozita “Imazhe për Nënë Terezën”, e piktorit Gjovalin Paçi, e cila është një ndër aktivitetet e shumta që u bënë për nder të shenjtores me origjinë shqiptare, qëndron e hapur deri ditën e shtunë. Kjo ekspozitë me rreth 90 piktura, me një stil krejt të veçantë, sepse të gjitha pikturat janë pa tituj, me numra dhe shkronja anash tyre, që simbolizojnë diçka të caktuar. Piktori Gjovalin Paçi ka filluar që herët me pikturën. Ai ka bërë dhe ekspozita të tjera, përveç kësaj që ka hapur në ambientet e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Ekspozita “Imazhe për Nënë Terezën” është një përkujtim shumë i veçantë që i bëhet figurës së shenjtores.Lutjet, frazat e marra nga Bibla dhe nga libra të tjerë teologjikë, të cilat iu bashkëngjitën pikturave të piktorit Gjovalin Paçi, e bënë të veçantë këtë ekspozitë. Piktori Paçi nuk ka mbaruar asnjë shkollë arti, por talenti i tij është i padiskutuar dhe premton ta shpjerë larg. Gjovalin Paçi, "piktori i panjohur", peneli i dimensioneve universale, materializim i një shpirti që gjallon nga tradita, eposi dhe larmia e ngjyrimeve që formëzojnë kombin shqiptar. Galeria e punëve të tij tejkalon çdo parashikim të mundshëm. Deri më sot ai zotëron 30 vite jetë me penelin, afro 4 mijë punë, në të gjitha gjinitë e artit, të kompozimit, të portretit, por edhe disa lloje teknikash, si: akrilik, vaj, tempra, guashe dhe teknika të tjera grafike bardh e zi. Ka qenë galeria e improvizuar në ambientet e Komisionit Evropian në Tiranë që i ka dhënë mundësinë të prezantohet për herë të parë me një ekspozitë vetjake në kryeqytetin shqiptar, ndërsa nuk kishte mundur “të çante” në galeritë e tjera të rëndësishme. Të ndërtuara në bazë të një teme biblike, punimet e tij të realizuara në tekstil, me ngjyra ku bie në sy jeshilja e errët, ngjyra e tokës apo bluja e thellë, e në disa prej tyre ndihet një rreze jete e rrëfyer nëpërmjet të verdhës së zbehtë dhe bezhës, kanë tërhequr dhe befasuar shumë njerëz, qofshin këta personalitete të kulturës dhe arteve figurative në Shqipëri, të huaj të pasionuar pas artit etj. Lidhja familjare me baletmaestron e përmasave ndërkombëtare, Angjelin Preloçaj, atij i dha mundësinë vetëm të vihej përballë shumë piktorëve që vërshonin në galeritë parisienë. Por fati nuk do të vazhdonte të ishte i pamëshirshëm. Pas një galerie në Shkodër, ai do të prezantonte dhe shiste punët e tij në disa ekspozita vetjake, përfshi dhe prezantimin më 2002-in në ambientet e prezencës së Komisionit Evropian në Tiranë dhe më pas në Malin e Zi. Vit pas viti punët e tij kanë marrë përmasa dhe guxojnë të jenë shumëdimensionale, si për ta provuar hapur sfidën në një realitet të ashpër konkurrence artistike. Gjovalin Paçi ka prezantuar punimet e tij në një galeri private në Frankfurt. Arti i tij është i panjohur për shikuesin gjerman, ashtu siç është e panjohur Shqipëria. Simbolet dhe mitet e saj zënë vend në artin e Gjovalin Paçit. Në një galeri private në Frankfurt të Gjermanisë ai ekspozoi mbi 30 punë. Në këtë ekspozitë janë prezantuar tri cikle punimesh. Njëri prej tyre titullohet “Shpërthimet biblike”, me rreth 10 punime që i afrohen abstraksionit dhe me punime në reliev. Një tjetër cikël luan me mitet, kohën e shkuar e të ardhme. Ndërsa cikli i tretë është një trajtesë e besimit në kohët moderne. Megjithatë, nuk mungojnë edhe motivet tipike shqiptare. Disa prej punimeve që udhëtuan drejt Gjermanisë janë prezantuar edhe në Shqipëri në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, në një tjetër ekspozitë. Në ekspozitën që piktori Paçi hapi përpara disa ditësh në nderim të shenjtores Nënë Tereza, “Imazhe për Nënë Terezën”, ai gjeti një frymëzim të madh te kjo shenjtore. Ai mendoi ta hapte ekspozitën e tij për përvjetorin e dhjetë të vdekjes së saj, dhe kjo ishte një ndër aktivitetet e shumta që u bënë për nder të saj. Gjatë një interviste dhënë për gazetën “Sot”, piktori i talentuar Paçi na tregon për punën e tij jo vetëm në Shqipëri, por edhe për ekspozitat e hapura në vende të tjera të botës.
Pse motivin e ekspozitës tuaj e gjetët pikërisht te shenjtorja Nënë Tereza?
Ky është një motiv shumë i vjetër, i cili më ka ngacmuar qysh me njohjen e saj. Është një njeri kaq i brishtë dhe është shumë e vështirë për një njeri të zakontë ta ndajë atë nga njeriu dhe nga shenjtorja. Duke parë humanizmin e saj, shpirtin e saj të madh, jam ngacmuar, duke filluar kështu një cikël punimesh që, për fat, u inaugurua për dhjetëvjetorin e saj të vdekjes.

Sa piktura gjenden në ekspozitën tuaj?
Në këtë ekspozitë janë rreth 90 punime të krijimtarisë sime që i kushtohen shenjtores shqiptare, duke përdorur teknikën e ndërthurjes midis abstraktes dhe figuracionit.

Cili është mesazhi që doni të përcillni nëpërmjet pikturave tuaja?
Mesazhi është sa universal, aq edhe human. Është mesazhi që njeriu ka gjithmonë çfarë të thotë kur dëshiron të thotë diçka. Unë nuk shoh atë pjesë të egër të njeriut tokësor, por shoh më shumë te pjesa e shpirtit që është e pandriçuar, jo te pjesa që njeriun e njeh në sipërfaqe. Është ajo pjesë që njeriu e ka përfunduar të jetuarën në tokë. Është një dimension i dytë, një dimension me sjellje të tokës. Është ajo mistike që na mban mua, ty dhe të gjithë njerëzit që jetojnë në Tokë, ajo pjesë e errët që ekziston mes njerëzve dhe që ne nuk e njohim. Kjo është piktura ime: gjithçka që na ndodh dhe që nuk e njohim. Të gjithëve na ngacmon e panjohura. E pakapshmja më pëlqen, më intrigon, më bën të mendoj dhe pastaj ky mendim apo ngacmim pasqyrohet në pikturën time. Pra, kjo është ideja, mesazhi apo imazhi, ajo që kërkoj unë. Për mua si Xhovalin është i vërtetë ky dimension, por nuk mund të jetë i tillë për dikë tjetër. Gjithsecili e sheh në mënyrën e vet. Thelbi i kësaj ekspozite dhe i vetë pikturave të mia është mistikja, çfarë na ndan me sjelljet e tokës, kush është ajo pjesë që nuk e prekim, që nuk e kuptojmë; e gjithë kjo e keqe që i krijojmë njëri–tjetrit në tokë pa asnjë lloj aksesi, pa asnjë lloj motivimi.

Cili është stili që keni përdorur në punimet tuaja?
Është piktura reliev, midis pikturës dhe skulpturës, sepse unë kam dëshirë ta prek dhe pikturën e dua materiale. Unë luaj me format dhe jo thjesht me penelin. Bëj në punimet e mia ndërthurje me pjesë plastike, me rrjeta, copa hekuri dhe tela. Abstraktja është një pjesë tjetër e punës sime. Në ekspozitat e mia ruhet një lloj raporti midis abstraktes dhe figuracionit. Alternimi abstraksion dhe figuracion i japin veçanti punimeve të mia. Ato nuk i përkasin një pikture tokësore, që kapet menjëherë… Kjo e imja është një pikturë e një tjetër dimensioni, është një temë mistike, krejtësisht e kulluar Krijoj dritë–hije, se çdo errësirë ka një dritë dhe çdo dritë ka errësirë. Ashtu  sikurse ndodh dhe në jetë, që çdo malore ka edhe fushore, po kështu çdo fushore ka edhe një malore.
                                                                                                                                   
Pse të gjitha pikturat tuaja janë pa titull?
Nuk përdor titull asnjëherë, po t’i shohësh me vëmendje, çdo pikturë ka diçka të shkruar anash ose ka të shkruar një numër dhe nëpërmjet atij numri ajo kodifikohet, dhe ai numër ose është pjesë e biblës, ose e ndonjë pjese tjetër në librat teologjikë, ose janë thënie të njerëzve të mëdhenj e të rëndësishëm. Numri zero është absolutja, ose nga fjala te fjala, sepse çdo gjë u krijua nëpërmjet fjalës. Jam frymëzuar pa lënë mbrapa edhe librat artistikë dhe kam realizuar këtë ekspozitë.

Keni marrë pjesë edhe në aktivitete të tjera?
Mund të jetë ekspozita e 37-të. Ekspozita jashtë shtetit duhet të kem bërë 10 të tilla. Kam filluar me një ekspozitë në Paris, në vitin 1995, ekspozita në Ballkan, ndërsa vjet kam pasur një ekspozitë shumë të mirë në Frankfurt, pastaj një ekspozitë në Bruksel në fund të dhjetorit deri në fillim të janarit 2007.

Kush ju sponsorizon për aktivitetet tuaja?
Unë jetoj me pikturën. Rrallë takojmë njerëz që më sponsorizojnë. Shteti është pothuajse inekzistent në përkrahjen e artistëve. Mua nuk më ka sponsorizuar asnjë, gjithçka me forcat e mia.

Sa kohë keni që merreni me pikturë?
Nuk mbaj mend saktësisht, sepse kam filluar shumë herët. Prej rreth 30 vitesh merrem me pikturë. Kam gamë të gjerë punimesh, rreth 3-4 mijë punë në të gjitha gjinitë e artit, të kompozimit, të portretit, por edhe disa lloj teknikash, si: akrilik, vaj, tempra, guashe dhe teknika të tjera grafike, bardh e zi.

Mesazhi është sa universal, aq edhe human. Është mesazhi që njeriu ka gjithmonë çfarë të thotë kur dëshiron të thotë diçka. Unë nuk shoh atë pjesë të egër të njeriut tokësor, por shoh më shumë te pjesa e shpirtit që është e pandriçuar, jo te pjesa që njeriun e njeh në sipërfaqe. Është ajo pjesë që njeriu e ka përfunduar të jetuarën në tokë. Është një dimension i dytë, një dimension me sjellje të tokës. Është ajo mistike që na mban mua, ty dhe të gjithë njerëzit që jetojnë në Tokë, ajo pjesë e errët që ekziston mes njerëzve dhe që ne nuk e njohim. Kjo është piktura ime: gjithçka që na ndodh dhe që nuk e njohim. Të gjithëve na ngacmon e panjohura. E pakapshmja më pëlqen, më intrigon, më bën të mendoj dhe pastaj ky mendim apo ngacmim pasqyrohet në pikturën time. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora